| E diele, 23.08.2009, 01:47 PM |
Fjalë solemne për Bacin, Bacën dhe
Bacalokun
Nga Xhafer Durmishi
xhaferdurmishi@hotmail.com
Hyrje
Shefi i Katedrës së historisë pranë
Universitetit Shtetëror, dhe anëtari me renome dhe ndër më produktivët e
Akademisë, prof. dr. Muhë Pirra ka marrë për detyrë nga Institucionet përkatëse
që ta përgatisë lëndën, të bëjë atë që ndodh shumë-shumë rrallë, që simbolet më
të njohura të rezistencës, qëndresës dhe luftës sonë; Bacin, Bacën dhe
Bacalokun t’i shpallë heronj të gjallë. Shpallja e tyre heronj mund të
krahasohet me shenjtërimin që vende e besime të ndryshme që u bëjnë figurave më
të shquara. Përveç punës tepër të çmuar në Katedrën e Historisë dhe në Akademi,
Muhë Pirra apo MUPi, siç njihet ai me emrin përkdhelës tek të gjithë ata atdhetarë
të persekutuar nga udba, për shkak të përkrahjes së flaktë që i ka bërë idesë
së ndërtimit sa më të shpejtë të Katedralës Shqiptare, është zgjedhur arkitekti
shpirtëror i saj. Idetë dhe njohuritë e tij të thella do të mirren parasysh
gjatë ndërtimit të këtij tempulli, ku me qiellin tonë do të flitet në gjuhën
tonë, ku çdo kënd do të jetë i shfrytëzuar për bustet e pllakat përkujtimore të
shenjtorëve e apostujve të popullit tonë. Idetë e MUPit do të kenë peshë të
madhe edhe për atë se a do të rezervohet vend, dhe nëse po, cili do të jetë ai
që në Katedralë do t’u jipet Bacit, Bacës e Bacalokut. Në vazhdim për të
evituar përsëritjen e tepruar, nganjëherë, këtë Trekëndësh barabrinjës, këtë
Triumvirat do t’a quajmë Trojkë.
Deri këtu pra më duket se çdo gjë
është e qartë si drita e diellit dhe nuk ka asnjë befasi për lexuesin e
vëmendshëm. Ajo që është paradoksale dhe e papritur është fakti se çfarë kam
unë të bëjë në këtë mes, të përzihem në këso punësh, kur dihet mirë se kushti
më elementar për t’u marrë me simbole është që edhe vetë të jesh simbol.
Sado e çuditshme të duket, ka qenë
kërkesë e vendosur e MUPit që të më zgjedhë pikërisht mua, pasi, sipas fjalëve
të tij, nuk ka gjetë person më të përshtatshëm për këtë detyrë. MUPi e ka
përgatitë dosjen me fakte të shumta për veprën e jashtëzakonshme pozitive të
protagonistëve tanë. Ai e ka marrë në përgjegjësinë e vet arkivin e Trojkës,
ndërsa roli im i përngjan “avokatit të djallit” (advocatus diaboli), d.m.th. si
përçarës i vjetër dhe armik i përbetuar i idesë së pajtimit kombëtar, të sulmoj
pozicionet e Trojkës dhe me këtë të vej në dyshim vendin e tyre pranë apostujve
në Katedralë.
Këtu
më poshtë në mënyrë të përgjithësuar e të koncentruar (verzioni i tyre i plotë
gjendet i mbledhur në disa vëllime në arkivin e Akademisë), së pari do të jipen
argumentet pozitive të MUPit.
I
Çështja e emrit
Ne
si akademi, dhe mbarë populli e dimë mirë se kush jan Baci, Baca e Bacaloku.
Posa të përmenden këta tre emra prezentimi i tyre i mëtejmë bëhet i
panevojshëm. Po të mos ishte momenti i një solemniteti të veçantë, në çdo rast
tjetër prezentimi i Tyre do të ishte jo vetëm i tepërt, jo i ndershëm, por do
të ishte e kundërta, pra një ofendim skandaloz dhe i paturpshëm. Ne qarqet tona
dhe në çdo rreth me moral dhe edukatë i thërrasim me emrat folklorik ashtu siç
i njeh populli. Eshtë e pamundur të mos indinjohemi kur na bien rasti (edhe pse
jashtëzakonisht rallë) që dikush të ketë paturpësinë dhe t’i thërras këta në
emërat që jua kanë lënë ndrikullat, thuase i kanë ruajtë lopët apo dhentë me
ta. Emrat Atyre u janë dhënë si një lloj titulli me të cilin shtresat më të
gjëra të popullit tregojnë reskpekt për ta, tregojnë lojalitetin e vet të
pakufi ndaj tyre. Në këta emra masat tona kanë bërë be, janë përbe e janë
betuar.
Eshtë
masa e popullit të thjeshtë, të çiltër e të pastër që i ka detyruar Këta të
mësohen me këta emra përkundër kundërshtimeve të tyre.
II
Magjia e germës B apo e numrit 3
Eksiston
mendimi se Baci, Baca e Bacaloku mund të quhen edhe Baballarë, Etër apo Atllarë të
kombit. Se këta Tre, një kohë e kanë kaluar nëpër burgje. Këtu nuk është me
rëndësi të diskutojmë se cili ka vuajtur më shumë e cili më pak. Këtë nuk mund
ta marrim në diskutim, pasi ata vetë nuk kanë dashur të flasin për këtë vetëm e
vetëm për të mos i dhënë armikut shkak për të futur përçarje në mes tyre.
Armiku i ka pas në shënjestër pasi Këta kanë kërkuar dhe e kanë mbajtur lartë bajrakun e bashkimit gjithkombëtarë. Që të
treve u takon merita se e kanë arritur bashkimin
duke e çliruar popullin prej ideologjizmave. Por mbi të gjitha, merita e madhe
e tyre është se vendet e qytetëruara na njohin si njerëz që e mbajmë fjalën e
dhënë, pra si njerëz të besës.
