Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alfred Papuçiu: Petrika Grosi dhe kultura shqiptare

| E enjte, 16.07.2009, 09:00 PM |


Petrika Grosi dhe kultura shqiptare
 
Përgatitur nga Alfred Papuçiu
 
Në rast se kalon çdo mëngjez në rrugën „Don Bosko“, ndërtesa e Vizion Plus“, do të shohësh një djalosh simpatik, me cigare në buzë, që përshëndet kalimtarët, edhe pse nuk i njeh. Një ritual që i ka mbetur qysh nga qyteti i tij i lindjes, Korça, të cilin ai nuk e harron kurrë. Ai ndalet në kafenenë pranë, pi shpejt e shpejt një ekspress, përshëndetet me kamarierin dhe ngjitet tek zyra e tij tek gazeta „Albania“.
 
Ka vetëm 26 vjeç, por duket shumë më i ri. Ndoshta jeta e qetë dhe temperamenti i tij gazmor i japin një fizionomi prej djaloshi 20 vjeçar. Është i datëlindjes 18 maj 1983. Thotë se ka qënë u urtë kur ka qënë i vogël, dhe tani vazhdon të jetë i tillë, por nuk i duron padrejtësitë, meskinitetet dhe nganjëherë reagon. Por shpejt i ulen nervat…
 
Petrika shkollën e mesme e ka kryer me rezultate shumë të mira, në shkollën e mesme të përgjithëshme „Besnil Sykja“ në Tiranë. Nga viti 2003 deri në 2009 vazhdoi dhe përfundoi me sukses  Fakultetin e Histori Filologjisë, dega/Gazetari . Nuk ishte e lehtë për të kur duhej të realizonte disa shkrime në javë dhe në të njëjtën kohë të ndiqte leksionet dhe të jepte provimet. Megjithëse është në moshë të re, përvoja e tij e punës është e larmishme: Aktualisht është redaktor dhe shef i kulturës te gazeta “Albania”, themelues i suplementit të përjavshëm informativ e kulturor “Albania Weekend”, ku profilizohen në detaje nëpërmjet intervistimit profesional figurat më të shquara të artit dhe kulturës shqiptare.
Ka qënë asistent regjisor i spektaklit televiziv në Vizion Plus “Anija e artistëve”  – (reality show) .  nga qershori 2006 deri në mars 2007 ka punuar si gazetar i posaçëm te Gazeta “Shekulli”, ndër themeluesit e rubrikës “Shekulli Kontakt”.  Një mori rubrikash, risi në komunikimin gazetaresk shqiptar, të cilat u eksperimentuan me sukses dhe sollën një kontakt më të afërt me lexuesin duke i qëndruar më pranë dëshirave, nevojave, interesave të tregut.  Për tre vite rresht ka qënë zëdhënës shtypi i performancave të kostumit dhe sfilatave të ndryshme të modës të stilistes Merita Toçila : Sfilata “Retro `50”; Performanca “Eva” prill 2008; Performanca “Nënë Tereza” tetor 2008; Performanca “Itaka Grua” maj 2008 .
Petrika Grosi vazhdon të jetë edhe bashkëpunëtor i revistës “Albanica Ekskluziva”, me botim në Shqipëri, Zvicër, Kosovë e Maqedoni  ;  më 2005 ka qënë zëdhënës shtypi i konkursit të bukurisë me zhvillim Greqi e Shqipëri “Miss & Mister Abanian Student” ; më 2006 ka qënë zëdhënës shtypi i konkursit të bukurisë “Miss Tirana”; nga janari 2006 deri në maj 2006 ka punuar si redaktor në revistën shkencore, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ; nga Qershor ‘05 – Korrik ‘06   -  Zëdhënës shtypi i Akademisë së    Shkencave të Shqipërisë; më përpara nga tetori 2004 deri në janar 2006 ka punuar si redaktor (kulture & rrethe) te gazeta "Ballkan"; maj 2003 deri në shtator 2004 si redaktor (kulture) te "Gazeta Shqiptare"  ; tetor 2002-maj 2003 ka qënë gazetar – redaktor kulture/sociale / përgjegjës i suplementit i suplementit) te gazeta “Republika" ; Qershor 2002 - Tetor  2002      -  Gazetar (sociale) te gazeta "Shekulli"  .
Përvoja e tij e madhe gazetareske dhe pjesëmarrja e tij në workshope dhe trajnime të ndryshme gjatë 6 viteve të fundit me profesorë të huaj e vendas, mbi të qenurit profesional në gazetari kryesisht në rubrikat kulturore e sociale dhe gazetari investigative ka sjellë si rezultat një pjekuri të dukëshme në shkrimet e tij. Ka marrë pjesë edhe në kurse të shumta, mes të cilave më i fundit zhvilluar në Sofje (Bullgari) në Qendrën për Zhvillimin e Medias mbi GAZETARINE INVESTIGATIVE, me profesorin e njohur të “Dojçe Welle-s”, Peter Heller. (Tetor 2005) 

