| E shtune, 01.09.2007, 05:49 PM |
Prej 25 vitesh njeh vetëm ngjyrat kuq e zi të Milanit dhe gëzon famën e njërit prej mbrojtësve më të mirë në botë
Topi rrëshqet ngadalë mbi barin e lagur të fushës në qendrën sportive të Milanelos, ndërsa një "djalosh" rreth të 40-ve e sheh sikur ta kishte pronë të vetën. Fatkeqësisht, për shkak të një dëmtimi nuk mund ta prekë, megjithëse e di mirë se nuk i ka ngelur edhe shumë kohë për të kaluar çdo minutë me mikun e tij më të mirë. Edhe kësaj here përsëritet ajo që ndodh prej çerek shekulli, ose po ta mendosh mirë prej një përjetësie. Shiu ka pushuar prej pak minutash, ndërsa Kalac, një portier australian dy metra i gjatë, ecën në majë të gishtave të pantoflave të tij, pasi ka përfunduar dushin. Ankohet vazhdimisht për dhimbje shpine. Duket se është pikërisht kjo dita e duhur për të ndjerë dhimbjet e shpinës, muskujve, apo krahëve brenda hapësirës së Milanelos. "Djaloshi", i cilësuar ndryshe si flamuri i Milanit, është operuar gjashtë herë në 25 vjet karrierë: tri herë sepse i kanë thyer hundën, ndërsa herën e katërt për shkak të një problemi në kavilje. Por edhe gjunjët duket se kanë shkuar për llogari të tyre në këto dy sezonet e fundit: në fillim ai i djathti, pastaj i majti. Shokët e skuadrës thonë se kapiteni kuqezi është futbollisti i vetëm në botë i aftë të vrapojë pa "gjunjë". Paolo Maldini është operuar për herë të fundit më 29 maj në Anversa, nga profesor Marteens, një mjek belg i bërë i famshëm dhe i pasur falë aftësisë së tij me bisturinë dhe mundësisë për të shndërruar në robotë shumë prej atyre që japin shpirtin në fushë. Pas disa ditësh Paolo do të nisë stërvitjet në fushë, ndërsa në fund të shtatorit do të jetë gati për ndeshjen e parë të këtij sezoni që sapo ka nisur. Është pikërisht këtu, i ulur në një qoshe të Milanelos, që Paolo vendos të tregojë rreth sukseseve, "dështimeve", dhe se si ia bën që në moshën 40 vjeç (i mbush qershorin tjetër) të luajë në serinë A, në Champions League të vrapojë qindra kilometra mbi këpucët e rënda me taka, të kryqëzojë kokën dhe këmbët rreth tri herë në javë me kundërshtarë që mund të ishin fëmijët e tij. E pyes se kur mund të perëndojë një kampion i papërsëritshëm dhe një legjendë e gjallë si ai, ndërsa ai hap sytë e kaltër, buzëqesh dhe bisedon e fillon pikërisht për gjurin e majtë. "Më ënjtej dhe më shkaktonte vazhdimisht dhimbje, por më vonë zbuluam se ishte një kockë që më pengonte shtrirjen komplet të gjurit. Kam vuajtur shumë, por gjithsesi luajta shumë ndeshje, përfshi këtu edhe finalen e kupës së kampioneve në Athinë. Sa herë që futesha në fushë për nxehjen i thosha vetes: Nuk mundem, nuk e bëj dot, më dhemb me të vërtetë shumë. Pastaj, për 90 minuta entuziazmi dhe forca e vullnetit funksionin si qetësues dhe ilaç magjik. Më e keqja vinte më vonë".
