| E diele, 23.08.2009, 06:29 PM |
INTERVISTË ME KËZE (KOZETA) ZYLO –
SHKRIMTARE
Bisedoi
Arsim Halili
Kozeta Zylo ka një përvojë të gjatë
si mësuese në Tiranë, ashtu dhe në Diasporë.
Pasi largohet në
shkurt të vitit të mbrapshtë, 1997, nga Shqipëria, ajo integrohet së bashku me
familjen e saj, me dinjitet dhe kulturë në
Ajo me bashkëshortin
e saj z.Qemal Zylo, ka një aktivitet të gjerë shoqëror dhe kulturor në Diasporën
shqiptare.
Eshtë gruaja e
vitit 2008 në
Duke ndjekur me
vëmendje të posaçme gjithë aktivitetin e saj dhe duke lexuar artikujt e ndryshëm
në gazeta, si dhe poezitë aq të ndjera në publik, revista “Perspektiva” në
Kosovë i mori këtë intervistë për gjithë lexuesit e saj:
Cila është zanafilla e krijimtarisë suaj letrare?
Që e vogël kam qenë e magjepsur pas
përrallave që na rrëfenin më të mëdhenjtë, por veçanërisht më shumë më kanë tërhequr
pjesë të historisë, leximit dhe folklorit popullor, që m’i tregonte dhe mësonte
nëpërmjet librave babai im.
Duke jetuar një
pjesë të fëmijërisë sime në Mezhgoran, një fshat piktoresk, dikur i quajtur
fshat Derven, që ndodhet midis malesh me kundërmim erë lulesh dhe me rrugicat e
kalldrëmta mbushur me petale shumëngjyrëshe të vesitura nga duartë e zonjave
hijerënda dhe të bukura mezhgoranase, më kanë lënë gjurmë të pashlyera në
shpirtin dhe zemren time.
Gurgullima e përroit
që vinte si me vallëzim nga të çarat e gurëve të bardhë dhe të hirtë, derdhet
si argjend në lumin Vjosa.
Uji i pijshëm
dhe i kristaltë i Sollokushes, të freskon me stërkalat e shkumëzuara, që
piklojne në fytyrat e çdo kalimtari dhe që vë buzët për të shuar etjen e tij
nga vapa. Mezhgorani duket si një
ballkon i lartë për pjesën e Jugut, rrethuar me pemë të larta, arra dhe rrepe
shekullorë.
Eshtë një vend
që lidh Tepelenën, me Këlcyren dhe Përmetin.
Ne shpesh
si fëmijë në muzg rendnim pas xixëllonjave,
i vendosnim brenda pëllëmbëve të duarve dhe ç’kënaqësi ndjenim kur ato vetëm bënin
dritë me ngjyrë dielli në bardhësinë e duarve tona dhe përndeznin portat e
gurta të shtëpive.
Mësuesit tanë
zemërartë bënin shpesh aktivitete dhe ne fëmijët recitonim vargje të ndryshme,
vargje që përthithnin zemrat e prindërve tanë dhe të gjithë të tjerëve.
Çdo 7 Mars u
dhuronim një tufë me lule manushaqe, lule që më ka tërhequr gjithmonë me ngjyrën,
delikatesën dhe aromën e saj.
Më dhemb që nuk
e prek mëmanushaqen bukuroshe, dhe nuk i ndjej aromen asaj.
Në mëngjes herët
fshati zgjohej nga kënga e korit të këndezëve, një simfoni e vërtetë origjinale,
që nuk kanë mundur akoma ta luajnë artistët më të medhenj me veglat e tyre
muizikore.
Të gjitha këto
mbresa, më dhanë perëndeshën e frymëzimit, dhe shkruajta vjershën e parë, kur
ishja në klasën e pestë, në revistën “Pionieri”.
Mezhgorani me
dha muzën e parë.
Ai është një
vend me tradita të pasura arsimdashëse dhe patriotike, një ndër vendet e para në
Tepelenë dhe me mësues brenda fshatit të vet, që hapi shkollën shqipe, duke i
thyer hundët regjimit turk.
Fshati ishte
derë e kurbet, ku disa prej familjeve mezhgoranase morën pensione nga Franca,
meqënse kishin dhënë kontribut atje para Luftës, disa prej tyre ngelën në
Amerikë, Kanada, Turqi, ku fëmijët e tyre nuk u takuan kurrë me prindërit.
