Poezi nga Blerim Rrecaj
| E enjte, 20.08.2009, 07:00 PM |
Blerim Rrecaj
Duke parë kopertinën e një libri
Gjethet paskan filluar të bijnë,
Duket qenka dhe vjeshtë…
Në majën e asaj peme,
E vërejta atë fytyrë-imazh femre
Që se pashë dikur…
Duke shkuar në shtëpi
Dikur i pakënaqur ndahesha prej teje,
E bleja “Clirimin” dhe kthehesha në shtëpi…
Sot duke shkuar në shtëpi
Çadrën e mbaj në krah si pushkën-
Sa herë që më bie ndërmend
Rrezikimi i atdheut…
I vetëm
I vetëm endem nëpër Veternik,
Së shpejti do të bëhem hije…
Njëra prej parandjenjave
Tregimin më të mirë
Për mua,
Do ta shkruaj
Ajo grua!...
Të qeshura
Një e qeshur familjare,
Llafe, biseda e hajgare…
Ca inate e mërira
Nëpër koka turbullira…
Planifikim
Planifikova dhe u bëra gati
Të nisem në pyll.
Një cingërrimë telefoni,
Ma ndërroi drejtimin.
E ky takim a do të jetë me dromca interesante
Në këtë histori njerëzimi…?
Psherëtimë
Në një rrugë në Prishtinë
Lëshoj një psherëtimë.
Ndoshta të gjitha rrugët
Që ka Prishtina
Janë të mbushura
Me psherëtima…
Në një ndejë
Njëri thoshte : Jam më i madh se Lorka.
Tjetrin: E brente xhelozia.
Unë të dyjve u jap plotësisht të drejtë,
As vetes s’i jap plotësisht të drejtë…
Përfolje
Për dikë dikush tha:
“Djalë i pasherr, por e mundon diç…”
Për mua dikush a do të thotë:
“Lumë i rrëmbyeshëm
E fëmijë i padjallëzuar…”
Lojë fjalësh
Sot shumëçka bosh
E shumëçka kot…
Lojë e monotone fjalësh: Sot-bosh-kot…
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.