Ejup Ceraja: Tufë poezish për fëmijë
| E merkure, 24.06.2009, 06:28 PM |
Ejup Ceraja
Tufë poezish për fëmijë
MENDJA E NJERIUT
Mendja kurdoherë
I bën mrekullitë,
Edhe terrin e natës
E kthen, e bën dritë.
Mendja e njeriut
Fluturon e s'ndalet,
Sa çel e mbyll sytë
Kapton fushat e malet.
Sa del në veri e në jug
Sa te lindja e perëndimi,
Sa shkon drejt Universit
Sa kthehet te mësimi…
Kur fëmijët mësojnë
Ajo aty përqendrohet,
Pa e mësuar mësimin
Nga aty nuk largohet.
Po ndodh ndonjëherë
Kur sheh diç të keqe,
Bëhet ca më e ashpër
E bëhet më kryeneçe.
Por kur të mirat
E përcjellin në jetë,
Bëhet e këndshme
Si mali me fletë.
(2001)
KUR ISHA I VOGËL
Kur isha i vogël
Isha një çapkën djalë,
Kudo e kurdoherë
Synoja të jem i parë.
Isha i hareshëm
Plot shend e gaz,
Një vëlla e kisha para
Një motër e kisha pas.
Kur nëna bënte fli
Mua më kruhej vetulla,
Nuk largohesha që andej
Pa i marrë dy a tri petulla.
Edhe si bari me dele
Kam shkuar shpesh,
I ruaja me zell të madh
Po edhe me kujdes…
I bija mirë fyellit
Pothuaj për çdo ditë,
Si këngët e zogjve
Ia ndërroja meloditë.
Më së rëndi më vinte
Që nuk e harroj kurrë,
Kur më çonin në mulli
Për të bluar grurë…
Edhe për të tjerat
S'e kisha hiq më le(h)të,
Edhe drutë e dimrit
I përgatisja vetë…
Po kur për herë të parë
Ne e filluam shkollimin,
I doja shumë që të dyja:
Shkollën edhe mësimin.
Kështu e filluam mësimin
Siç thonë: Me këmbë të mbarë,
Vetëm pesa për çdo lëndë
I rendisja në ditar…
Nuk po e them këtë
Për mburrje a lavdërim,
Po asnjë orë as ditë
S'e kam huq në mësim.
Iu kam përmbajtur me xhelozi
Thënies së Naimit kurdoherë:
"- Vetëm dritë e diturisë
Përpara do na shpjerë!…"
Korrik -2003
VARGJET E TRETURA
Sapo Flonona e vogël
U shtri për të fjetur -
Nuk e merrte gjumi
Në mendime ish tretur.
I rridhnin mendimet
Shtrirë asaj pasdarke,
Thurte vjershë të bukur
Tërë si hoje mjalte…
I vinin mendimet
Varg dorë për dore:
"Do t'i qes të gjitha, tha
Nesër në fletore!"
Por, shumicën e tyre
Nata dikah ia treti -
Sigurisht gjumi i mëngjesit
Ia kishte marrë më veti.
Nuk dinte si t'ia bënte
Në mendime u tret:
"Më duhet t'i kërkoj, tha
Diku nëpër qytet!…"
Mendimi krejt huq
Asaj nuk i shkoi -
Të parin në rrugë
Xhaxhin poet e takoi.
-Ç'ke kështu, Flononë?
E pyeti xhaxhi poet -
Thua se të janë mbytur
Anijet në det!…
Flonona e vogël,
Duke e lëmuar ballin,
Mendueshëm xhaxhi poetit
Ia tregoi hallin…
-Ty sonte kur të biesh
Derisa të të marrë gjumi,
Do të vijnë prapë vargjet
Si rrjedh nën urë lumi…
Ngrihu dalëngadalë
Mendimet mos i "tremb",
Shënoi ato në fletore,
Ashtu si të vijnë me rend!
(2001)
FËMIJËT DHE POETI
Fëmijët:
- I nderuar xhaxhi poet
Fëmijët kudo dëshirojnë ta dinë,
Nga i merrni ju poetët motivet,
Kur e shkruani poezinë?