Ka disa burra të
shquar në histori, të cilët kishin studjuar në universitete të dëgjuara
europiane.
Unë ende vazhdoj
t’i dëgjoj shpesh këto histori nga babai im i shtrenjtë, por dhe nga pleq të
tjerë, të cilët e kanë të shkruajtur historinë e këtij fshati në memoriet e
tyre.
Së shpejti do të
shkruaj për Mezhgoranin dhe historinë e tij, kontributin që kanë dhënë për Vatrën
e Fan Nolit, që për ironi të fatit, si në kohën e diktaturës ashtu dhe tani
vazhdon të lihet në harresë nga pseudohistorianët e Mëmëmdheut tim të shumëvuajtur,
duke e paraqitur në Enciklopedi thjesht si një grykë gjeografike, dhe duke
harruar qëllimisht perlat që ka brenda.
Jetoni në Amerikë, sa ju mungon vendlindja dhe rrethi ku
keni jetuar?
E kam pasur ëndërr Amerikën, ta shikoja, ta
prekja, pse jo dhe ta shijoja!
Kjo ëndërr ndoshta vinte ngaqë gjyshërit e mi kanë qenë që në fillim të shekullit të kaluar me dekada në Amerikë, por edhe siç dihet ëndrrat tona të plagosura u bënë realitet vetëm në kohën postkomuniste...Amerika
ishte nje mollë e ndaluar, nuk mund
ta prekje, nuk mund të tregoje ëndrrën para të tjerëve, ndryshe...!
Tani qe e realizova ëndrrën time, duke medituar shpesh në dritaret e qelqta apo pranë ballkonit me këngën e zogjve mergimtare,
ka filluar dhe më mungon akoma më shumë vendlindja ime Tepelena dhe Tirana ku punova dhe jetova një jetë të tërë.
Vendlindja ime Tepelena, me duket me bukuritë e Afërditës, me Ujin e Ftohtë, me vajzat si mjelmat, që nuk ikin kurrë prej andej dhe rrëshqasin paqësisht në atë ujë të bekuar tepelene.
Sa here dielli perëndon, ndihem si në një kompleks faji, që shpesh të sjell dhe ndjenja të kundërta gëzimi dhe nostalgjie që akoma nuk po iki pranë Mëmëdheut tim...!
Duke degjuar fëshfërimën e gjetheve si serenatë, dhe që më vënë në gjumë në orët e vona, në vesh më ushtojnë edhe tingujt e ëmbël nga muzika e Atdheut tim, që më duken sikur janë tingujt e Flautit Magjik të Moxartit.
Une kam fatin të jetoj në New York dhe të punoja për disa vite në Manhattan.
Aty ndjeva dhe pashë nga afër kryeqytetin e botës dhe ndërkohë po jetoj me kujtimet e kryeqytetit tim, Tiranën, me ish kolegët e mi të nderuar mësues dhe ish nxënësit e mi gjimnazistë. Ata i
kujtoj me mallin dhe nostalgjinë më të madhe edhe pse me shumë prej tyre kam
kontakte.
Shpesh njeriu ndodhet si midis dilemës shekspiriane, në rastin tonë: Të shkosh a të mos shkosh në Mëmëdhe...?
Por kur emigranti ka gjetur shtëpinë e dytë dhe është stabilizuar aty ku kërkoi ëndrrën, e ka tepër të vështirë për të lëvizur.
Jeta nuk është një loje shahu, qe t’i levizesh gurët brenda katrorëve si të duash, jeta është tepër komplekse dhe e vështirë.
Vendi im akoma nuk ka një status të veçantë për emigrantin që ka lënë Atdheun, i detyruar nga kushtet politike apo
ekonomike.
Parlamenti duhet të miratojë ligje të veçanta për të tërhequr Diasporën, ngase ajo e meriton plotësisht për kontributin që ka dhënë për çështjen kombëtare dhe për ngritjen e ekonomisë, por kjo do të arrihet kur brenda Parlamentit, Diaspora të ketë perfaqësuesit e vet, dhe jo të përfaqësohet nga njerëzit që nuk kanë parë vuajtjen dhe punën e rëndë të emigrantit...
Në rast se nuk do të ishte djersa e emigrantëve që derdhet lumë drejt familjeve të tyre, gjendja politike dhe ekonomike atje do të ishte më pak e stabilizuar...
Megjithatë çdo njeriu i mungon vendlindja, Mëmëdheu ku është rritur.
