Mexhid Yvejsi: Ymer Lutfi Paçarizi
| E shtune, 18.07.2009, 12:49 PM |
SHEJH YMER LUTFI PAÇARIZI (1870-1928)Nga Mexhid YVEJSI Shejh Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi është një figurë e madhe kombëtare, i dalluar si një besimtar, dijetar, veprimtar; veprimtar në rrugën shpirtërore, veprimtar në lëvizjet popullore, por i shquar, i paharruar në krijimtari, në veçanti në poezi… Ymer Lutfi Paçarizi lindi në Prizren, me 13 Janar 1870. Rrjedh prej një familje besimtare, intelektuale. Është djali i një hoxhe të njohur, Mustafa Efendiut, me prejardhje nga Rapça e Opojës, por që ka shërbye në Prizren, për gjysmë shekulli, si imam , mësues e predikues. Mësimet fillestare i kreu në Prizren. Në vitin 1887, kur ishte në moshën 17-të vjeçare shkoi në Stamboll për të vazhduar shkollimin dhe u regjistrue në Medresenë e njohur “Fatih”, ku mësoi derisa diplomoi në vitin 1891. Në vitin 1891 e la Stambollin dhe shkoi në Kairo, për të vazhduar studimet e larta në Universitetin zëmadh “El-Az-har”, ku qëndroi deri në vitin 1905. Sa ishte student në Kairo, Ymer Lutfi Paçarizi, në vitin 1892, shkoi në Haxh, për t’i vizitue vendet e shenjta Mekken dhe Medinen, prej asaj kohe e mori titullin Haxhi, të cilin e gëzon edhe sot e kësaj dite, edhe pse kanë kalue mbi 80-të vjetë, që ka ndrrue jetë…! Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi, para se të niset në Kairo për studime, ka shkue në Gjakovë, në Teqenë e Melamive, që ndodhët përball varrit të Mehmed Ali Pashë Maxharrit, ndërmjet Kullës së Abdullah Pashë Drenit dhe Teqesë së Shejh Eminit – Sa’adi, ku e pranoi hilafetnamenë nga Shejhu i Melamive, Hafiz Sylejman Efendiu dhe u gradue Shejh i tarikatit Melami… Shejh Ymer Lutfi Paçarizi ka qenë një intelektual i shquar, burrë shumë i sjellshëm, i kulturuar, ka njohur shumë mirë gjuhën turke, arabe, persiane, ka pasë njohuri të thellë në teologji, filozofi, letërsi… Duke jetuar në mes të popullit, me hallet e tij, duke e parë se shumica e popullit ishte për ditë duke u varfërue, duke u fikë, për t’i ndihmue, u detyrue të merret edhe me politikë… Në fillim ishte ithtar e veprimtar i reformave premtuese, në kohën e Perandorisë Osmane, tek Lëvizja Revolucionare e “Turqve të Rinjë” (Xhonturqit), të cilëve me përkushtim ju ka shërbye, por nuk shkoi gjatë dhe prej tyre u zhgënjye… Një kohë u drejtue kah socializmi, komunizmi, duke shpresue se këto lëvizje, më në fund, popullit gjendjen e mjerë kanë me ja ndryshue.Për këto lëvizje ka punue, ka shkrue, por më në fund u pendue, u largue… Shejh Ymer Lutfi Paçarizi asnjëherë nuk u pendue, nuk u largue nga besimi, nga krijimtaria, nga letërsia…Qysh kur ishte djal i ri, 16 vjeçar, ka shkrue poezi për hallet e popullit shqiptar… Veprimtaria e tij përfshinë shumë lëmi, janë dhjetëra vëllime, por mjerisht, kryesisht, kanë mbetur dorëshkrime. Ka shkrue mbi 50-të vepra, të cilat kanë përmbajtje historike, politike, dialektike, filozofike, teologjike, mistike… Lexues i dashur, nëse ke nevojë për pakëz njohuri, qe disa tituj të veprave të tij: Libri me titull: “Tevarih” (Poezi historike) Libri: “Mavizaler” (Përmbledhje me 100 poezi) Libri: “Teshaxhiraza” (Prozë) Libri: “Haxhi hedijeleri” (Udhëpërshkrim në prozë e poezi, kur ishte në Mekkë e Medine, për t’u bërë haxhi) Kryevepra e tij është “Divani” ( Dorëshkrim, 402 faqe, me poezi, poezi shpirtërore, poezi për Dashurinë Hyjnore…) Libri në dorëshkrim: “Kopshti i zemrës” ( Poezi lirike) Libri në dorëshkrim me titull: “Pikëllimi” ( 315 faqe…) Është për t’u pikëlluar, që gjithë ky thesar, ndër shqiptarë, gjithë këto libra, kanë mbetur pa u botuar…! Shejh Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi ndrroi jetë me 25 Tetor 1928, në Prizren, në moshën 58 vjeçare, por la emër e vepra në kulturën shqiptare…
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.