E shtune, 27.04.2024, 08:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Peizazhi në poezinë e Lasgush Poradecit

E marte, 09.06.2009, 09:17 PM


PEIZAZHI NË POEZINË E LASGUSH PORADECIT*

Nga Halil Haxhosaj
 
Vepra letrare e Lasgush Poradecit është studiuar, pothuajse nga të disa këndet, është trajtuar nga të gjitha format dhe është vërejtur e parë nga të gjitha nivelet dhe stadet. Andaj, sot, pas një kohe të gjatë të marrjes me studimin e të gjitha aspekteve të poezisë së Lasgush Poradecit, është vështirë të gjendet ndonjë element i veçantë. Por, megjithatë, kësaj radhe interesimi im do të përqendrohet në poezinë e peizazhit, gjegjësisht në peizazhin në poezinë e Lasgush Poradecit. Që në fillim mund të konstatoj se kjo formë e poezisë nuk është e re në poetikën këtij poeti.

Peizazhi si formë poetike

Peizazhi si formë poetike, e sidomos si frymëzim lirik i përshkrimit dhe paraqitjes së natyrës në poezinë tonë artistike i ka rrënjët që nga poezia romantike, pra që në poezinë e Rilindjes kombëtare shqiptare. Peizazhi është trajtuar në poezinë e Naim Frashërit, De Radës, Çajupit, Serembes, Shirokës, e sidomos në vargjet e vëllimeve të para poetike të Asdrenit. Vepra “Bagëti e Bujqësia” e Naim Frashërit është një krijim letrar që mbështetet mbi përshkrimet e bukurive të mahnitshme të natyrës shqiptare të shekullit të XIX-të. Qëllimi i autorit të kësaj poeme ishte zgjimi i dashurisë ndaj atdheut të shqiptarëve, të cilët jetonin larg Shqipërisë. Dhe kësaj Naimi ia arriti duke e derdhur tërë inspirimin e tij, tërë frymëzimin dhe mallëngjimin me figura, shprehje dhe qëndrim romantik ndaj natyrës së atdheut. Elemente të tillë hasen edhe tek autorët e tjerë të kohës që u përmenden më lartë.
Një pjesë e dallueshme në poezinë e Lasgushit Poradecit është edhe poetika e natyrës së peizazhit që poeti ia kushton vendlindjes dhe atdheut të vet. Këtë, ai e bërë në mënyrë mjeshtërore, sepse ia mundësoi studimi në Akademinë e arteve të bukura në Austri si dhe marrja kohë pas kohe më pikturë. Por, cikli i këtyre poezive nuk është i veçantë në asnjërën nga veprat e tij. Ai është i gërshetuar me të gjitha aspektet e saj, madje gjendet kudo edhe në poezinë patriotike, filozofike – meditative, refleksive e sidomos në atë me tipare erotike, apo siç thuhet me gjuhën e teorisë së letërsisë, në poezinë e dashurisë, në poezinë idilike, baritore etj. Që në fillim mund të thuhet së poezia e peizazhit e Lasgush Poradecit jeton në simbiozë figurative me të gjitha nivelet dhe aspektet e tjera të saj. Kjo simbiozë ka nuancat e një mozaiku e koloriti të ngjyrave, pamjeve, situatave e sidomos të përshkrimeve që poeti me vargje ia bën natyrës së vendlindjes. Kështu lirikat e këtij aspekti, pra lirikat e paraqitjes së peizazhit, dëshmojnë për mjeshtërinë e lartë artistike të Lasgushit dhe ato shfaqin pikasjen e bukurisë së natyrës shqiptare, shprehin ndjeshmërinë e thellë, shijen e hollë dhe plasticitetin e dalluar në përshkrimin e bukurive të vendlindjes, e sidomos të anëve më karakteristike, siç janë: valët, liqeni, perëndimi, era, dremitja e liqenit, barka, anija, vagëllimi, gjeratoret, vazhda e ndritur, tallazet e detit, shushurimat, fluturimi i shtërgut, valëzimi i barkës, jehona e lopatës, mërmëritja e ujit të kroit dhe  të tjera karakteristika dalluese.