Ne të ikurit prej vendit tone, jemi ashtu siç thotë artistja
hollivudiane, Sofia Loren: “Brenda meje unë mbaj tërë shenjat e detit, diellit, muzikës dhe dialektit tonë aq të ëmbël...”
Krahas fushës së
krijimtarisë, jeni mjaft e
angazhuar edhe në procese
të tjera të jetës së Komunitetit shqiptar në Diasporë, na
thoni pak më tepër rreth këtyre
aktiviteteve?
Duke filluar një jetë të re këtu në New York, jam munduar së bashku me familjen
time të përshtatemi sa më mirë dhe ta jetojmë atë.
Kam pasur fatin së bashku me bashkëshortin tim të punojmë në disa kolegje të New Yorkut dhe të njihemi me shumë studentë, kemi festuar
vazhdimisht Ditën e Flamurit, kemi
organizuar aktivitete të ndryshme për çështjen e Kosovës, duke thirrur
kongresmenë, ambasadorë, analistë politikë, që e njihnin shumë mirë situatën politike në Shqipëri dhe Kosovë.
Në festën e Flamurit është ndërprerë gjithmonë mësimi, edhe pse shumica e studentëve ishin nga vendet e gjithë botës.
Ata me kënaqësi kanë marrë pjesë në këto festa, simpoziume
dhe kanë përkrahur çështjen e Kosovës.
Ne kemi shumë miq prej Kosove, ata
gjithmonë na kanë shoqëruar në këto aktivitete, dhe gjithëkush prej nesh ndjente dhimbje, kur shumë prej tyre tregonin historitë tragjike që iu kishin ndodhur nga thundra serbe.
Nga këto histori të tmerrshme, janë shkruajtur sa e sa poezi, tregime, drama, skenarë filmash nga autorë shqiptarë dhe të huaj.
Ata kishin se ç’të shkruanin, ngase brenda shpirtit kishin brengën e vëllezërve të tyre, brengën e gjakut të tyre, ndaj dhe u frymëzuan ashtu siç thotë Shopen:
“Më jepni një dhembje
t’ju jap një kryevepër”.
Cështja e Kosovës është përkrahur shumë nga Diaspora, moralisht dhe materialisht, prandaj ne si
popull duhet t’i jemi mirënjohës përjetë, çfarë bëri Diaspora, UCK-ja
dhe Amerika.
Gjithë mediat shqiptare,
TV-të, gazeta “Illyria” dhe gazeta
“Bota Sot”, u vunë në dispozicion të çështjes shqiptare.
Prandaj unë mendoj, se çdokush e ka dhënë kontributin e vet
modest, pavarësisht se dikush mund të jetë organizator shumë i njohur, ose thjesht
pjesëmarrës.
Të gjithë së bashku organizues dhe
pjesëmarrës kanë një qëllim të përbashkët: Të zgjidhet çëshjta shqiptare!
Mirëpo çështja shqiptare akoma nuk është zgjidhur, janë shumë probleme kardinale, ne kemi jashtë kufijve shumë treva shqiptare, si Preshevën...apo Çamerinë që pronat e tyre i gëzojnë në mënyrë barbare pronarët grekë.
Politika shqiptare dhe populli nuk duhet të heshtin përpara kësaj tragjedie,
tragjedi që iu ka kushtuar jetën mijëra çamëve...
Si problem tjetër parësor ne kemi ndjerë dhe mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët emigrantë.
Eshtë një detyrë imediate për të gjithë prindërit dhe shtetin
shqiptar, që të mos i lënë fëmijët që lindin dhe rriten jashtë Atdheut të asimilohen.
Në se nuk mësohet gjuha shqipe ata natyrshëm humbasin shumë gjëra, por mbi të gjitha humbasin gjuhën e nënës që është dhe ashti i identitetit tonë.
Po mundohemi me përpjekje të vullnetshme për fëmijët që kemi këtu afër nesh në Staten Island ose dhe në
lagje të tjera të New Yorkut, t’u mësojmë gjuhën e ëmbël shqipe.
Shume prej ketyre aktiviteteve i kam pasqyruar në gazeta dhe kohët e fundit në TV Alba-Life që është hapur nga ne pak kohë më parë.
Nëpërmjet TV Alba-Life do të japim kulturën dhe jetën shqiptare, do t’u mësojmë fëmijëve rreth traditave më të mira dhe kulturës sonë të lashtë.
