Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vebi Xhemaili: Organizata ‘’Besa’’ simbol i luftës për Shqipërinë Etnike

| E diele, 18.04.2010, 07:58 PM |


Me rastin e 75- vjetorit të themelimit të Organizatës “Besa

 

ORRGANIZATA ” BESA” SIMBOL I LUFËS PËR SHQIPËRINË ETNIKE

 

RRUGËTIMI I ORGANIZATËS STUDENTORE “BESA” DREJT BASHKIMIT KOMBËTAR (1935-1941)

 

Nga Prof. Dr. Vebi Xhemaili

 

Shqiptarët midis dy luftërave Botërore ishin të ndarë përsëri në disa kampe politike, ata nuk kishin program të përbashkët kombëtar. Një vit pas themelimit të Mbretërisë SKS në luginën e Vardarit dhe në Kosovë ka vepruar Partia Myslimane e njohur me emrin “Xhemijet” (Bashkimi), që përfaqësonte interesat e popullatës  të gjithë shqiptarëve, myslimanëve dhe turqve, nën sundimin jugosllav. Kjo parti gjatë veprimit të vet nuk arriti të artikulonte interesat e popullatës që përfaqësonte. Në këto rrethana lufte, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, (tani më e njohur në historinë më të re si nacionalizma shqiptare), ka pasur mangësi të mëdha në zgjedhjen e drejtë të çështjes shqiptare.

Gjatë sundimit të Mbretërisë Jugosllave, Shkupi ishte shndërruar në qendër të nacionalizmës shqiptare. Aty tuboheshin studentët shqiptarë që studionin nëpër universitetet e Jugosllavisë si në Beograd, Zagreb dhe qytete tjera. Shkupi luante qendrën e lëvizjes kombëtare të shtresës intelektuale në atë kohë, ku bënin pjesë edhe nxënësit e medreseve që shumica shkolloheshin në Shkup. Me rivendosjen e regjimit serb në trojet tona, Hasan Prishtina u lagua nga Shkupi, i shpallur si person tejet i rrezikshëm nga regjimi serb. Udhëheqës më në zë q vepronte tani më në Shkup mbeti vetëm Ferat bej Draga. Prandaj me shpalljen e diktaturës jugosllave, regjimi serb, Fehrat Dragën e kishte pagëzuar si “Gandist” dhe bashkëpunëtor të shërbimeve të huaja. Regjimi jugosllav deklaronte: “Ferat Draga është udhëheqës i vërtetë për masën shqiptare si “Gandi në Indi” Për ta thyer këtë botëkuptim kundër Ferat Dragës, tani për tani është e pamundur”.[1]

 

                        THEMELIMI I ORGANIZATËS “BESA”

                             

 Organizata studentore “Besa”, u themelua me ndërmjetësimin e Legatës Shqiptare në mars të vitit 1935.[2] Këtë organizatë në fillim të vitit 1935, e ndihmoi Sekretari i Parë i Legatës Shqiptare në Beograd Shermet Xherxhuli. Me ndihmën e tij, filloi së vepruari kjo organizatë nacionaliste me seli në Beograd. Ky diplomat shqiptar në fillim arriti të anëtarësojë 12 studentë nga Kosova dhe Shqipëria Lindore.[3] Ky diplomat shqiptar  organizatën “Besa” e organizoi pastër në baza kombëtare, kjo organizatë politike, kishte për detyrë ngritjen e vetëdijes kombëtare te popullata shqiptare, në luftë kundër regjimit të egër Jugosllav. Koordinator i parë i kësaj lëvizje djathtiste ka qenë studenti Abdulla Saqipi nga Presheva. Ky në fillim të lëvizjes njihet edhe si Kryetar i Këshillit Iniciativë, të kësaj organizate studentore, para mbajtjes të kuvendit. Aktiviteti i Abdullah Saqipit, në këtë vijë është ndër të parët nismëtarë dhe organizatorë i organizatës “Besa”, njëherrit edhe kundërshtar i përbetuar i regjimit serb.[4] Sipas dëshmive që na  ofrojnë dëshmitarët e organizatës “Besa”,  Abdulla Saqipi ka qenë një ndër studentët e parë shqiptar në Beograd. Atij iu ngarkua detyra e propagandës dhe punoi shumë për përhapjen e idesë për bashkim kombëtar. Ky punoi me të madhe kundër nacional-shovinizmit serb në mbrojtje të çështjes  kombëtare. Abdullahu para se të themelohej organizata “Besa”, ka pasur marrëdhënie të mira me konsullin shqiptar në Beograd. Ka qenë kryesori që ka mbrojtur fuqishëm rrymën djathtiste në organizatën “Besa”.  Ky kërkonte me çdo kusht që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë, pa marrë parasysh se çfarë regjimi shoqëror ka Shqipëria e Ahmet Zogut. Po ashtu ishte kundër bashkëpunimit të studentëve shqiptarë me komunistët, qofshin ato edhe shqiptarë, në veçanti me organizatën studentore “Kosmet”, ku bënin pjesë edhe disa shqipfolës si; Meto Bajraktari, Ali Shukriu e disa të tjerë.