III
Individualiteti i Trojkës
Sado
të ngjashëm të duken në vështrim të parë emrat e Tyre, e në kokat e
pagëdhendura dhe të painformuara mund të bëhen përzierje, duke menduar se nuk
kemi të bëjmë me Tre veta, por vetëm me Një, gjenialiteti i masës i kombinuar
me gjenialitetin e heronjve të gjallë tregon se kemi të bëjmë me një
origjinalitet të rrallë, i cili nuk lenë kurrfarë vendi për përzierje.
Pra vetë
emrat e Tyre janë garancion i madh që ne dhe gjeneratat e ardhshme nuk do t’i
përziejnë këta me njëri-tjetrin apo këta Tre t’i thjeshtojnë në Një.
Mund të
mendohet se veti dalluese në mes Tyre mund të jetë mosha, vendi i lindjes, data
e lindjes, të dhënat e prindërve etj. Këto janë mënyra për t’i dalluar
individët anonimë të turmave, të cilëve u jipet një medaljon në qafë apo
ngjitet një numër serial në vesh. Zbatimi i këtyre kritereve tek Trojka është i
padenjë dhe siç është thënë më lartë, është ofendim e gjynah i pafalshëm.
Pra mosha
e tyre e as koha e burgut dhe e persekutimeve nuk mund të mirren si kriter
dallimi. Prandaj e vetmja mënyrë intresante dhe e denjë e dallimit të tyre
është ajo se në çfarë mënyre këta janë të mbërrimë, në çfarë mënyrë janë të
përsosur, se në çfarë mënyre u komunikohet njohja absolute e botës.
a) Baci është një njeri që me keqardhje të
madhe i përcjellë dredhat e përdredhat e ideve të njerëzve të vdekshëm, sidomos
kur e sheh se sa larg prej mendjeve të tyre është deri tek e vërteta. Ky e ka
gjetur burimin e të vërtetës. Mësheftësitë e të gjitha mistereve i shfaqen
krejtësisht të zbërthyera në ëndërrat e tij. Këto i merr dhe në mënyrë
strategjike ia shfaq parisë së popullit dhe me këtë e kursen prej vuajtjeve të
panevojshme e prej humbjes së kohës. Pra
atributi, vetia veçuese e Bacit nga dy të tjerët është ëndrra.
b)
Bacës i shfaqet e vërteta në
një mënyrë krejt tjetër. Eshtë edhe një emër tjetër i përshtatshëm për Bacën.
Atë do të mund ta quanim edhe Pogllavicë,
pra Pogllavica i të gjitha fiseve tona. Ky të vërtetën dhe fshehtësinë e fuqive
natyrore e sheh në shtëllungat e tymit të duhanit që del nga llulla e vet dhe e
bashkëbiesdusve të vet. Në çadrën i tij për këtë qëllim përherë i mban rreth
njëqind lloje të duhanit.
c)
Nëqoftëse ndokush në vendin tonë me të vërtetë e meriton epitetin njeri i letrave atëherë pa dyshim ky është Bacaloku. Pra bacaloku nuk
merret vesh në analizimin e ëndrrave e as në tymit të duhanit, por vetëm në
letra, në karta. Nuk ka ndodhë asnjë rast, sado i koklavitur të ketë qenë, që
Bacaloku nuk e ka zgjidhë me anë të 52 katrave të tij.
IV
Disa akspekte karakteristike të Stilit në punë
a) Nga stili i Bacit
Për Bacin vlen thënia “trimi i mirë me shumë shokë”. Të
gjithë shokët e Bacit janë të mirë, e donë Atdheun, janë kuadro të
formuara.
Para çdo
aksioni, para çdo vendimi me rëndësi, Baci e ka për adet me i pyetë shokët se
mos rastësisht ndonjë prej tyre është gjynyp. Thonë se Baci është aq i përsosur
sa është i vetëdijshëm (apo i ka ndodhë edhe në të vërtetë) që kur nuk i ka
shkuar puna mirë në ndonjë betejë përkundër përgatitjeve të hollësishme, e ka
ditur se shkaku për këtë qëndron në atë se dikush nga radhët e tij është gjynyp
dhe posa është larguar ai, menjëherë punët e kanë marrë të mbarën. Se edhe një
gjynyp i vetëm ia bythprap të gjitha punët e ia humbë betejën. Për këtë shkak
thonë se Baci kurrë nuk rrin pa abdes.
Pra, në
radhët e Bacit asgjë nuk i lehet rastit. Asnjë gabim e devijim nuk tolerohet,
pasi po të bëheshin lëshime, atëherë shkaku i një të keqi do të vuanin gjithë
të mirët, pranë një druri të thatë do të digjeshin gjithë të njomët. Pra në
rrethin e Bacit kooptimi bëhet vetëm (pasi kandidati të jetë larë në hamamxhik)
me pajtimin e të gjithë shokëve.
Baci
kurrë në asnjë takim me rëndësi nuk ka dalë vetëm, pa shokë e pa dëshmitarë. Në
rast nevoje i ka shty takimet e të gjitha punët vetëm e vetëm në mënyrë që në
takime me palë të ndryshme të paktën të ketë një apo më shumë shokë.
b) Nga stili i Bacës
Baca apo Pogllavica, pjesën më të madhe e kalon në çadrën
e tij, dhe pothuajse tepër rrallë ka nevojë që të udhëtojë ndokund pasi të
gjitha punët me rëndësi, konsultat e të tjera kryhen në çadrën e tij në të
cilën i mban llojet e ndryshme të duhanit, me të cilin mbushen llullat e
ndryshme varësisht nga situata e rangu i atyre që kërkojnë këshillat e tij. Një
aspekt që e vështirëson largimin e Pogllavicës nga çadra është uniforma e tij
me të gjitha pendlat e shqiponjës. Thonë se vetë Baci dhe Bacaloku shkojnë në
çadrën e tij për t’u konsultuar e lëre më të tjerët. Ka mendime se Baca është
aq i dobishëm për popull sa as ai vetë nuk është krejtësisht i vetëdijshëm për
këtë. Edhe keq me u mundua me folë atij prapseprap fjalët i bien aq mbarë sa
nuk mundet askush me i luejt.