Së shpejti do të kem programe të veçanta për Kosovën, Preshevën, Çamërinë, Dibrën, Ulqinin, programe që do të mbajnë gjallë dashurinë për Mëmëdheun tonë.
Aktivizohem shpesh dhe me organizatën e gruas “Zëri Ynë”, ku organizojmë një sërë aktivitetesh për emancipimin, edukimin dhe kulturën e gruas shqiptare.
Mbrëmjet kulturore në ditët e festave, veçanërisht në Ditën e Gruas, Nënës dhe të Mësuesit i japin më shumë jetë dhe gjallëri Diasporës. Ne marrim pjesë n
gëzimet dhe hidhërimet së bashku, ndajmë çdo të mire dhe të keqe, ndryshe jashtë Mëmëdheut në se nuk je i bashkuar, e kalon me hidhet të keqen e pashmangshme...
Jetoni në një vend,
ku demokracia është në nivelin
më të lartë, cilat
janë përshtypjet tuaja?
Eshtë e vërtetë që jetoj në vendin më demokratik të botës dhe të falënderoj për këtë pyetje.
Amerika ka kushtetutën më të vjetër në botë, edhe pse mund të jetë një nga vendet me histori më të re...
Miliona njerëz pas viteve 90-të nga Europa, iu larguan diktaturave komuniste dhe
gjetën strehë pranë shtetit amerikan. Ata iu larguna
frikës dhe erdhën në vendin, që sic thotë ish presidenti Truman: “Amerika
nuk është ndërtuar
mbi frikën”.
Por Amerika nuk është një fushë me lule, që e realizon ëndrrën sa hap e mbyll sytë. Këtu duhet një punë e madhe, vullnet i
fortë dhe mbi të gjitha të zbatosh ligjet me korrektësi, atëhere çdo njeri në përgjithësi është përshtatur mrekullisht.
Mund të ketë gjëra që mund të të mos pëlqejnë, se duke ardhur nga vende të tjera, mendërisht në fillim nuk je përgatitur për ndryshime, por me kalimin e kohës për shumë emigrantë, Amerika bëhet si një tokë magnetike që të tërheq dhe zor se të lëshon më...
Amerika në bazë të statistikave është vendi me përqindjen më të lartë të ndihmave humane, që iu jep popujve të botës dhe ju ndodhet pranë në të gjitha fatkeqesitëdhe katastrofat njerëzore.
Eshtë vendi që të krijon të gjitha mundësitë dhe kushtet e nevojshme apo lluksoze për të pasur një jetë më të mire dhe më të rehatshme.
Eshtë e vërtetë që ka dhe njerëz që nuk e pëlqejnë apo kalojnë në ekstremizma, por unë futem në atë kategori njerezish që e çmoj së tepërmi demokracinë amerikane.
Në këto grupe vlerësimesh negative për demokracinë amerikane, zakonisht ndodh me ata njerëz që vazhdojnë të kenë atë mendësi si në kohën e diktaturës, që na e kanë paraqitur gogol apo
djall imperialzimin amerikan. Por edhe
pse vazhdohet të kritikohet demokracia
amerikane dhe të jenë të pakënaqur, ata bëjnë një jetë normale, apo ndoshta dhe më të lehtë se ata që e çmojnë demokracinë.
Pra kjo është thelbësore për një shtetas, që të kesh lirinë e të folurit, të shprehësh çfarë ndjen dhe të jesh i barabartë përpara ligjit, jo të vlerësohesh nga pikëpamjet.
Këtu qëndron dhe ndryshimi thelbësor midis Amerikës dhe vendeve tëtjera që kanë dalë nga diktaturat, pasi
akoma në vendet tona ka shumë punë për të bërë dhe për ta përsosur demokracinë. Në këto vende vazhdon të ketë dhunë mendimi, veçanërisht tek personat
publikë apo gazetarët që janë në kundërshtim me qeveritë që vinë në fuqi.
Nuk ka asnjë vend të botës deri më sot, që ta ketë ndihmuar aq shumë çështjen e Shqipërisë dhe të Kosovës sa Amerika.
Pikërisht për këtë i jam shumë mirënjohëse shtetit dhe
popullit amerikan. Në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, ata u gëzuan bashkë me ne, organizuan mbrëmje festive, folën për historinë e Kosovës, dënonin ashpër genocidin serb, studentet shkruanin esse nëpër klasa rreth Kosovës...
