Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ideologu dhe mbështetësi i çështjes kombëtare

| E shtune, 13.06.2009, 01:47 PM |


Nga Sadri REXHEPI

Kontributi i Jusuf Gërvallës në Lëvizjen Kombëtare

Jusuf Gërvalla u lind në fshatin Dubovik të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Gjimnazin në Deçan. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, Dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Një kohë punoi si sufler (pëshpëritës) në Teatrin e Prishtinës, pastaj përkthyes dhe gazetar i gazetës "Flaka e Vëllazërimit" në Shkup.

Prej vitit 1973 e deri në arratisje në vitin1979, ai punoi gazetar i rubrikës së kulturës në të përditshmen "Rilindja" në Prishtinë. Kurse në mërgim, përkatësisht në Gjermani, punoi si redaktor në gazetat "Bashkimi", "Lajmëtari i Lirisë" dhe "Zëri i Kosovës". Jusufi ishte organizator i shumë protestave në Gjermani dhe në vende të ndryshme të Evropës në mbështetje të demonstratave të vitit 1981. Një mbështetje të madhe i dha çështjes shqiptare në përgjithësi, por në veçanti kontribuoi në Republikën e Kosovës përmes intervistave që ua dërgonte personaliteteve me influencë në jetën politike gjermane lidhur me kërkesat legjitime të popullit të Kosovës. Me anë të letrave mbante kontakte edhe me Enver Hoxhën, duke i bërë shumë vërejtje me qëllim që ta mbështeste çdo lëvizje përparimtare që do të lindë dhe do të punonte për të mirën dhe ardhmërinë e Kosovës. Jusufi po ashtu në ato letra shprehte pakënaqësinë lidhur me trajtimin e të arratisurve dhe të përndjekurve kosovarë nga regjimet e ndryshme serbo-jugosllave,të cilët donin të gjenin strehim në Shqipëri.

Bashkëpunimi

Gjithashtu bashkëpunim të ngushtë mbante me patriotin dhe veprimtarin vizionar Metush Krasniqin në Kosovë dhe veprimtarin tjetër në Turqi, Sabri Novosellën.

Me qëllim të ndriçimit dhe begatimit të veprës dhe figurës së sipërshënuar autori i këtyre rreshtave gjatë vitit 1995 mblodhi mbi 60 deklarata (intervista) nga bashkëpunëtorët e tij të veprimtarisë në Perëndim. Mirëpo pas arrestimit tim nga policia serbe më 24 dhjetor 1995, disa nga deklaratat më janë humbur pasi që ishin të shënuara në bllok shënimet të cilët m’i konfiskuan policët serbë.

Në bazë të shkrimeve që i dedikohen Jusuf Gërvallës gjer tani dhe deklaratave të bashkatdhetarëve del qartë konkluzioni se ai ishte njëra ndër fytyrat më të shquara të historisë sonë më të re kombëtare. Ai diti të përballojë me mençuri rrebesheve dhe furtunave duke i sfiduar si në Kosovë po ashtu edhe në mërgim. Vështirësitë që iu krijuan atij në Kosovë për të zhvilluar veprimtarinë e tij letrare e kombëtare për

ardhmërinë e Kosovës e të popullit shqiptar në përgjithësi ia lehtësuan bashkatdhetarët dhe vëllai i tij Bardhoshi që punonin në Perëndim, me ndihmën e të cilëve në kohën kur e kërkonte UDB-ja dhe shërbëtorët e saj, ai u largua nga Kosova e u vendos në Gjermani.

Frymë e re

Sistemi titist-rankoviqist ishte munduar që ta përkulte dhe ta thyejë, por kurrë nuk arriti . Ai kishte kryer shumë punë për të mirën e kombit ilegalisht dhe konsiderohej figura kryesore që mbante lidhjen në mes të grupeve ilegale që vepronin në Kosovë bashkë me ato që vepronin në Perëndim. Këto veprime madhore ai i ndërmori ilegalisht në Kosovë në vitet e 70-ta. Kurse në Gjermani ilegalisht në vitet e 80-ta. Këso veprimesh ndërmerreshin vetëm nga njerëz vërtet të gatshëm për sakrificë e vetëflijim e jo nga disa që nuk donin të hynin siç thotë "populli për së ngushti" për të kërkuar Republikën e Kosovës.