Ai është
dëshmia më e gjallë e autoktoktonisë sonë në trojet tona. Malet, lumejt,
liqejt, kanjonet janë sfondi i Bacës, jashtë të cilave nuk mund të duket
madhështia e tij.
c)
Nga stili i Bacalokut
Për Bacalokun
thonë se është aso burri që shoq të gjallë nuk ka
Disa mund
të thonë se Bacaloku është ujk që punët e veta i pleqnon vetë. Kurrë në
karrierën e vet të lavdishme, nuk ka dalë në asnjë takim me asnjë shok.
Gjithmonë takimet me të tjerët i ka bërë vetëm. Këtë ai e bën me të vetmin
qëllim që t’i shpëtojë shokët e tij të shumtë nga gjërat e tepërta. Pjesëmarrja
e tyre ka qenë e panevojshme pasi Bacaloku ka pasur besimin e tyre të
paluhatshëm. Nga kjo del se në rrethin e vet Bacaloku ka qenë dhe është i vetmi
njeri i pagabueshëm, i pastër dhe me veprimin e vet i ka shpëtuar të gjithë
shokët. Për punën e Bacalokut mund të thuhet e kundërta nga ajo që e kishim tek
Baci: pra, tek Ky, pranë të mirit shpëton edhe i keqi. Del një i drejtë dhe i
shpëton gjithë të shtrembërit, del një i drejt dhe ia sheh hajrin gjithë vendi,
del një i pastër dhe i shpëton të gjithë gjynypat, del një i larë dhe i shpëton
të gjithë të palarët.
Pa Bacalokun nuk na kishin hangër as qentë
V
A ka fat më të madh se sa në të njejtën kohë me i pas tre
liderë të fuqishëm të formatit botëror, të cilët armiqtë tanë mezi po presin
për të na i përvetësuar?
Ka
mendime të shumta dhe besime në popuj të ndryshëm se brenda një periudhe të
caktuar kosmike, vetëm një mundet me qenë i përsosur, më i dituri, i mbërrim, e
i zgjedhur. Eshtë çështje delikate e Akademisë t’ia qartësojë popullit tonë se
Tre heronjtë tanë janë të mbërrimë dhe na janë parqitur në të njejtën periudhë
kosmike.
Ka pasur
mendime para qindra vjetësh se “Më
i mirë është një gjeneral i keq se tre të mirë!” apo “Tre Atllarë në një mullar
nuk lidhen”.
Tek çdo
popull tjetër paraqitja e Tri figurave të tilla me aftësi për hipnotizimin e
masave e tërheqjen e tyre pas vetes, do të paraqiste burim për konflikte të
pandërprera. Eshtë hera e parë që kjo nuk ndodh dhe atë në kundërshtim me të
gjitha parashikimet. Kjo është arritë përmes mirëkuptimit vëllazëror e shumë të
drejtë që mbretëron në mes tyre.
Mirëkuptimi
i sinqertë, pajtimi, fryma vëllazërore që mbretëron në Trojkë, janë garanca më
e plotë se vendi ynë ka hy në fazën e një stabiliteti një mijë vjeçar. Kërkesa
për Trojkën dhe çmimi i saj në tregun botëror të atdhetarizmit është i pallogaritshëm.
Është hera e parë në histori që tri figura të tilla lajmërohen në të njejtën
kohë dhe në të njejtin vend dhe flasin në të njejtën gjuhë dhe të krijojnë një
unitet të paparë.
Mirëkuptimi
i Trojkës lidhur me ndarjen e hapësirës
Është e vërtetë se këta e kanë ndarë vendin në sferat e
veta vetëm e vetëm me qëllim që shërbimet e tyre të shfrytëzohen në mënyrë
optimale. Por qëllimi i ndarjes së vendit në domenet e tyre ka edhe një anë
tjetër dhe ai është që të mos i lejohet asnjë tradhtari apo të pabesi të
ngulitet në trojet tona.
Mirëkuptimi
i Trojkës lidhur me ndarjen e kohës
Shihet qartë se me dashtë këta të Tre, secili ka mund ta
ketë kalendarin e vet.
Secili ka
aftësi për ta llogaritur kohën në mënyrën e vet, por këta nuk kanë dashur ta
bëjnë këtë.
Në mënyrë vëllazërore janë marrë vesh që të ketë vetëm
një kalendar
Këta janë
marrë vesh dhe janë koncentruar në kohën e tashme dhe punojnë me tri ndërrime,
secili nga 8 orë. Këta e zëvendësojnë njëri-tjetrin tërë kohën sa herë që
ndonjëri nga ta mund të sëmuret apo të jetë në pushim vjetor. Secili prej tyre
shtyhet që të punojë sa më shumë në mënyrë që kolegut të vetë t’i jep sa më
shumë kohë të lirë për pushim e rekreacion.
VI
Disa nga mrekullitë e Trojkës
Pastrimi i
çështjes prej ideologjizmave
Një nga mrekullitë e Tyre mund të
thuhet se në mendimet e Tyre kurrë nuk ka pasur lëkundje apo ndërrim e
revizionim të ideve.
Kur jemi
tek Trojka përjashtohet mundësia e çfardo konflikti për shkak të ideve, pasi
këta janë të liruar nga çdo ideologjizëm d.m.th. nga çdo ide.
A ka meritë më të madhe se me e pastrua çështjen lirisë e
të mirëqenies prej
ideve?!
Trojka
është krijuese. Ajo nuk ka trashëguar asgjë
Eshtë fakt i padiskutueshëm se Këta në punën e vet për çlirimin e Atdheut, për krijimin e
shtetit, janë nisë prej zeros.
Është
fakt se populli ynë dhe të gjitha punët e tij janë sjellë në rreth derisa kanë
ardhë këta dhe i kanë qitë punët tona në vi njëherë e përgjithmonë.
Sikur
Trojka të mos kishte dalë në skenë dhe me e marrë situatën në dorë, atëherë
kish ndodh më e keqja. Pra ka ekzistue rreziku real që krejt fati ynë të bien në duartë e udbës.
