Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Valsi vjenez

| E hene, 22.04.2019, 12:13 PM |


VALSI VJENEZ

TREGIM NGA RESMI OSMANI

Në zyrën e vogël të redaksisë së gazetës “Bashkimi”, që ishte organ i mërgatës politike “Bashkimi Kombëtar” me seli në Vjenë, erdhën njëri pas tjetrit krerët e organizatës: doktori, avokati dhe deputeti. Të sapoardhurit, të mrrolur e të mpakur nga të ftohtit dhe llohës së borës, hoqën kapelat, shkundën borën, lehtësuan veshjet, këmbyen përshëndetjet dhe zunë vend si mundën në kolltuqet dhe dy karriget e vetme. Ata nuk i thërrisnin njëri-tjetrit me emër, por me ofiqe. Ishte për arsye konspirative.Policia e fshehtë austriake kishte sy e veshë gjithandej. Redaktori dhe sekretari  që nxirte gazetën, vuri mbi syprinën e tryezës së vogël tabakët e letrës, kallamarin,  penën dhe qëndroi në pritje. Në ato fije letre do të shkruhej historia. Heshtje. Heshtjen e bënte edhe më të rëndë pamja jashtë dritares, mugëtira e mjegullt dhe shakullima e borës që nga era sajonte ca gjeratore e sperdredhje. Të katër, i kishin dhënë kokës pak anash e lart, me dëgjimin të mprehur si të donin të kapnin lajmet që sillte era. Dhe era sillte lajme që ja u bënin më të pështjelluara këto ditë të ftohta janari.Thoshnin e ç’nuk thoshnin: Naltmadhnia, armiku i tyre politik ishte sëmurë, keq e në ditët e fundit, i dobësuar, i mpakur e i kequr sa s’shihej me sy. Duket kaq e pat. Kishin shkuar nga Europa profesorë të famshëm, kishin diagnostikuar kancer në fyt. Naltmadhnia e tij, as hante as fliste.Thoshin që fshehurazi, të motrat kishin thirrur edhe xherrahë, fallxhore dhe magjistrica që të zbonin shpirtrat e ligj dhe xhindet, kishin dërguar edhe tesha për bujtje në kishën e Shnandout dhe teqen e helvetive, por pa dobi. Vetëm zoti mund t’i bënte derman, por ai rrinte e bënte sehirë atje në fronin e lartë qiellor. Kështu thoshin, por lajmet, të mbara e të prapa, ndrronin me ditë, ishin plot me befasira, me të qëna e të paqëna. Por një gjë dihej mirë: ditët e tij ishin të numuruara dhe ata do të çliroheshin nga ai makth,që i kishte lënë rrugëve dhe përzënë nga atdheu . Dënimin për gjakun e derdhur dhe gjithë prapësirat, po e gjente nga  s’e pandehte. Kishte ardhur koha e shpagesës.Ja që ndodh në jetë: të gëzohesh për fatkeqësinë e tjetrit.Por gjërat kishin ndryshuar.

Syprina e tryezës së rrumbullakët ishte mbushur me telegrame. Lajmëronin që Naltmadhnia, bashkë me shpurën kishte mbërritur në Vjenë për t’u vizituar e kuruar. Vinin nga Roma, Beogradi, Korfuzi, Sarajeva, Praga. I dërgonin politikanët e mërgatës, që në dhjetor 1924 kishin marrë arratinë nëpër Europë. Ja përmbajtja e disa prej tyre : ”Teze Nora po vjen për ditën e epifanisë. Priteni me lule”, ”Zotni Smajli mbrrin  në Vjenë për blerjet e fillimvitit. Sigurojini mallin”,”Korbi e la çerdhen dhe mori fluturimin për në Vjenë” e të tjerë kësodoresh. Ishin kofidenciale , të shkruara në gjuhën e vendit nga ishin nisur. Veç telegrameve, kishin ardhur edhe korrierë, me porosi rezervate, të dërguar nga personalitete emërmëdha të mërgatës. Zotërinjtë e kishin të lehtë. Të gjithë kërkonin vdekjen e Shkëlqesisë së tij. E kërkonin këtë nga organizata e “Bashkimit kombëtar”. E lehtë të nxjerrësh gështenjat nga zjarri me dorën e tjetrit! Por ku e thëna dhe ku e bëra! “E ku kishte rast më të mirë –thoshin ata- sesa tani që të rrëfenin burrërinë dhe atdhedashurinë, kur gjahu u kishte dalë ne shteg?”