Jusuf Gërvalla solli një frymë të re në Perëndim në LPRK dhe luajti një rol të rëndësishëm në formimin dhe brumosjen e veprimtarëve tjerë shqiptarë me virtyte kombëtare, me qëllim që të ndahen nga klubet jugosllave të asaj kohe, të mos ndikohen nga kultura jugosllave, nga parullat e “vëllazërim-bashkimit'', nga kremtimi i datave historike të Jugosllavisë, e kjo do të thotë praktikisht të bënin një jetë të pastër dhe të ruanin një unitet të gjuhës, traditave e zakoneve tona kombëtare që ditëm t’i ruajmë gjatë shekujve nga pushtues të ndryshëm dhe regjime të ndryshme. Gjithherë apelonte që t’i shënojmë datat e ngjarjeve të mëdha dhe personaliteteve të historisë sonë kombëtare. Këshillonte që të anëtarësohen sa më shumë shqiptarë në LPRK dhe thoshte duhet të ruhemi nga individët e ngarkuar me prirje antikombëtare, të cilët më tepër angazhohen për ngatërrimin e punëve sesa për mirëvajtjen e tyre'. Këta duke shfrytëzuar situatën momentale dhe anarkinë që mbretëronte në këtë mjedis kanë nisur gjuhën e tyre që në të vërtetë është kundër ose në dëm të bashkatdhetarëve të vet. Prandaj, me qëllim para pengimit të këtyre veprimeve, kërkohet nga bashkatdhetarët tanë që t’u drejtohen atyre individëve që në të ardhmen nuk do të ngelin të paidentifikuar.

Faktori i rëndësishëm

Së këndejmi Jusuf Gërvalla se bashku me vëllain Bardhoshin dhe shokun Kadriun përbëjnë një treshe mjaft më rëndësishme --fuqishme në panteonin e ngritjes së vetëdijes kombëtare në mesin e shqiptarëve të mërgimit në vitet e 80-ta. Duke analizuar veprimtarinë e larmishme të Jusufit si gazetar, poet, muzikolog dhe konceptet politike e ndjenjat patriotike vijmë në përfundim se emrat e veprimtarëve të sipërshënuar ishin bërë sinonim në manifestimet që organizoheshin aso kohe në perëndim për formimin e Republikës së Kosovës.

Kështu që, në kremtimin e Ditës së Flamurit në vitin 1981 pikërisht në Shtutgard të Gjermanisë në të cilën Jusuf Gërvalla ka mbajtur referatin kryesor, ku ndër të tjera thotë ''Kosova Republikë nuk është kërkesë e thjeshtë, sepse Beogradi do të kishte dhënë: ja merreni , por Kosova Republikë do të thotë shtet për të cilën edhe duhet dhënë jetën bijtë me të mirë të popullit shqiptar ''. Kjo devizë tregon se ai kishte aftësi organizative dhe ishte gjithnjë i pranishëm në mesin e bashkatdhetarëve me të cilët organizonte shumë tubime. Këtë më së miri e dëshmon ai që me një vullnet dhe me një entuziazëm kreu shumë punë edhe sa ishte në Kosovë edhe kur doli në perëndim, sepse mblodhi e tuboi në lëvizje veprimtarë e atdhetarë të flakët të sakrificës e të vetëflijimit.

Për Jusuf Gërvallën një shok i ngushtë i tij veç të tjerash thotë se ai ishte poliglot i vërtetë, andaj çdoherë kur takoheshim nëse nuk më rren përshtypja ma thoshte mendja se para meje qëndron njeriu me një energji të madhe krijuese me një shpirt subtil dhe kombëtarë për arsye se kërkonte që të gjithë bashkatdhetarët të angazhohen për çështjen tonë.

Me shpërndarjen e afisheve, me organizimin dhe pjesëmarrjen e tyre në demonstratat e vitit 1981 në Kosovë e në trojet shqiptare në ish - Jugosllavi me qëllim që të kuptojë Evropa fajin që shqiptarët mbetën nën robërinë sllavo-greko, se shqiptarët nuk pajtohen me fatin e hidhur apo tragjedinë që ua caktojë Evropa më 1913, 1918, 1920, 1945. Së këndejmi, Jusufi edhe praktikisht, me qasjet e tij origjinale përpilonte afishet e parullat që përdoreshin në demonstratat e shqiptarëve kudo nëpër Evropë.

Atentati

Mirëpo për fat të keq zemra e Jusufit pushoi së rrahuri pas dy atentateve më 1982, të cilat i organizoi UDB-ja jugosllave, para se Kosova të shpallej Republikë për të cilën u angazhua shumë. Për këtë arsye dhe si intelektual që ishte ai duhet të renditet përkrah atyre që inspiruan dhe punuan për lirinë e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, si Gjon Sereçin, Ibrahim Lutfiun, Marie Shllakun, Mulla Idriz Gjilanin, Shaban Shalën, Fazli Graiqevcin, Metush Krasniqin etj.