Lirika e peizazhit të vendlindjes

Tek lirika më e njohur e këtij motivi, “Poradeci”, poeti paraqet një pamje të veçantë të vendlindjes së vet, e cila është më dalluese. Poeti ngjyros pamjen e vendlindjes së vet, duke derdhur ngjyrat e një qasjeje disi më faktike dhe qenësore. Nuk ka gjë më të shtrenjtë se vendlindja për individin. E tillë ajo është edhe për poetin, ndaj çka do që thotë për të i duket pak sepse:

Perëndim i vagëlluar mbi Liqerin pa kufir

dhe, madje, aty përhapet

 ... një pëlhurë si një hije

 ku mbi fshatin mbi dhe buzë liqenit dhe valës

Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’i i natës bëhet fir.

Në këtë pamje, por edhe në disa të tjera shihet qartë sikur dorë e poetit bëhet brushë e piktorit dhe heq mjeshtërisht pamjet e bukura, por të thella, madje edhe të theksuara të natyrës. Duhet pranuar se kjo nuk është pamje parajsiane, as parnasiane, por është një peizazh plot ngjyra, thellësi, përjetime dhe shprehje lirike. Të gjitha këto dhe përshkrime të tjera i japin poezisë një timbër tjetër, por jo edhe romantik. Kështu dalëngadalë edhe te kjo poezi ngrit krye motivi patriotik sepse:

Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë

edhe atëherë kur

Në katund kërcet një portë ... në Liqer heshtë një lopatë ...

Kjo heshtje nuk është e rëndë, por as e bukur, ngase gjithë njerëzinë e ka zënë gjumi dhe errësira zotëroi në katër anët. Mirëpo, përkundër kësaj gjendjeje jeta nuk topitet, por rri zgjuar në meditimin e ri të poetit, i cili është patriotik që ka domethënie dhe peshë të madhe ngase poezia përfundon me dy vargje tetërrokëshe të dyzuara, të cilat në mënyrë madhështore paraqesin pamjen tjetër që është peizazhi gjeografik i tokave shqiptare të Shqipërisë së ndarë dhe lumi Drini është simbol i paraqitjes së peizazhit në rrjedhën shekullore të jetës specifike shqiptare.

Duke nisur udhëtimin mes për mes për Shqipëri,
Drini plak e i përmallshëm po buron prej Shëndaumi.

Objekti i pafund frymëzimi për poetin Lasgush Poradeci është liqeni. Zakonisht përshkrimi dhe paraqitja e peizazhit të liqenit është i bashkëdyzuar me motivin e dashurisë dhe nuk ndahet nga ai. Këtu përkujtohet imazhi i kujtimeve dhe përmallimet e poetit për vashën e zemrës, e cila paraqitet në kopshtin e shenjtëruar që mbëltohet nga hapi i saj që e bleron edhe më shumë atë. Kështu zemra e poetit ndizet dalëngadalë kur dalin yjet dhe ai dehet sepse:

Kuptoj si shpirtin vjershëtor
Ma frymëzon një mall i ri.

Edhe zemra e liqenit sikurse ajo e poetit pushon në mes të ditës për të pasqyruar buçitjen e tij shndritëse.  E gjithë kjo ndodh kur diku në horizontin e largët mbi liqe nis agu, i cili dritësohet me një mëngjes përrallor shprehur në lirikën “Mëngjesi”. Kjo dritë e ditës së re i venit yjet e natës, por ylli i dritës që tretet tinës është

Posi një sumbull prej sheqeri

 dhe lajmëtar-mëngjesi është zog i bardhë i një nositi. Të gjitha këto visare të peizazhit të liqenit dhe natyrës së vendlindjes i gjejmë në poezitë: “Poradeci”, “Dremit liqeri”, “Liqeri”, “Mëngjesi” e ndonjë tjerët.