Këtë organizatë politike, me mjete financiare e ka ndihmuar shteti shqiptar i Zogut. Në veçanti ndihmë të madhe ka ofruar, Sekretari i Parë i Legatës Shqiptare në Beograd, Sheremet Xherxhuli. Ky ka marrë pjesë aktive në mbledhje me anëtarët e shoqatës “Besa” në “Koshtunjak”, një paralagje e Beogradit, duke u dhënë detyra konkrete anëtarëve të organizatës për veprim. Detyra e parë ishte grumbullimi i të dhënave statistikore për popullsinë shqiptare në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare të aneksuara nga sundimi jugosllav.[5]

Në fillim kjo organizatë përbëhej nga studentë të trojeve të Shqipërisë Verilindore, që studionin në Universitetin e Beogradit.[6] Por, ka pasur student edhe nga Shqipëria politike që kanë studiuar në Beograd si studentët; Abdyl Selfo Sejko, i cili pas studimeve u punësua në Filat. Ndërsa studenti tjetër nga Shkodra, Ilia Banushi, pas kthimit në Shqipëri, punoi si profesor në gjimnazin e Tiranës. Pastaj u transferua si dhespot në Gjirokastër, u burgos në vitin 1945, nga pushteti i Enver Hoxhës si nacionalist.[7] Ndërsa shumica e këtyre studentëve tjerë ishin nga qytetet e “Banovinës së Varadarit” pra nga Kosova, Presheva, Kumanova, Tetova, Gostivari, dhe Struga. Të gjithë këta studentë më parë kishin mbaruar medresenë në Shkup. Koordinator i të gjitha lëvizjeve me karakter progresiv ishte studenti dhe komunisti, Shaip Mustafa nga Presheva.[8]

Kjo organizatë ka vepruar ilegalisht, në plan të parë ka pasur për objektiv përhapjen e idesë për çlirimin  e Shqipërisë Lindore dhe bashkimin e saj me Mbretërinë Shqiptare të Mbretit Zog. Këta studentë, kudo që shkonin propagandonin idenë, që në momentin e dhënë të bashkohen me Shqipërinë. Në platformën e tyre për bashkim kombëtar u dalluan studentët: Ibrahimi Lutfiu nga Prizreni, Qazim Bllaca nga fshati Bllacë i Malishevës, Imer Esat Berisha nga Gjilani, Nexhip Deva nga Mitovica, Abdulla Saqipi nga Presheva, Tahiri Ismaili nga Matejçi i Kumanovës, Shaip Mustafa nga Presheva, me Jahja Osmanin nga Kumanova, të dy anonin kah e djathta. Këta dy vepronin së bashku, në Shkup me rrethinë. Xhevdet Pallaska dhe Sokol Dobroshi nga Gjakova. Sokol Dobroshi pas kthimit në vendlindje ka punuar si stazhit te senatori dhe avokati i njohur i nacionalizmës shqiptare në Gostivar, Kadri Saliu.[9] Nga Tetova, më i njohuri ishte Ikona e nacionalizmës shqiptare nga fshati Gajre i Tetovës, Shaip Kamberi. Ky nga viti 1943 u emërua kryetar komune në Tetovë. Ndërsa nga viti 1944 nxori edhe gazetën “Zani i Sharrit”. Nga Struga më i njohuri ishte Esat Doko. Ky, në fund të luftës, gjatë muajt tetor-nëntor 1944, kalon nga forcat partizane.[10] 

 

Shaip Kamberi; Sekretari i Parë i Organizatës nacionaliste “BESA”
Shaip Kamberi; Sekretari i Parë i Organizatës nacionaliste “BESA”
Programi themelor i kësaj organizate ishte, çlirimi i trojeve shqiptare me Kosovë, Preshevë, Shkup deri në Veles dhe bashkimi  i tyre me shtetin amë. Anëtarët e organizatës “Besa”, kanë pasur për detyrë sipas programit të tyre kombëtar që në kontaktet me qytetarë të përhapin platformën për bashkimin e trojeve shqiptare të aneksuara me dhunë nga pushteti Jugosllav, ti bashkëngjiten Shqipërisë.[11]

Pas themelimit të Organizatës “Besa” me iniciativën e Legatës Shqiptare, ajo në fillim veproi si e bashkuar, por më vonë ajo ndahet në dy rryma politike: në majtistë dhe djathtistë. Në krahun e majtistë më i njohuri ishte preshevari Shaip Mustafa nga Presheva dhe Jahja Osmani nga Kumanova që vepronin në Shkup. Ndërsa këtij krahu i takonin edhe Abdulla Saipi dhe Xhevdet Pallaska.

Ndërsa si djathtistë më të njohur në organizatën politike “Besa” ishin: Ibrahim Lutfiu nga Suha Reka, Sokol Dobroshi nga Gjakova, Shaip Kamberi nga Tetova, i cili ishte dhe mbeti simbol i nacionalizmës në Tetovë me rrethinë, deri në vrasjen e tij nga OZN-a. Këta atdhetarë të palodhshëm kurrë nuk i besuan platformës komuniste për barazi ndëretnike dhe çlirim nacional. Këta ishin kundër bashkëpunimit me komunistët shqiptarë dhe malazez që kishin erdh në Kosovë si kolonistë dhe vepronin nën platformën e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Më vonë kësaj organizate iu bashkëngjit edhe Ferhat Draga, i cili ka marrë pjesë si mediator midis ambasadës italiane dhe organizatës “Besa” të Beogradit.[12]

Me formimin e kësaj organizate të fshehtë politike me karakter  mbarëkombëtar, nëpërmes një telegrami u informua edhe Mbreti Zog.[13] Organizata “Besa” ka mbajtur kontakte të pa ndërprera me Legatën shqiptare në Beograd dhe Shkup.[14] Në manifestimin e ditës së Flamurit më 28 nëntor 1936, diplomati shqiptar në Beograd Rauf Fico, në përshëndetjen e tij me rastin e ditës së flamurit ndër të tjera tha: “Bijtë e mijë, ju jeni të lumtur. Ju keni një atdhe të lirë, ju një Mbret të Madh e të mençur. Shqipëria është e juaja, Mbreti është i juaji. Keni mbret gjenial. Ai rri zgjuar për fatin e kombit”.[15]