Si është
zgjidhë kjo çështje në vendin tonë?
Partneriteti e
përjashton çdo gjë që ka lidhje me fjalën konkurencë
Këta në
qenien e tyre janë persona që nuk kanë konkurencë, dhe kurrë Baci, Baca e
Bacaloku nuk e kanë konsideruar konkurent njëri-tjetrin. Vetëm një njeri i
tillë i mbërrimë që në natyrën e tij nuk e ka shijuar kurrë konkurencën, apo në
rrugën e tij drejt majave ku ka synuar ka shpartalluar me lehtësinë më të madhe
çdo konkurencë, e di se sa e dëmshme, sa humbje kohe mund të jetë ajo. Pra,
këta nuk janë konkurentë dhe nuk kanë qenë kurrë konkurentë në mes vete.
4. Sjellja e tyre me atë masë, me adhuruesit e njëri-tjetrit
gjatë kohës kur Njëri apo Dy nga Ata kanë munguar (me arsye) nga detyra për
shkak të pushimit vjetor, sëmundjeve apo marrjes peng nga ana e udbës
Ka ndodhë që në kohë të ndryshme Një apo Dy, për shkaqet
e lartpërmendura kanë mungua nga detyra. Në këto dekadat e fundit populli ynë
kurrë nuk ka mbetur të paktën pa njërin prej udhërrëfyesve. Ai apo ata Dy që
kanë qenë të lirë janë kujdesur për simpatizuesit e anëtarët e të Tretit sikur
me pas qenë anëtarët apo evladët e vetë, bile edhe më shumë vetëm
e vetëm që ata të mos e ndiejnë veten si jetimë.
Kurrë
këta nuk e kanë shfrytëzuar mungesën e njërit për t’i demoralizuar
simpatizuesit e njëri-tjetrit e për t’i poshtëruar, për t’i marrë rob, apo për
(t’i) akuzuar se pse e keni simpatizuar atë e jo mua. Ideja e forcimit të
pozitave të njërit në kurriz të tjetrit është e poshtër për ta, është absurde.
Ta zëmë
se Baci në një situatë ka qenë në krye të detyrës kurse dy të tjerët të zënë.
Në këto situata, edhe pse ai ka
qenë i stërngarkuar me punë, kur
iu kanë nevoitë edhe argat prej balte, nuk ka dashur t’ia prishë pushimin Bacës
e Bacalokut. Përkundrazi ai ka insistuar dhe ka paguar mjekë specialistë që
t’ua vazhdojë pushimin.
5.
Sjellja ndaj të pakënaqurve me nafakën e vet
Nuk janë raste të rralla e krejt të panjohura kur dikush
nga radhët e njëri-tjetrit, duke menduar se do ta ketë një pozitë më të mirë
tek tjetri, të nisur nga parimi se “nuk është vlerësuar si duhet, se po nuk ia
din kimetin” shkojnë tek tjetri, duan të këshillohen për ndonjë punë apo
shfaqin dëshirë të kalojnë në radhët e tij. Atëherë cilido prej tyre
përgjigjet: Ti nuk ke nevojë me ardhë tek Unë kur e ke Bacin, Balalokun e
kështu me radhë. Ka ndodhë p.sh. që një anëtarë, përkundër faktit se ia ka
dhënë “zakletvën” Bacit, shkon dhe i shpreh dëshirën e gatishmërinë Bacës apo
Bacalokut që të kalojë në radhët e tij.
Cila
është përgjigja, e mënyra e “ceremonisë së pranimit” të këtyre kalimtarëve, të
cilët janë vazhdimisht në kërkim të nafakës?
Në këtë
rast, ta zëmë, Bacaloku i përgjigjet, se: “sikur të mos isha Ai që jam, kurrë
në këtë jetë nuk kisha pasur dëshirë më të madhe se sa me pas qenë nxënës e
adhurues i Bacit, se sa të isha në vendin tënd dhe m’u për këtë shkak, në ditën
e kiametit, në ditën kur kemi me u ba suhal, ti mund të jesh në pozitë shumë më
të volitshme se Unë.” Kur i ndëgjon këto fjalë bërësi i “zakletvës” pendohet,
skuqet nga turpi për atë që ka dashur ta bëjë dhe kthehet si i dhiem tek Baci,
me vendosmërinë përfundimtare që të mos çkapet më prej tij. Kështu pra sillen
të Tretë me ikanakët e njëri-tjetrit.
6.
Sjellja në mes vete e Trojkës kur gjenden në të njejtin kuvend, kur janë ftuar
në të njejtën festë
Këto raste sjellin probleme jo të vogëla. Kemi hetuar se
lajmërohen tri probleme. I pari shtrohet para dere, në hyrje. Një kohë të gjatë
e kalojnë duke u shty kur këta duan t’i lëshojnë njëri-tjetrit radhën për të hy
i pari. I dyti; shtyrje e ngjashme bëhet për ta vendosur njëri-tjetrin në
vendin e madh. I treti është insistimi për t’ia dhënë fjalën njëri-tjetrit.
Edhe kur, përkundër dëshirës, detyrohen ta marrin fjalën, këta mundohen të
flasin sa më shkurt e sa më pak në mënyrë që tjetrit t’i lënë kohë për të folur
sa më shumë. Edhe atë kohë që e marrin në dispozicion, nuk bëjnë gjë tjetër pos
e citojnë njëri-tjetrin.
VII
Mosmarrëveshjet eventuale të Trojkës
A ka pasur Trojka ndonjëherë mosmarrveshje?
Instituti
i historisë, Katedra nuk ka asnjë dokument që flet se këta kanë pasur ndonjë
mosmarrëveshje.
A e kanë ofenduar ndonjëherë njëri-tjetrin?
Kurrë!
Krejt rruzulli
tokësor është i mbushur me vende duelesh. Kryevepra të letërsisë botërore janë
të mbushura me raste ku përshkruhen duele kaubojësh, kalorësish e
aristokratësh, por asnjë rast i këtillë nuk ka në vendin tonë. Merita për këtë
i takon Trojkës.
