Naser Aliu: Lindja ime
	| E diele, 26.07.2009, 01:38 PM |
	 Naser Aliu
Naser Aliu
Lindja ime
Kur u linda
Qau nëna
Qava, mirëpo
Edhe unë
Qamë së bashku
Dhe më shtrëngoi lëndimthi
Babi nuk ishte aty
Kur u linda
Atë ditë nuk ishte në shtëpi
Për  t' i shtrënguar dorën nënës
Fshirë djersët
Për ta qetësuar
Për t´i dhënë kurajë
Për ta marrë foshnjën në dorë i dyti
Në kohën kur u linda unë
Nëna nuk ishte bashkëshortja e babit
As shoqja e tij
As nusja e tij
As e dashur 
Ajo ishte
E paemër
“Mëri” ose “hej ti” 
Askushi
Bënte jetë anonime
Shërbente ditë e natë
Shërbëtore
Në një botë gati virtuale
Aty, vetëm përbuzja 
Dhe nënshtrimi 
Dhe shfrytëzimi ishin real! 
Të prekshëm...
Në kohën kur u linda unë
Martesa e tyre
Nuk ishte dashuri
Takimi parë në krevat, ora njëzetë e tridhjetë
Në orën njëzetë e dyzetepesë: seks
Me hir apo pahir
Ndërzimi me marrëveshje...
Në kohën kur u linda unë
Gratë nuk lindnin
Ato pillnin
Si kafshët
Me skllavërimin jetësor
Dhe nënshtrim tërësor
Ndaj burrit
Dhe fëmijëve
Ato përparonin ca
Dhe, kështu
Në fund, ato nuk cofnin
Por vdisnin
Mirëpo, varroseshin më thellë se burrat
Nga frika se mund të dalin jashtë!
 
Në kohën kur u linda unë 
Prindërit nuk i bënin fëmijët
Personalisht
Perëndia ua dërgonte
Nëpër kopshte, ara, livadhe e lëndina...
Edhe pse çdo natë qartë dëgjohej zhurma e kazanëve
Në kopsht apo ara
Merrnin foshnjën
Që kishte ardhur pa dëshirën e tyre
Dhe mbushnin shtëpinë
Me perime e kafshë
Kryekungull
Kastravec
Hundëspec
Gomar
Kaçirubë
Varet se ku kishin gjetur foshnjën
Ndonjë edhe në stallë 
Në kohën kur u linda unë
Mësonim gjashtë mësime për gjashtë vjet
Xhelozinë
Inatin
Smirën
Krenarinë
Diskriminimin
Dhe, hakmarrjen!
Në vitin e shtatë ia nisnim shkollës...
Lum ai që shkonte në shkollë
Me gjashtë
Në kohën kur u linda unë
Dashurinë nuk e mësonim 
Ajo ishte turp!
Dhe krim!
Vrasja në lule të ballit
Nder!
Asgjë më shumë!
PS: 
Pas vrojtimeve nëpër pyje 
Bjeshkë dhe stalla
U diktua se kafshët e buta dhe bishat e egra
Nuk keqtrajtojnë 
Dhe nuk kafshojnë
Nuk diskriminojnë 
Dhe nuk shfrytëzojnë
Dhe nuk shtypin 
Dhe nuk jetojnë 
Në shpinë të
Gjinisë femërore!
Në kohën kur do vdes unë
Gratë duhet të formojnë UÇG 
	Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.