Ishin momente historike për Kombin tonë që nuk do të harrohen kurrë, të gjitha ato që kam parë dhe kam ndjerë i kam hedhur në artikuj të ndryshëm dhe kam informuar herë pas here lexuesit e mi.
Unë mendoj se është një shans i madh të jetosh në këto vende perëndimore, demokratike, pasi je në gjendje të gjykosh të kaluarën e jetës tënde, të vendit tënd dhe ta krahasosh me demokracitë më të përparuara në botë.
Duke pasur këtë shans mundet që të investosh me mënyra nga më të ndryshmet dhe të japësh një kontribut modest apo
të madh për Kombin tënd.
Amerika ta jep mundësinë të kontribuosh për vendin tënd, qoftë duke ndenjur këtu, qoftë duke jetuar atje...
Po Shqipëria ka bërë kthesë në kuptimin pozitiv?
Do të ishte marrëzi të
mendonim
se Shqipëria nuk ka bërë kthesë pas përmbysjes së diktaturës komuniste.
Vetë kalimi nga një diktaturë në demokraci është një ndryshim thelbësor, rrënjësisht i ndryshëm. Janë fituar disa principe të demokracisë që nuk i kishim kurrë më parë, në se do ta shikojmë në të drejtat themelore të njeriut, që bota e qytetëruar ka shekuj që i gëzon.
Por akoma është tejet e trishtueshme, që shume gjëra akoma nuk janë rregulluar, veçanerisht do të ndalesha tek korrupsioni që në vetvete është tërësisht një krim i hapur...!
Edhe pse shumë qeveritarë apo politikanë nga të
gjitha
partitë, gjatë këtyre 20 vjetëve të demokracisë janë akuzuar për pasuri marramendëse, ne përsëri i shikojmë të perfaqësojnë popullin dhe të flasin pa iu skuqur
fytyra nga foltorja e Parlamentit.
Populli mund t’i votojë, apo ta fitojë vendin në Parlament edhe me vjedhje, por intelektualët e mirëfilltë, veçanërisht ata që kanë një reputacion të gjerë në popull duhet të ngrenë zërin e tyre dhe jo të rrinë indiferent karshi këtyre veprimeve monstruoze.
Gjykata e Lartë duhet të jetë krejtesisht e pavarur me kushtetutë, dhe jo vetëm në letër, duhet të mbrohet për drejtësinë e saj, dhe jo të kthehet në mbrojtëse të korrupsionit dhe dhunim të ligjit. Unë personalisht nuk e votoj kurrë një parlamentar apo politikan të tillë, sepse është siç thotë ish presidenti
Xhonson:
“Unë nuk e besoj kurrë njeriun në se dorën e tij të shkathët për keq ia
kam zënë në xhepin
tim”.
Probleme ka shumë por unë do të ndaloj aty ku më dhëmb më shumë si emigrante.
Unë e quaj mëkat, hemorragjinë e trurit dhe ikjen masive të popullit shqiptar me miliona nga vendi amë.
Unë personalisht pohoj se
u dëbova nga vendi im, pasi ika e
detyruar, pikërisht në fund të shkurtit 1997, në vitin e luftës civile, kur po fillonin të mbylleshin aeroportet, po iknin
ambasadat...Askush nuk besoj se rrinte në këtë situatë, në se do të kishte fatin të kishte vizën amerikane.
Ne edhe pse e kishim vizën në xhep qysh në Maj 1996, ngase ishja me fat që bashkeshorti im punonte në Korpësin e Paqes, pranë ambasadës amerikane, akoma nuk e kishim vendosur ikjen. Ikja jonë u bë e detyrueshme nga
krismat e pushkëve, nga bandat me
maska të zeza, disa politikanë u kthyen në banditë të vërtetë, cuba...pra vendi ra
në një kolaps total...!
Kjo lloj ikje e dhunshme më
dhëmb shumë, por akoma më shumë më dhëmb kur flitet me
euforizma për arritje të jashtëzakonshme, sa gati-gati fjalimet e tyre pompoze do t’i kishte zili dhe
Xhorxh Washingtoni në se do të çohej nga varri...
Nuk është arritje e jashtëzakonshme, në se një pjesë e popullit vazhdon të mbahet nga djersa ime apo dhe e gjithë emigrantëve.
Nuk është arritje në se prindërit tanë që punuan një jetë duke iu rënë bretku, vazhdojnë të mos kenë sigurimin e jetesës.
