| E shtune, 01.08.2009, 01:57 PM |
Ikonë
vetëdijësimi
Mehmetali Rexhepi
(Shefik Shkodra: “Albania” e Konicës
- pergamenë shqiptare”, Rilindja, 1995)
Le
t’i shpalojmë vetëm disa fletë të librit të pashkruar që i parapriu këtij, të
cilin ka vite e kemi të shkruar, të botuar dhe në duar të lexuesve.
Interesimet
për figurën dhe veprimtarinë e Faik Konicës të Shefik Shkodrës, autorit të
librit “Albania” e Konicës -
pergamenë shqiptare” kanë qenë të hershme dhe, madje edhe para viteve
tetëdhjetë të shekullit njëzet. Ato interesime frymëzuese qenë të këmbëngulta,
të pandërprera, të gjithanshme dhe të vijueshme, ndonëse situatat e kishin
shtyrë në dëshpërime jetësore etninë dhe autorin.
Të
gjitha mynxyrat e çfarëdollojshme, i përballi vullneti i pashkruar, me një
frymëzim të pashuar i studiuesit, për t’iu qasur figurës së anatemuar për
gjysmë shekulli, Faik Konicës. Dhe, përmes kësaj figure, Shkodra ka depërtuar
në kënde të pandriçuara të periudhës së vetëdijësimit kombëtar dhe evropizimit
qytetar, të emërtuar me të drejtë Rilindja Kombëtare Shqiptare.
Në
këtë vepër, që del e rudhur, me peshore të masës, veçmas spikatet përmasa dhe
roli i veçantë e i pazëvendësueshëm, i themeluesit e prijësit vizionar të “Albanisë”,
për vetëdijësimin e shqiptarëve në sferën qytetare, për përkatësinë e tyre në
gjirin e kulturës e të qytetërimit evropian.
Ngjajshëm
me studiues të mirëfilltë, me gjithë mangësinë materiale, gjakimi pas “Albanisë”,
të cilën e çmoi si pergamenë shqiptare, përpos në Institutin Albanologjik të
Prishtinës, e shpuri në Zagreb, në Francë, në Paris, në Bruksel ku e kishte
selinë e daljes, pastaj në Zvicër dhe në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës.
Një
dilemë e mbrujtur në modestinë e Shkodrës, sa vinte e po i shtohej, kur po e
përgatiste këtë libër për ideatorin e adhuruar të Rilindjes. Në atmosferën e
rrjedhave të ndryshuara shoqërore, kur Faik Konica po i rikthehej botës
shqiptare, pasoi një “vërshimë” në kuptimin rivlerësues, qasje për dhe rreth
Faik Konicës, të studiuesve të shumtë, të mirëfilltë, shterues a të përciptë,
të guximshëm a frikamanë, të çiltër a përfitues. Dilema përkonte me drojën për
ngjajshmëritë në qasje dhe përsëritje të mundshme me studiues të tjerë,
gjithnjë në rritje të kësaj trashigimie, që po rivlerësohej në dritën e
shumëmendësisë.
Përkitazi
me këtë, Shkodra shmangien e bëri digë për ndikimet a tautologjitë e mundshme,
reflektimet e tyre në rezultatet e zbërthyera me rreptësinë e dijes. Burimeve
që iu referua për të argumentuar pikëpamjet për “Albaninë” janë të dorës
së parë…
* * *
Se
“Albania”
e Konicës ishte “Anatomi e kulturës shqiptare” mbi dhjetë vjetët e daljes e të shpërndarjes, herë si mujore, herë si e
përdyjavshme e javore në gjuhët shqip e frëngjisht për opinionin e paktë të
ngritur shqiptar dhe atë evropian, në shkrimet e saj ngjizej etnia, pleksej,
identiteti kulturor e shpirtëror i shqiptarëve mes Skilës e Haridbës… Mprehej
çështja ekzistenciale mes kudhrës e çekanit, gjysmëhënës, kthetrave të
shqiponjave të bardha, drapërit e çekanit…
Shkodra
pasi ngulmoi të vilte anë të panjohura të mendësisë, solli shumëçka për “Albaninë”dhe
ideatorin e saj, Faik Konicën.
Ky
libër qartëson gamën e gjerë të gjetjeve, interesimeve, kërkimit, zbulimit,
argumentimit e krahasimit, konstatimeve brengosëse e mospajtimit, ripërtëritjes
e rigjenerimit përmes risjelljes së vlerave të shkapërderdhura etnisë, duke
ushtruar kritikën për flakje dogmash e vesesh të shartuara imponueshëm…
Konstatimet
e Konicës që i rinënvizoi Shkodra, si roli çlirimtar i shqiptarëve për Greqinë
e të tjerët, anashkalimet, përbuzjet, kurthat ballkanike në aleancat e fqinjve,
paragjykimet shëmtuese për t’i arsyetuar grabitjet e trojeve përmes zhbërjeve
tragjike, të pashkruara dhe, për veshët evropianë të padëgjuara e të pandëshkuara!
