| E hene, 17.08.2009, 07:16 PM |
|  | 
| Hysen Këqiku | 
Shkrimtari, Hysen Këqiku me
krijimtarinë letrare si në atë që ka krijuar për të rritur dhe  në atë për fëmijë në prozë, poezi,
dramaturgji e së fundit  edhe në kritikë
letrare,  ka shtrirë ndikimin e tij
kreativ në tërë hapsirat tona etnike edhe pse fatkeqësisht  të ndara. Për këtë krijues ndarja është vetëm
fizike. Ndarjen tonë shpirtërore nuk ka forcë që mund ta bëjë. Pa marrë
parasysh kufijtë që na ndajnë shpirti jonë 
do të jetë një. Ecja jonë do ta ketë një 
kahje dhe një cak të vetëm. Dihet ecja vazhdon...
Diellori:Z. Këqiku, 
Ju prej kur e keni botuar vjershën e parë, keni hyrë në 43 vjetorin e
krijimtarisë letrare. Keni botuar shumë vepra për të rritur e për fëmijë,
lexuesit e “Diellorit” kanë dëshirë të bisedojnë  me Ju, t’u flisni atyre se si e keni filluar
dhe çka ju inspiroi të merreni me shkrime?
Hysen Këqiku: Paraprakisht  i përshëndes të gjithë  lexuesit e “Diellorit”.Me që tërë jetën  time pothuaj e kam kaluar me fëmijë, po më
duket se edhe lexuesit e “Diellorit” i kam përpara po i shof dhe po komunikoj
me ta. Jeni shumë të mirë, Jeni të vyeshëm dhe të zellshëm në rrugën e dritës
që e keni zgjedhur. Përshëndes edhe stafin 
që e përgatitë “Diellorin”. Me një URIM të madh sepse puna dhe
veprimtaria   juaj është jo vetëm e madhe po e shenjtë.
            Nga fëmijëria ime ka
mbetur një kujtim  i thundruar në mendjen
time. Në pranverë kur ktheheshin 
lejlekët  nga jugu i nxehtë. Një u
printe  kurse tjerët në formë të
shkronjës “V” i shkonin pas. Ata e dinin ku shkonin... e kishin drejtimin e
tyre...ata sikur ma sollën vjershën e parë (“Lejleku”) kur isha nxënës i klasës
së shtatë  në Shkollën fillore  “Rilindja” në Llojan të Kumanovës.
Lejleku  tjetër i bardhë ishte shkrimtari
i njohur për fëmijë Ali Huruglica i cili që nga Shkupi shkruante për
vendlindjen e tij Gjyrishecin. Në vjershat e tij e shihja vendlindjen time
Velegllavën (Velia Glauan) time madhështore. Aq shumë më pëlqenin vjershat e
tij sa i lexoja  derisa i mësoja
përmendësh. Unë tok me vjershat e Aliut shpirtërisht jetoja në vendlindje  kurse fizikisht në Vaksincë të Kumanovës.
            Më vonë më nxiti edhe
Migjeni. Këta dy shkrimtar më përfituan dhe më futën në vallen e tyre  magjike dhe që nga ajo kohë po bëhen 43 vjet
që merrem me krijimtari  letrare. Shkruaj
vjersha për të rritur, drama, vjersha 
dhe tregime për fëmijë,
kam shkruar  panorama letrare
(3) dhe monografi.  Kohën e fundit merrem
edhe me kritikë letrare.Motivet dhe inspirimet më kanë rrëmbyer në drejtime të
ndryshme  duke i lënë pak fëmijët  jo në harresë por  në një përkushtim timin pak sa më të zbehur.
Për ta kam shkruar  deri tash vetëm tri
vepra “Ti dil nga loja” (“Pionieri”, Prishtinë 1995), “Ujëvarë e patharë” –
poemë (“Rilindja”, Prishtinë 2000) dhe “Qëndresë me besa-besë” – poemë (“Ura”,
Gjilan 2000). Në dorëshkrim kam disa libra për fëmijë. Atyre do t’u kthehem
dhe  fëmijët për mua do të jenë më të
përgdhelurit, më të mirët – loçkat e mija....
Diellori:Lexuesit e “Diellorit”, me që nuk e kanë
lexuar  veprën “Ti dil nga loja”, kanë
dëshirë të dijnë se çka ka në përmbajtjen e saj poetike.