Nuk është arritje nëse shohim analfabetë rrugëve apo fëmijë si ëngjëj me kërrabë në dorë maleve,
duke kullotur bagëtinë, ku në vend të kërrabës duhet të kenë çantën me libra të shkollës.
Ndërkohë fëmijët e gjithë politikanëve, qeveritarëve vazhdojnë të marrin maksimumin e edukimit në universitetet më të mira në botë, me paret e popullit.
Ndërkohë të gjithë politikanët dhe fëmijët e tyre, vazhdojnë të bëjnë pushime në plazhet më lluksoze të botës, ndërsa një pjesë e mirë e popullsisë stropaciten duke punuar dhe gjatë fundjavës, për një krodhë buke.
Populli yne e ka pasur per turp vjedhjen, mirëpo per ironi te fatit ndodh marrëzia moderne e vjedhjes në shekullin 21, dhe po ky popull që i skuqet faqja për një
fletë qepe të vjedhur, voton pa iu dridhur qerpiku krimin e vjedhjes...!
Nuk është arritje në se vazhdon akoma hemorragjia e trurit dhe nuk ka asnjë status të vecantë për kthimin e tyre.
Nuk është arritje në se politikanët pasurohen në menyre përrallore, brenda një nate...!
Të gjitha këto shpesh më sjellin një trishtim që nuk është dhe aq e lehtë të të kalojë...!
Megjithate une dua që vendin tim ta shikoj
në lartësinë e duhur dhe të jetë një vend që t’ju afrojë mundësitë e një jete më të mirë gjithë popullit të vet.
Le të shpresojmë.
Krijuesit e letrave
shqipe në Amerikë, a janë në nivel të kënaqshëm të organizimit të jetës
letrare?
Duke qenë anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë prej disa vitesh, mendoj se kjo shoqatë ka një organizim me aktivitete kulturore dhe patriotike të arrira.
Shoqata e Shkrimtarëve në Amerikë është e vetmja shoqatë krijuesish, që funksionon
normalisht. Ajo është themeluar nga
shkrimtari i mirënjohur i të gjitha trevave shqiptare, nga z.Gjeke
Marinaj. Shoqata udhehiqet me kulturë nga presidenti, poeti nga Presheva, z. Adnan
Mehmeti, nga kryetari, poeti nga Vlora, z.Dalan Luzaj.
Gjithë aktiviteti i saj i shërben vetëm çështjes kombëtare dhe ka për mision të përhapë kulturën e lashtë shqiptare në Amerikë.
Unë nuk po ndalem për të bërë histori të aktiviteteve të saj, por po ndalem vetëm në dy aktivitetet e fundit tepër të suksesshme, në Boston tek shtepia e
Fan Nolit që u pritëm aq përzemërsisht nga At Artur
Liolini dhe e fundit ishte në New York.
Ne shkuam në Boston me rastin e
101 vjetorit të meshës së parë në gjuhën shqipe mbajtur nga Noli, një ndër figurat e ndritura të Kombit shqiptar.
Pranë shoqatës sonë është anëtar dhe një nga personalitetet e shquara të Kulturës shqiptare, prof. Peter Prifti, ish sekretar pranë Nolit.
Po kështu kemi anëtar dhe shkrimtarin modern ish kryetar i shoqatës, z.Ramiz Gjini i cili është në vëmendjen e Marius Dobreskut, përkthyes i 18 veprave të Kadaresë, por që ka përkthyer dhe po vlerëson së tepërmi tregime të Gjinit.
Në shoqatën tonë aderojnë shkrimtarë të mirënjohur që kanë dhënë një kontribut të veçantë në kulturën shqiptare.
Unë e kam të vështirë të përmend emrat e tyre,
pasi nuk dua aspak t’i marr kohë lexuesit, por pohoj
se ne punojmë dhe krijojmë së bashku për të mirën e çështjes kombëtare.
Kemi midis nesh shkrimtarë të persekutuar apo dhe shkrimtarë që kanë shkruajtur gjatë kohës së diktaturës, por midis tyre egziston një marrëdhënie normale, një marrëdhënie siç dhe i takon
botës së tyre të
gjerë shpirtërore, që të komunikojmë si vëllezër e motra të një gjaku, duke zbatuar
statutin që është miratuar nga vetë ata.
