Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Suela Furriku: Tallava në plazh

| E hene, 10.08.2009, 05:18 PM |


Tallava në plazh

Suela FURRIKU - Standard

Muzika shqiptare është banalizuar për qëllime komerciale, duke devijuar nga origjinaliteti i saj i mëparshëm. Kjo është shndërruar në një dukuri që ka zaptuar të gjithë rivierën dhe plazhet shqiptare. Qoftë edhe për një natë të vetme, nëse kërkon të pushosh në një nga mjediset e plazheve tona, është e para dukuri, lehtësisht mund ta konsiderojmë edhe si problematikë, që vë në dukje. Muzikë e shfrenuar, banale dhe aspak profesionale. Janë të rralla edhe rastet kur dëgjon të këndohet shqip, por edhe kur kujtohen për to, tekstet janë të deformuara, bashkë me linjën muzikore të këngëve që serviren. Çdonjëri prej nesh gjen mundësinë për të t’u çlodhur sadopak në një vend relaksi e argëtimi. Alternativa e parë që na bie ndërmend, mund të jetë plazhi, aty ku çdo grupmoshë gjen një lloj rehatie, dëfrimi. Por, nuk po ndodh kështu. Pas një dite të lodhshme është mbrëmja ajo që të bezdis, një paradoks që rrallë vihet re jashtë kufirit. Në një natë plazhi mungon qetësia. Dëgjohet vetëm një miks tingujsh, ndoshta muzikorë. Megjithatë, rëndësia e zhurmave akustike shikohet si kompetencë e forcave policore, të cilët së fundmi kanë parashikuar edhe një ligj, një rregullore ku asnjë lokal nate nuk lejohet të prishë qetësisë e pushuesve me muzikë të lartë,pas 12-s. Ndonëse muzika është e kufizuar, edhe ajo që guxon të ofrohet, nuk është aspak profesionale. Për këtë flet muzikologu Zamir Këlliçi, i cili shprehet shume i indinjuar në lidhje me situatën e krijuar muzikore, pas disa netësh pushime në Golem. “Pavarësisht ndryshimeve bashkëkohore që janë bërë në plazhet tona, gjatë mbrëmjeve kur njerëzit duan pak rehati, diçka të pengon. Jo vetëm volumi i lartë, por unë si muzikolog, vura re që atje nuk këndohet muzikë “live”, por ofrohej një muzikë krejtësisht banale”, - shprehet muzikologu, Zamir Këlliçi. Ai i kishte dëgjuar me vëmendje, qoftë edhe nga afër, muzikën që këndonin persona të panjohur si këngëtarë nëpër media. Tregon se kishte vënë re një repertor të ulët, tekst i papërshtatshëm dhe i zëvendësuar me fjalë që s’kanë lidhje me vijën melodike të këngës së trajtuar. “Ishte një repertor skandaloz. Nuk e di se ç’autorë janë ata, por nuk ka mundësi që ato lloj këngësh të kenë edhe autorë të tyre përkatës. Tekstet ishin shumë vulgare, që ato jo vetëm nuk e edukojnë brezin e ri apo nuk na përfaqësojnë mirë, por krijojnë një kontrast më vete”, - thotë Këlliçi.

Shkaku

Nëse do të bënim një krahasim të prodhimtarisë së muzikë së natës ndër vite, niveli arrin deri në cilësinë e viteve të para të çlirimit të Shqipërisë. Kështu e identifikon muzikën e prodhuar sot nëpër kabare e plazhe të ndryshme, muzikologu Zamir Këlliçi, ku si arsye kryesore ai rendit: “Mungesa e kontrollit mbi krijimtarinë. Sot të gjithë mund të bëhen muzikantë. Mjafton të kesh një DJ, një kompjuter për t’u kompletuar në mënyrën e tyre, duke hequr dorë kështu nga partitura”, - thotë ai. Sipas tij, kompozitorët nuk e shikojnë me leverdi të prodhojnë muzikë, përballë një tregu të mbushur plot me pseudo-muzikantë, kompozitorë, pseudo-instrumentistë, siç i cilëson edhe vetë muzikologu. Ai ndien mungesën e këngëve të Agim Prodanit, Agim Krajkës, e dhjetëra kompozitorëve që kanë lënë gjurmë në muzikologjinë shqiptare apo këngët e kënduara nga Anita Take, Vaçe Zela, Tonin Tershana etj. Këtë dukuri të përhapur gjerësisht vitet e fundit e shpjegon edhe me ndikimin negativ të disa televizioneve, sidomos tek brezi i ri. “Adoleshentët dhe brezi i ri në përgjithësi është infektuar me këtë lloj muzike, pasi kjo krijimtari po u ofrohet në fund të fundit. Brezi deri tek 25 vjeç, po t’u servirësh muzikë të lehtë e të përpunuar shqiptare, që janë me tekst të plotë e me shumë domethënie, ka shumë rrezik që të mos na i pranojnë”, - thekson Këlliçi. Sipas tij, kjo vjen për shkak se janë ndërruar shijet muzikore të gjithsecilit, përballë një bumi të larmishëm këngësh e tekstesh që na serviren në çdo moment, aq më tepër në një mjedis argëtimi siç janë plazhet. “Është përmbysur spektatori, disa ligje të skenës, madje edhe marrëdhëniet e spektatorit me skenën. Janë disa norma që duhet të përmbushen për të përballuar skenën, e jo çdokush shijon luksin për t’u ngjitur mbi të”, - shpjegon më tej ai.