Në Beograd, kundër veprimtarisë nacionaliste “Besa”, vepronte organizata studentore “Kosmet”, e themeluar poashtu në Beograd, ku shumica nga këta studentë ishin kolonistë malazez, që ishin vendosur në Kosovë nëpërmes reformës agrare. Kjo organizatë studentore e ashtuquajtur “Kosmet”, pas vitit 1937, ka qenë shumë e fuqishme edhe ndër studentët shqiptarë që studionin në Beograd dhe qytete tjera të Jugosllavisë. Kjo organizatë për të përfituar shqiptarët në anën e tyre, u tregua shumë e vendosur në veçanti kundër grabitjes së pronësisë ndaj shqiptarëve. Ajo publikisht doli kundër vendimit të Qeverisë Serbe për marrëveshjen që kishte lidhur ajo me Qeverinë Turke, në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.[16]

Me këtë platformë të ideologjisë komuniste jugosllave vepronin edhe disa studentë shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit: si Ali Shkriu, Meto Bajraktari, Zejnel Ajdini, Rashid Dedoviqi, Hivzi dhe Azis Selejmani, Shaip Mustafa, Selim Selimi, Mexhid Saliu, Abdulla Presheva, Abduraman Hajdar Pasha e tjerë.  Ndërsa takimet i mbanin në klubin “Kosova” në Beograd.[17]        

Për pozitën e vështirë ekonomike dhe politike të shqiptarëve nën sundimin Jugosllav, kanë pasur njohuri edhe shtet e evropiane. Në veçanti shërbimi informativ italian i cili ka pasur lidhje me disa  organizata shqiptare dhe krerë të saj, pasi ajo ishte shumë e interesuar për gjendjen e shqiptarëve nën Jugosllavi. Në veçanti diplomacia konsullore mbante lidhje të ngushta, me organizatën studentore “Besa” të Beogradit.

Me këtë rast duhet theksuar se demonstratat e shqiptarëve në Shkup, të organizuara më 10 maj 1941 kundër sunduesve bullgarë i kanë organizuar anëtarët e organizatës studentore “Besa” të Beogradit. Parulla e tyre ishte: “Shkupi e Kumanova me Preshevë t’i bashkohen Shqipërisë”. Po ashtu kjo organizatë ka organizuar një manifestim edhe në Tetovë, po me të njëjtën kërkesë.[18]

Qazim Bllaca ka qenë student i drejtësisë në Beograd. Gjatë luftës së Dytë Botërore ishte kryetar komune në Prizren. Ky para luftës ishte anëtar i Organizatës “Besa”. Sipas të dhënave që disponojmë, ai u bë anëtar i organizatës nga fundi i vitit 1935, në fillim të vitit 1936.[19] Ky ishte rreshtuar në krahun e Ibrahim Lutfiut. Te ky si kryetar komune erdhën një grup veprimtarësh, si Jahja Osmani, Shaip Mustafa, Xhevdet Pallaska, Sokol Dobroshi, ku së bashku i shkruan një qarkore, Kryetarit të Qeverisë Shqiptare, Rexhep Mitrovicës, në të cilën kërkohej: “Ne studentët shqiptarë nuk pajtohemi me politikën e ndarjes së një pjese të Kosovës, nga Shqipëria, që duan ta zbatojnë forcat bullgare dhe pushteti italian”.[20]     

Poashtu duhet cekur aktivitetin e dendur të Esat Imer Berishës nga Gjilani. Ky si student i drejtësisë në Beograd nga viti 1934, ka qenë shumë aktiv në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në organizatën “Besa” ka mbajtur krahun  e Kryetarit Ibrahim Lutfiu. Gjatë luftës ka qenë funksionar politik i degës së Partisë Fashiste në Gjilan, mbante postin e Sekretarit të partisë. Gjatë kësaj kohe ka punuar në gjyqin e Gjilanit. Me këtë shoqërohej Aqif Tetova dhe nënprefekti Rakip Raça, nga Shqipëria, ky  më vonë përcaktohet me detyrë në Gostivar. Rakipi pasi vendoset në Gostivar, arrin sëbashku me Xhevat Kallajxhiun të bindin Xhemë Hasën, që të kthehet në Gostivar, që të veprojë në anën e forcave nacionaliste, në mbrojtje të Shqipërisë Etnike, nga depërtimi komunist jugosllav.

 Ndërsa Aqif Tetova është i njohur për veprimtarinë e tij kombëtare në Gjilan me rrethinë. Ky e kundërshtoi Fadil Hoxhën fuqishëm, në një tubim që patën në Livoç, ku i thotë; “ Fadil mos u beso sllavëve, se atyre nuk besohet, ata përsëri do të na mashtrojnë”.

 Gjilani në këtë kohë i takonte Prefekturës së Prishtinës e cila kishte në kuadër të saj  edhe nënprefekturën e Ferizajt, me gjithsejtë 21 komuna dhe tri bashki. Pushteti italian deri në gusht të vitit 1941 kishte formuar vetëm tri Prefektura në tokat e liruara: Dibrës, Prizrenit dhe Prishtinës.[21] Esat Berisha, gjatë studimeve në Beograd, ka marrë ndihma financiare nga Drejtoria e Vakëfeve në Shkup, ndërsa më vonë ka marrë ndihma edhe si aktivist i organizatës “Besa”, nga Legata Shqiptare në Beograd.[22]

Studentët komunistë shqiptarë që studionin në Beograd e forcuan propagandën komuniste me kthimin e Fadil Hoxhës në Kosovë. Ky kishte mbaruar shkollimin në Tiranë, atje ishin nxënësit shqiptarë ishin frymëzuar me literaturë marksiste-leniniste, që u printe Asim Vokshi, i cili ishte bë i njohur me pjesëmarrjen e tij në rezistencën e Fierit në vitin 1935, pastaj edhe u burgos për disa muaj nga regjimi i Amet Zogut. Asimi duke shpërndarë literaturë marksiste-leniniste, i porosiste nxënësit shqiptarë që të lexojnë veprën e Maksim Gorkit “Nëna”, por më e lexuara ndër nxënësit kosovarë ishte “Rruga e një bolsheviku”. Ky arriti të përvetësonte edhe shumë mësues tjerë që shkolloheshin në atë kohë në Tiranë dhe qendra tjera. Shumica nga këta nxënës, me fillimin e luftës u kthyen në Kosovë dhe filluan propagandën e idealeve komuniste, internacionaliste që propagandonin “vëllazërim bashkimin” me të gjithë komunistët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre nacionale.