A kanë pasur nevojë të idhnohen anëtarët e Trojkës
ndonjëherë në njëri-tjetrin?
Kurrë!
Të gjitha
konfliktet, të gjitha kurthat këta i kanë identifikuar menjëherë si vepra të
udbës, dhe i kanë zgjidhë në mënyrë vëllaznore.
VIII
A ka fat më të madh se me lindë në epokën e Trojkës?
Kjo
mvaret nga orientimi. Kjo mvaret se në cilin taborr gjendesh. Rasti më i mirë
por është i jashtëzakonshëm që dikush të ketë pasur punë me të Tretë. Ta ketë
mirë me të tretë, të jetë pëlqyer prej të treve.
Fat i mirë është nëse je kingj i butë për t’i thithë Tri (dy) nana
Këta i
takojnë rangut më të lartë. Kjo është fatlumësia më e madhe. Shumica e banorëve
të vendit tonë në këtë pyetje të paevitueshme, me të cilën ndeshen gjatë
mbushjes edhe të formularëve më elementare në organet shtetërore, përgjigjen
për atë se kujt i besojnë më së shumti, për kë janë të lidhur, apo mbas kujt
janë kap.
Mjafton
të jesh me njerin që të llogaritesh në mesin e fatlumve, pasi këta në bazë të
marrëveshjes për partneritet, jua njohin stazhin të gjithë anëtarëve. Në rast
të naivitetit e verbërisë politike del ndonjë pabesimtarë e thotë se nuk jam me
asnjërin, atëherë këta, me të drejtë e marrin në brina dhe e bëjnë pishman pse
ka lindë. Nëqoftëse dikush del kundër të Treve, atëherë nuk ka çfarë të thuhet
për të, pos e pastë vehten në qafë. Pra e keqja më e madhe është mos me u kap
pas asnjërit.
Ai që mundohet me i konkurua, e sheh menjëherë se nuk ka
ku me ngulë
I vetëmi
ngushëllim i gjeneratave të kaluara ka qenë shpresa për ardhjen e epokës së
Tyre.
IX
Cili është vendi i merituar i Trojkës?
Nuk ka dyshim se djem më hallall se këta vendi ynë nuk ka
pas prej se u kurdisë dynjaja. Ekziston një legjendë shumë e lashtë që është
përcjellë gojë mbas goje, me shekuj të tërë se liria e vërtetë dhe e pacenueshme
vendit tonë do të vijë, kur ai t’i ketë “Tre djem hallall që e duan Atdheun më
shumë se sa vehten.” Si Tre
djem hallall që janë, vendi i tyre përfundimtar është parajsa. Monumentet e
tyre në Katedralë, për këta Atllarë duhet të jenë sa më afër altarit.
Si njeri
i historisë mendoj se duhet ndërtuar edhe një ndërtesë ku të ruhet Arkivi i
Tyre. Kjo fjalë e imja kam shpresë se do të jetë më e forta dhe më e mira, e
cila do të gjendet në faqen e parë të arkivit të Bacit, Bacës dhe Bacalokut.
X
Çka ndodhë me ata që e lëshojnë rrugën e Trojkës?
Në § 10, që është edhe pika e fundit e dekalogut të
Trojkës e do rendi të shqyrtohet çështja e atyre që devijojnë dhe largohen nga
rruga e drejtë.
Në Statutin e tyre thuhet:
“Ai
që dezerton, ai që nuk na beson, ai që tradhton, ai që ka qoftë edhe një fije dyshimi në
madhështinë tonë, jo vetëm që mbetet pa iman por bënë aso gjynahi që
shpërblehet me vdekje.”
Pasi
ta kesh dhënë “zakletvën” e vetmja mënyrë e ndarjes me ta është vdekja.
Moralisht do të ishte shumë punë e keqe, sidomos për autoritetin dhe nderin e
moralin e Trojkës, me dalë fjala se dikush e ka lënë Bacin, se dikush jua ka
kthye shpinën. Me e lënë Baci apo Bacaloku dikë, apo kë të dojë, e me jua kthye
shpinën nuk është asgjë, as nuk ka kush për t’u marruar pasi Baci apo Bacaloku
këtë të drejtë e kanë nga pozita e lartë që e kanë fituar.
Ky nen ka
për qëllim që të forcojë unitetin, t’u jep nasihat të tjerëve, në mënyrë që ata
që janë kapë pas tyre të lidhen edhe më shumë në një unitetet të fuqishëm, në
të cilin do ta thejnë kokën tradhtarët e të pabesët. Ata që ia kthejnë shpinën
Bacit, Bacës e Bacalokut, shpërblehen me vdekjen. Dënimi më i madh i shqiptohet
sidomos atij që nga ta largohet i pari.
Argumentet negative të Avokatit të djallit (advocatus
diaboli)
Për simbole mund të flasë vetëm ai që edhe vetë
është simbol
Shtrohet
pyetja; Pse Muhë Pirra, apo MUPi më ka zgjedhur pikërisht mua që të jap
argumentet e mia, për të cilat jam i bindur se tregojnë natyrën e vërtetë të
Bacit, Bacës e Bacalokut?
MUPi ka
insistuar, pasi ai ka fakte të padiskutueshme se unë mund të merrem me këto
simbole, pasi edhe vetë jam apo kam qenë simbol, në përputhje me të gjitha
kërkesat e folklorit. Edhe unë mund të lavdohem se emri im fillon me germën b. Sa i përket burgut nuk kam argumente që
mund të shtyhem me Trojkën. Është e vërtetë se si i pangueshëm i kam kaluar
disa javë në “popravni dom” dhe nga aty jam liruar si i rehabilituar. Ndërsa
anëtarët e Trojkës kanë dalë nga burgu të pathyeshëm d.m.th. të
papërmirësueshëm.
Në bazë të cilave merita mund të mëtoj se edhe unë jam
simbol?
Është e
vërtetë se tri herë në karrierën time kam qenë Bullan.
