| E premte, 07.09.2007, 11:18 AM |
Nga Agron Gjekmarkaj
![]() |
Ismail Kadare |
Pas Luftës së Dytë Botërore, ku realizmi socialist u bë i vetmi korrent zyrtar i lejueshëm, letërsia dhe shkrimtarët u përballën me dogmën dhe mungesën e lirisë, persekutimin, autocensurën dhe në shumicë u shndërruan në instrumente të propagandës, duke krijuar një vepër me vlera të mesme apo modeste. Izolimi, moskomunikimi dhe vetëpërjashtimi nga sistemi kulturor evropian dhe më gjerë, krijoi një shterpësi mbytëse për atmosferën kulturore shqiptare dhe produktet e saj.
I ndryshmi "par exellence" nga kjo grigjë propagandistësh është Ismail Kadare. Rëndom, ne themi që Kadareja është ambasadori dhe përfaqësuesi i letërsisë dhe kulturës shqiptare në botë! I konfirmuar ndërkombëtarisht si një prej shkrimtarëve më të mirë të këtij shekulli, ai e bën gjuhën dhe letërsinë shqipe pjesë të mozaikut të letërsive dhe kulturave botërore. Për kritikën dhe institucionet e kulturës, ai është tashmë një klasik modern nga më të mirët e botës. Ai iu imponua kulturave autoritare si ajo franceze, angleze, gjermane etj., aq sa Franca në mënyrë elegante tenton ta paraqesë atë si përfaqësues të kulturës bashkëkohore franceze. Shoqëria dhe lexuesi shqiptar ka detyrimin moral që t'i jetë mirënjohës, detyrim që në përgjithësi e kanë përmbushur po të mos marrim parasysh disa grupe margjinale, kundërshtarë patologjikë të veprës së shkrimtarit. Nuk është e tepërt, që përtej retorikave glorifikuese të pohojmë e ripohojmë se ne si komb i kemi ofruar Evropës si vlera të qenësishme përgjatë viteve të diktaturës, veprën e Nënë Terezës dhe të Ismail Kadaresë.
Por përkundër kësaj, në mënyrë të përsëritur, kundër shkrimtarit ngrihen fushata denigruese që kërkojnë të dëmtojnë veprën e shkrimtarit dhe personalitetin e shkrimtarit. Kjo ndodh pasi, me sa duket, strukturat kulturore e politike komuniste nuk ia falën kurrë vetes faktin që Kadare u rrëshqiti atyre nga muret e rënda të censurës. Ata nuk ia falin atij me sa duket ende "Përbindëshin", "Pallatin e Ëndrrave", "Dimrin", "Koncertin", "Vitin e Mbrapshtë", "Natën me hënë" e shumë vepra të tjera, kur ata ishin më të fuqishëm se kurrë. Ai nuk iu bind metodës së realizmit socialist, pohim që del disa herë në pah edhe tek vepra "Stalinizmi Shqiptar" i Arshi Pipës i njohur edhe si polemik me të. Urryen famën e tij, e cila u shndërrua për të në një kordon sanitar paprekshmërie. Tentakulat e strukturave të asaj kohe, përforcuar me aleatë të rinj me shije fondamentaliste që i bien mohit gjeografisë dhe historisë, herë pas herë, si me komandë, bash si dikur kur thirreshin dëshmitarë të rremë gjyqeve famëkeqe, kombinojnë fushata shtypi të egra të stisura, të dëmshme, të pazakonta kundër shkrimtarit dhe veprës së tij. Këto sulme intensifikohen pas çdo opinioni të Kadaresë për dekomunistizimin e shoqërisë dhe të kulturës, për hapjen e dosjeve, për pasurinë e nomenklaturës të fshehur jashtë vendit, për raportet me krimin dhe armën e tij "Sigurimin e Shtetit", për kulturën perëndimore dhe identitetin evropian të shqiptarëve, për pavarësinë e Kosovës dhe të drejtën e kosovarëve për të përdorur çdo mjet për arritjen e saj.
Shtypi shqiptar është dëshmitar, që sa herë Kadare është shprehur për tema të tilla në mënyrë ciklike dhe të menjëhershme "jeniçerët hidhen në sulm". Zakonisht stina e sulmeve ka qenë vjeshta dhe kjo, jo rastësisht. Në vjeshtë jepet çmimi "Nobel". Më e natyrshmja gjë, do të ishte që njerëzit e kulturës dhe segmente të shtetit të bënin lobing që ky çmim ndërkombëtar prestigjioz të vinte në Shqipëri edhe pse Kadare, pa ose me atë dekoratë është i njëjti: thjesht, gjeni letrash dhe shqiptar i madh.
Akuzat që disa shkrues që shpresojnë të bëhen pakëz të njohur nëpërmjet sulmeve ndaj shkrimtarit janë qesharake dhe monstruoze, gjetje allashqiptare në enciklopedinë e shpifjeve. Të kujtomë ca syresh si p.sh., antimysliman (ndonëse gjithmonë ai përsërit se programi i një Shqipërie Evropiane është i pandarë nga ai i një myslimanizmi kombëtar e njëherësh Evropian"), antikatolik (për këtë akuzohet se ka ndaluar botimin e Fishtës, ndonëse ishte vetëm 9-vjeç kur poeti kombëtar u ndalua) antihebre, antirom, antisllav, antishqiptar, antikinez, antikomunist e prokomunist, pavarësisht se në thelb këto akuza përjashtojnë njëra-tjetrën. Duke shkruar pallavra të tilla, ata duan të venë në diskutim autoritetin e Kadaresë në vendin e tij. Në fakt, jo vetëm intelektualët, por edhe njerëzit më të palexuar në Tiranë, Shkodër apo Sarandë e dinë që Shqipëria, më shumë se këdo tjetër i ofron qytetërimit si vlera të qëndrueshme e domethënëse Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën dhe Kadarenë.
At Zef Pllumi, memorialisti i pakundshoq ndër shqiptarë, patriarku moral i Kishës Katolike, thotë se: "Historia jonë është një histori llogoresh e sot më i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit evropian të shqiptarëve është Ismail Kadareja e unë gjindem krah për krah tij në atë llogore". Kundërshtarët e kësaj llogoreje, janë kundërshtarët realë të modernizimit dhe integrimit të Shqipërisë dhe të Kadaresë.
Jemi ende në kohë që të ndryshojmë raportin moral me shkrimtarin dhe shkrimtarët që projektuan Shqipërinë Evropiane, e që na dhuruan krenari kur ishim kokulur.