 Ndër veprimtarët më të njohur të ideve komuniste që u kthyen në Kosovë ishin: Emin Duraku, Hajdar Dushi, Xheladin Hana, Qemal Bakija, Xhevdet Hamza, Ymer Pula, Mazllum Këpuska,  Veli Deva, Ismet Mula,  Hysen Shita, Ismet Shaqiri, Xhavit Nimani, Ramadan Çitaku, Sadik Stavileci, Mehmet Hoxha e shumë të tjerë. Mehmet Hoxha gjatë sundimit italian ka qenë nëpunës në Elbasan, pastaj emërohet Prefekt i Dibrës, por këtu ka bashkëpunuar fuqishëm me lëvizjen komuniste, duke i bërë dëme të mëdha së pari Prefekturës së Dibrës, ku bënin pjesë; Tetova, Dibra, Kërçova, Struga. Këto qytet shqiptare u bashkuan me trungun e vet. Njëherrit ajo rrezatohej edhe kundër institucioneve të shtetit bashkuar shqiptar, pas copëtimit arbitrar të Shqipërisë në Konferencën e Londrës më 22 mars 1913. 

Me lejen e Mehmet Hoxhës, Organizata e Partisë Komuniste në Dibër, i nxjerr Tempos dhe shoqes së tij letër njoftimi, duke e bërë qytetar të Dibrës, për të lëvizur lirshëm nëpër qytete shqiptare. Pasi Tempo bëhet banor i Dibrës, kah Struga shkon në Elbasan, ku takohet me Enver Hoxhën dhe koordinatorin e PKSH, Milladin Popoviqin.[23]       

Anëtarët e Besës u  bënin apel studentëve shqiptarë të mos bien pre e propagandës komuniste. Në këtë veprimtari kombëtare është dalluar Sokol Dobroshi nga Gjakova,  njëri ndër më aktivët në këtë organizatë.[24]

 Sokol Dobroshi, ka marr pjesë në Kuvendin themelues të organizatës “Besa”, të mbajtur në mars të vitit 1935. Ai ka propozuar që emri i organizatës të ishte “Liria”, ose “Besa”, u pranua “Besa”, thotë një ndër themeluesit, Abdulla Saqipi.[25] Sokoli i ka takuar krahut me bindje të fuqishme djathtiste, ka luftuar për shkëputjen  e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Ka qenë mediator që organizata të lidhet sa më ngushtë me konsullatën shqiptare në Beograd. Sokoli ka punuar në fillim si ndihmës te avokati i njohur Kadri Saliu në Gostivar. Sokoli ka merita për formimin e degëve të “Besës” në Gostivar, Strugë, Tetovë,  Gjilan dhe Prizren.[26]

Lidhjet e organizatës me Kosovën i mbante Sadik Tafarishi nga Gjakova. Ai ka sjellë letra dhe raporte nga Kosova për Rexhep Stabllevën në Shkup, “për brendinë e letrave i tregonte vetëm Nevzat Maksutit”.[27]            

Politika e shtetit shqiptar, në krye me Mbretin  Zog, në atë kohë ishte shumë e interesuar që përmes organizatës “Besa”, të frymëzohej rinia shqiptare që jetonte nën sundimin jugosllav për organizimin e rezistencës kundër shpërnguljes dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare për çlirimin e trojeve shqiptare nga sundimi jugosllav. Në atë kohë shteti shqiptar u ndante edhe para veprimtarëve të organizatës “Besa”, përmes diplomatit Ymer Rashidi, i cili në vitin 1938 u emërua konsull në Shkup.[28]

Në atë kohë diplomacia shqiptare ishte shumë e  interesuar për të bashkuar shqiptarët në rrafshin politik. Kjo ishte arsyeja që Rexhep Steblleva dhe Shaip Presheva biseduan për rrethanat politike në Jugosllavi dhe pozitën tejet të vështirë të shqiptarëve në Kosovë dhe Banovinën e Vardarit. Biseda u fokusua në të mirë të veprimit të përbashkët të parisë shqiptare kudo që vepronte. Prandaj konsulli shqiptar në Shkup, Ymer Rashidi, e luti Shaip Musatafën që të koordinonte veprimet politike me Ferat bej Dragën. Por Shaipi, i mbushur përplot me ide komuniste, në fillim nuk pranoi bashkëpunim me Ferat Dragën.[29]

Për rëndësinë politike të organizatës “Besa” fletë edhe takimi që kanë pasur udhëheqësit e organizatës “Besa”, Lutfiu dhe Shaipi në Paris, me udhëheqësit e Komitetit të Kosovës, ku bënë këmbimin  e informatave dhe i caktuan detyrat për zhvillimin e mëtejshëm të organizimit të popullit drejt bashkimit me Shqipërinë.[30]

Programi politik i organizatës “Besa”, të Beogradit;

1. Përhapja e propagandës midis myslimanëve, se ata kurrsesi nuk mund të jenë turq, por janë shqiptarë.

2. Çdo anëtar e kishte për detyrë që të përhapte idenë për Shqipërinë Etnike dhe të luftonte për bashkimin e shqiptarëve; në Kosovë, Preshevë, Bujanovc dhe luginën e  Vardarit.