I bazuar në këtë fakt, detyra që MUPi ma ka dhënë nuk ka të bëjë vetëm me
kundërshtimin e hedhjen poshtë të argumenteve pozitive të tij. Ai më ka
premtuar solemnisht se nëse fuqia ime argumentuese do të jetë bindëse e me anë
të cilës do të deklasohej mundësia e Trojkës për vend në Katedralë, atëherë si
simbol, ka gjasa, jo vetëm teorike, që vendi i paramenduar për Ata të më jipet
mua.
I
Çështja e emrit
Nuk
është e vërtetë se masa apo rrethi i ka thirrë këta së pari me emrat Bac, Bacë
e Bacalok.
Këta emra
janë shumë të përhapur dhe nuk janë aspak origjinal dhe secili prej tyre e
akuzon tjetrin për plagjiat (vjedhje, kopjim) të emrit. Nuk kam dëgjuar kurrë
ndonjë që së pari është përbe, betuar apo të ketë dhënë ndonjë “zakletvë” në
emër të tyre. Është pikërisht e kundërta. Janë këta të cilët i kanë
introduktuar emrat e vet për mjesidin në të cilin janë gjetë, në stilin: ngo
bac!, po bacit!, ani bacit!, kështu bacit! Eja te baci!, tregoj bacit! Janë vetë këta dhe askush tjetër që të
parët janë përbe në emrat e vet në stilin: Jo pasha bacin! Jo pasha Bacën
kurrën e kurrës! Jo pasha Bacalokun nuk
shkon kjo punë kështu!
Pse e përdorë Trojka këtë trik?
Mendimi
më i përhapur është ai sipas të cilit Trojka e bënë me qëllim që ta shohë se
cilët janë ata që në turmën e njerëzve e kuptojnë këtë përdorim, e kuptojnë
këtë shenjë kopilie, këtë të bame me sy, pra cilët janë ata që e hanë. Këta
veprojnë kështu pasi vetëm këtyre (prostitutave) që e hanë, që bëjnë gara për
t’u hy në bythë me ka krejt, munden lirisht dhe pa fijen e frikës me jua kthye
shpinën. Vetëm këtyre “besnikeve” këta u zënë besë.
II
Magjia e germës B apo magjia e numrit 1
E
vërteta është se askush si Trojka nuk është përpjekë të mbjellë pabesi e
përçarje në vendin tonë. Në vendet me qytetërim të mirëfilltë, kuptimi i
mosmbajtjes së fjalës së dhënë mungon. Për ata është e pakuptueshme se pse një
fjalë që nuk mbahet ka nevojë për t’u dhënë. Tek ne, duke iu falenderuar
Trojkës e atmosferës së lëkundjeve dhe shumfytyrësisë së saj, ekzistenca, qoftë
edhe e një të vetmi që e mban fjalën, quhet besë e virtyt i jashtëzakonshëm.
Pasi jam zgjedhur si i vetmi në kerrin
e bullave, d.m.th. që nga ajo kohë e kam ndier veten të zgjedhur, të mbetur jo
vetëm në pakicë por si i vetmi i llojit tim, të pakonkurencë, dhe si rrjedhim i
gjithë kësaj, të lidhur pazgjidhshmërisht vetëm me numrin 1.
III
Individualiteti i Trojkës
Është e
vërtetë se anëtarët e Trojkës dallohen shumë në mes vete dhe në të vetmen pikë
ku origjinaliteti i tyre shprehet është në budallallëqet dhe bestytënitë e
tyre.
IV
Disa aspekte karakteristike të Stilit në punë
I gjithë
argumentimi, në këtë pikë, nga një aspekt është i vërtetë. Këto argumente janë
përzierje fjalësh nga tradita, nga dëshirat e mira, nga shpresat, nga pasojat e
mosdijes dhe e mbjelljes së obskurantizmit.
a) Baci
nuk ka dalë kurrë vetëm, sepse e ka ndier veten të dobët, prandaj për t’iu
imponuar palës tjetër, ai ka qenë në gjendje që brenda disa minutash kalimtarin
e parë që e ka gjetë në stacion të trenit apo autobusëve, ta ndaj, ta bëjë
ceremonin e shpalljes (gradimit për) kalorës, për disa minuta ta bëjë anëtar të
Komitetit Qendror, dhe ta marrë me vete në një bisedë shumë të rëndësishme.
b) “Pogllavica”
është një rast me specifikat e veta. E vetmja vërejtje që mund ta them kundër “Pogllavicës”
është fakti se pendlat e uniformës nuk i ka të vetat. Pamja e tij pa pendlat e
huazuara është një pamje jo aq e mirë. Për këtë aryse janë tepër-tepër të
rrallë ata që e kanë pa ndonjëherë pa uniformë.
c)
Bacaloku nuk merr kurrë shok në takime. Stili i tij është i kundërt me të
Bacit. Ai mund të shkojë për të pi kafe e çaj tek një shok e për asgjë tjetër,
por t’u thotë besimtarëve të vet se ata nuk bënë të jenë aty, pasi tubimi është
i një karakteri “sekret ku do të shqyrtohen shumë çështje delikate”. Këtë e
bënë ai jo për t’i kursyer shokët e vet, por vetëm e vetëm që të ketë mundësi
t’i manipulojë si të dojë, e t’u thotë çfarë të dojë.
I takon
Katedrës së nderuar, Akamedisë e akademikut t’i merrë ashtu siç janë në të
vërtetë. I takon akademikut të gjykojë drejt e të merr parasysh se kjo pikë në
argumentimin pozitiv, fjala dashamirëse e MUPit nuk mjafton për të zënë një
vend në cilëndo qoshe Katedralës.
V
A ka fat më të keq se sa në të njejtën kohë me i pas tre
liderë të pafuqishëm dhe më injorantët në botë, të cilët armiqtë tanë mezi po
presin për të na i lënë në derë?
Eshtë
faktkeqësi sikur ta kishim edhe vetëm njërin prej tyre. Por fatkeqësia është më
e madhe pasi këta janë Tre. Thëniet; “Eshtë më mirë të kesh një gjeneral të keq
se tre të mirë!” dhe “Tre atllarë nuk mund të lidhen në një mullar!” pikërisht
për meritën e tyre janë më aktuale se kurrë më parë.