Petrika ka botuar:

1- Vëllimi poetik “Konflikt Ndjenjash". (2003)
2- Cikli poetik “Perëndi e pafajshme” në dy gjuhë (shqip dhe frëngjisht) në antologjinë poetike “Shpirti i fjalës”, e cila u botua nga selektuesi Baki Ymeri në Bukuresht (Rumani). Mes poetëve të tjerë të njohur shqiptarë nga diaspora, i vetmi poet që përfaqësonte Tiranën dhe Shqipërinë, së bashku me Natasha Lakon. (Janar 2001)
Kur e pyet lidhur me realizimin e një vëllimi të ri, ai të përgjigjet se pret akoma që të „piqen“ më mirë tregimet dhe poezitë e tij. Me modesti ai thotë se ato megjithatë janë pëlqyer nga lexuesi.
 3- Gjatë 5-6 viteve të fundit ka realizuar këto botime: poezi, esse, novela, komente, persiatje e kritika në media të ndryshme të shkruara si: Gazeta e Lidhjes së Shkrimtarëve “Drita”, revista “Kult”, gazeta “Weekend”, gazeta “Republika”, gazeta “Temp”, gazeta “Fjala”, suplementi “Milosao”, revista “Trendy”, gazeta “Tirana Observer”, gazeta “Telegraf”, etj.
4- Recensa për letrarë të ndryshëm shqiptarë si: Ismail Kadare, Sadik Bejko, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Visar Zhiti, Faslli Haliti, Ali Podrimja, Vath Koreshi, Diana Çuli, Mimoza Ahmeti, Arian Leka, Dionis Bubani, Fatos Kongoli, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Rexhep Ferri, Mehmet Kraja, etj.  
5- Ka botuar shkrime dhe komente të natyrës kritike, për Teatrin e Operas dhe Baletit, si dhe për Teatrin Kombëtar, mbi shfaqje apo aktorë të veçantë të tyre, si dhe mbi problematikën lidhur me to. Ka shkruar mbi probleme të artit figurativ, turizmit, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, politikave dhe strategjive të saj, skandalet etj. Ka shkruar gjithashtu komente mbi Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeun Historik Kombëtar, Akademinë e Shkencave, Albanologjinë, Akademinë e Arteve të Bukura etj, si dhe mbi institucione të tjera homologe apo vartëse e këtyre ndër rrethe, për institucionet homologe private, festivalet e dramës, këngës dhe të filmit e teatrit, aktorët, piktorët, këngëtarët, prezantuesit, kompozitorët dhe regjisorët shqiptarë, apo ata të huaj që kanë pasur veprimtari, ndikim dhe bashkëpunim me Shqipërinë.
6- Ka realizuar reportazhe të ndryshme mbi traditat shqiptare, vendet e harruara, zakonet e trevat nga Veriu deri në Jug të Shqipërisë, gjithashtu, ka investiguar fenomene të ndryshme,  e mjaft tema të tjera të prekshme sociale, të cilat pasi janë botuar si shkrime speciale kanë pasur efekt reagimi të gjerë, të shpejtë dhe të ndjeshëm nga shoqëria, opinioni, institucionet publike dhe mediat.  
7. Gjatë këtyre viteve ka hapur debate të ndryshme me përmasa të mëdha mediatike mbi problemet e kinematografisë, muzikës, kritikës, letërsisë, arsimit e shkencës, ligjit dhe drejtësisë, shëndetit, probleme etnike dhe diskriminimit, emigracionit etj.  
8. Petrika Grosi është angazuar në emisione të ndryshme televizive shqiptare duke diskutuar e debatuar mbi problemet social-kulturore-politike dhe kam mbështetur çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e dhunuara civile e ligjore, protestat qytetare dhe iniciativa të ndryshme me karakter qyetar për ndërgjegjësimit e njerëzve mbi të drejtat ligjore, mbrojtjen e mjedisit etj.  
Zotëron anglishten dhe italishten që e ndihmojnë për të komunikuar me kolegët e huaj, si dhe për të ndjekur aktualitetin kulturor në vendet europiane apo të botës. Gjithashtu ato e kanë ndihmuar në specializime jashtë shkollore, trainime të ndryshme me specialistë vendas e ndërkombëtarë të gazetarisë të shkruar e televizive.
Është i fejuar dhe ka si hobe muzikën, librat dhe filmat. I pëlqen Adriano Celentano, muzika rok; si aktorë ka simpati për Roberto de Niron dhe të birin, Xhejms Belushin. I kanë pëlqyer sidomos filmat „Aviatori“, Matrix, Desperato; nga shkrimtarët i pëlqen të lexojë veprat e Dante Aligherit, Homerit, Balzakut, Mopasanit, Ismail Kadaresë, Bodlerit, Remarkut, Gogolit, Simon de Bovuar etj.
Më poshtë, lexues të nderuar të Zemrës Shqiptare, po ju japim për të lexuar disa nga krijimet e këtij shkrimtari, poeti dhe gazetari të suksesëshëm, me urimin që të shohim sa më parë në libaritë tona vëllimin e tij të dytë.
 