Funksionimi i saj normal kupton që është gjetur një gjuhë e përbashkët, tolerante, pa dallime në pikëpamje, apo gjëra të tjera, pasi vetë statuti ka në themel misionin fisnik të Shoqatës: “T’i shërbejë vetëm Kombit”!
Për herë të parë këtë vit u organizua Panairi i
Librit me të gjithë shkrimtarët në Diasporë dhe
mendoj se është një hap i mirë për kulturën shqiptare dhe letërsinë.
Kurrë një shoqëri e civilizuar nuk mund të
kuptohet
pa librat, kulturën, artin e më gjerë.
Libri ngelet një mik besnik i kësaj lloj rrace.
Në lidhje me këtë Xheferson
shprehet: “ Ju kurrë nuk do të jeni
vetëm, në se do të keni një poet në xhepin tuaj!”
Ju para nje viti keni vizituar
Kosovën, ju lutem cili është opinioni juaj ?
E kam shprehur dhe më parë, prekja e tokës së Kosovës nga ana ime për herë të parë më ka dhënë një fuqi gati-gati hyjnore, që më le të shpreh vetëm dhe vetëm një opinion:
“ Nuk e kam ndjerë kurrë në jeten time atë lloj kënaqësie që pata, kur zbrita për herë të parë në aeroportin e Prishtinës”!
Aq e magjepsur kam qenë, sa kjo fuqi hyjnore
që m’u ul pranë, bëri që të hutohej dhe oficeri i shërbimit, duke mos më vendosur vulën e shtetit të Kosovës në pasaportën time, vulë që e desha më shumë nga të gjitha vulat e tjera të shteteve të botës, përfshirë dhe Shqipërinë....!
Në qendër të Prishtinës në një fotografi të varur në mur na përshendeste burri i madh i Kosovës, Ibrahim Rugova, ai që projektoi dhe udhëhoqi Kosovën deri në Pavarësi.
Takimin që patëm me presidentin e Kosovës, z.Fatmir Sejdiu dhe shumë personalitete të tjera do të ngelen të paharruara në kujtesën tonë si përfaqësuese të organizates së gruas këu në New York.
Këtë vizitë nga më mbresëlënëset e kam shkruajtur në disa gazeta dhe forume shqiptarësh dhe prapë do të shkruaj mbasi nuk
mund të shprehen të gjitha me një artikull.
Kosova ka shumë punë për të bërë, në shumë drejtime, por e rëndësishme është që ajo ka në krah shtetin më demokratik në botë, Amerikën.
Politikanët duhet të kenë vullnetin, kulturën dhe durimin
rugovian, për të pasur vizione të qarta për ardhmërinë aq te pritur të popullit të Kosovës për vendin e tyre
martir.
Opinioni juaj për
Luginën e Preshevës
Vazhdimisht lexoj me vëmendje të posacme shypin dhe ndjek lajmet rreth situatës për vëllezërit e mi të një gjaku në Preshevë.
Genocidi serb që po vazhdon akoma në Preshevë është një njollë turpi për bashekësinë ndërkombëtare që akoma nuk po munden ta çlirojnë nga sistemi kolonial i Serbisë.
Presheva e ka vendosur fatin e saj me Referendumin Popullor, qysh në Mars të vitit 1992.
Presidenti serb Boris Tadiq së bashku me shpurën e tij, jep deklarata
luftënxitëse dhe kërkon ta mbajë nën kontroll, Luginën e Preshevës me përqindje më të lartë të popullsisë shqiptare që jeton qysh në lashtësi në tokat e tyre.
Duke qenë se deklaratat e tyre
janë tepër të frikshme, të dhunshme, kjo zgjidhet vetëm me një mision paqësor të vendosur nga NATO-ja dhe OKB-ja për të shmangur incidentet dhe dhunën serbe, derisa më në fund të bashkohen të gjitha trojet tona.
Mesazhi juaj drejtuar lexuesve
tanë
Të gjithë shqiptarëve dhe lexuesve kudo që janë, ju uroj shëndet dhe pacin gjithmonë suksese në punët e tyre.
Falënderoj perzemërsisht revistën “Perspektiva” në Kosovë
me gjithë stafin e saj dhe drejtorin e revistës “Zemra Shqiptare” z. Gëzim Marku që ju kanë hapur dyertë shkrimtarëve për të publikuar krijimet e tyre.