3. Ti jepet rëndësi mësimit të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare.

4. Kërkohej një regjistrim i plotë i popullatës shqiptare, që struktura e saj të jetë më bindëse para diplomacisë evropiane.

5. Kërkohej që turqit të deklaroheshin shqiptarë dhe të mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe.  

Propaganda komuniste për dështimin e politikës jugosllave akuzonte anëtarët e organizatës “Besa”. Ajo publikisht deklaronte: “se përçarje më të mëdha midis serbëve, malazezëve dhe shqiptarëve ka futur organizata “Besa”.[31] Pas 28 prillit të vitit 1941 në trojet shqiptare të Maqedonisë Perëndimore vendoset ushtria italiane.[32] Ata kudo në krahinën e Maqedonisë Perëndimore u pritën si çlirues, me lule dhe shumë manifestime në të gjitha trojet shqiptare që u aneksuan nga regjimi jugosllav, me vendimin e Konferencës së Bukureshtit që nga 29 korriku i vitit 1913.[33] 

Në vitin 1938 në Tetovë, me iniciativën e Shaip Kamberit në bashkëpunim me Nexhbedin Besimin, Selim Shehapin dhe Idris Cërcërin, në shtëpinë e Selman Shehapit, të vëllait të Selim Shehapit u themelua Dega e “Besës”, në praninë e 16 anëtarëve, ku për kryetar u emërua Ibrahim Ibrahimi-Cërcëri.[34]

Okupatori fashist  ishte i njohur mirë me rrethanat politike dhe ekonomike të shqiptarëve nën sundimin e Mbretërisë Jugosllave. Në anën tjetër edhe Lëvizja Kombëtare në territorin shqiptar ishte forcuar fuqishëm në prag të luftës së Dytë Botërore. Propaganda shqiptare dhe aspiratat e saja  për çlirim nacional në krahinën e Maqedonisë e sidomos në viset përgjatë luginës së Vardarit dhe Kosovës ishin permanente në zgjidhje të çështjes shqiptare. Në këto rrethana të vështira politike, ekonomike ku shqiptarët kërkonin shpëtim dhe drejtësi, diplomacia italiane doli me platformën për të korrigjuar gabimet e së kaluarës, duke u premtuar shqiptarëve bashkimin kombëtar. Pasi këto territore u pushtuan  pas luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912, dhe me Paqen e Bukureshtit në vitin 1913, i mori  dhuratë Serbia.[35] Kërkesat e shqiptarëve midis dy luftërave botërore politika ditore sllave e karakterizoi si kërkesë separatiste për krijimin e Shqipërisë Etnike, në dëm të Jugosllavisë.[36]

Kjo ishte arsyeja që forcat nacionaliste përkrahnin fuqishëm premtimin e forcave të boshtit qendror dhe ishin të “bindur”, se fashizmi u ofron më shumë të drejta në aspektin nacional, që deri atëherë nën sundimin jugosllav ishin të sanksionuara me ligj: si arsimi, gjuha, kultura dhe simbolet kombëtare. Shqiptarët para organeve zyrtare serbe nuk kishin të drejtë të deklaronin përkatësinë e vetë nacionale dhe i detyronin me forcë të paraqiten si turq.[37] Klasa sunduese  serbe i kishte verbuar shtetet Evropiane dhe forcat demokratike deri në skajshmëri. Klasa sunduese serbe haptazi deklaronin: “Se më mirë ne të jemi sundues të tyre, se ata, pasi ne jemi më të kulturuar dhe dimë të udhëheqim. [38]

Në anën tjetër, pas Paqes së Shën Stefanit, Bullgaria me  përkrahjen  e Rusisë gjithmonë ka qenë prezentë politika e saj  hegjemoniste, në veçanti kundrejt Shqipërisë Etnike. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, aspiratat e saj u ringjallën si gjatë luftës së Parë Botërore, kur ajo e pushtoi një pjesë të Kosovës, tërë krahinën e Luginës së Vardarit deri në Dibër.[39] Në atë kohë, në krye të saj ishte qeveria e Filovit e cila pretendonte jo vetëm krahinën e Maqedonisë të banuar me shqiptarë, por kërkonte zgjerimin e saj deri në Pogradec. Interesi i politikës gjermane ishte për të pasur Bullgarinë në boshtin e  saj për të dominuar mbi Ballkanin. Ajo propagandonte: “Duhej rregulluar padrejtësitë e bëra ndaj Bullgarisë pas mbarimit të luftës së Parë Botërore. Hitleri publikisht i deklaroi Duçes: “Se duhet kënaqur aspiratat e shtetit bullgar”. Kjo deklaratë i erdhi për shati Car Borisit dhe qeverisë bullgare në krye me Fillovin. Këto aspirata hegjemoniste e shtyn Bullgarinë që  për së treti herë të hy në këto lojëra katastrofale në dëm të shteteve fqinje. Në radhë të parë ajo donte të zgjerohej në dëm të Shqipërisë Lindore, duke pushtuar territore shqiptare që kurrë nuk i kanë takuar Maqedonisë,  siç pretendojnë ta paraqesin sot bullgarët dhe maqedonasit.[40]

 Historikisht nga periudha ilire ato kanë qenë dhe janë me tapi toka të Shqipërisë Lindore, duke filluar nga Tetova, Shkupi, Kumanova deri në Preshevë e Bujanovc, ka dominuar gjithmonë elementi etnik shqiptar.[41]

