Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Jeta nën tingujt e serialomanisë

| E shtune, 15.08.2009, 02:21 PM |


Jeta nën tingujt e serialomanisë

Nga Blerim Rrecaj

Jeta ecën me ritmet e saj. Ne ankohemi.Shumica. Ecim krah për krah me të siç ecim me njëri-tjetrin. Pak të turbullt dhe si në ëndërr. E bre, çfarë Kosove…!? Ec e t’i bijmë në fije. Edhe pse mundohemi secili sipas mundësive tona.Kujt Kosovës a vetes? Aiiii…ohooo…Më nuk jemi të sigurt as se çfarë të drejtash kemi dhe çka në të vërtetë na takon. P.sh., mos na raftë të përballemi me gjykatat për kurrfarë problemi, sepse do humbim shumë kohë dhe ata që s’dihet kah do të anojnë ata që vendosin për këtë punë. E po ç’u përzie leshi krejt do fillojmë të shprehemi banalisht të shtyrë edhe nga banalizmi që mbretëron. Mos po shprehem pak ashpër e vrazhët, megjithatë po shprehem si shumë njerëz që gjatë bisedave që shfryhen, emocionohen e pezmatohen…Jo vetëm fjalët por edhe shikimet i kemi të mbushura vrer. E : ”ç’thonë gazetat” është një titull poezie. P.sh., në ballinën e njërës nga to shohim titullin “Fryn veriu” për gjendjen në Mitrovicë. Ne tregojmë se fryen veriu po nuk tregojmë neve sa na fryen. A po edhe shkruajmë për t’u fryer si tumbullacet. Ka kohë që gazetat tona vetëm i shfletoj, ndonjëren prej tyre. Sepse janë motra kallabllak. Janë si motra. Ngjajnë me serialet latinoamerikane e turke që na servirin televizionet. Tash edhe pak do ta kemi një fushatë parazgjedhore(edhe partitë politike janë si serialet) dhe mund të pritet të bëhet më i dukshëm pozicionimi i gazetave të ashtuquajtura të pavaruara në krah të partive politike. Pyetja ndoshta në këtë rast do ishte: A po mendon ndokush për hapa që shpiejnë drejt ndonjë alternative të mundshme apo do hedhim hapa drejt udhës së njejtë të serialomanisë? Po e përfundoj me vargjet e Cajupit dërguar një mikut të tij:
Kaq dijta, kaq thashë
Më të mirat ty t’i lashë…