 
E PAPREKSHMJA
 
Tregim nga Petrika Grosi
 
Gropëzat e pluhurosura të rrugicës para shtëpisë u transformuan në ca pellgje të mëdha. Në qiell, gjëmimet vazhdojnë njëra pas tjetrës. Ato buçasin aq fort, sa duket sikur do shkundet dheu. Në një ditë si kjo kur dielli nuk duket dhe errësira mbulon gjithçka që herët në mëngjes, natyrisht që asgjë të mirë nuk mund të presësh. Ç’është më e keqja, edhe shpirtërisht ndihem bosh. Ky mot i keq sikur më sëmur shpirtin dhe mendjen. Në ditë të tilla nuk e di pse, bëj gjumë papushim dhe shpesh shikoj një ëndërr; Nga lart, s’di se ku por shikoja sikur të kisha nga qielli sytë e Zotit, shikoja tokën që nuk ishte gjë tjetër veçse një qilim blu me pika të blerta e kafe në të kuqërremtë. Dy duar vigane e merrnin dhe e shkundnin qilimin nga pluhuri. Njerëzit e kafshët binin, vriteshin zhdukeshin duke kërcyer sa andej këndej, kërcisnin dhe nxirrnin gjak të zi njësoj si pleshtat, ndërkohë që shtëpitë, pallatet e grataçelat rrëzoheshin brenda pak sekondash duke ngritur kërpudha tymi. Si në filmat fantastiko-shkencorë, gjithçka m`u shndërrua brenda pak sekondash në pluhur e hi. E tmerrshme! Iu duket se e teprova? Po, jam dakord, por pa më thoni se ç’ëndrra të tjera mund të presësh në ditë të zymta si kjo?! Fundja nuk është faji im që shikoj këtë ëndërr. Mos duhen komanduar ëndrrat? Në fakt edhe këtë jam përpjekur ta bëj njëherë... Nuk e mbaj mend çfarë dite ishte dhe as sesi ishte, por mbaj mend ëndrrën dhe ndjesinë që kam provuar gjatë dhe pas saj. M`u bë sikur isha në një korridor të shtruar me pllaka të bardha me nja tetë porta të cilat komunikonin të gjitha me njëra-tjetrën. Dëgjoj zhurmën e ujit që rrjedh. Hapet njëra nga portat dhe avuj të ngrohtë nisin me ngadalë të më zënë pamjen. Po kaq papritur, avujt shpërfaqen pak e nga pak dhe prej tyre del Mona Liza me robdëshambër. U habita çastin e parë sepse nuk e dija që ajo në të vërtet paskësh qenë bionde dhe çfarë biondeje... nga ato më të egrat dhe inteligjentet, me sy smeraldi. Të paktën femrat me sy jeshile ndryshe nga ato sykaltroshet më janë dukur gjithmonë shumë të rrezikshme!!! Mona Liza një çast e lëshon robdëshambërin në fund të këmbëve. M`u duk krim që ajo pëlhurë sado e mirë të ishte të prekte lëkurën e saj të butë, atë trup hyjnor. Format e trupit më bënë ta humb toruan. Gjinjtë sikur t’ia kishte pikturuar, e më pas dhënë jetë me vullnet perëndie, vet mjeshtri Da Vinçi më lanë pa fjalë. Më shikonte me sytë e pafajshëm që bënin ta adhuroje sakaq atë krijesë. Njëherësh gjaku nisi të më vlojë. Nuk u përmbajta më dhe bëra të