Ai shkoi me shpresën e pritur shumë vjet të popullit shqiptar se kur do ta shohim Kosovën e lirë.

Me këtë tast kujtohet janari i përgjakur kur në qytetin e studentëve në Prishtinë, konkretisht në konviktin Nr. 4 kur arriti lajmi për vrasjen e tre veprimtarëve, lajm që u prit rëndë dhe me plot lot e dhembje që tronditi thellë shpirtërisht, sepse vrasja e tyre ishte humbje e madhe në përgjithësi për çështjen kombëtare, kurse në veçanti diaspora humbi kreun udhëheqës. Ndërkaq poezia shqiptare humbi nga radhët e veta poetin afirmativ, publicistika gazetarin e mirënjohur, kurse muzikologjia njërin ndër krijuesit e spikatur të krijimtarisë së artit e muzikës shqiptare.

Kundërshtari i regjimit

Udhëheqësi i shqiptarëve në Perëndim, poeti, gazetari, veprimtari i shquar Jusuf Gërvalla gjatë gjithë veprimtarisë së tij patriotike kundërshtoi hapur diskriminimin dhe dhunën e pushtuesit sllavo-serb si dhe burgosjet të shumta që u bëheshin shqiptarëve para e pas vitit 1981, thuhet në një intervistë dhënë një gazete gjermane që u botua për herë të parë më 1988 edhe në gjuhën shqipe. Studiuesit e letërsisë kur bëjnë fjalë për poetët që shkruan për vendlindjen, Jusufin e krahasojnë me ndjenjën më të fortë të mallit për atdheun që patën Naimi e Mjeda, të cilët jetuan e vdiqën në mërgim. Ndërkaq poeti i madh Zeqir Gërvalla në një portret përkujtimi në vitin 1995 veç të tjerash tha edhe këtë: Pas vrasjes së Shaban Shalës nga Llapi-shkëmb kundër veriut.

Pas vdekjes së Fazli Graiqevcit nga Drenica flakë e pashuar e Qyqavicës, në fillim të viteve të 60-ta nga torturat e UDB-së kriminale, në burgun e Prishtinës, këta dy martirë me veprimin e tyre dhe guximin e tyre u bënë Flamur Qëndrese. Që atëherë e sot valojnë në qiellin e ndërgjegjes sonë...Dhe në atë valim të dukshëm e të padukshëm, gjetën edhe një shpirt...U bënë tre...E që të tre u shkrinë në një. E ky ishte Jusufi i Lëvizjes...Krah i Bacë Metushit. Prijës për liri e ribashkim kombëtar, që veproi në mesin tonë, në

tokën tonë, nën qiellin tonë. Ai edhe shihej, edhe nuk shihej. Kur zbulohet, për çudi nëpër kthetra u ikë barbarëve të zinj, si drita nëpër errësirë.

Dritë pas drite thyen kufij, zhbiron terrin... Vepron dritëron mes dritash në Gjermani si Bacë Metushi në Kosovë--Shqipëri...por edhe atje përbirohen korbat e zinj. Dhe në natën e errët të 17 janari 1982 në Untergruppenbach afër Shtutgarditr, shitojnë nga pusia në pabesi...

Luftëtari i penës

Kështu që në bazë të asaj që u tha më lart Jusufi me punën e palodhshme e pasuroi veprimtarinë poetike shqiptare, e në anën tjetër shkruante referate për lëvizjen...Pra ai angazhohej për të mirën e popullit dhe ardhmërinë e tij në të dy krahët ilegalisht edhe legalisht. Ai kishte kryer shumë punë për të mirën e kombit në konspiracion. Sido që të jetë, emri i tij ka qenë dhe do të mbetet figura më poliedrike për të gjithë shqiptarët. Ai la gjurmë të pashlyera në letërsi, muzikë, teatër dhe në përgjithësi në artin bashkëkohor. Jusufi u largua nga kjo botë ende pa e realizuar amanetin e Metush Krasniqit, idetë dhe parimet e NDSh-së. Hijet e zeza e përcollën dhe ia shuan jetën në vlugun më të madh të punës intelektuale për realizimin e aspiratave tona gjithëkombëtare. Qëndroi heroikisht dhe asnjëherë nuk u thye ndaj detyrave që i kishte shtruar vetes dhe kombit të vet. Jusufi ishte një luftëtar i penës në zjarrin e lirisë. Zemrën e kishte mal, ku secili atdhedashës mund të zinte vend. Jehona e shkrimeve të tij u dëgjua deri në Beograd, në Athinë, e deri në Rusi. Andaj mund të konkludojmë me një thënie të një poeti tonë se atë që bëri Skënderbeu me shpatë e bëri Jusufi me penë!

Bota Sot