Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bilall Maliqi: Më tërhoqi malli i zhuritur (Cikël poetik)

| E shtune, 18.07.2009, 04:18 PM |


Bilall Maliqi

MË TËRHOQI MALLI I ZHURITUR

(Për herë të parë në Shqipëri)

Cikël poetik:

PËRMALLIM

Dyzetë pranvera
I ndoqa
Me ëndërr për Ty    

Korriku i dyzinave
Pikëmallin shkëputi
Në dypikëshin e puthitur

Nëpër vizabardha
Rrugëtimi im i bardhë
Me dashuri
Me emocione

Lotët lagën
Faqet e vijosura
Derisa ndjenjat
Atë çast
I shprishën kujtimet
E  motit të thinjur…

Kukës, 06.07.2009

TË GJITHËVE
U KAM NË GJI

Në kujtesën time
Kureshtja e lodhur
Kaloi vrullshëm
Mbi relievin amnor

Pahetueshëm mallëngjimi
Më dhuron lotsjellje
U lagën ndjenjat
Me mallin e çmalljen

E shqip kuvendon
O shqip më flet
Edhe guri
Edhe loti
Për jastikun
E Çajupit

E unë futem
S’mund të dal
Nga e Tiranës
Gjallëri
-O njerëz
Të gjithëve ju kam
Në gji….

Tiranë, 11.07.2009

MBRËMJE MALLI

Mbrëmje malli
Përskaj faqeve
Të lëmuara
Nga valëdeti

Shëtis i tërhequr
Nga aroma
Zhurmuese e ngrohtësisë
Për herë të parë
Ua shijoj puthitjet o valë

Përskaj qytetit
Llampat grimconin
Errësirën  me dritë
Zbulonin
Bukuritë e lagura…

Durrës, 10.07.2009

NËPËR KOHË

Të ngriturat kodra
Me rrudhat e tyre
Rrëfejnë  mallin
E pritjes

Lartësitë e tyre
Sikur kuvendojnë
Mes veti
Për kohëikurat

Poshtë tyre
Lumin
E freskojnë valët
Të arbërit janë ato
Nëpër kohë…

Durrës- Kukës, 15.07.2009

ARTJETËSHKRIM

Fryma ngazëllyese
Mbështjell mushkëritë
Ato dalin e detit
 
Kontrast ngjyrash malli
Shpërthejnë fuqishëm
Cipëzën e fryer
Të mallit të trazuar

Jetë arti
E nënqiellit të hapur
-Hatashëm ëndrrat
M’i shprishë

Durrës, 07.07.2009

SHTEGTIM

Valëzat e detit
Shtegtojnë
Duke u përplasur
E shpërlarë rërën
Gjerësinë vertikale

Mijëra shpirtëra
Sfidojnë nxehtësinë
E mbretit
DRITJONË

E në barkun e detit
Anijet lehtas
Përkundin
Ecjen tonë

Durrës, 08.07.2009

DURRËSAKES

Ecë, ecë
Tok me rritën
-Flokët t’i shprishë
Erëlehta puhizë

E detit dallgë
Të lëkund
Peshkushe
Sykaltëroshe

Ah, moj
Shpirtbardhë
E bukur
Qafëgjatë
Durrësake
O Preshevare moj...

Durrës, 09.07.2009