Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikel Poetik nga Ndriçim Ademaj

| E marte, 16.06.2009, 06:39 PM |


Le të mbetet këngë

Kjo që filloi kur mbaruan të gjitha
si belbëzim
si e sharë nënën

dhe mbaroi
kur fillova të të dua ty

le të mbetet këngë…

Adresa e vjetër

Ti s’ke mësuar si vdiset
As duke më mbytur mua

Nesër s’është ditë gënjeshtrash
e ne do t’i gënjejmë të tjerët
se jemi duke kërkuar fat tjetër
por ka kohë
që në bar-kafen e harruar
nuk hyjnë më fallxhesha harraçe

Të dy desh i dhamë fund
me zbardhues qarqafësh, ani
ka njollë që s’lahet
me atë oqean

ti ende mban fotografinë
kokëdhimbjen  time dhe një monedhë fati
E di?
Bari i fatit ka ndërruar emër
ti ke ndërruar adresë
edhe unë jam
gati...

Deri në fund të lojës

Pas mbrëmjes së çoroditur
gjithnjë do të vijë e pa thirrur
një ditë e pëgërë

e unë mendohem dy herë
t’i laj a mos t’i laj sytë
se s’dua të të shoh ty në pasqyrën time

ti dhe unë kemi fytyrë të njejtë
të njejtat mrrola, të dy flemë përmbys
dhe dashuritë
që shkuan ashtu si shkuan…
hesht, per ato nuk te pyes

pas nesh
gjithnjë do të vijnë të çmendur të tjerë
dikush duhet ta shqelmojë globin
deri në fund të lojës…

Kafe me mikun

Kamarier,
               një kafe…

miku mi tregon venat e prerë dikur
shenjat e kujtimeve në spitalin e të çmendurve
brunet e harlisura, torturat e netëve të verbëra...

              edhe një gotë ujë, të lutem...

se pesë tentim vrasje nuk përbihen lehtë
as librat e ndaluar n’podrumet e kryeqytetit
e as libreza e kuqe nuk digjet si gazetë,
miku im sonte po sheh edhe me syrin e verbër

na sill nga një
                       kafe
kamarier...

Monotoni

Qe, po shkon edhe ky vit
e qyteti i lodhur po zgjohet hutueshem

me kolona veturash të ngadalta
që ndërsejnë njëra tjetrën
mes njerëzve të panjohur
të mbarsur me shpresë
përbihem

mes tyre kërkoj fytyrën time
në sytë e tu
të mundohem edhe sot
t'i buzëqesh dikujt me zor

qe, po shkon edhe kjo stinë
njerëzit e mbarsur me shpresë
po i presin lindjet
e ne që kemi abortuar
presim nga një biletë
që na qon larg prej ketu...

Gëzuar

Të jetë me ngjyra
fundi i fundeve,

tek e fundit
me ngjyra le të jetë
ani pse ne u pamë
veç bardh e zi…