Poeti:
-Ah, kolopuçët e xhaxhit, u tha
Duke i qeshur këndshëm fytyra,
Ne të shumtat i marrim nga ju
E të tjerat i marrim nga natyra.
- Mirë i nderuar xhaxhi poet
Për ne kjo është një risi:
- Si i merrni motivet nga ne
Për ta shkruar një poezi?!…
Poeti:
- I marrim nga sjelljet tuaja
Në lojëra e në dëfrime,
Edhe nga përpjekjet që ju i bëni
Për shkollë e për mësime…
- Kështu që sa më me zell
Që ju fëmijët mësoni,
Aq më tepër për poezi
Ne poetëve na frymëzoni.
Fëmijët:
- Frymëzimi ynë për ju
Qenkan sjelljet tona të mira,
Po nuk e kemi aq të qartë
Si ju frymëzuaka edhe natyra?
Poeti:
- Ngado në natyrë
Që ta hedhësh shikimin,
Sheh gjëra të bukura
Që e japin frymëzimin.
- Kështu dielli, yjtë, hëna
Që shihen ditën a natën,
Në mbamendjen tonë
Na e shtojnë imagjinatën.
- Po edhe pyje, livadhe e ara
Që ne përreth i shikojmë,
Me bukuritë e shumta
Ne poetëve na motivojnë…
- Pastaj shpesët e ndryshëm
Të prirë nga bilbilat zë hollë,
Na motivojnë ne prore
Sikur ju pesat në shkollë.
Fëmijët:
- Tash i dashuri poet
Çdo gjë na e qitët në dritë,
I kuptuam motivet e ju poetëve
Kur i krijoni për ne poezitë.
25 nëntor 2004
DASHURIA E NËNËS
Nëna ime - nënë e dashur
Ti më do, ashtu si të dua,
Më e bukur se çdo flutur
Ti gjithnjë je për mua…
Këshillat tua - nënë e dashur
Ma bëjnë jetën si pranverë,
Në rrugë, në shkollë e kudo tjetër
Ato në mendje i kam përherë.
Dashurinë që ke për mua
Si gjithnjë e kurdoherë -
Edhe dimrin nënë e dashur
Ma lulëzojnë, ma bëjnë pranverë.
(1993)
TI, NËNË, MË KE…
-Ti, nënë, më ke si dallëndyshe
që në fluturim është përherë!
-Jo, bir, këtë mos e thuaj
se ajo vjen vetëm në pranverë!
-Ti, nënë, pra më ke pëllumb,
që fluturon lart kah eteri!
-Jo, bir, se unë kam frikë
mos në fluturim të grinë skifteri!
-Ani, nënë, ti më ke si dre,
që në pyje jetën e kalon!
-Jo, bir, se nëna ka frikë
edhe ujku atje jeton!
-Ti, pra mua, nënë këtë herë,
më ke luan edhe pikë!
-Jo, bir, ç'të bëj nëna
se luani jeton në Afrikë!
- Atëherë, pra, nënë e dashur,
a s'më thua se çka më ke?…
-Unë, bir, të kam shpirt e zemër,
andaj të dua kështu si je!…
Qershor - 2001
ËNDRRA E BENIT
Benin gjumi sapo e zuri
Në ëndërr sikur iu kishte dëftuar,
Lart në eter ëndrra e shpuri
Shkonte gëzueshëm duke fluturuar.
Fluturonte mbi male e kodrina
Mbuluar këndshëm me ngjyra-ngjyra,
I shihte të gjitha bukuritë…
Që i kishte krijuar Nënë - natyra.
Shihte kudo oxhaqe e fabrika
Gjer në skaje të larta të veriut,
Shihte qytete të pastra e të bukura
Që i kishte ndërtuar dora e njeriut.
Në ëndërr natyra atë e kënaqi
Me bukuritë mahnitëse të saj,
Por edhe të arriturat e njerëzve
Në çdo kënd e në çdo skaj…
Disi në ëndërr ai me shokë
Në fluturim ishte si në gara,
Po kur gjumi atij i doli
Jeta rridhte si përpara.
(1996)
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.