Hysen Këqiku: Ky libër, në fakt është një përëmbledhje
e vjershave të mija të botuara në revistat për fëmijë:”Pionieri”, “Gëzimi”,
“Fatosi”, “Rilindja për fëmijë”, “Bati” dhe “GEP-i” (Gazeta e pionierëve). Që
nga viti 1969 – 1990. Kjo vepër për mua është më e mira dhe më e dashura sepse
në të kam psherëtimat e mija të para, komunikimet  intime dhe shpirtërore që kam bërë me fëmijë
si mësimdhënës i gjuhës shqipe. Për çudi fëmijët kudo janë njësoj. Ata  i kanë buzëqeshjet e njejta. Kudo që t’i
takosh e me ta të komunikosh, të rrëmbejnë, të bëjnë shokë. Janë shumë të
zgjuar. Ata të kuptojnë se e ke me zemër bisedën - kontaktin me ta, apo  vetëm sa për të thënë. Po të kuptuan se  i ke në zemër e në shpirt, të rrëmbejnë fare,
ta falin  tërë qenien e tyre  shpirtërore. Ata si të tillë që i ka dhuruar
natyra - Zoti ynë i madh, të fusin nëpër labirinthet  fantastike dhe, të shëtisin shtigjeve të
bardha të fantazisë. E tërë përëmbajtja e kësaj përmbledhjeje  është një 
shoqërim  i sinqert me fëmijët, me
kërkesat e tyre prej buzëqeshjes së ëmbël, që ata ta falin, e deri tek loja.
Loja e tyre është  lojë e vërtetë, ajo
është vetë jeta e tyre dhe  në të nuk
durojnë hileqarë e lojaprishës.
Diellori: Letërsia 
shqipe për fëmië nuk është aq e pasur me poema për fëmijë, Ju këtë
letërsi e keni begatuar me dy  poema. Në
fakt na e prezentoni të parën “Ujëvarë e patharë” - një titull freskues dhe
provokues. 
Hysen
Këqiku: Jeta dhe lumenjtë  nuk e ndalin ecjen e tyre. Lumenjtë  e kësaj përmbledhje janë Marga (Morava),
Lapusha (Llapushnica) dhe Galapusha (Kriva Reka). Personifikojnë tri  motara. Motrën e madhe Margën dhe dy motrat e
tjera Lapushën dhe Galapushën. Ato në ecjen e tyre bashkohen, siç do të
bashkohen trojet  tona të copëtuara gjatë
historisë. Bashkimi i parë ndodh rrëzë kalasë së Pogragjës kur Marga dhe
Lapusha bëhen   NJË. Ato vazhdojnë derisa
takohen edhe me motrën e vogël Galapushën. Gjatë tërë ecjes  së tyre, deri në derdhje në Detin e Zi,
evokojnë dhe shprehim mall për njëra tjetrën. Pas një kohe ato do t’i rrëmbejë
malli për vendlindjen. Lumi nuk kthehet mbrapsht. Ato shndrrohen në avull dhe
kthehen  tok me retë, në pika shiu dhe
derdhen në vendlindje duke formuar lumin që rrjedh i patharë. Motivi kryesor
është dashuria ndaj atdheut, ndaj vendlindjes. Ai lumë – lumi i kurbetçarëve e
vazhdon  këtë ecje në vazhdimësi.
Diellori: Qëndresa dhe thundrrimi i saj në
gjetje  artistike në krijimtarinë  letrare, pasqyerohet në poemën për fëmijë
“Qëndresë me besa-besë”...
Hysen
Këqiku: Kjo poemë ngërthen
një dialog  poetik që zhvillohet në mes
Skifterit – si banorë autokton në Rrapin e rrafshit tonë jetësor dhe Korbit i
cili, duke mos pasur atdhe i vardiset Skifterit për t’ia rrëmbyer  Rrapin e për të bërë  qerdhe në të. Ky konflikt  është i gjatë dhe  me lumenjë gjaku  rrëke.  Dialaogjet e ashpra,  konfliktet 
dhe  ballafaqimet,  gjatë historisë, i krijoi një jetë të rëndë  Skifterit në truallin e tij të ngrohtë. Ky
konflikt  vëhet në spikamë edhe në dramën
time “Kufij që preken”. Fatkeqësisht në Rrapin e skifterit Korbi bëri  qerdhe – e krijoi shtetin e vet që prore  pretendon ta zgjerojë. Së fundit, dinjitetin
dhe krenarinë  e një pjese të Rrapit
e  rriti UÇK-ja, e cila  sfidoi dhe ia doli që Skifterit të mos i
rrezikohet  hapësira më e gjerë. Sa u
përket degëve të rrapit që mbetën  jashtë
një vije që u hartua nga dorëzezët, ato do të ushqehen me  lëngun e jetës që rrjedh nëpër damarët e
Rrapit dhe do ta  vazhdojnë ecjen
krenare  deri në pafundësi.