___________
Këze (Kozeta) Zylo
Ka lindur në Tepelenë, nga prindërit Brahim dhe Liri Gjoni, një familje
Mezhgoranase, me tradita patriotike dhe arsimdashëse.
Pasi diplomohet në Universitetin e Elbasanit “Aleksander Xhuvani” për Gjuhë
dhe Letërsi (1979), punoi si mësuese e Letërsisë Shqipe dhe botërore në disa
gjimnaze të Tiranës, ndërkohë kryen dhe studimet pasuniversitare në
Universitetin e Tiranës.
E spikatur që në vitet 80-të për prirjet dhe qëndrimet e saj jokonformiste,
K.Zylo u përfshi energjikisht në proceset demokratike që çuan në rënien e
komunizmit.
Mori pjesë aktive në krijimin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë dhe që
nga themelimi ishte në kryesinë e Partisë Demokristiane të Shqipërisë.
Në vitet 1994-1995, u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e saj.
Është dalluar si një mësuese e apasionuar dhe mjaft aktive në shtypin e përditshëm
e periodik, organizatore dhe regjisore spektaklesh të rinisë, etj.
Në shkurt të vitit 1997, me shpërthimin e trazirave social-politike në
Shqipëri, emigron në ShBA (New York), ku integrohet në shoqërinë e atjeshme,
vazhdon kualifikimet në kolegj, emërohet Këshilltare e studentëve në BramsonORT
College (2000-2004).
Punoi si pedagoge disa vite në “Globe Institute of Technology” në
Manhattan, dhe tani është e punësuar nga Bordi i Edukimit të New Yorkut.
Shquhet ndër veprimtaret më aktive në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Eshte Sekretare për shtypin dhe informacionin në Shoqatën e Shkrimtarëve
Shqiptaro-Amerikanë në USA.
Eshtë korrespodente dhe analiste e gazetës “Illyria” në USA, bashkëpunëtore
në TV “Kultura Shqiptare” dhe në disa media.
Narratore në TV Alba Life në Staten Island, New York
Zv/Presidente e Org.së Gruas Shqiptaro-Amerikane “Zëri Ynë” në New York.
Bashkëpunëtore për revistën “Zemra Shqiptare”.
Përfaqësuese e medias pranë Institutit “Gjergj Kastrioti Skanderbeg” në New
York.
Ka organizuar për vite radhazi, së bashku me bashkëshortin e saj Qemal
Zylo, ditën e Flamurit si dhe veprimtari të tjera atdhetare, kulturore dhe
patriotike për Shqiperinë, si dhe simpoziume për çështjen e Kosovës.
Përmes veprimtarisë së saj të dendur, si dhe krijimtarisë së kahershme
publicistike, letraro-artistike, veçanërisht në poezi, K.Zylo ka fituar
respektin e studentëve shqiptarë në New York, të komunitetit shqiptar në SHBA,
Diasporë dhe në Mëmëdhe.
Çmimet
1- Libri
“Mjellmat po të vijnë” u shpall libri më i mirë i vitit, në Panairin e librit me shkrimtarët e Diasporës në New
York, 2009, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve
Shqiptaro-Amerikanë.
2- I jepet titulli: “Personalitet i Shquar i Kulturës
Mbarëkombëtare”
nga
Shoqata Mbarëkombëtare I.Qemali Vlorë, 28.11.2009
3- U shpall gruaja e vitit 2008, në New York.
4- Çmim
nga revista “Fotjon Art”, 2007 – 2008
5- Çertifkatë nga TV “Albanian Culture” në New
York, për një bashkëpunim të ngushtë me TV dhe mirënjohje për
Komunitetin, 2007
6- Çertifikatë nga Lidhja e Shkrimtareve
Shqiptaro-Amerikane për një kontribut të shquar
në Letërsi, 2007
7- Çertifkatë “Mirenjohjeje” nga Shoqata “Dibra” në Amerikë për ditën e Mësuesit, 2006
8- Çertifikatë nga Akademia e Shkencave në NY, për një punë të palodhur në Media, 2006
Libra të botuar
4. Bashkautore në librin: “Kur e lë zogu folene”
5.
Bashkautore në librin: “Itaka e fjalës”
5.
Redaktore në antologjine “Zemra
Prinderore”
6.
Bashkautore në librin: “Antologie de
poezie”
Ka gati
për botim dhe dy libra të tjerë.
Është e martuar me prof. Qemal
Zylo dhe ka dy vajza, Valbonën dhe Klodianën.