2

Të katër krerëve te organizatës: doktorit,avokatit,deputetit dhe profesorit u kishte rënë hije e rëndë.Lajmi që Shkëlqesia ishte mire e shëndosh, i detyronte që si politikanë race që ishin, duhej të merrnin një vendim të pazakonshëm, vendim të tmerruar e të përgjakur, që do të ndryshonte historinë: Shkëlqesia e Tij të vritej me atentat, që atdheu i shumvuajtur të shpëtonte nga egërsia e diktaturës dhe tirania e atij përbindshi ,nga sundimi i bejlerëve të medhenj dhe rreziku i gllabërimit nga lakmia e fqinjëve pas traktateve të lidhur me ta. Atdheu ishte bërë si han pa porta.Italia ishte turrur si korba mbi kërma.

Të vrasësh apo të mos vrasësh, kjo është çështja.Po nuk vrave, do të vrasin. Të vritet! Eh, një fjalë goje, një urdhërim i vullneteve të urrejtëshme. Një tërheqje këmbëze, një plumb që do të dilte nga gryka e armës, një shkulm gjaku, një jetë që do të shuhej në çast. Një çlirim nga e keqja. Pesha e këtij vendimi ishte e rëëndë si një mal, si t’i hyje detit më këmbë.Ishte koha që ata duhet të merrnin një vendim që kur të zbatohej do të shkaktonte një tërmet politik rrënues. Sytë ishin ngulur në pritje mbi profesorin, si të donin të zhbironin prapa ngurtësisë së pamjes , mendimet e mëndjes së tij diturake. Pofesori kaloi edhe një herë nëpër duar telegramet. Mbi ballë iu ul një re e vrenjtur, vetullat iu ngërthyen dhe nga syt buisi një dritë e keqe. Në ato rripa letrash, helmi i vdekjes ishte shkrirë ne çdo shkronjë, jo si një kumt, por si një kërkesë urdhëruese, uluritëse: të vritet, të vritet! Profesori u trondit dhe nisi të fliste si duke belbëzuar.

-Shoh veten, u shoh juve dhe bëj pyetjen : a jemi  vrasës, a ngjajmë si të tillë? Jo dhe jo. Hedh vështrimin prapa. Asgjë s’mund të harrohet. Ai  ka qenë shoku dhe miku im, por edhe juaji. Kemi fjetur posht një tende, kemi ngrënë në një gavetë,kemi luftuar në një front dhe kundër të njëjtit armik, kemi ndarë të njejtin mendim.Kemi bërë punë të mira për vendin. Është i ri, i mençur dhe trim.- profesori nuk vazhdoi më tej, por bëri pyetjen që e mundonte: - Thomëni o miq: a mund të vritet shoku , bashkëluftëtari , miku i djeshëm dhe ne të dalim të pastër, të mos damkosemi me njollën e përgjakur të vrasësit të pabesë?

Pyetja mbeti e pezullt por peshërëndë.Heshtja priste përgjigje. Ngado që t’a ktheje, ajo kërciste si krismë pushke.

Ja se ç’mori e tha avokati:

-Shok i djeshëm, armik i sotëm. Vritet. Historia e njerëzimit ka nisur me një vrasje. A nuk e vrau Kaini Abelin? Po Kasi e Bruti, a nuk e vranë mikun e tyre Çezarin e madh, për lirinë e Romës, kur ai vendosi tiraninë. Vrasja,për sundimtarët është si dënim dhe mallkim nga Zoti kur ata kthehen në tiranë të vendit të tyre, shtypës dhe vrasës të kundërshtarëve. Kujtoni kurorat mbretërore të rëna nën sëpatën e xhelatit: Xhorxhët, Luigjët, carët e rusisë, Aleksandrët e Ivanët e deri te Franc Ferdinandi dhe Gjergji i greqisë. Popujt dhe revolucionet, e kanë vaditur pemën e lirisë edhe me gjakun e tiranëve. Naltmadhnia e tij, nuk është as i pari as i fundit. Po t’I bëjmë pretencën, mali i akuzave është aq i lartë dhe i rëndë sa meriton disa dënime me vdekje! Ka hyrë në gjak me lirinë e demokracinë dhe gjaku, siç e thotë edhe kanuni i maleve tona, lahet me gjak.