Nacionalizma  shqiptare e udhëhequr nga Komiteti i Kosovës dhe shumë nacionalistë tjerë kurrë nuk u mashtruan me këto plane të fashizmit, që ishin premtime gjysmake, ku në radhë të parë vinin interesat e tyre strategjike.[42] Prandaj nacionalizma shqiptare kërkonte Shqipërinë e vërtetë, por jo dhuratë nga fashizmi. Kjo shihet më së miri në bisedat që pati Hasan Prishtina me diplomatin  italian: “se në rast lufte kundër Jugosllavisë ai ishte i gatshëm të mobilizojë mbi 100 mijë shqiptarë”.[43] Kjo u vërtetua kur forcat nacionaliste iu kundërvunë ndarjes së re të shqiptarëve sipas projektit gjerman, që Tetova, Gostivari, Struga dhe Dibra ti takojnë Bullgarisë fashiste. Kësaj ndarje të re iu kundërvunë Forcat nacionaliste shqiptare, në krye të lëvizjes ishte Organizata Besa”.[44]

Me ardhjen e Italisë një pjesë e Maqedonisë Perëndimore,  iu bashkua Shqipërisë politike, pasi historikisht këto ishin territore shqiptare të grabitura nga pushteti serb, që ajo i trajtonte si koloni të veta që nga viti 1912-1913. Në atë kohë Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës, në mënyrë arbitrare, i dhuruan Mbretërisë Serbe, tërë Vilajetin e Kosovës, me disa qytete të vilajetit të Manastirit si: Kërçovën, Strugën,  Velesin, Manastirin  Prilepin dhe Ohrin. Pra, u realizua ëndrra serbe, për krijimin e Serbisë së Madhe në dëm të tokave etnike shqiptare.[45]

Pas kapitullimit të Jugosllavisë në fillim të vitit 1941, u bë deri diku korrigjimi i drejtësisë ndaj trojeve të okupuara shqiptare. Me copëtimin e Jugosllavisë një pjesë e tokave etnike përsëri iu bashkua trungut të vetë Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja pse luftonin forcat nacionaliste, “që Tetova me Kosovë të mbetet pjesë integrale e saj.“[46] 

Jugosllavia kapitulloi vetëm për 12 ditë; shkaqet ishin të shumta; lufta sociale, pozita  e vështirë ekonomike, mungesa e barazisë, dhe e drejta për vetëvendosje të kombeve, si formë më demokratike për një popull të ekzistoj i lirë. Kjo është e mundur vetëm në kufijtë etnik të saj që mos të vij deri te eksplodimi i brendshëm i kufijve artificial, si shembull më eklatant mund të merret rasti me Jugosllavinë e Versait. V.Xh).

 

KONTRIBUTI I ORGANIZATËS “BESA” NË SHPALLJEN E    SHQIPËRISË ETNIKE  NË PRILL TË VITIT 1941

 

 Pas invazionit që i bëri Italia fashiste Shqipërisë, diplomacia e saj  deklaroi nëpër mes F. Jakaomonit: “Se Italia është tejet e interesuar për pozitën e shqiptarëve në krahinën e Kosovës, ku historikisht bënin pjesë  Presheva, Shkupi, Tetova dhe Gostivari”. Në këtë kohë u paraqitën hartat e vërteta të banuara me shqiptarë që ishin nën regjimin jugosllav. Disa historianë shqiptarë gabimisht këto territore i kanë trajtuar si territore të Jugosllavisë, të cilat për herë të parë u pushtuan nga Serbia me largimin e Turqisë në vitin 1912.[47]  Në këto troje, shqiptarët me kompaktësinë e tyre; gjuhësore, etnike, kulturore dhe historike, njihen që nga epoka ilire deri më sot, si popull më i vjetër midis Ballkanit. Është një fakt historikisht i pranuar, për etnogjenezën dhe kompaktësinë e tyre.[48] Nacionalizmi shqiptar kishte marr fletë pas deklarimit publik të Mustafë Krujës, në fjalimin që mbante në Akademinë Mbretërore  të Italisë në Romë, në maj të vitit 1941, kur ky përmendi kufijtë etnik të Shqipërisë. Po ashtu, në këtë frymë është botuar edhe punimi i Gjergj Fishtës “Shqipëria e jonë”.[49]

Forcat nacionaliste arritën rezultatet e para të bashkimit kombëtar, në veçanti pas vizitës që i bëri Tetovës Komisari i Lartë Fejzi Alizoti, cili në sheshin e Tetovës deklaroi: “Se pas ardhjes të italianëve në trojet shqiptare u aplikua paralelisht gjuha shqipe me atë italiane”. Kjo u dha sinjal nacionalistëve shqiptarë  se vinë ditë më të mira për shqiptarët, se sa pozita që kishin pasur deri tani nën sundimin jugosllav, ku nuk gëzonin kurrfarë të drejta elementare.[50]  Prandaj, propaganda italiane ishte e interesuar për të ushtruar një pushtet paralel kundrejt popullit shqiptar, duke i premtuar edhe bashkimin e trojeve tjera shqiptare, që deri tani ishin nën sundimin jugosllav.

Nacionalizma shqiptare e bindur thellë, se me ndihmën e forcave italiane, do ta realizon  idealin e programit të Lidhjes së Parë të Prizrenit për Shqipërinë Etnike, ku populli shqiptar i robëruar nën sundimin jugosllav, do të realizonte idealin e vet historik, të jetonte i lirë dhe i bashkuar, një komb një shtet. 

Në krahasim me regjimin jugosllav të paraluftës, në këtë territor shqiptar (Shqipërisë Lindore), nuk ka pasur asnjë shkollë ose ent tjetër kulturor  në gjuhën shqipe.[51] Me ardhjen e pushtetit italian hapja  e shkollave shqipe në territorin e Luginës së Vardarit, edhe pse ka pasur shumë vështirësi, ka qenë për çdo lëvdatë. Ky problem arsimor të cilin e përmend edhe propaganda komuniste jugosllave, u zgjidh deri diku me ardhjen e italianëve. Ajo pranon se gjatë sundimit jugosllav shqiptarëve jo që nuk u lejuam shkolla në gjuhën amtare, por ndaj tyre u bënë presione të pa para të shtypjes dhe terrorit në aspektin ekonomik, politik, social dhe kulturor.[52]

  Nga të dhënat që disponojmë për disa muaj në Prefekturën e Dibrës valoi lirshëm Flamuri Kombëtar, këndohej himni shqiptar, të gjitha rrugët, sheshet, bibliotekat, institucionet dhe shkollat, u emërtuan me atdhetarë dhe heronj, nga historia e jonë e lavdishme kombëtare.