Të dielave "heronjtë" e Milanit duken gjithmonë të rinj dhe të bukur. Plaken ditët e tjera, në fushë, ku shtrihen dhe provojnë skema apo në sallone ku çlodhen. Është pikërisht aty që ndiejnë se kanë paksa dhimbje shpine në pasditet me shi, frikësohen se ndonjë muskul i kofshës i sfilitur nga lodhja nuk ndalon së dridhuri pa ndihmën e ndonjë fizioterapisti. Dikur nuk ishte kështu. Kur të ikën rinia, sidomos në profesionin e tyre, është e vështirë. Të mëdhenjtë e tjerë kanë hequr dorë, Rosi dhe Billy Kostakurta, të tjerë janë në metrat e fundit si Kafu dhe Serxhinjo, dhe pëlqejnë të rrinë nën shoqërinë tyre si ujqit, ose vetëm si ujqërit e vjetër të kopesë. Më pas Maldini shton: "Në stërvitjet e vërteta është e pamëshirshme. Stërvitjet janë pasqyra më e mirë për të treguar atë çka po ndodh me ty. Unë e di që po plakem në mes të këtyre djemve gjithmonë e më të shkathët dhe më të rinj, por për fat të mirë metodat e përgatitjes janë personalizuar dhe më ndihmojnë për të zgjatur karrierën. Po të jap një shembull: kur luaja në krah punoja shumë me shpejtësinë dhe rezistencën, sot si qendërmbrojtës në pjesën më të madhe merrem me markimin. Në praktikë, gjatë javës nuk bëj gjë tjetër. Lodhem më pak, ndoshta dhe mbi të gjitha për këtë arsye ndihem shumë i fortë edhe pse gjymtyrët e mi dhembin". Kam qenë me fat, thotë. Por bujarisë së natyrës i është shtuar shumë edhe entuziazmi, ambicia dhe rreptësia e zbatimit të rregullave me përpikëri të paparë. Ka filluar që 16 vjeç, kurrë nuk është dëmtuar rëndë dhe është më tepër një nga ata që "thyejnë" shpirtin dhe kurajën, se sa këmbën apo kaviljen. "Nëse do të më kishte ndodhur që të rrija larg fushës për një vit e gjysmë, nuk e di se si mund të kisha reaguar. I përballoj problemet vetëm nëse gjendem përballë tyre. Mund ta imagjinoj se shumë gjëra do të vareshin nga marrëdhëniet e mia me familjen, nga afrimiteti me miqtë e mi. Për mua të luash futboll ka qenë gjithmonë një ëndërr që shihja edhe ditën, prandaj edhe sot kërkoj akoma të ndjek rutinën, pa u përzier me të tjerët. Nuk jam fantazist, por më pëlqen shumë estetika e profesionit tim. Më pëlqen të provoj një gjest që të më dallojë nga të tjerët dhe që përfaqëson njëkohësisht edhe një dëshmi personaliteti. Të stoposh një top në një farë mënyre, në zonën time më jep kënaqësi të paimagjinueshme. Në mes të të tjerëve në dhomat e zhveshjesh më konsiderojnë të gjithë më të riun. Por unë e di që realiteti është ndryshe". tani Maldini ndodhet në sallën e shtypit tërësisht të shkretë, i ulur në një bankë që i ngjan me ato që gjenden akoma në shkollat fillore. Në dorë mban një kapele bejsbolli blu dhe të kuqe. Dita e tij mbaron në orën 2 pasdite, ndërsa ajo e kolegëve të tij fillon në katër. E presin. Ai e di që pas disa javësh do të bashkohet me ta. Është kapiteni dhe në këto dhoma kur kalon ai të gjithë i hapin rrugë, një shenjë respekti. "Ujku" plak është sërish aty është sërish numri një. "Tani do të kthehem në Milano, më pret një pasdite si një njeri normal, fare e thjeshtë. E di që jam i privilegjuar por nuk jetoj në një planet tjetër. Mbi të gjitha qëndroj me fëmijët e mi. Nuk kam frikë të shoh trupin dhe kam frikë se mos plakem në mendje. Kam nevojë të ndihem gjithmonë i gjallë. Nuk do të shkoja kurrë për të jetuar në një ishull. Më pëlqejnë Milano dhe Nju-Jorku sepse janë qytete të zhurmshme dhe ndoshta kam nevojë për stres për t‘u ndjerë i qetë". Fëmijët e Paolos quhen Kristan dhe Daniel. Respektivisht 11 dhe 5 vjeç. I pari dëshiron të bëhet kampion dhe të mbajë veshur të njëjtën fanellë si i ati, ndërsa vogli, thotë shpesh Maldini, është një rrugaç simpatik që ngatërron gjithë botën. I kanë parë tek luajnë. Kanë qenë më me fat se ai (Maldini), që lindi pasi i ati ishte tërhequr nga sporti. Ata sigurisht do të donin që babai i tyre të mos heqë dorë kurrë. "Unë besoj te lumturia. E di që ekziston dhe di që ajo mund të përsëritet. Kam qenë shumë herë i lumtur, si atë herë kur në ekranin e ekografisë ndjeva të rrahurat e zemrës së fëmijës tim në barkun e bashkëshortes, Adrianës. Më ngjante çmendurisht shumë. Ishte njëlloj si unë kur isha gjashtëmuajsh. Nëse më duhet ta përcaktoj fjalën dashuri, më duhet të kujtoj