Përsëri heshtje. Dëgjohej vetëm gërvima e penës së sekretarit që shkruante në fletët e proces-verbalit. Në atë dokument, që siç tha kryetari, do t’i mbetej historisë. Pritej fjala e kryetarit.

-Miqtë e mi, bashkluftëtarë. - Qëndrimi, fjalët që u thanë dhe mënyra si u thanë ishin solemne - Po marrim një vendim, për drejtësinë e të cilit do të na gjykojë populli ynë i shumvuajtur dhe historia. E tepërt të pyesim veten nëse jemi të ndershëm e të besueshëm në ato që themi dhe tagrin e asaj që vendosim të bëjmë. Nëse pyet dikush, përse ne ngrihemi kundër, u themi: jo se e deshëm shkëlqesinë e tij më pak, por se e duam Shqipërinë më shumë. A do të donit më mirë të rrojë tirani në parajsën që po ndërton për vete dhe ne, një popull i tërë, të vdesim të gjithë në ferr e varfëri si skllevër? Apo të vdesë tirani dhe shqiptarët të rrojnë të lirë? Është e vërtetë: e vlerësojmë përsa kohë qe trim, dhe vendit i solli shërbime, por e dënojmë se u kthye në uzurpator,demokracisë i ktheu armët. Ambicioz, gjakësor, zuzar e rrezil, hilanjoz e shtinjak, grabitës i pasurisë dhe vendin po e shet te Musolini. Ne nuk jemi aq të ligj sa të mos duam vendin tonë, që i kemi kushtuar jetën dhe pasurinë. Po i bëjmë atë që ai e ka bërë ndaj shokëve dhe bashkluftëtarëve tanë, që kur e vlerësoi se ata ishin pengesë në rrugën e tij të mbrapshtë, pa asnjë mëdyshje e skrupull moral i ka vrarë me dorën e kriminelëve të paguar: në Tiranë, Bari, Dragobi, Selanik,Pragë. Këtë është gati ta bëjë edhe për ne, pa asnjë ngurrim, me të gjetur rastin. Le të vdesë katili një orë e më parë!- Përfundoi kryetari duke goditur me grusht syprinën e tryezës si të donte t’i vinte vulën asaj që sapo kishte thënë.

Deputeti, pasi hoqi dhe fshiu me kujdes syzet me skelet floriri, u hodhi me radhë të pranishmëve shikimin e tij dritëshkurtër dhe tha se ishte i të njëjtit mendim dhe ishte e tepërt të shtonte gjësendi. Sa për vetë ata, dhe anëtarët e tjerë të “Bashkimit kombëtar”, ai i kishte lënë pa atdhe, udhëve të botës, të terrorizuar, në pikë të hallit, në varfëri e të pashpresë. Ishin të bindur: vendimi që po merrnin, ishte vdekje në emër të jetës. Vdis ti që s’më le mua të jetoj,-e mbylli ai fjalën e tij.

U votua. Katër pro.Asnjë kundra.

Avokati i diktoi sekretarit vendimin e kryesisë dhe  ndën të firmosën të katër. U hap një dosje. Operacioni u quajt  me emrin enigmatik “Valsi vjenez”, ngaqë i dënuari. ishte i dhënë pas vallzimit, balerinave dhe kabareve.

Aty u kyç e thëna, mbetej e bëra.

3

Po bëhej muaji në Vjenë. Për Naltmadhninë e tij, ishte zënë një krah i katit të tretë në hotel “Imperial”, më luksozi i Vjenës, ku bujtnin sovranët, dhe njerëzit e mëdhenj, të famshëm e të lavdishëm të botës, të politikës,diplomacisë ,shkencës , artit, që vinin në kryeqytetin austriak. Koridori i gjatë ishte shtruar me qilima të trashë persianë, muret e veshur me mermer i zbukuronin tablo të shtrenjta me skena gjahu dhe peisazhe të “Yber austrias”. Nga ndriçesit shpërndahej së larti shiu i dritës së bardhë, anash mureve  të dy krahët i zbukuronin vazot me kameliet, gardeniet e lulëzuara dhe palmat. Apartamenti i Shkelqesise se tij, suita mbretërore, ishte në fund, në krah të majtë.Në të dy anët, majtas e djathtas ishin dhomat e shpurës shoqëruese: adjutanti, truprojat, këshilltari politik, kujdestari dhe pjestarët e tjerë të shpurës. Në këtë të ndarë të hotelit nuk lejohej të hynte askush përveç personelit të shërbimit dhe gran maestros, që i shërbente personalisht Naltmadhnisë së tij.

