Suzana Kuqi: Muzg
| E hene, 27.07.2009, 06:48 PM |
Suzana Kuqi
Muzg
Nuk lëviz as edhe një gjethe këtë buzëmbrëmje
lulet e pemëve kundërmojnë në ekstazë
drita dalëngadalë bën paqe e shkrihet me errësirën
gjysëm për gjysëm, gati barabar...
moment sublim i natëditës
tek valët i mërmërisin bregut në pritje
të hënës e të yjeve
histori të reja e të vjetra sa bota antike
kalimtarët në rrugë përshëndesin
“mirëmbrëma”, ani se nuk e njohin njëri tjetrin...
Mes ditës e natës, dritës e errësirës
gjysëm për gjysëm në muzg
pulëbardhat bëjnë një çast pushim e fshihen
është momenti i llogarive të ditës që shkon
mirë a keq, ndoshta më mirë a më keq
sa e kishim menduar...
por është çasti kur zhduken dhe hijet
lavdia e suksesi fillon e merr formën e kujtimit
mendimi i humbjes, nis e merr trajtën e dhimbjes
pezull mbi truallin e shpirtit
gjithshka ka ndodhur
ka ndodhur siç duhej të ndodhte
skenar ndoshta i shkruar nga e njëjta dorë
që nesër mund të shkruajë të kundërtën...
sepse...
është momenti
kur drita shkrihet barabar me errësirën
zhduken dhe hijet e trupit, shpirtit, mendimit
në një pakt të pakuptueshëm armëpushimi
që firmoset me: “kështu ishte shkruar”...
vetëm një çast...
përpara se të fillojnë e të digjen pasionet
e të bëjnë hije pasojat e ditës së shkuar
që mbushin orët e gjumit e pagjumit të natës
kur lavdia bëhet kujtim që herët a vonë do të duket i kotë
kur kthetrat e dhimbjes skalisin vrragat e shpirtit
që nuk shlyhen në kohë...
balsam...shpresa... që ajo dorë
diçka më të mirë do të shkruajë nesër...
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.