Sabit Rrustemi: Përtej mjegullës së fjalëve (Cikël i ri poezish)
	| E enjte, 23.07.2009, 06:02 PM |
	 Sabit Rrustemi:
Sabit Rrustemi: 
PËRTEJ MJEGULLËS SË FJALËVE (Cikël i ri poezish) 
BOTA  E  PAFAT
 Kot hap dritaren 
Zhurma e rrugës mjegullon 
Atë fytyrë të çiltër bojëqielli
 Bota nuk e ka atë fat 
Të të shoh si unë
 Përtej mjegullës së fjalëve 
E të kënaqet 
edhe kur i mungon
(Paradite, 16 korrik 2009)
PËR HIRË TË EMRIT
(Mikut tim, Bekimit)
Mos i beko dhimbjet
Për hirë të emrit
Livadheve të jetës
Herri 
Rrënjësh shkuli
Edhe kur bijnë sërish
 Dhimbjet
 Cilatdo qofshin ato
Vetmia nuk i shëron 
Ajo vetëm i ujitë 
Përmes lotësh 
Që na pikojnë brenda
I zverdhë e i rritë 
Para syve tanë
 Miku im
Për hirë të emrit 
Kapërceji me një hap
Siç i kapërcenim 
Përrockat e arave tona dikur
 Përrockat që tashmë kërkojnë
 Hapësirë fytyrave tona
Mos i lë
Dhe atë
Atë që e do
Mos e harro
(Pasdite, 16 korrik 2009)
TË TJERËT
Të mëdhenj a të vegjël
Ç'patën
E thanë...
Tash neve e kemi radhën 
Për t'i zbrazur 
Thasët e të pathënave
 Sëmundja e përsëritjes 
Ndryshe nuk evitohet
As ajo fytyrë e çiltër
Me emrin 
Më të fatshëm në botë
Nuk gëlltit 
Racion të njejtë
Përdit
(Mbrëmje, 16 korrik 2009)
NËN VAPË
Vapa gëlltit murin e qelqtë
Ata sy të shkruar
Nën atë palë floku
 
Strehë kërkon koka ime
E larg mali
Ajo hije bliri
Larg ajo Lule
Si të arrrijë më shpejt
Asflati gjarpër i zi
Këmbët prej gome m'i grinë
Patkoj për Atin e shalës
Ku të gjej
Pegas
Shprushu
Nxito
 
Çepuri digjet nën diell
Digjet e djersinë
Dhe atë pikë ujë që ka
E ruan për buzët tua
Moj LuleVerë
(17 korrik 2009)
KËTU KU JAM 
E nesërmja më gjenë këtu ku jam
Nën zhumën provinciale
Pa një gotë verë
Dhe pa Ty
 
Të qullur nga nata 
Nga ëndrrat 
Ku shfaqesh e perlotur
Tek ikën 
 
Derisa hap sytë
Lëshoj zë
As kokën kthen më
 
Dal përtej dhome
Në shpatin tim të çmalljes
 
Me ujë Çepuri shporrë ëndrrat
Ato miza kali 
Aë fshihen nën bisht
 
Rrënjët e një luleje ujis
Faqet tua prekë
Nën puhinë e gjetheve
Që era i trazoi
 
(Mbrëmje vonë, 17 Korrik 2009)
RELAX
 
E kthjelltë kjo ditë vikendi
Dil e ec
Përtej këtij betoni
Kësaj arkitekture të mbrapshtë 
 
Jepju gjelbërimit  
Nanës sonë natyrë
Tërësisht e pa frigë
 
Një paqe shpirti fito 
Mos vono 
Dil  e ec
Ku ta do ajo loçkë shpirti 
Shko
 
Unë jam shtëpia e fundit
Për ty
Aty buzë mali
 
Ajo portë e hapur është
Vetëm shtyje lehtas 
Kurdo që të kthehesh
 
(Mëngjes, 18 Korrik 2009)
SONTE
 
Do flej rrëzë Çepurit, 
E do thithë erën e tij prej mali 
 
Tërë natën e lume,
Nëpë faqe lulesh e gjethesh
Do strukem
E nuk do bëj zë 
Se tremben trumcakët 
Prishin ëndrrën e lules
Në Dritare 
Dëgjove
Po deshe 
Eja 
Kaloje një natë 
Në krahërorin e tij 
Si unë 
Për t'mos ju ndarë pastaj
As në ëndërr
 
(19 Korrik 2009)
ATY KU TAKOHEMI
 
E zure Diellin 
Në Pikën më të thellë 
Të qiellit tonë 
 
Nëpër atë trup të ndritshëm 
Tëmbëlborë 
Mbaje  
Shtrëngoje 
Derisa të pikojë 
Nën rreze të na prarojë 
 
Ai nuk është aq i zjarrtë 
Sa je Ti 
Vetëm unë e di 
 
Përmallshëm pres 
Mos vono 
Zbathur ec 
Se nuk  përcëllohesh
Copërave të zjarrta 
Të të shkririt diell 
 
Aty ku takohemi 
Në cilëndo botë
Diell të ri krijojmë
Përmes të përzjarrtës dashuri
 
(20 korrik 2009) 
 
MË FAL DASHURIA IME
 
Më fal dashuria ime
Më fal
Sa shumë më ke dashur 
E pak të kam kënaqur 
Që kur më je qasur 
Trupit të përflakur  
Nuk të kam vërejtur 
Kaq të afshme  
Kaq të etur 
 
Kjo kodër përballë meje 
U rrudh 
E vogël mbet 
Para brengës sime 
 
Si të të shoh lulehënë 
Qiellit tim të kthjelltë 
Tek loton nëpër qirinj shpirti  
Për ta sh'ndritë atë rrugë 
Përtej kësaj bote
Në një tjetër planet 
 
Shkrihesh në kohë 
Si vetja ime tretesh 
E nuk jepesh 
  
Para teje po lutem
Nuk po dorëzohem 
As përkulem 
Para të pamundurës  
  
Kohëshkreta krahët rrudhi 
Para ndjenave tona  
U step 
Nuk na strehoi
A dashuria edhe më thellë 
Rrënjë këshoi 
Për t'më mbetur çelë këta sy 
Duke të pritur ty
 
Kur të vijë një ditë  
Ai çasti  i ftohtë
Se një ditë do vijë
Le t'jetë jotja dorë 
Që do t'mi palojë 
 
Kjo brengë faljeje  
T'mos më rëndojë 
Sa pak të kam kënaqur 
E shumë të kam dashur 
Dashuri imja dashuri 
 
(20 -  22 Korrik 2009)
	Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.