Në këtë kohë qëndrimi, e kishin egzaminuar profesorë të famshëm, kishin bërë analiza të imtësishme.Përfundimi: një ezauriment nga lodhja dhe tensioni nervor.Marrja e zërit vinte nga një laringjit banal me burim të ftohtit dhe lagështisë së ajrit. Asnjë rrezik për jetën. Terapia; pakësim I tymosjes së duhanit, pushim aktiv, çlodhje, dietë e shëndetshme, ca barna qetësuese dhe dëfrim e shëtitje. Kjo e gëzoi. Po e merrte veten, i ishte kthyer gjallëria dhe dëshira për jetë. Nuk ngutej për t’u larguar. Pengesë bëhej edhe balerina e bukur dhe e hirshme e filarmonisë, fraulin Greta e njohur javën e fundit, një flutur krahëshkruar, një perëndeshë bukurie, që po i falte çaste të magjishme, për të cilat ishte aq i dëshiruar.E mbuloi me dhurata, por nuk e kandiste dot që ta merrte me vete kur të largohej. Dita kishte ardhur e bukur, plot dritë, bora kishte hedhur mbi qytet mbulesën e bardhë, ajëri i kristaltë. Sapo mbaroj shërbimin beriberi dhe u largua, hyri në vaskë.Ujët e ngrohtë e gjallëroi. Erdhi kujdestari dhe e ndihmoi të vishej. Kishte uri. Kujdestari thiri në telefon shërbimin e dhomës. Çatisi gran maestro, i veshur shik e me sqimë, me qëndrim e sjellje të rafinuar, por dinjitoze. Gran maëstros, i kishte bërë përshtypje ky sundimtar ballkanas, që ngjante më shumë si nordik. Shtathedhur, flokëçelur, i hijshëm, mustaqe të vogla të mbajtura me merak, me sy të përhinjtë, të zgjuar e zhbirues, që fliste rrjedhshëm gjermanisht, megjithëse me pak akcent. ” Çfarë dëshironte Shkëlqesia e tij për mëngjes?” ”Vezë syze me gjalpë,mjaltë, qumësht, djathë pa kripë, bukë të zezë të thekur,thëllëzë të fërguar”,”Po për të pirë?”, “Lëng portokalli, fruta luleshtrydhe me krem qumështi”.

Pas sillës, doli në ballkon.I bënte shoqëri adjutanti. Që aty shpalosej si në pëllëmbë të dorës pjesa lindore e qytetit. Dielli ngjyente në purpur kambanoret gotike të katedraleve. Ai e njihte dhe e donte këtë qytet perandorak.Vite të shkuar, ende djalosh i ri, kishte qëndruar aty dy vjet.E kishin graduar kolonel, e kishin nderuar me një dekoratë për sherbime. Kishte patur aventura rinore erotike. Ishte qytet i pasurisë, ëndrrave, i artit, muzikës, valseve të Shtrausit, Danubit blu, gëzimit, haresë, aventurave….I grave të bukura. Në ajrin e kristaltë u përhapën tingëllimat e kambanave për mëngjesoret. Adjutanti, katolik i devotshëm, bëri kryqin dhe u kujtua se kishte kohë që s’kishte shkuar në meshë. Nisi të frynte erë. Koha u freskua. Adjutanti e kujtoi Naltmadhninë se koha u freskua dhe mund të ftohej. Hynë Brenda. Në sallon ishte gatitur tryeza egjelbër me letrat e bixhozit. Erdhën dhe të tjerët: kujdestari, truproja, këshilltari politik, mjeku personal, dhe oficeri i sigurisë.Të gjithë burra që i kishin shërbyer, burra me besë, të gatshëm të jepnin për të edhe jetën. Por edhe ai i kishte shpërblyer. Në kovën e argjendtë ishin vënë në akull shishe me verë rini të bardhë, shampanjë, ujë selci  lëngje frutash, çokollata dhe amareta dhe gazetat e mëngjesit. Loja e pokerit ishte bërë si ritual i paradites, për të shtyrë kohën, por ishte rasti që Naltmadhnia e tij merrte informacione dhe njoftime për ngjarjet dhe zhvillimet. Pasi u shpërndanë letrat, i pari e theu heshtjen oficeri i sigurisë.