Rreth ndarjes së hapësirës
Këta
kurrë nuk pajtohen me ndarjen e tokës, ndarjen e hapësirës. Ndarja paraqet
vetëm ekuilibrin momental deri sa të armatosen më mirë. Qëllimi i tyre është me
ia rrëmihë e me ia marrë dheun nën këmbë njëri-tjetrit.
Rreth ndarjes së kohës
Secili prej
tyre lufton me çdo mënyrë që koha të llogaritet me kalendarin e vet.
VI
Disa nga “mrekullitë” e Trojkës
1.Pastrimi
i çështjes prej ideologjizmave
Këta lavdërohen se e kanë pastruar çështjen prej
ideologjizmave, d.m.th. prej ideve. Sipas këtyre strategëve thirrja në
nacionalizëm nuk është ideologji dhe nuk ka lidhje me ide.
Pastrimi
e xhveshja e njerëzve prej ideve, pastrimi i trurit të tyre prej ideve nuk
është gjë e tjetërt, pos hap i parë për t’ua pastruar xhepat, për t’ua ngrënë
djersën, dhe në rast nevoje, ta disponojnë si të duan gjakun e tyre.
2.
Nga “sjellja në rreth” deri tek “vendosja e punëve në vi”
Trojka
është krijuese! Ajo nuk ka trashëguar asgjë!
Këtu nuk kam nevojë për argumente të mia. Vetë Bacin e
kam ndëgjua me veshë të mij kah i thotë Bacës, apo Bacalokut, “Qen, qen bir
qeni!”
Pra, secili për vete thotë së është
krijues, se është krijuesi, ndërsa të tjerëve u thotë: “Qen bir qeni, se e ke
(keni) gjetë sofrën e shtruar!”
Pra, ajo
që për Bacën duket “zero” për Bacin e Bacalokun nuk është asgjë tjetër por
“sofra e shtruar”, e rrumbullakët, tavolina e rrubullakët. Pasi këta vetë me
gojën e vet e akuzojnë secili njëri-tjetrin për “qen mosmirnjohës”,
bukpërmbysës ndaj “sofrës së shtruar”, konkludojmë se asnjëri prej tyre nuk
është nisë prej zeros por është pikërisht e kundërta, se e kanë gjetë sofrën të
shtruar, se tregohen të pabesë ndaj bukës së shtruar.
3.
“Bashkimi” i popullit
Si
është zgjedhë kjo çështje në vendin tonë?
Kurrë në jetën e tyre Trojka nuk e ka përjetuar një
atmosferë jashtë konkurencës. Kurrë në jetën e tyre këta nuk kanë pasur plan më
madhështor se atë për ta asgjësuar, mundur e poshtëruar njëri-tjetrin.
4.
Sjellja e tyre me atë masë, me adhuruesit e njëri-tjetrit gjatë kohës kur Njëri
apo Dy nga Ata kanë munguar (me arsye) nga detyra për shkak të pushimit vjetor,
sëmundjeve apo marrjes peng nga ana e udbës
Si njerëz që e urrejnë njëri-tjetrin, Këta bëjnë çdo gjë
që të jetë e mundur për t’i forcuar pozitat në kurriz të njëri-tjetrit.
Këshilla më elementare e Bacit për anëtarët e vet është:
“Baca dhe
Bacaloku janë të poshtër, por poshtërsinë e tyre duhet ta shtjellojmë me kujdes
e me takt, pasi ata shokët i kanë të mirë. Shokët e tyre na nevoiten.” Edhe
Bacaloku apo Baca kujdes të veçantë i kanë kushtuar punës se si me ia marrë
shokët njëri-tjetrit.
5.
Sjellja ndaj të pakënaqurve me nafakën e vet
Marrja e një “shoku të ngushtë” prej njëri-tjetrit janë
trofetë më të çmuara në arsenalet e gjuetisë së Trojkës. Këto raste ata i kanë
përdorë si dëshminë më bindëse e më të gjallë se janë në rrugë të drejtë, në
rrugën fitimtare. Dezertorët e njërit kanë pasur vendin më të lartë, “e janë
vlerësuar sipas meritave të vërteta” tek tjetri.
6.
Sjellja në mes vete eTrojkës kur gjenden në të njejtin kuvend, kur janë ftuar
në të njejtën festë
Pikë së pari këta janë përpjekë që kurrë të mos jenë në
të njejtin kuvend. Janë të njohura shprehjet e tyre: “Nëse Ai është aty, Unë
kurrë nuk vij, se nuk mund ta duroj e tia shoh surratin e qenit.” Nëse më në
fund pranojnë të jenë në një tubim, si kusht elementar kanë shtruar që emri i
njërit të jetë i pari në listën e të ftuarëve dhe emrat e dy të tjerëve në
fund. Kur e kanë marrë fjalën secili është munduar të flasë sa më shumë dhe
mundësisht të marrë aq kohë sa të mos mbetet asnjë sekondë për të tjerët.
Ka ndodhë njëherë që edhe Bullani ka
marrë ftesë për të marrë pjesë në këto lloj festash e kuvendesh, si ndëgjues.
Baci, Baca e Bacaloku janë paraqitë kinse nuk po e njohin, dhe nuk i kanë
kthyer sytë nga ai as gjatë fjalimeve e as gjatë pushimeve në mes seancave. I
befasuar nga ky trik, e pyeta një aktivist të njohur që e kisha afër në
tavolinë se pse vepron Trojka në këtë mënyrë? Ai u përgjegj; “Këtë e bëjnë nga
frika se mos po i jipet fjala Bullanit. Dihet se anëtarët e Trojkës në çdo të
tretën fjali e akuzojnë dhe e quajnë njëri-tjetrin për ‘qen bir qeni’. Ata kanë
frikë të pashërueshme se pas fjalës
së tij, festat e kuvendet për Ta mund përfundojnë përgjithmonë. Kjo mund të
ndodhë pasi fjalimet e Trojkës, në vazhdim ka rrezik serioz që të përjetohen si
lehje.”