afrohesha drejt saj. Mona Liza, me një lëvizje të shkathët prej çapkëneje e ngjeshi robdëshambërin pas trupit dhe ma shkelin syrin. O Zot, si jam ndier. E gjithë bota u përmbyt, pastaj u përmbys dhe u ndërtua ndoshta më bukur se më parë, vetëm brenda pak sekondash. Mendova; sipas Biblës edhe Zotit vetë iu deshën ju deshën 6 ditë për këtë mrekulli, të mos llogarisim të dielën që e mori pushim... Nxitova ta pushtoj atë me duart e mia, por Mona Liza me gjinjtë e zbuluar nisi të vrapojë duke u futur te njëra nga portat. E ndoqa hyra dhe unë në atë portë dhe pashë një dhomë të vogël bosh me tre porta që të nxirrnin në drejtime të ndryshme. Arrita të dalloj se te cila portë kaloi Mona Liza dhe e ndoqa. Dola në një dhomë tjetër të njëjtë si e para, mandej në një tjetër, derisa u gjenda sërish në korridor. Mona Liza m’u shfaq sërish para syve duke ecur e qetë pasi dola nga porta përballë. Ndaloi në vend duke më vështruar pa folur. Shikimi i saj përkthehej “Eja më kap!”, por nuk e kuptoja çfarë lloj joshjeje ishte kjo. Pse vraponte dhe si rrëshikste ashtu mes avujve porsi ngjalë ndërkohë që unë i urritur dhe nxehur si bishë e tërbuar nuk e kapja që nuk e kapja dot... Nisa ta përpij me sy, pa guxuar të lëvizja nga frika se mos ajo vraponte të më fshihej dhe nuk e gjeja më. Sërish lëshoi robdëshambërin, me duar kapi gjinjtë si dy kupa shampanje dhe duke më parë në sy me një zë si të sirenave të detit, më tha: -Eja! Më merr!
Nuk u besoja veshëve.
-Siii?, - e pyes.
-Eja më prek dhe jam e jotja.
Çfarë zjarri shpërtheu brenda meje... Ndieja se kisha atë çast, ndoshta më tepër se fuqinë e titanit të mitologjisë helene, i cili mbi vete mbante gjithë botën. Nuk mendova më asgjë tokësore përveç instiktit që më udhëhiqte. Nxitova ta pushtoj mes krahëve të mi atë krijesë, por më rrëshqiti pa arritur as ta prek. U zmbraps disa hapa dhe qëndroi sërish në vend duke më parë me sytë provokues. U afrova prapë, por ajo prapë më iku për duarsh. Të tretën herë munda t’i kap veç robdëshambërin, por Mona Lizën nuk e preka dot. Bëra ta kap sërish duke u hedhur, por edhe ajo hidhej me një shkathtësi të paimagjinueshme. E gjitha kjo më eksitoi edhe më tepër. Nuk e di se sa mund të duroja. Tashmë doja ta pushtoja fort atë, ta zija të shtrydhja, ta haja të gjallë çdo pëllëmbë të asaj lëkure të trëndafiltë. Ajo u ndal sërish në mes të korridorit, jo më shumë se dy metra larg meje. E pashë në sy pa më dalë asnjë fjalë dhe nisa të afrohem me ngadalë. Kisha një siguri se kësaj here nuk do të dështoja. Dhe ashtu ndodhi... Çdo hap që po hidhja me ngadalë ajo