- Nga konsullata e një vendi mik, më njoftuan, se mërgata e këtushme politike, e grumbulluar në organizatën e “Bashkimit kombëtar” është gjallëruar dhe po lëviz. Më la të kuptohej se po përgatitej një atentat. Kërkova audiencë me drejtorin e “Polizzei-direksion[1]”. Më priti. I kërkova që me rastin eardhjes së Shkëlqesisë suaj, gjithë politikanët e mërgatës të zbohen nga Vjena. Nuk pranoi. ”Siç jeni ju,ashtuedhe ata janë miqtë tanë-më tha-  prandaj kundër tyre s’mund të marrim një masë të tillë”. Por pranoi të kujdeset për sigurinë Tuaj.Do të thërriste dhe do të paralajmëronte kreun e organizatës. Ka dërguar rreth hotelit disa detektivë dhe pjestarë të policisë së fshehtë. Jemi kujdesur dhe kujdesemi që askush të mos i dijë lëvizjet dhe vendet që ju frekuentoni. Edhe shoferi e mëson vendin e mbrritjes pasi ju të keni hipur në automobil.

Këshilltari politik, tha se në vjenë kishte ardhur për pushime edhe Said beu. për të gëzuar ditët e pleqërisë. Për hir të lidhjeve miqësore, e kishte vënë në dijeni se i kishin kërkuar dhjetë mijë napolona flori, për të gjetur një vrasës me pagesë. Duhet  t’i ruheshin ndonjë atentati.

Naltmadhnia e Tij, thithi me ashk cigaren dhe qiti një shtëllungë tym, palosi me kujdes mustaqet e vogla që i kishte aq merak, picërroi sytë, ngjeroi një gllënjkë lëng  portokalli dhe uli letrat mbi tryezë. Në cepat e buzëve të holla iu ravijëzua një buzëqeshje e hidhur, ironike dhe e mllefshme . Të tjerët ishin në pritje të asaj që do të thuhej.

-S’kam asgjë kundër vdekjes në betejë, jeni dëshmitarë që asnjëherë se kam kursyer veten. Ajo, në rast se ndodh, është vdekje që u bën nder burrave. Por nuk mund t’ia lejoj vetes, tu jap armiqve të mi burracakë, kënaqësinë që të më qëllojnë e të më lenë të shtrirë në mes të rrugës si qen! - Fliste ngadalë, mendueshëm, si t’i fliste vetes. I erdhën ndër mend fjalët e Çezarit të madh, që i kishte dëgjuar të djeshmen mbrëma në “Burg teatër”: -Frikacaku vdes njëmijë herë para vdekjes së vërtetë, porse trimi vdes veç një herë. Besoj, më e madhja prej çudive është që njerëzit ia kanë frikën vdekjes, kur e dinë që është fundi i pashmangshëm dhe do të na vijë kur ka për të na ardhur[2] Fantazma e vdekjes më ndjek ngado,por si duket edhe një ëngjëll mbrojtës. E gjithë jeta është luftë. Luftëra bëhen për pushtime, zotërim territoresh, për grabitje pasurish, po luftërat më të egra janë ato për pushtet. Në xhunglën e politikës kacafytjet bëhen për jetë a vdekje,herë ballazi e herë tinëzisht, ku nuk kursen as vëllai vëllanë, as ati të birin dhe biri të atin. Me plumb, me thikë, me helm, ku çdo mjet e mënyrë është i justifikueshëm për realizimin e qëllimit. Mënçuria është të mos i lesh të tjerët të të bëjnë atë që ti u ke bërë atyre dhe të mos lesh gjurmë. U bënë shtatë vjet nga atentati i parë. Dhe ja ku jemi. Zoti nuk e do vdekjen time! Sido qoftë, së keqes i duhet ruajtur, por kjo nuk do të thotë të ngujohemi si gratë, nga ca fjalë burracakësh e frikaçësh. Jeta duhet gëzuar e marrë ashtu si të vijë, bukuritë e Vjenës duhen shijuar.