Për herë të parë në trojet e Shqipërisë Lindore, u hapën mbi 33 shkolla fillore dhe shumë kurse për të mësuar shkrim-lexim në gjuhën shqipe, ku vepronin mbi 74 arsimtarë.[53] Pra, edhe pse ishte gjendje lufte, të gjithë nacionalistët vepronin sëbashku, në ngritjen e vetëdijes kombëtare drejtë e Shqipërisë demokratike, një komb një shtet.

 

  


[1] Raport i Komandës së Armatës së III nga Shkupi, Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd, Kut. 36/7, nr. 759.  1  maj 1940, Shkup.

[2] Tome Batkovski,  Veliko Allbaska igra vo Makedonija,  Shkup 1994, f.33: Sipas Gkorgji Mallkovskit kjo organizatë u themelua një muaj më parë në shkurt 1935, shih veprën: Gjorgji Mallkovski, Ballisti”, Shkup, 2002, f. 35.

[3] Arkivi i Maqedonisë-Shkup, mikrofilmi, 348; (Ilegalna Organizacija na Beogradskom Univerzitetu).

[4] UDB-a, kut. 11. Për anëtarë të “Besës” ka qenë edhe Nexhip Deva, nga Mitrovica, student i Drejtësisë në Beograd, nga viti 1934. Ka qenë i papërcaktuar, por më shumë ka anuar me bindje politike të djathta. Ka marrë para nga legata shqiptare deklaron Ismail Tahiri.

[5] Po aty UDB-a, Kut.11; Sheremet Gjergjlyli u ka ndarë edhe para veprimtarëve të organizatës “Besa” nëpërmes Imer Rashidit.

[6] Sllavka Fidanova, Në punimin e  saj në librin Tetovo i tetovsko v. 1991,  në f. 200, deklaron se kjo organizatë politike u themelua në Beograd në prill të vitit 1935. Në bazë të dokumenteve më të reja kjo organizatë politike u themelua në mars të vitit 1935.

[7] Shyqiri Hysi, Rauf Fico, tiranë 2007, 145.

[8] Shaip Mustafa, kishte mbaruar medresenë në Shkup. Pastaj vazhdoi drejtësinë në Beograd, bashkëpunonte me të gjithë që kishin ide progresive për çështjen kombëtare, rrjedhke nga një familje fshatare, baba i Shaipit quhej Ibrahim.

[9] Vebi Xhemaili, Xhemë Hasa me vullnetarë në mbrojtje të Shqipërisë Etnike, Tetovë 2007, f. 131.

[10] OZN-a, kut, 11.

[11] Po aty. Po ashtu këta kanë regjistruar popullsinë në Kosovë me të dhëna të sakta për shqiptarët dhe të tjerët që kanë jetuar në Kosovë, -pastaj janë interesuar edhe për reformën Agrare dhe për kolonizimin e Kosovës dhe shënime tjera për situatën në Kosovë dhe më gjerë.

[12] UDB-a, kut. 2.

[13] Po aty; anëtarët e saj kanë marrë dhuratë nga legata shqiptare ka 1000 lekë në muaj, po ashtu kanë marrë ndihma edhe kur ishin në shërbime tjera shtetërore.

[14] Arkivi i Maqedonisë në Shkup. Fond. OZN-a, fletorja, 18.

[15] Gazeta “Arbëria”, Tiranë, dhjetor 1936.

[16] Millutin Foliq, Akcije studenata Kosova za prava Albanskog naroda u periodu 1937-1941, “Kosova”, nr. 8, Prishtinë 1979,  f. 54.

[17] Mustafa Memiq, Velika Medresa i njeni uçenici u revolucionarno, pokretu, Shkup 1984, f. 142; Në këtë organizatë bënte pjesë Ali Shkriu, Meto Bajraktari e tjerë. Në klubin “Kosmet” bënte pjesë edhe Meto Bajraktari Zejnel Ajdini, Rashid Dedoviq, Hivzi dhe Azis Selejmani, Shaip Mustafa, Selim Selimi, Mexhid Saliu, Abdulla Presheva Esad Imeri dhe Abduraman Hajdar Pasha. 

[18] Sllavka Fidanova, INI, pun. i cit. f. 141. Mustafa Memiq, Velika Medresa...vep. e cit. f. 192.

[19] UDB-a Kut. 11. Qazim Bllaca; Ai ka lindur në Prizren. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte kryetar i komunës së Prizrenit. Anëtarët e kësaj shoqate kanë marrë para nga njëmijë dinarë nga legata shqiptare, më vonë këtë shoqatë e financon ambasada italiane. Ka qenë stipendist i Drejtorisë së Vakëfeve në Shkup.

[20] OZN-a, kut. 1-17.

 [21] Millan Obradoviq, Okupacioni sistem Kosova, ”Kosova”, Prishtinë, 1978, f. 121; Femi Rexhep, Sistemi i pushtimit në Gjilan me rrethinë 1941-1944,”Kosova”, Prishtinë 1978, f.366.

[22] Po aty, UDB-a, 

[23] Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Maqedonisë, Tetovë 2008, f.106.

[24] Udb-a, kut.11; Poashtu anëtar i organizatës “Besa” ishte dhe Nexhip Deva nga Mitrovica. Ai studionte drejtësinë në Beograd në vitin 1934. Anëtar i organizatës u bë pas vitit 1936, kur ishte kryetar Ibrahim Lutfiu. Për këtë dëshmon Shaip Kamberi nga Tetova. Pas luftës Nexhip Deva është likuiduar nga pushteti komunist, gjë të cilin e vërteton  edhe Abdullah Saqipi.