bëhej më e afërt për mua. Një çast nga lumturia e këtij mendimi që më pushtoi gati sa s’po më vinte keq që po afrohesha më në fund ta prekja. Sikur ajo do të mbarohej dhe kënaqësia gjithashtu me të. Megjithatë kjo ndjesi i la vend urisë, dëshirës së papërshkrueshme për ta pasur të tërën atë krijesë në duart e mia. Nuk e besoja që isha afruar aq sa një pëllëmbë më ndante nga Mona Liza, nga lëkura e saj, gjinjtë, hijet, kofshët, ai trup i mrekullueshëm njerëzor dhe hyjnor. Tashmë nuk dija se ku isha; në qiell, tokë, planet a dimension tjetër, apo në parajsë... Dhe mendoni, nuk e kisha prekur ende as kalimthi lëkurën e saj. Nuk e di pse kjo dëshirë, nuk e di as si e kisha kaq fuqi për t’u përmbajtur. Tashmë, jashtë çdo parashikimi duhet ta kisha pushtuar të tërën, ta puthja, ta shtrëngoja të bëja dashuri me të si dem i tërbuar... çfarë dem them edhe unë, bishë, jo si dem porsi një kafshë e uritur dëshiroja për vdekje të hidhesha mbi të. Madje vetëm kjo ideja gati sa s’më bënte të arrija pa e prekur fare atë. E pabesueshme!!! Nuk e di sa qëndrova ashtu, pasi koha vërtet u ndal. Ishte frymëmarrja e saj që më preku duke më dehur edhe më shumë nga më parë. Me ngadalë pa më ndarë sytë afroi buzët e kuqe të veshi dhe më pëshpëriti:
-Eja! Më kap! ... më prek, dheee, jam e jotja... e gjithaa, përgjithmonë!
Nuk fola, por s’doja të humbja më asnjë sekondë. Bëra ta pushtoj Mona Lizën dhe... Nuk u zhduk, as nuk vrapoi të ikte. As ëndrra nuk është se me kaq mbaroi. Po çfarë pastaj? Edhe më e tmerrshme; isha paralizuar në vend. Nuk më bindeshin as duart as këmbët dhe asnjë muskul tjetër përveç atyre të syve. Por, tmerri qëndronte më shumë diku tjetër. Nuk ishte thjesht një ëndërr. Në vetvete, çuditërisht, besoni apo jo, më bëhej që e dija se isha në ëndërr. Pra çdo gjë e bëja me ndërgjegje. Megjithatë kjo nuk e zbehte bukurinë, as dëshirën e gjithçkaje sa ndodhi më parë. Përkundrazi, meqë ëndrra ishte e imja i shfryja vetes pikërisht brenda në ëndërr: -Kape, preke mor’ dështak. Është ëndrra jote. Mendo, kur nuk e kap dot as në ëndërr... Ju vjen për të qeshur? Për të qarë? Keni të drejtë, kufirin mes tragjikes dhe komiken pak gjë e ndan.
-Preke, lëviz or gomar... Është Mona Liza, jo shaka!
Këtu u zgjova. Menjëherë e mbështeta kokën që të më zinte prapë gjumi dhe të jetoja ëndrrën time. Ndoshta ajo po më pret ende aty. Përpëlitem, me kokën herë poshtë e herë sipër jastëkut. Mbulohem, zbulohem, pastaj e flak fare jorganin. Në dhomë bën ftohtë. Mëngjes dimri, por jo për mua. Dua vetëm të flej... një orë, dy... uff, çfarë trishtimi!!!