4

Takimi i komplotistëve ishte lënë në “Kafe opera”, në katin e dytë, atje ku mblidheshin zakonisht politikanët e mërgatës. Vendimi ishte marrë, por si, qysh dhe nga kush do të zbatohej, cila ishte ajo dorë që do të tërhiqte këmbëzën e nagantit?.Zotrinjtë erdhën njëri pas tjetrit.Sido që përpiqeshin të visheshin me sqimë, siç i takonte sërës së tyre,teshat kishin nisur të vjetëroheshin nga përdorimi i përditshëm. Varën në portmantotë redingotat dhe borsalinat prej feltri dhe zunë vend në divanet dhe kolltuqet. Bashkë me ta erdhën edhe tri zonja, bashkëshorte dhe bashkëvuajtëse të politikanëve . Edhe pse me maniera aristokratike si bija nga dyer të mëdha, dukeshin që atje tej që ishin të rëna nga vakti dhe të kequshqyera.Të fundit erdhën një kapiten dhe një toger, që përfaqësonin krahun ushtarak. Pasi u mblodhën ata që priteshin dhe u siguruan se askush nuk i përgjonte dhe spiunonte, e mori fjalën kryetari i organizatës “Bashkimi kombëtar”që u bëri të ditur vendimin për atentatin.Më pas  u pleqëruan tri çështje: mënyra e përgjimit, pasi në hotel “Imperial” nuk afroheshin dot se ruhej nga policia e fshehtë. Mbeteshin vendet publike, Opera, teatri, kabaretë,parku i Praterit. Secilit iu caktua objekti i vëzhgimit. Zonjave u ra në pjesë “Burg teatri”. Shumica e politikanëve ishin të njohur nga shpura e Naltmadhnisë dhe nuk mund ta ndiqnin nga afër, prandaj u vendos të pajtohej një dedektiv vjenez me pagesë,të cilin se njihte askush, ai do ta ndiqte përditë që nga dalja e hotelit e deri ku të shkonte. Pika e dobët ishin shpenzimet.U vendos të përdoreshin shtatëdhjetë mijë lireta që ishin kursyer nga botimi i gazetes ”Bashkimi”. Rrjeta e merimangës u ngrit, por ende nuk ishte zgjidhur më delikatja dhe vendimtarja. Kush do ta qëllonte me armë Naltmadhninë ? Kryetari vendosi, siç tha, të bënte një apel nominal dhe po të mos i dilte kush zot, le të hidhej shorti.Vendimi i eliminimit dukej të zbatohej patjetër.

-Zoti avokat, je i gatshëm të zbrazësh armën për ta vrarë të dënuarin?

Avokatin pyetja e zuri të papërgatitur. Pas një çast hutimi, në fytyrë iu ravijëzua një buzëqeshje zhgënjyese.Një shaka pa kripë!

-Pleqëria më ka lënë mëndjen, por më ka prerë gjunjët, më ka verbuar sytë, më ka dredhur duart. E si mund të zbraz unë pushkë?-Pyetja mbeti pa përgjigje.

-Po doktori, mund të shtjerë pushkë mbi Naltmadhninë ?

-Jo se më mungon guximi, por mund të gaboj shenjë, s’u besoj as syve as duarve  dhe plumbi mund të shkojë huq. U bënë vite që s’kam qëlluar mbi ndonjë shenjë.

U mat të pyeste edhe deputetin, por ai ishte mbledhur një grusht dhe ishte fundosur në kolltuk. E kotë të vazhdonte, askush si dilte zot, por nga sikleti e nxorën dy oficerët. Kapiteni dhe togeri, që s’u mungonin as armët,as trimëria e guximi. E morën përsipër si profesionistë, si atdhetarë, por edhe si një detyrim ndaj organizatës. Do ta qëllonin të dy. Këtë herë nuk do të shpëtonte. Me ta u bashkua edhe beu tiranas, që do të shoqëronte hap pas hapi kapitenin.

-Zoti na ndihtë- u lut kryetari.

5

Ditari i doktorit.