Diellori: Duke ju falenderuar përzemërsisht, në
emër të  të gjithë lexuesve të
“Diellorit”, Ju lutemi  na e shprehni një
mesazh për lexuesit për opinionin e gjerë të Luginës
Hysen Këqiku: Ju jeni degë e Rrapit të moçëm, e thash më
lartë,  dhe si e tillë  do të jeni një prej degëve më të  njoma – në kupëtimin e ruajtjes të gjuhës,
traditave dhe identitetit kombëtar –Lugina e Preshevës, e cila  tek të gjithë krijuesit  e rinjë është quajtur  Lugina e luleve, Ylberi i luginës etj. do të
shërbejë si frymëzim  i pashterrshëm për
të krijuar.Madhështia e kësaj Lugine do të rritet me punën kreative të të  gjithëve edhe nëpërmes “Perspektivës”,
“Jehonës” dhe “Diellorit”. JU LUMTË.
Marrë nga libri me intervista
“Ide të trazuara”
            
            
Hysen Këqiku: Tri poezi
UNË MINUS TI
Ti më ngacmon e më nget    
Ma lë këngën gjysmë për gjysmë,
Kur të afrohem keq bërtet
Pse të mira i përëmbysë.
Ti më shan e unë duroj
Ma mbyt fjalën pak e nga pak,
N’tokën ime pse frymoj
Askuj fare s’i kam hak.
Ti mëshikon me përçmim
M’skakton  dhembje e ofshamë,
Ç’t’u ka mbjellur ky hidhërim
Kopshtin tim ta bësh lamë.
Shkele lule e bar të butë
Pa u skuqur fare në faqe
Dëgjo  të mirën që të lutë:
Rrugës së drejtë mos i bëj laqe!
Sjellja jote s’është për shok
Pse ma merr bukën nga goja,
Ne të dy kurrë më tok;
Unë mbetem ti del nga loja.
Nga: “Ti dil
nga loja”
NJË TAKIM I PËRMALLAR
Në rrafshirën 
Rrëzë kalasë,
Zbrt Lapusha
Ujëkulluar
Në tatëpjetën  
Rrasë më rrasë,
Me një mallë
Të përvëluar.
Nga lartë hëna
Valët shndritë,
Në udhëtime
Të përqafuara;
Gurabardhët
Tek bëjnë dritë
Nëpër kujtime
Të përmalluara.
Natës memece
Ia mbysin qetësinë,
Kur bilbilët
Flalsin mesvete;
Udhëton Lapusha
Me madhështinë;
-Kërkon motrën 
Se ku i treti,
Me vrap malli
Merr tatëpjetën,
Përkëdhel gurë
Në shtrat të vjetër.
Bashkë me peshqit
Copëtojnë rrjetën,
-Margën dua 
Askë tjetër.
Mbi kala
Ndalet dielli,
Mallëngjehet 
Për një takim;
Në duar të bariut
Jehon fyelli,
Marga e Lapusha 
Në përqafim.
Me afsh zemre
Gushë për gushe
Merren ngryk 
Rrëzë kalasë;
Si freski mali
Si ngrohtësi fushe
Motra motrën
Kur e has.
Aty puqen
Dy engjëllushe,
Njëra e fushës
Tjetra malësore;
Një puhizë mali
Një valëz fushe,
Vazhdojnë  ecjen
Dorë për dore.
E kur lajnë 
Flokët  e arta,
Zoti i ujërave
U fal uratë;
Me bekime
Lutjesh t’zjarrta
-Në udhëtim
Ju paçi fat.
 
Nga: “Ujëvrë e patharë”
GRINDJE
Korbi i ndërsyer
Me aq pangopësi,
Erdhi nga veriu
Me zhurmë, egërsi.
M’shikon vëngër
Bëhet se s’më njeh,
Ti në atë degë
Mirë a më njeh!
S’ta dua folenë
Në të njëjtin lis,
-Ik ku të dusha
Nuk të kam fis.
S’të kam të gjakut
As soj as farë,
-Lëshoma vendin 
Sa më parë”
Sa më parë
Që ke mundësi!
-Shko në Afrikë
N’dash në Azi!
Se po ngjau
Të të çelë drita,
Do të t’i vë 
Njëqind prita.
Të gjitha pritat
Me zjarrë e flakë,
Edhe më shumë
Se m’duken pak.
Të djeg në zjarrë
Të pjek në furrë
Të të bëj keq 
S’ngopem kurrë.
II
Pyet kush jam
 Me kaq habi,
-Zogë skifteri
N’timen shtëpi.
N’timen shtëpi
M’krijon shamatë
Ditët me dritë
M’i bëre natë.
-Ti zog skifteri
Flet kështu!
-Para teje 
Unë  isha këtu.
-Nuk pajtohem 
Gjepura flet,
-Në këto male
Qe tremië vjet.
-Çka më shikon 
Me kaq habi,
I vogël jam
Po këtë e di!.
Nga: Qëndresë me besa-besë”