atë pasdite në klinikë, atë imazh dhe atë emocion. Po përpiqem t‘i edukoj mirë fëmijët e mi, ashtu si prindërit tanë kanë bërë me ne, mbi të gjitha nëna ime, Maria Luisa, që dinte të na dëgjonte, të na fliste dhe të na jepte këshilla edhe për babin që ishte gjithmonë pas topit. Edhe unë flas shumë me Danielin dhe Kristianin. U tregoj atyre për fëmijërinë dhe adoleshencën time. U shpjegoj se ndoshta kam qenë më i lirë se ata, se në ato kohë kishte më pak rreziqe, se është e rëndësishme të dish të zgjedhësh, të kuptosh ndryshimin mes një shoqërie të mirë. Ashtu si të gjithë, kam ankthe dhe frikë për fëmijët e mi, megjithatë deri tani mendoj se kam qenë një baba i mirë, pavarësisht gabimeve, mungesave, lodhjes dhe mungesë së vëmendjes". Pastaj tregon se vitet e tij më të vështira kanë qenë ato nga 18 deri në 25 vjeç. "Isha shumë i turpshëm dhe më duhej të mësoja, ndërsa sot ndihem shumë i lirë që të them atë që dua të them. Nuk jam perfekt, por mendoj se jam një njeri i drejtë, një cilësi që e di që e kam, ndaj kërkoj që të tjerët ta respektojnë. Nuk i duroj dot tradhtitë, zilitë, gjërat e këqija, sepse kam përjetuar shumë të tilla, si në fushë, ashtu edhe në jetë. Nuk zihem shpesh, por kur e bëj në kokën time ka një arsye shumë të madhe dhe më pëlqen ta pranoj. Jam një njeri që më ngelet hatri shpejt". Në moshën 40-vjeçare mund të ndodhë që të japësh pak intervista, t‘i takosh miqtë vetëtimthi, të mos shohësh kurrë televizor, të mësosh anglishten vetëm, të dëgjosh radio dhe muzikë amerikane dhe të mendosh për të ardhme: trajner apo komentator sportiv, përse jo të dyja profesionet? Maldini kërkon të shtrihet në bregun e detit duke pritur me qetësi dhe entuziazëm perëndimin. Pas tetë muajsh do të heqë dorë nga futbolli, për të mos rrezikuar që të bëhet një djalosh-plak me uniformë dhe këpucë me taka, duke mos ndaluar dot asnjë kundërshtar. Disa ditë më parë, Adriano Galliani, administratori i deleguar i Milanit, i kërkoi se ç‘mund të bënte më vonë, ndërsa ai iu përgjigj: "Nuk e di, flasim pas ca kohe". Në shoqëritë e Berluskonit për të portat janë gjithmonë të hapura. "Do tërhiqem, sepse nuk dua të rrezikoj të shkoj më tej, sepse dua të arrij moshën 50 vjeç pa asnjë frakturë, sepse dua ta kem akoma mundësinë për të luajtur ndonjë ndeshje futbolli me miqtë e mi, apo tenis me fëmijët e mi. Do të heq dorë, sepse duhet të mbrohem dhe të kem një ekzistencë normale. Nuk kam frikë nga zbrazëtia, nuk do të nis një jetë të re. Sigurisht që do të më mungojë fusha, shokët e skuadrës, emocioni i një goli, i fitoreve, lotëve dhe inatit për një humbje. Megjithatë nuk do të bëhem kurrë trajner, është një zanat që nuk më pëlqen. Kur luan, duhet të komunikosh tri herë në javë me shtypin, duhet të drejtosh një grup prej të paktën 25 djem, të kesh biseda të ndryshme me drejtuesit dhe presidentin e shoqërisë, por edhe me Berluskonin. Duhet të udhëtosh në gjithë botën për të punuar dhe mua nuk më pëlqen të jem një turist me familjen time. Kjo është edhe një ndër arsyet që unë nuk u largova kurrë nga Milani. 40 vjeç fillon të flesh disa orë më pak dhe të mendosh gjëra që më parë as që i kisha imagjinuar. Maldini ul sytë mbi kapelën që mban në dorë: "Prej pak kohësh kam filluar të mendoj edhe për vdekjen, por asnjëherë ditën, gjithmonë natën, kur nuk më zë gjumi. Mendoj si do të jetë? E ndiej si pjesë të jetës, por për momentin nuk më tremb. Mendoj për të afërmit e mi, për veten. Jam besimtar, fëmijët e mi shkojnë në një shkollë katolike, ndërsa unë shkoj rrallë, shumë rrallë në kishë. Sforcohem ta mbaj Zotin brenda meje. Megjithatë i lutem shpesh Jezusit, apo Shën Marisë me fjalë që më dalin nga zemra, jo me fjalë standarde, që duhet t‘i mësosh në bibël. Nganjëherë lutem për njerëzit që Zoti t‘i mbrojë, por lutem edhe për paqen. Lutem për kë vuan larg meje, larg prej këtu, larg nga ne, ose janë edhe fjalë falënderuese për atë çka kam arritur në jetë, për çdo gjë të bukur dhe të lehtë. U them që shpesh privilegjet janë pasaporta drejt vetëshkatërrimit. Paolo Maldini më sheh si me turp dhe thuajse i ofenduar. "Mua nuk do të më ndodhë". E pyes se si dëshiron që ta thërrasin, ndërsa ai përgjigjet kështu: "Një njeri i thjeshtë".