A
nuk janë këto këndshikime tjera pa perde, nga asosh të servuara prapa perdeve
të aleancave fetare e politike, të ideologjive të qytetërimit evropian?
“In
medias res” i librit është pikërisht qasja kritike, qortuese e Konicës
për shqiptarët lehtë të përdorur në luftëra e shërbime për të tjerët, por pa
përfitime për veten e tyre.
Libri
“Albania”
e
Konicës - pergamenë shqiptare” riaktualizoi vizionet e Konicës për
akëcilën dukuri, personalitet e ngjarje zhvlerësuese të etnisë në fillim të shekullit të njëzet dhe,
moderniteti është duke ia përtrollit.
Në
pikëpamjet për gjuhën dhe nivelin profesional, “Albania” ishte
strumbullari i rilindësve shqiptarë, ca nga të cilët Konica i përqeshi dhe i
ironizoi, me a pa të drejtë? Përmes “Albanisë” ai vuri në spikamë
konstatimin, se pa një gjuhë unike “…kemi mbetur të ndarë njëri nga tjatri”.
Shqipja, duke mos qenë e lavruar, nuk e thithte dot, sipas Konicës, nektarin e
gjuhëve e të kulturave të pasura.
Avokati
më i shquar i shqiptarëve: në Evropë, në Amerikë, Lidhjen e Kombeve e gjetiu,
Konica përfaqësoi pasqyrën e gjallë modeluese të zëdhënësit “gjentelmen”, të
një populli të nëpërkëmbur që meritonte tjetër trajtim. Dhe, ai me dijet
enciklopedike në fusha të ndryshme të kulturës e komunikimit perëndimor, me
argumente: qofshin arkivore a të gjalla, të atypëratyshme, me stil të hollë e
të mprehtë polemik, ironik e satirik, me të dhëna të dorës së parë, “sui
generis”, kur e lypte interesi i atdheut ambientohej në një diplomat “par
exelans”, si me fjalor, takt diplomatik e retorik dhe logjikë të
papërsëritshme.
Në
“Albania”
intuita e Konicës identifikonte ngjyrat e ambientuara të kameleonëve politikë e
shpirtërorë serbë, sado të kamufluar… Prapa të viktimizuarëve të shpifur
fshihej krimi i tyre grabitqar. Për taktika të tilla, të pavjetëruara për ta, a
nuk jemi edhe sot dëshmitarë?
* * *
Në
studimin “Albania” e Konicës - pergamenë shqiptare” të
Shefik Shkodrës, është për tu
nënvizuar kujdesi i këtij shkrimpasionanti për një ndërtim sintaksor të rrjedhshëm
të fjalëve, të shijes përzgjedhëse për kapërdirje vetëm të asaj që është lëndë
e njëmendtë, fjali të ndërthurura me kumte e kuptime të logjikshme. Përdorimi
dhe renditja e fjalive të ndërmjetme, duke iu shmangur ndërhyrjeve kalkore të
frëngjishtes, e bëjnë të lehtë rrjedhën e komunikimit të përceptuesit me
receptuesin. Për ta pikasur këtë ngre stome sintaksore, që të mos vërshohen
qartësia e mendimit dhe e thënieve me dyzime termash, të hasur në letrat e
diskurseve të pasprovuara shkencore.
Ajo
çka e bën këtë libër të përdorshëm e praktik, janë të dhënat e larmishme,
informacionet që jep, është kronologjia e jetës dhe ngjarjeve historike e
kulturore, e dhënë përmes datave dhe emrave të personaliteteve, të cilat
reflektojnë kontekste të fushëveprimeve të gjithanshme të Faik Konicës e të
Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
* * *
Saktësia
e pikëgjykimeve të para një shekulli, mendjemprehtësia parashikuese e
sintetizuese për akëcilën dukuri për dhe rreth kulturës shqiptare, organizimit
të organizmit shtetëror në kontekstin evropian, me prani tiparesh anadollake,
nuk ia luhati, as zbehu moderniteti.
* * *
Pikërisht
këto veçanti admiruese, mëtoi t’i sintetizonte studimi përgjithësues i
shtjelluar në “Albania” e Konicës - pergamenë shqiptare”.
Nga
ky autor, për këtë trashigimi të denjë, me reflektime nga e djeshmja në të
sotmen, presim këndvështrime më të qëmtuara edhe më shteruese.
Me këtë trashigimi nuk kemi arsye të ndjehemi inferior
para të tjerëve: as si studiues, as si kulturë, as si mendësi e përshkuar evropiane.
GJILAN, korrik
2009