VII
“Mosmarrëveshjet eventuale” të Trojkës
Jo vetëm
mosmarrëveshje, por nuk është regjistruar urrejtje më e madhe se sa ajo që kanë
anëtarët e Trojkës për njëri-tjetrin. Thuhet se ata e kanë dhe nuk e heqin
kurrë prej thumbi njëri-tjetrin.
VIII
A ka fatkeqësi më të madhe se me lindë në epokën e
Trojkës?
Eshtë
vështirë të kërkosh fatkeqësi më të madhe se sa kjo. Është atmosferë aq e zymtë
në mjedisin ku garojnë këta, është mjedis aq i ngarkuar me konflikte natyrale
dhe artificiale, sa sjellja normale, sjellja elementare e ndershme, thënia e
sendeve ashtu siç ndihen me zemër, konsiderohen
si heroizma të vërtetë.
Çdo
përpjekje për ta tejkaluar këtë epokë, duhet konsideruar si punën më fisnike,
si punën që më së shumti i jep kuptim jetës, si punë për të cilën ia vlen të
jetosh.
IX
Cili është vendi i merituar i Trojkës?
Supozimi se Këta Tre, të quajtur nga MUPi “djem hallall”,
mund ta kenë vendin në parajsë, është vështirë i besueshëm. Mendoj se këta
“hallalla” vendin e merituar e kanë në Hell. Sido që të, jetë puna në këtë
pikë, ata nuk meritojnë asnjë bust, asnjë pllakë me emrin e tyre në Katedralë.
X
Çka ndodh me ata që e lëshojnë rrugën e Trojkës?
Më së
miri është që të mos kesh punë me asnjërin. Largimi nga ta nuk është gjynah që
shpërblehet me vdekjen, por është pikërisht fitim i jetës e shpëtim i shpirtit.
Përfundim
Sa i përket
çështjes së emrit, për ndryshim nga Trojka, Bullani emrin e vet nuk ia ka
caktuar apo dhënë vetes.
Atributi,
shenja e vetme që e ka dalluar Bullanin nga mesi i vet, ka qenë kalemi. Arma e
tij e vetme ka qenë kalemi.
Unë kisha
dëgjuar shumë e shumë herë ankesat e sinqerta të anëtarëve të Trojkës për atë “se nuk ka gjë më të keqe në
këtë botë se mos me të punua kalemi, se sa me e pas një situatë revolucionare
përpara e mos me mund me e shfrytëzua, mos me mund me e shnëdrrua në ide e
forcë lëvizëse”.
Duke u
bazuar në ankesat tyre, përkundër të gjitha vetive të tyre, kam shpreh
gatishmërinë time të sinqertë që t’u ndihmoj e të ndikoj për të mirë në
rrjedhën e ngjarjeve, duke menduar se një ndikim i tillë është i mundshëm. Por
kjo qe e pamundur pasi asnjëri prej tyre nuk tregoi besim ndaj meje dhe nuk ma
kthyen kurrë shpinën, duke më konsideruar si të dyshimtë, me fjalë tjera si
tradhtarë që u mundua me futë përçarje.
Për Trojkën mendoj se nuk ka nevojë
për arkiv. Për ta mjafton arkivoli. Kjo fjalë e imja përfundimtare besoj dhe
shpresoj se do të jetë gozhda e fundit në arkivolin e tyre.
Pasi tre
anëtarët e Trojkës janë “Tre djemtë hallall” të vendit tonë, rrjedh se Bullani
duhet të jetë “djal haram”. Vendi i vërtetë i Bullanit është haremi. Jashtë
haremit ai nuk mund të imagjinohet.
Trojka i kërcnon me vdekje ata që asaj ia kthejnë shpinën
Ato që ia
ka kthejn shpinën Bullanit çmohen dhe shpërblehen me jetë. Por shpërbilimin më
të madh, përmendoren më të madhe Bullani është betuar në tokë e në qiell se do
t’ia ndërtojë asaj që e ka lënë më së pari, që ia ka kthye shpinën më së pari.
Bullanin
mundemi pa fijen e frikës ta konsiderojmë simbol, por me një diapazon, me një
shtrirje pambarimisht më të madhe se sa të Trojkës, shtrirje të cilën Trojka
nuk mund ta merr me mend. Bullani nuk është simbol i luftës, i urrejtjes për
vdekje për rivalët, i ”mjekrave të thinjura në revolucione”, i obskurantizmit,
i injorancës, i besëtytnive, simbol i vetëm një gjinie. Bullani është simbol i
dashurisë, paqes, mirëkuptimit, i bashkimit më të rëndësishëm, i vazhdimit të
jetës e përjetësisë. Ai është i pari që qëndron në prehrin e Nuses.
Bullani
nuk ka pasur asnjë konkurent. Kjo nuk ka ndodhë me kërkesën e tij. Nuk ka asnjë
dëshmi, nuk ekziston asnjë letër “historike” e nënshkruar me këtë emër. Janë
bullat ato që e kanë zgjedhur atë si të vetmin aktor të dasmës, të llojit të
vet. Është ai që luanë në divizion krejt tjetër nga ai Trojkës, që flet me një
gjuhë që nuk e ka asnjë fjalë të përbashkët me atë të Trojkës.
Apeloj
tek Akademia, tek akademiku, i cili e ka marrë përsipër të na mësojë se në
çfarë duhet të besojmë, i cili është duke na treguar se kush jemi, luftëtarit
më të lavdishëm për liri, duke përfshi këtu edhe lirinë për t’i besuar e
mosbesuar kujt të duam, i cili një Perëndi ia zgjedh kopesë, të tjerëve,
ndërsa vetes ia lejon
luksin që “t’i falet vetëm të vërtetës dhe të drejtës” dhe në fund, tek
akritekti shpirtëror prof. dr. Muhë Pirra apo MUPi, tek ky avokat i madh i atdhetarëve,
ta peshojnë punën mirë. Jo një pllakë përkujtimore, jo një bust, por vetë,
krejt Katedrala nuk është keq të quhet në emrin e Bullanit, apo në fund të
fundit në emrin e Nuses.