Cikël me poezi nga Lediana Paja, "Lindja e Nimfës"
| E premte, 03.07.2009, 06:27 PM |
Lediana Paja
LINDJA E NIMFËS
1- Misteri i Adamit
-Adam, shtrihu në hije!
Adami shtrihet..
Ai projekton..
ngul daltat e tij imagjinarë mbi të..
Ai krijon..
Adami s'ndien..
Adami vështron..
Adami, i habitur, pyet..
-C'po bëni kështu?
-Është surprizë për ty, Adam, mos u shqetëso!
Adami qesh..
Adami vështron..
Adami merr në krahë surprizën..
Adami dhe sot vazhdon t'a kundrojë,
po aq këndshëm, sa dhe herën e parë..
me shpresën se së shpejti
do t'i vijë dita,
që ai të fillojë,
ta kuptojë...
misterin, që nga trupi i tij
gdhendën..
2- Dikur
Një copëz diell gjete dikur,
harruar në kaltërsinë qiellore;
i paqenë, deri në atë çast,
kur ti, frymëmarrjen ia ndjeve,
dritën ia ledhatove,
me rrezen e tij u ngrohe...
Një copëz hëne gjete dikur,
fshehur në kobin e natës
e zhytyr mes reve shpirt po jepte,
dhe ti, diellin kërkove,
rënkove përvajshëm ,
me nje qiri ne dorë, u kryqëzove...
3-Mos e kurdisni orën, Zotërinj!
Ç'vlerë ka kurdisja e orës?
Ajo të njëjtën gjë tregon!
Rrahje, rrahje pa mbarim...
Rrahje, rrahje pa destinacion...
dhe do të klithë,
dhe do të lodhet,
dhe do të pushoj,
lëreni!...
Mos e kurdisni më orën, zotërinj!
Ajo, nuk ka tjetër funksion,
veçse të zhbëj kohën,
sikur rrahjet e zemrës,
që për inercin, një ditë, do t'i ndalë...
4- Kryqëzime rrugësh
Sa çuditshëm priten rrugët e jetës,
pafajësisht, njerëzit verbohen..
Sa vrasje,
vrasje shpirtrash.
Sa intriga,
pjellë djallzore,
që nën hipokrizi, pandorizohen!..
Sa çuditshëm priten rrugët e jetës,
Pafajësisht, shpirtrat dashurohen..
Sa ëndrra,
ëndrra boshe.
Sa mëkate,
pjellë pasionesh,
që nën hënën e plotë, transformohen!..
Sa çuditshëm priten rrugët e jetës,
pafajësisht, lutjet drejtohen..
Sa kob,
kob i frikshëm.
Sa vrer,
pjellë zhgënjimesh,
që me dashuri, blatohen!..
5- Në ecje
Ecë.. ecë.. ecë..
bluaji shpirtrat
thyeji kafkat
thithe gjakun..
Ecë.. ecë.. ecë.
rrëmbe hijet,
fshihe natën,
gëlltit yjet..
Ecë ecë ecë..
kurvëro,
mashtro,
vidh,
vrit,
hesht për drejtësi,
mbaj ndonjë fjalim zyrtar,
ndërsa shaminë e diplomacisë,
varja kohës në busullën e saj!..
E nëse s'mundesh këto t'i bësh...
Nderja diellit mëndjemadh,
një copëz të vogël, kartoni...
6- Dekompozim
Sa njerëz heshtin dhe kur s'duhet,
të tjerë që flasin pa mbarim;
në universin e fjalëve
ata, predikojnë lutjet,
zhgënjimet,
ëndrrat,
mashtrimet…
Dhe flasin,
dhe era fjalët fryn,
ato kudo i shpërndan,
ashtu siç bën dhe me gjethet e vjeshtës,
që këmbët i shkelin,
i përbaltin këmbët,
i prishin,
i deformojnë,
i shkatërrojnë,
e ato dekompozohen
prishen,
vyshken ,
dhe dimrin e acartë,
lajmërojnë!...