Kur forca shkrihet me dëshirën
Koha ikën shpejt dhe sporti e tregon këtë më shumë se rrudhat në fytyrë. Jo për atë që duket, por për atë që nuk ndjen më brenda vetes. Pjekuria është periudha më e bukur, ndërsa dëshira për të markuar dikë ngelet vetëm një dëshirë. Është e vërtetë që mund të stërvitesh, të hysh me shokët në fushë, por janë muskujt ata që vendosin se çdo të ndodhë me ty. Për tifozët e Milanit bukuroshi 40-vjeçar është legjenda e gjallë e kuqezinjve, sepse të shohësh një mbrojtës që lufton për të markuar një kundërshtar rreth 15 vjet më të ri se vetja, nuk të ndodh shpesh.
Paolo Maldini, 39 vjeç, është akoma në fushë dhe ky është një lajm i mrekullueshëm për të gjithë ata që e adhurojnë. Sigurisht që nuk luan në të gjitha ndeshjet, por në finalen e Champios Leagueas ishte. Nuk është kampion bote, sepse u largua nga Botërori i 2002-it, por është gati për kampionatin që sapo ka nisur. Sigurisht nuk është më 20 apo 30 vjeç, por gjithsesi ka lënë gjurmë të pashlyeshme më shumë se plot 20-30 vjeçarë. Tashmë gjithmonë e më shumë ekziston mundësia për t‘u larguar nga fusha e futbollit shumë vonë: stërvitesh më mirë dhe punohet më shumë për të parandaluar dhe kuruar dëmtimet e ndryshme. Dikur tridhjetë vjet ishin thuajse fundi, ndërsa sot edhe në moshën 35 vjeç mund të flitet për kontrata dhe të ardhme pa u trembur aspak se dikush mund të të quajë "gjysh". Janë pikërisht ata që kanë një forme fizike të përsosur, si Pietro Vierchowod, që ka luajtur deri në prag të dyzetave, apo portierë si Ballota dhe Paljuka edhe ata 40 vjeçarë, Oskar Bevi, kapiten i Torinos edhe ai në të 40-at, apo Billi Kostakurta që hoqi dorë pikërisht kur mbushi këtë moshë. Pikërisht duke parë këto dhe të tjerë shembuj mund të thuash me plot gojën se shprehja "rini e djegur" nuk përdoret më. Paolo Maldini ka pasur një baba futbollist dhe trajner, ka parë, ka mësuar, ka kuptuar si "ushqehet" dhe shkëlqen një pasion, sepse ai gjithmonë ka dashur të bëhet futbollist. Kurrë nuk ka pasur shumë ndryshim midis asaj që ishte dhe mënyrës se si luante: ekuilibër, agresivitet, ndërgjegjshmëri. Kapiteni legjendar jeton në Milano, është gjithmonë i matur dhe i vendosur në ato që bën. Platini hoqi dorë nga sporti se u mërzit, edhe Tardeli gjithashtu. Sepse në një fare pike koka lodhet, ndjek mendimet e veta dhe nuk mendon më për trajektoren e topit. Në këtë pikë është e kotë të lodhesh me stërvitje të tjera. Për Paolo Maldinin në fakt ajo trajektore është akoma gjithçka, është një kometë, është universi. Muskujt nuk janë të lodhur, thjesht i përgjërohen dëshirës dhe vullnetit.