20 shkurt i931. Ditë e ftohtë, mbrëmja e mugët.Binte borë e kithët. Ishim mbledhur në një dhomë të katit të dytë të “Kafe operas”, që nuk ishte as dhjetë metra larg teatrit të operas. Veç nesh, anëtarëve të kryesisë, që ishim ulur gjoja për të lozur poker, në tryeza të tjera ishte edhe kapiteni, beu tiranas dhe pjestarë të tjerë të mërgatës në Vjenë.Sikush bënte detyrën e vet. Ishim tërë sy e veshë dhe në ankthin e padurimit dhe pritjes të atentatit. Sido që mundoheshim të dukeshim të qetë, në fytyrat tona vihej re nervozizmi. Tri gratë vëzhgonin “Burg teatrin” Togeri, ishte në pritje të lajmit në një kafene pranë “Polizei direksionit”.Në ora nëntë,kamerieri më tha se më kërkonin në telefon.E parandjeva se ky ishte lajmi i shumëpritur. Ishte kryetari. “Jam qyqja, si më dëgjon? Marrje!”, “Kukuvajka të dëgjon, marrje”,”Korbi është në opera, dedektivi vjenez e ka diktuar.  Ishte në lozhë bashkë me dy shoqërues të tjerë. Aty shfaqet opera Aida. E lajmërova edhe togerin.Thuaji kapitenit të gatitet” Gracka ishte ngritur. O sot o kurrë! Thirra kapitenin.”Erdhi koha për veprim”, i thashë. Ai hezitoi për një çast. Kishte hallin se ç’do të ndodhte me të shoqen dhe të birin, në rast se do ta arrestonin. i thashë “Nuk ishte koha për këto fjalë tani .Neve na takoi kjo barrë e rëndë ,sido që e shëmtuar,prandaj tani duhet vepruar”.”Mos kujto se kam frikë më tha”dhe shkoi të merrte revolverin.Togeri kishte ardhur dhe priste te dalj. Aty do të kalonte, kurse kapiteni disa hapa më larg në bulevard. Ne, të tjerët, bënim sikur e vazhdonim lojën. Nuk kaloi shumë kohë dhe u dëgjuan dy krisma revolveri. Dergova time shoqe posht, që dinte gjermanisht, të shihte çfarë kishte ndodhur. Kur u kthye ajo na tregoi: togeri,qw do të qëllonte i pari, nga shkaku i borës dhe çadrave që i kishin hapur mbi krye, nuk e kishte dalluar mirë Nalmadhninë që arriti bashkë më këshilltarin të hynte në veturë. Adjutantin shtatlartë e të bëshëm e pandehu për Naltmadhninë dhe e qëlloi dy herë prapa kokës dhe e la të vdekur në vend, por më pas nuk e shkrehu më armën se iu bllokua.Sakaq, veturën e rrethuan detektivët, që të zënë për duarsh formuan një gardh. Thërrisnin dhe shanin “Gauner albanez”(banditë shqiptar)Togerin e arrestuan në çast. Kapiteni, trim i çartur, çau rrethimin dhe qëlloi shatë here mbi veturë me nagant. Por Shkëlqesia dinak ishte shtrirë në ndenjëse dhe se kapi asnjë plumb. Këshilltari politik u plagos në këmbë. Kishte vdekur ai që s’duhet të vdiste.Qëllimi nuk ishte arritur,por paralajmërimin e kishte marrë. Ndërsa për ne pasojat do të ishin të rënda. Të dy atentatorët u arrestuan. Ngjarja ndodhi kur njerëzia po dilnin nga opera dhe u shkaktua rrëmujë e panik. Naltmadhnia e Tij, shpëtoi edhe këtë herë, siç duket, jetëgjati nuk bëhet  jetëshkurtër. Ai që u nis si përbetim, përfundoi në tragjikomedi. Ne të gjithëve na arrestuan në mesnatë. Dy atentatorët i shpunë në”Landes gerdit”(Burgun e madh” kurse ne të tjerët në burgun e policisë. Më pas, në prill, na liruan, përveç dy atentatorëve, por policia na dëboi nga Vjena, me kusht që të mos kemi të drejtë edhe një herë të hyjmë në Austri.

Ku të shkonim, ku të mbyteshim?Kalvari ynë s’kishte të sosur.

Tiranë, prill 2019.


[1] Drejtori I policisë.

[2] Shekspir,Jul Çezari.