Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Vuniqi: Mos më fol për vlerat, më trego buxhetin!

| E marte, 11.08.2009, 06:24 PM |


Mos më fol për vlerat, më trego buxhetin!

Nga Agim Vuniqi

Shumë parti dhe shoqata janë grumbulluar në Kosovë. Derisa partitë politike garonin dhe garojnë përpushtet të brendshëm, shumë nga OJQ-të janë ndërkombëtarizuar dhe nuk mund të funksionojnë pa donacione nga jashtë, dhe fuqia e tyre varet nga donatorët, për të cilët duhet kryer edhe shërbime. Mos harroni! Subjektet politike, përveç detyrave në “bërjen” e shtetit, më shumë janë të përqëndruara në ndërtimin e pushtetit, por edhe në grumbullimin e “haraqit” popullor dhe në harxhimin e denjë të tij, janë të interesuara të bëjnë shtresimin shoqëror-klasor të Kosovës; në klasën e të pasurëve dhe atë të të varfërve, ngase objektivisht në këtë situatë ekonomike çfarë është Kosova shtresë të mesme as që mund të ketë, e ajo është si gjithkund në botë promotore e ndërtimit të shtetit, ngase atë e përbëjnë intelektualët e graduar. Partitë politike janë vetëm në numër, janë më tepër grupime interesi, pozitë e opozitë, ngase përbërja e tyre e brendshme organizative nuk ka ndërruar shumë nga partia e mëhershme “mëmë” e shumë anëtarëve të
instaluar në to, të cilët zanatin e manipulimit e kanë të përsosur, dhe tash ata kanë ndërruar trendin e veshjes, dhe në vend të valvitjes së librezave me ngjyrë të kuqe valvisin librezat shumëngjyrëshe. Realisht nuk ka ngjarë në ndonjë parti të mbahet ndonjë kuvend a kongres zgjedhor e ai të jetë transparent. Athua pse(?), kur kongreset e partive mëmë në të cilat ishin betuar ishin shumë më transparente dhe më kualitative se këto që janë tash, ngaqë këto janë krejtësisht të ngushtuara dhe rrudhen në disa anëtarë kryesishë. Dhe nuk ndodh që vendimet meritore të marrin kuvendet e tyre a kongreset, që sipas statusit partiak do të duhej të ishin bazë e institucionalizmit partiak. Le që ato nuk kanë ndonjë efekt, por edhe këshillat e përgjithshme të zgjëruara, që tash për tash nuk kanë ndonjë domethënie, janë vetëm të skicuara në letrat partiake të anëtarëve të kryesisë. As që përmendet ndonjëherë që është shumë i fuqishëm ndërtimi i demokracisë “një anëtar një votë”, dhe
kështu pastaj të ndërtohet piramida qytetare-partiake, e ata sigurisht patjetër do t’i vizitonin të gjitha aktivet, degët, nëndegët,..pipat e nënpipat.., duke u kualifikuar nëpërmjet garës së pastër dhe lojale partiake. E kështu si shkojnë punët, një grup njerëzish janë të pazëvendësueshëm dhe ata bëjnë vetëm kooptimin e të tjerëve edhe në baza gjinore, por edhe në të rinjë e të moshuar. Kështu ndërtohet politika në Kosovë dhe pastaj nga kjo politikë e “intifadës” pretendohet të ndërtohet politika e shtetit, e cila është shumë e thjeshtësuar dhe mbështetet në ministra dhe në sekretarë permanentë, ngase
ata janë të implikuar në çdo sferë. Ata janë edhe rregulloret, edhe ligjet e shtetit, e ç’na duhen zgjedhjet atëherë, më mirë të jemi më racionalë dhe të mos harxhohen mjete dhe të garohet vetëm për ministra dhe sekretarë permanentë se institucionet e tjera realisht nuk kanë ndonjë vlerë. Ministritë financojnë edhe shtypin ditor e atë bulevardesk me reklamime.
Unë nuk kam parë ndokund në botë më tepër si në Kosovë që ata aq shumë i bëjnë reklamë vetes me mjete të buxhetit, u bëhet reklamë ministrave e ministrive, sikur ato të ishin korporata multinacionale të biznesit global, e jo institucione të cilat duhet të zbatojnë ligjin vendas. Edhe shtypi është avancuar me shumë intervista me ministra e partiakë. A nuk munden ata të formojnë një gazetë të tyre apo ndonjë revistë ku do të shërohen nga pangopësitë dhe të shprehin opinionet e tyre për çdo ditë? Sa do të ishte me interes që edhe “gazetën zyrtare” ta shëndërrojnë në gazetë opinionesh ministrore e kuvend deputetësh dhe kështu t’i shoshisin problemet e përgjithshme krahinore, fisnore, e familjare. Nuk lënë vend as për sportistë, e mos të them koluminstë e veprimtarë të pavarur që mendojnë pak më ndryshe. Kështu si shkojnë punët, ata tashmë kanë filluar të përzihen edhe në çështje seksi dhe aktiviteti është 70 % mashkullor (se për burra s’kemi çka flasim) dhe 30 % femëror (këtu nuk guxoj shumë të përzihem, nuk punoj në Entin e statistikës), mirë që nuk kanë bërë grupimin e studentëve, ngase në këtë grup janë të gjithë të përfshirë, disa në vrap pas gradave e të tjerët në kryerjen e “aksham studimeve”.
Nuk janë këto çudi të vogla, ngase ka edhe të tjera, shumë miqë e shumë shoqata: “Miqtë e Klintonit” e “Miqtë e Amerikës”, “Miqtë e TMK-së”, shoqata të ndryshme binjakzimi, pastaj ato kombëtare e ndërkombëtare. Të gjitha bëjnë turr për të rritur miqësinë, ngase kështu do të pikë leku, janë edhe ato “Çohu” që nuk kanë të bëjnë shumë me reklamimin e Viagrës a edhe shumë të tjera që vështirë është t’i mbajë mend njeriu. Duhet vetëm të shfetoni listat regjistruese dhe të kuptoni sa janë. Kështu e ka demokracia në Kosovë, me shumë parti e shumë OJQ, sa për fabrika leshi askush nuk ka kohë. Nuk më bëri ndonjë
përshtypje edhe ushtrimi i muskujve të miqëve, dhe thash si nuk u shkoj në mend ndonjëherë të ndërmarrin ndonjë aksion vullneti për të ndërtuar "shtëpitë e fundit" pranë të cilave çdo ditë parakalojnë xhematlitë. Edhe ata nuk janë pa trend, me shallvare e mjekrra alamet, po ato kush mbeti për t’i rregulluar? Do të isha shumë i gëzuar ngase me mall jam i përvluar që të lexoj se është formuar ndonjë shoqatë shqiptaro-shqiptare, dhe programi i tyre të jetë shumë kombëtar, por edhe aksionet të jenë vullnetare. Kjo sigurisht do të mbetet vetëm dëshirë, ngase nuk do të gjejnë donatorë, ndërsa ministritë janë të përkushtuara që t’u hyjnë në hatër minoritarëve.