Fritz Radovani: Vrasja e At Lekë Lulit: Rastësi apo trathti?
| E merkure, 15.07.2009, 07:20 PM |
VRASJA E AT LEKË LULIT: RASTËSI APO TRATHTI ? Nga Fritz RADOVANIMe 16 Korrik 1944, plot 65 vjet ma parë u vra Atdhetari At Lekë Luli OFM. Për me shkrue objektivisht një ngjarje historike duhen disa kushte. Asht konsiderue kryesore çveshja nga pasionet përsonale. Kjo çveshje kryesisht vjen nga kalimi i një kohe ma shumë se 50 vjeçare nga fakti historik për të cilin do me shkrue. Mbas 50 vjetësh asht i domosdoshem vështrimi i ngjarjes nëpërmjet të arkivave. Të gjitha këto rregulla në fund të venë para alternativave dhe dyshimeve që njeriu vetëm me faktet duhet të arrijnë me dalë tek përfundimi i pranueshëm dhe logjik i historisë. Kush ishte At Lekë Luli OFM. ? Një djalë i Malësisë së Madhe që kishte lé me datën 8 Mars 1908. Mësimet e para i mori në shkollën françeskane të Shkodres dhe vazhdoi të lartat në Romë, Itali. Shugurohet Meshtar me 28 Dhetor 1935. Vjen profesor në gjimnaz të fretënve në Shkoder dhe asht edhe drejtues i Shoqnisë Antonjane të asaj shkolle. Aty Ai u gjet në një kohë shumë delikate, e cila e rrëmben me valët e veta kundër okupacionit fashist ashtu si pothyej krejt Klerin Katolik Shqiptar dhe, posaçerisht, Françeskanët... ndër të cilët, At Leka u arratis në Jugosllavi. Këte rrugë e zgjodhi për dy arësye: E para se, At Lekë Luli ishte ndër të paktit fretën që simpatizonte monarkinë zogiste dhe, e dyta, Ai nuk pajtohej me ideologjinë komuniste, e cila kishte fillue me bijtë ndër gardhiqet shqiptare... Në Beograd vazhdon rrugën e Tij antifshiste italiane dhe ban edhe përpjekje me u lidhë me ambasaden angleze atje. Beogradi si gjithmonë vazhdon survejimin e fratit, mbasi “besimi” i tyne ishte shumë i paktë, për mos me thanë i barabartë me zero. Rikthehët në Shqipni dhe në vitin 1943 asht pjestar i frontin antifashist, i angazhuem me mish e shpirtë me forcat e Legalitetit. Ky angazhim nuk ishte pa dijeni të Imzot Thaçit, Argjipeshkvit të Shkodres, por pa vullnetin e Provinçialit të posaemnuem At Mati Prennushit. Kjo ishte ajo kohë kur Don Luigj Pici deklarohej prift me mendime socialiste dhe Don Zef Shestani ishte plotësisht i mobilizuem me “Ballin Kombëtar”. At Lekë Luli në udhtim për me kalue Tropojën me një detyrë të ngarkueme nga vetë Abaz Kupi, në Pac, Bytyç të Tropojës, vritet trathtisht nga komunistët me 16 korrik 1944. Kjo vrasje e At Lekës, më ka shty me bisedue në vitin 1996 me At Konrrad Gjolaj, i cili më ka shpjegue se vrasja nga komunistët asht ba për dy motive: I pari, se At Leka ishte njeri me shumë autoritet në Organizatën e Legalitetit, gja, që shihej me urrejtje nga grupi i komunistave dhe, se, At Leka, kur asht kenë me fjetë në shtëpinë e bajraktarit të Tropojës, Sali Manit, asht kuptue nga ajo familje se At Leka, kishte me vete edhe një shumë të mirë napolona ari, të cilat mbas vrasjes kanë humbë, sigurisht, të vjedhuna nga vrasësit. Për këte trathti At Konrradi, ngarkon direkt djalin e Sali Manit, i cili ishte i përzimë me forcat komuniste, të cilat vepronin nën komandën e Rexhep Hakës. Për me sigurue vetën për këte vrasje, At Konrradi, në kohën e vuejtjes së dënimit në Burgun e Burrelit, ishte interesue e ishte informue nga një tropojanë i cili, ishte edhe ai i burgosun aty, pikërisht nga Bytyçi, ku ka ndodhë vrasja e At Lekës. Ai i kishte tregue se napolonat ar ia morën prita komuniste. At Konrradi nuk ishte aspak dakord me bashpunimin e At Lekës me zogista. Nuk ishte e papritun prej At Konrradit, trathtia e bame në Bytyç, mbasi atë ngjarje Ai e lidhte me shpjegimin e bamë në librin “Çinarët”, faqe 191, ku shkruen: “Kur Abaz Kupi iku prej Shqipnijet, i pat thanë atyne që shkuen në breg të Adriatikut, tash ju nuk kam si ju marr me vedi, por bashkonju me komunista! E vërteta asht se jugorët u bashkuen, dhe e shpëtuen lëkuren, na veriorët e “mendshëm” morëm malët për hirë të karakterit dhe, deri në 1953, ndejëm tue ngi egërsinat e malit me djelmët tonë, që qendruen heroikisht për mos me bashpunue me komunista.”