 
Perëndi e pafajshme
 
Makth
Mbrëmje mes ëndrrash, turbull
vjen shpirtin ma mundon,
terr llahtar që s'zhduket
as kur ylli i mëngjesit afron.
Mbyll sytë lodhur, venitur,
prehje të gjej vetëm pak,
trupi s'pranon të përgjumet
rrënqethet nga ëndrrat me gjak.
Me dëshpërim luftoj hijen
fytyrën me thonj dua t'ia gris
por jo, s'shpëtokam dot,
ëndrra nga e para nis.

Etje
Kam mëri me jetën
urrej gjithçka që më bën të vuaj,
kërkoj pakëz prehje
dua, marrëzisht kërkoj vuajtjen
frymoj pa ngopje,
Zot!!!
Më jep dhe një kupë
le të dehem edhe sot me vuajtje.

Jam dhe s'jam me ty
Jam dhe s'jam me ty...
Prit, mbahu gjallë!
Shpreso, hidhe para vështrimin!
Dëgjo, timbra të rinj nga largkund!
Të ndjesh, aromën dehëse të verës së vjetër!
Jam dhe s'jam me ty;
Lotët, mund t'i fshehësh!
Mendime...
Më kot ngatërrohesh!

Kur të mendosh..
Kur të mendosh për mua
shiko lart në qiell,
është një yll që bie
digjet brenda thellë.
Kur të mendosh për mua
në një natë të ftohtë
s'do jem aty te ti,
por diku tjetër
ngrohtë e ftohtë.

Lozonjarja
Rrëshqet porsi ngjalë,
rrotullohesh s'di se si,
del e zhdukesh prapë
fshihesh, në hiç ti.
Vjen e më pickon
si bleta që s'jep mjaltë
ulesh, fluturon...
e zhytesh thellë në baltë.

Natën e mirë!
Para se të mbyll sytë,
të them: Natën e mirë!
Nuk mund të më dëgjosh,
megjithatë, unë kam dëshirë!..

Soditësi i ëndrrave
Frymën teksa ti fle
ta ndjej...
Mbështetur kryet
ke në supin tim.
Fytyrë që në gjumë flet
qesh e trishtohet
Papritur nis përpëlitesh,
hap sytë rrëqethur.
Fli dhe zgjohu në ëndrrën tënde,
nuk ke pse të trembesh,
jam unë, s'po më njeh!?
Soditësi i ëndrrave të përhumbura.

Perëndi e pafajshme
Poshtë rreve
mendueshëm
i thosha vetes:
Atje sipër, është Zoti!
Sipër, më lart se rretë u ngjita
dhe prapë pyeta vetveten:
Vallë ku humbi Zoti?
Sigurisht, ka ndërruar banesë!
Retë paskan qenë më t'frikshme
se oqean i tërë, shtullungash mistike,
aureolë e bardhë e përjetësisë
njerëzit miza duken, s'ka faj Zoti që s' i sheh...

S'mund të zhdukesh
Je ende pranë,
shumë afër meje,
anash,
lart,
poshtë,
nuk e di.
Por s'mund të zhdukesh
kur je në zemër
këtë e ndjej
kam siguri.

Zhytje në terr
Në celuloid ta ngurtësoja dashurinë
jo nuk munda, s'qe e thënë;
t'i pajtoja Djallin dhe Zotin,
dielli me hënën të takoheshin,
Dashnorë të thekur s'shihen kurrë,
sa shumë shkëlqim që japin,
por në errësirë largohen,
zhyten-humbin, thellë në terr.

Kujtesa e qytetit tim
Jetoja mes njerëzve
që dhe sot frymojnë
në ato rrugë,
në atë qytet.
Kalldrëmeve të ftohta
mbuluar nga bora
dridhen kujtimet e mbetura
fantazma
që enden
mes të gjallësh..

Ferr-Parajsa
Ferrin jetove me mua
Parajsën jetova me ty,
ndoshta të dyja ishin mes nesh
dhe askund nuk merrnim pjesë.
S'e kuptoj çfarë kemi bërë
në të mirë e në të keq,
di vetëm se shumë u deshëm,
u deshëm shumë për dreq!