7- Shebeku
Si shebek endesh rrugëve të natës
për të ndjekur orgjinë e saj.
Në thesin e mëkateve,
ofshamat e lodhura hedh.
Në mëngjes,
vegjet nis të rrahësh,
duke lidhur fatin në spangot e saj.
Mëkatet i kalon ndër fije një nga një..
Sa i bukur ky qilim ! – I përshpërit vetes,
dhe tokës si mbulojë ia shtron
Tashmë, ajo do të ndihet ngrohtë!
Në mbrëmje vazhdon të endesh si shebek…
Të nesërmen, sërisht, cohën e tokës do punosh ..
Shebeku* (endacak i varfër)
8- Trishtim..
Brishtësinë nga zhgënjimi i rradhës,
tretur në horizontin jetë,
kristalizuar në akujt e trishtimit,
përpiqesh të fshehësh diku.
Shpirtin tënd kërkon të ç'gozhdosh,
fatin e njerëzve të ndryshosh
mendimet e tyre të përtëritësh
mediokritetin kërkon të shndërrosh..
I pamundur të ndryshosh këtë fatalitet njerëzor
me thonj skalit zemrën tënde.
E çjerresh fort dhe gjakun në tokë lëshon,
e vampirët, qenie njerëzore, me gjakun tënd kungon...
9- Përse?
E ngjyeve penën ne katranin e zi të natës,
që eshklat e inatit e kishin flakëruar gjatë mbrëmjes;
dhe në mëngjes, hirin e tyre mblodhe vaditur me lot trishtimi
e në mbrëmje torturoje veten me të njejtën pyetje...
ku dhe oratori mbeti si kuak,
E pergjigjen kurrë nuk ta dha..
PËRSE?
VALLE?
PËRSE?
10- Kukullat moderne!
Dikur,
me kukulla nëpër duar,
luanit...
I përkëdhelnit,
ledhatonit,
krihnit,
ushqenit,
puthnit,
shuknit fort në tokë
kur kënaqësi, s'ju jepnin..
Sot,
si kukulla nëpër duar,
luajnë..
U përkeldhelin,
ledhatojnë,
puthin,
shtrëngojnë fort,
shukin, ashtu, si kukulla në tokë..
kur kënaqësinë s'ua falni..
*shuk=perplas, bere kruspull, germuq.
11- Fuga
Në krahët e një uragani
për një çast, u gjenda..
e drithëruar..
se fuqia e tij,
frymëmarrjen time,
në vorbullën e vet do shkrinte...
Rrëmbimthi ..
do më rrotullonte,
si tek ajo loja e fëmijërisë,
ku spangoja, fugën bën të levizë...
Ekzaktësisht,
ashtu unë ndihesha
fugë lëvizëse e litarit uraganor,
fugë, që lëviz instiktivisht,
duke vënë në punë
të gjitha energjitë e mundshme...
për të kryer rrotullime pa fund,
duke kënaqur epshin e tij të egër
ashtu si e shfaqte..
nën frymëfishkëllimën e vet...
12- Xixëllonja
Ajo ishte një xixëllonjë,
E ëmbël,
dritë vezulluese,
dalë nga fundbarku i saj
që terrin përreth, ta shponte...
Ishte lozonjare,
e ëmbla xixëllonjë..
Me flatrat e vogla,
ajrin pas vehtes e hidhte
kënaqësisht,..
Nga lart
njerëzit shihte,
herë me frikë,
e herë me krekosje,
kur ata mrekulloheshin
nga drita që lëshonte...
Ai e kapi atë një natë,
teksa ajo, fluturimthi.
para tij,
habituar,
kishte ndaluar...
I mrekulluar
lozi me të,
nën dehjen
e lëvizjeve te saj
drithëruese...
Por, nuk kaloi shumë kohë
kur ai,
lodhur
nga loja e saj
në ajër, dritëshuar, e flaku...
E trishta xixëllonjë,
territ, e frikur,
ligështisht
trupin, ia fali...
Për ZSH: Llemadeo
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.