. At Konrradi lidhte fatin e të dy klerikve, At Lekës dhe të Don Luigj Picit me dy grupe luftarësh të drejtuem nga njerëz që i kanë lanë në baltë... Në Arkivin e Shtetit Shqiptar në Tiranë, në dosjen “Françeskanët”, ruhet një letër e At Mati Prennushit, Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë (pushkatue me 11 Mars 1948), ku, në muejn Gusht 1944, mbas vrasjes së At Lekë Lulit, Ai urdhnon në mënyrë të preme të gjithë françeskanët e Shqipnisë, “mos me u përzi me punë politike”...tue i ba të kjartë edhe përfundimin e At Lekës... Kjo letër asht ruejtë me qellim me akuzue At Matinë, si klerik kundërshtar të lëvizjes nacional-çlirimtare. Por, At Matia, shpjegon: “Lëvizjen nacional – çlirimtare e dojshe se luftonin kundër okupatorit. Komunizmin e kam urrye... Ball e Legalitet kishte, por nuk jam marrë me to.” (Dosja 1302/II – A). Mbas vrasjes së At Lekë Lulit, Kleri Katolik Shqiptar e përcakton rrugën e vet që i duhej me ndjekë dhe, kjo, dëshmohet në muejn prill e maji të vitit 1945, kur në Shkoder vjen i deleguemi përsonal i Enver Hoxhës, Sejfullah Maleshova, i cili hiqej si bashpuntor i Fan Nolit, mbasi ishte kenë edhe sekretar i Tij, por këte herë si vegel e Enverit, për me i mbushë mendjen Imzot Gaspër Thaçit, që me lejue At Gjon Shllakun me formue Partinë Demokristjane të Shqipnisë. Imzot Thaçi, nuk pranon as me e diskutue këte çeshtje, kështu, tentativa e “kalit të Trojës” Maleshova deshtoi. Në të njajten kohë At Mati Prennushi, me urdhën të premë trasferon At Gjonin në Dukagjin, për me e largue nga sytë e komunistave. Veprimet e kordinueme të drejtuesve të Kleri Katolik, detyrojnë qeverinë komuniste me veprue haptas kundër tyne. Atëherë, kur instruktorët jugosllav detyrohen me veprue me metodat sovjetike, tue krijue akuza dhe procese false për zhdukjen e drejtuesve të Klerit. Procesi fals kundër Organizatës “Bashkimi Shqiptar” formue nga seminaristi Mark Çuni, nxjerrë në shesh fëtyren e vërtetë të komunistave shqiptar anadollakë në shërbim të shovenistave sllavo – komunistë jugosllav e rus. Ai proces vërteton planin që kishin që nga fillimi i vitit 1945 komunistët për eleminimin e At Gjon Shllakut, pikërisht, kur At Gjoni nuk ishte fare jo vetëm në qytetin e Shkodres, por as nuk kishte lidhje fare me Jezuitët, ku ishte formue Organizata “Bashkimi Shqiptar”. At Gjon Shllaku ishte një françeskan dijetar, prandej duhej zhdukë...se, kështu, ishte edhe porosia e “druzhe” Titos direkt tek E.Hoxha! Larg, larg trathtisë, larg mënisë e urrejtjes, larg përçarjes, larg vllavrasjes!Vrasja e At Lekë Lulit, At Gjon Shllakut, At Anton Harapit, At Bernardin Llupit, At Mati Prennushit, At Çiprian Nikës dhe arrestimet e mavonëshme të bame ndaj Klerit në përgjithsi, tue përfshi edhe ate shekullar që kishte fillue me pushkatimin e Don Lazër Shantojës e Don Ndre Zadejës, janë fatkeqsia ma e madhe që ka pësue jo vetëm Kleri Katolik Shqiptar, i cili, asnjëherë nuk do të mundet me e përsëritë ma atë Kler heroik dhe Atdhetar, por ajo asht edhe një humbje shumë e madhe për vetë pasojat e randa historike që po kalon gjithë Shqipnia. Qendresa dhe sakrifica e Tyne deri në vetflijimin Heroik për një Ideal të Shenjtë, mishnue në binomin “Atdhé e Fé”, janë kenë dhe mbetën të pavdekshme në Historinë e Lavdishme të të gjithë Popullit Shqiptar, i cili, jo vetëm, e ka vlersue me një admirim të veçantë Atè, por, kur asht kenë rasa, pa dallim Feje: Musliman, Ortodoks dhe Katolik kanë dhanë jetën së bashku, të lidhun dora dorës dhe janë rrokullisë në gropa të përbashkëta si vëllazën të vertetë, mbasi gjaku i përbashkët ishte i të njajtes Nanë, e cila, Ju pat mëkue qumështin e Atdhedashunisë së Shqipnisë salvueme... Ata vdiqen për një Ideal: Atdhé, Fé e Përparim! Shqipnia qé ku asht! Shqiptarë që doni me besue, qé ku asht Një Zot për të gjithë, që na dha Lirinë! Përpara Shqiptar, përpara për Përparim të Një Shqipnie të Bashkueme e Evropjane!Rrnoftë Shqipnia e Përparoftë nën Flamurin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Melbourne, Korrik 2009.
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.