Nostalgjia e para ’90-s

Me sa duket, në diktaturë gjithçka ishte jo e plotë, ashtu siç e kërkonte sistemi i asaj kohe. Veç të tjerash, edhe në muzikë prodhimtaria nuk shikohej e frytshme dhe e kënaqshme. Është fjala për muzikën e natës, produktet muzikore të orkestrave të ndryshme krijuar tek-tuk në qytetet kryesore të vendit. Muzikologu gjen rastin dhe kujton fundvitet ‘70. Në atë kohë ai ishte anëtar i një komisioni specialistësh të ndryshëm krijuar nga Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe (që sot njihet si Bashkia) për të kontrolluar ilustrimet muzikore. Komisioni, sipas Këlliçit, nuk ishte shumë i kënaqur, por kur ai bën një krahasim të shpejtë me atë çka dëgjon në ditët e sotme, i kërkon “me pishë e me qirinj”. “Në atë kohë nuk ishim të kënaqur, pasi na dukeshin si këngëtarë amatorë, na dukeshin sikur këndonin këngë të përsëritura, në të gjitha lokalet pothuajse. Por, nëse ata persona që ne i quanim amatorë, do t’i krahasoja me ata çfarë dëgjova në Golem, situatën do ta quaja fatkeqësi kombëtare”, - shprehet ai, duke kujtuar që orkestrat atëherë këndonin këngë të muzikës së lehtë, këngë popullore, pavarësisht edhe disa politizimeve, d.m.th tekstet që nuk lejoheshin. “Mbi të gjitha ishin të interpretuara bukur, kishin formacione të larmishme, si tingujt e fizarmonikës, kitarë, bateri, klarinetë etj., pra ishte tamam muzikë live”, - shton muzikologu. Ndër emra të tillë ai përmend Aleksandër Gjokën, Blerim Reçin, teksa këndonte sidomos tek “1 Maji”. Komisioni më së shumti merrej më tepër se çfarë muzike prodhonin orkestrantët në atë kohë, duke përmendur orkestrën e hotel “Dajtit”, orkestra që përbëhej edhe nga Alfons Balliçi, “Doinika”, “Shën Perkopi” etj.

“Kështu e do leku”

“Kështu e do puna, kështu e do leku”, - sqaron një këngëtar krejt anonim, i cili këndonte çdo natë në plazhin e Golemit. Është shumë e rrallë të dëgjosh këngëtarë profesionistë në këto anë, por vetëm fytyra krejt anonime e të panjohura si njerëz të artit. Është më se e qartë që muzika është kthyer në një biznes të majmë e fitimprurës. Jo vetëm këngëtarët, por çdokush mund të luajë rolin e tyre. Sot, kështu po procedohet, sidomos romët me tallavanë e tyre karakteristike. Kontrollet janë të nevojshme, sipas muzikologut, vetëm për të pasur sa më shumë cilësi në muzikën shqiptare. I revoltuar nga kjo gjendje ai e mbyll intervistën me një shprehje ku thotë: “Jemi si një derë kur para viteve ’90 kishte 100 çelësa, të cilët ishin nën kontrollin e dikastereve të shtetit, ndërsa sot shohim të njëjtën derë, ku asnjëri nga ne nuk ka çelës. Disa e hapin me këmbë e me shqelma, ca e shtyjnë. Kjo ishte edhe muzikologjia jonë, si na ishte një herë...”