| E hene, 20.08.2007, 02:39 PM |
As edicioni i 8-të i Butrintit nuk kurorëzon askënd me çmime
Dokumentari 13 minutësh që iu bë retrospektiv veprimtarisë 7-vjeçare të Festivalit, dhe më pas "Atelier 31", çeli netët e teatrit në skenën antike brenda sitit të Butrintit me "Medean" e Euripidit, me regji të Mikel Kalemit. Interesant ishte fakti që përballë "Medeas" shqiptare erdhi "Medea" angleze, e zgjedhur jo pa qëllim nga organizatorët. Ishte një mundësi për të ballafaquar dy kultura, dy gjuhë teatri dhe plot elemente regjisorialë dhe të aktrimit. Një përballje nivelesh. Kompania teatrore "Collisions" që solli një variant modern të Euripidit, preku për herë të parë në Shqipëri. Shekspiri erdhi dy herë, bëhet fjalë për "Nata e dymbëdhjetë" në lojën e artistëve të teatrit bullgar "Nikolai Binev" me regji të Krikor Azaryan dhe "Mbreti Simbërlen" nga Teatri Kombëtar gjerman i Timisoarës në Rumani, me regji të Alexander Hausvater. Një vepër që nuk është përkthyer ende në shqip dhe vjen në skenë përmes lojës spektakolare dinamike dhe një kostumografie të veçantë.
Ndërsa "Nata e dymbëdhjetë" na kthen në kohën e Shekspirit. Gjithçka u servir si të ishte shek. XVI, madje edhe rolet e grave u luajtën nga burrat. Teatri Kombëtar i Greqisë së Veriut me qendër në Selanik, me një tjetër vepër të Euripidit, "Bakantet" me regji të Tassos Ratzos. Teatri i Dramës së Beogradit për herë të parë na sjell një nobeliste të letrave, si dramaturge. Është Elfride Jelinek me "Një trilogji e vogël e vdekjes" me regji të Nebojsha Bradiç. Ndërsa Teatri Maqedonas me "Jonadab" të Peter Shaffer, nën regjinë e Dejan Projkovski. Edicioni i tetë i festivalit mbyllet nga Teatri Kombëtar i Tiranës me "Berberin e Seviljes" të Beaumarchais, premierë e 2007-ës, me regji të Eric Vigner-së. Edicioni i tetë “Butrinti 2000” është cilësuar si shfaqje me prurje artistike. Festivali për një javë përballi çasje regjisoriale dhe koncepte teatrale nga vende të ndryshme të Evropës.
“Festivali nga viti në vit sa vjen e bëhet më komunikues, ku pjesëmarrja e trupave është e larmishme”, - kështu e cilësoi aktori Robert Ndrenika. Ndërkohë që regjisori francez Eric Vigner si një mundësi e mirë që iu dha të shihte teatër ballkanik, të cilin e ka ndjekur pak. Vigner u përfaqësua me veprën “Berberi i Seviljes” të cilën e ka ndjekur me shumë makth nga frika e skenografisë, e cila ishte e gjatë 7 metra dhe jo fortë e përshtatshme për ambiente të hapura. Ndërsa ndër shfaqjet ai ka veçuar shfaqjen “Medea” të trupës angleze dhe veçanërisht “Jonadab” të Teatrit Kombëtar të Dramës së Maqedonisë. Por edhe edicioni i tetë i festivalit reflektoi mungesën e debatit kulturor. Diskutimet për çdo shfaqje ose u bënë nëpër tavolina, ose ishin mendime të thjeshta për prezantimin. Ajo që ra në sy për këtë edicion ishte vlerësimi që përgjithësisht iu bë interpretimit. Në të shumtën e shfaqjeve aktorët janë vlerësuar për lojën e tyre, edhe aty ku koncepti regjisorial kishte për të diskutuar, siç ndodhi me “Nata e dymbëdhjetë” e trupës bullgare, apo veçimi i personazhit të Medeas te trupa angleze dhe paraqitja e aktoreve femra në ekstazat e Bakanteve. Festivali është mbyllur me kaq. Ndërsa organizatorët synojnë rritjen në çdo vit. Por edhe pse kësaj radhe ishte folur me të madhe se do të kishte ndarje çmimesh, nuk ndodhi, kjo për mungesën e fondeve.
Rikthehet magjia e korit
I lindur në thellësitë e antikitetit, kori rilindi përsëri si instrument plotësues i shfaqjeve në skenën e Butrintit. Ky element i ri ishte prezent pothuajse nga gjithë trupat përfaqësuese. Diku pasiv, por plotësues i domosdoshëm i tragjedisë, e diku i konceptuar më modern. Në të dyja ”Medeat” atë shqiptare dhe angleze, ka paralajmëruar tragjedinë e madhe, ndonëse te kjo e fundit e shkurtuar në numër. I veçantë ka qenë kori i trupës serbe. Një kor që është vënë në funksion të zbërthimit të hermetizmit të “Triologjisë së vdekjes” së nobelistes Elfride Jelinek. I magjishëm është cilësuar momenti i ekstazës së Bakanteve te “Fjalët e Dionisit” të Teatrit Kombëtar të Greqisë së Veriut. Kori nuk ka munguar edhe te “Jonadab” e trupës maqedonase. Zgjedhja nuk ka qenë e lehtë. Regjisorët thanë se puna me korin ka qenë një proces i vështirë, por i domosdoshëm.