[25] Deklaratë e Abdulla Saqipit, para organeve të hetuesisë në UDB-a.

[26] Udb-a, Kut. 11; Në deklaratën dhënë në Udb-a nga Shaban Jashari. Dr. Josip Kovaçi nga Tetova, i cili i ka ofruar të dhëna OZN-as pas luftës, dëshmon për shumë ngjarje në Tetovë. Për Sokolin ai thotë: Ishte shumë aktiv në organizatën “Besa”. Gjatë okupacionit ka qenë deputet, si përfaqësues i Prizrenit, në Parlamentin Shqiptar në Tiranë

[27] Po aty, Udb-a; Sadik Tafarishi u dënua me 12 vjet burg të rendë nga pushteti komunistë.

[28] Po aty.

[29] OZN-a, kut.11, fletorja 1; Sllavka Fidanova, Albanska narodnost vo Makedonija vë vremeto na Narodno-osloboditelnata vojna i narodnata revolucia, INI, Shkup, 1973, 139.

[30] Sinan Hasani, Kosova, të vërtetat dhe mashtrimet, Prishtinë, 1986, f. 86.

[31] Organizata “Besa”, pas kapitullimit të Jugosllavisë.

[32] Vlado Ivanovski, Oslloboditelna vojna vo Zapadna Makedonija 1941-1945, Shkup 1973, f. 23; OZN-a, fletorja, 17.18.

[33] Istorija na makedonskiot narod, Shkup 2003, f. 53; Vera Aceva, Pismo do Tempo, Shkup 1988, f. 27. 

[34] Sllavka Fidanova, Allbanskata narodnost vo Makedonija vo vremeto na narodno-oslloboditellnata vojna i narodnata revollucia, Shkup 1973, f. 141-143; Tome Batkovski,  Veliko Allbaska igra vo Makedonija,  Shkup 1994, f. 34; Shefqet Sulejmani, i lindur më 1924 në Tetovë, anëtar i organizatës  Besa”; Ky si pjesëmarrës i organizatës “Besa”, historiatin ia ka dorëzuar autorit në dorëshkrim,  më 24 mars 2004 në Tetovë. Sipas tetovarëve dega e “Besës”, u themelua më vitin 1936-1937.

[35] Pavle Mitrevski, Srpski dokumenti, za istoriata na Oridsko-strushkiot region (1890-1940), Strugë 2002, f. 8.

[36] Istorija na makedonskiot narod, INI, Tom. V, Shkup 2003, f. 47; Istoriografia sllave në të gjitha paraqitjet e saj kërkesat e shqiptarëve për Shqipërinë Etnike i paraqet si kërkesa të shqiptarëve kinse për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”. Kjo propagandë sllave u ka shërbyer qarqeve borgjeze sllave për të manipuluar me popullin e vetë, për ti arsyetuar luftërat e tyre pushtuese kundrejt Shqipërisë Etnike dhe territorit shqiptar.  

[37] Amet Pere-Selman Kasapi, Represaliet e shqiptarëve të Maqedonisë për liri e pavarësi, 1941-1947,  f. 148. (Monografi në dorëshkrim- Libri i Parë,), Tiranë 1989. 

[38] Vlladan Djorgjeviq, Arnauti i Velike Sille, Beograd 1913, f. 177. 

[39] Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e Bashkim kombëtar 1912-1918, Tetovë 2003, f. 274.

[40] Kiçevo i kiçevsko, vo NOB, 1941-1945, (dokumenti), Kërçovë 1985, f. 10.

[41] N. Jorga, Breve histoire L’Albanie peuple Albanais, Bucarest, 1919, f. 67-68.

[42] Dokumenti i materiali u oçi Drugog Svetskok rata, pjesa I, Zagreb 1949, f. 47-61.

[43] Italianski diplomatski dokumenti za Makedonija, Tom. I, Shkup 2005, dok. 47, f. 194.

[44] Arkivi i Maqedonisë Shkup; Raport i sigurimit gjerman për situatën politike në Tetovë, (Izveshtaj o Nemaçkim agenturama); raport për tre grupet që kanë vepruar në Tetovë; Shqiptarët, bullgarët dhe emigracioni rus. 

[45] Konstatin Jeriçek, Istorija Srba, Beograd 1922, f. 202.

[46] Deklaratë e disa anëtarëve të organizatës “Besa”, në Tetovë. (Shefeqet Sulejmani, anëtari më i ri i kësaj organizate), nëntor 2005.

[47] Vebi Xhemaili, këta territore kurrë nuk kanë qenë të Jugosllavisë, ato territore Jugosllavia i ka marrë si dhuratë nga Konferenca e Londrës kur Serbia dhe Mali I Zi u zgjeruan mbi 50% mbi territoret shqiptare. Shih librin; Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar 1912-1918. f 87.

[48] Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, (dokumente), Tiranë 1963, dok. 135. f. 99.

[49] Revista “Shkëndija”, V.II. Nr.4, Tiranë, 1941.

[50] Momçillo Stefanoviq-Milisav Krstiq, Velike Bugarseke pretenzije, vep. e cit. f.74

[51] Veliko bugarske pretenzije, vep. e cit. f. 73

[52] Arkivi i RM-Shkup,  mikrofilmi nr. 348; Millutin Foliq, Akcije studenata za prava Albanskog naroda u periodu 1937-1941, “Kosova”,nr.8, Prishtinë 1979, f.45.

[53] AM, Prefektura e Dibrës; Raport i inspektorit të arsimit nga Tetova, dërguar ministrit të Arsimit në Tiranë. 4. prill 942.