Peizazhi në poezitë për stinët

Lasgushi Poradeci, aspekte të peizazhit ka paraqitur edhe në poezitë e tjera të veprave të tij poetike “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”. Në disa sosh ai paraqet përshkrimin e bukur të mëngjesit, perëndimit të diellit, natës, yjeve, valles së tyre, yllit të zemrës dhe në disa të tjera. Por ai me një qasje shumë lirike dhe tejet interesante do të shkruaj lirika të peizazhit edhe për stinët e vitit, muajt e begatisë shqiptare, si për vjeshtën dimrin, pranverën, por edhe për gjahun, korrikun.
Në poezinë “Korriku” poeti paraqet pamjen e këtij muaji të begatisë, korrjes, shirjes  dhe vapës në vendlindjen e tij. Korriku këtu është një afsh i dendur dhe dielli përvëlon si prush ku gjithçka duket e vdekur sepse natyrën e ka mbërthyer një zjarr përvëlues dhe jehona e cicërimës së gjinkallave. 

  Një afsh i dendur avullon në erë
  Po përvëlon një diell posi prushi

Por këtu ekziston një jetë e begatisë sepse diçka piqet e dikush është fatlum:

   U poq kajsia. Bari është i prerë
   Rri në shullër fatlum një zog ardhushi.

Ndërkaq, në poezinë tjetër “Mbarim vjeshte” shfaqet e shpërfaqet një pamje tjetër e peizazhit të tokave shqiptare. Poezia fillon me fluturimin e shtërgut, lejlekut, që paraqet mbarimin e stinës së nxehtësisë dhe fillimin e stinëve të ftohta.

  Fluturoi dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
  Duke shkuar që me natë sipër malesh me dëborë ...

Mbarimi i vjeshtës është edhe simbol i mbarimit të një jete dhe fillimi i një tjetre. Është kjo koha kur ikin zogjtë shtegtarë, të cilët do të kthehen sërish në fillim të pranverës. Përveç peizazhit këtu poeti paraqet simbolikisht edhe shkuarjen dhe ardhjen e mërgimtarëve shqiptarë në kohëra të ndryshme. Përveç poezive për liqenin në këtë poezi poeti paraqet më se miri dromca lirike të përshkrimit të natyrës në mbarim të stinës së vjeshtës. Edhe kjo poezi është e ndërtuar me vargje tetërrokëshe të dyzuara të cilat kanë shtrirje në strofa katërvargëshe me rimë AABB. Strofa e fundit e kësaj poezie paraqet pamjen më të bukur ku poeti shfaq me lirizëm figurativ peizazhin e bukur ku shtërgun e quan dhëndër me kurorë, kurse krillën një vashë të nusëruar.

  O! Sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
  Kur bariste dal-nga-dal – posi dhëndër me kurorë!...
  E kur pranë i vinte krilla, që shndrij më kraharuar,
  Me sy lart, me hap të matur – posi vashë e nusëruar!...
  

Kjo pamje peizazhike e Poradecit është uverturë për fillimin e dimrit, i cili ia rrëmben gëzimin dhe ia humb diku kur nga malet fillon të bie dëbora e bardhë dhe e ftohtë. Flokët e saj bien një-nga-një mbi katundin e shkretuar dhe mbulojnë me të bardhë dheun. Poeti nuk e do një fjetje të tillë, andaj psherëtinë i trembur duke u frikësuar të mos vdes.
Për ta ndryshuar këtë pamje të zymtë të peizazhit dimëror, poeti Lasgush Poradeci, këtë e bën në vargjet e poezisë “Gjahtori”. Kjo është poezia më e gjatë e peizazhit dhe përbëhet prej dymbëdhjetë strofash katërvargëshe tetërrokëshe me rimë ABAB. Pasqyrimi i pamjeve në këtë poezi bëhet në mënyrë paksa tjetër. Monotonia dhe heshtja dimërore thyhet me përgatitjen për gjah. Poeti përshkruan lyerjen e pushkës së gjahut, të fishekëve, pastaj mbushja e pushkës për një ketër, për një lepur. Përshkrimi i gjahtarit dhe presë së tij përfundon me gaz e hare.

   E njaty, që prapa krastës,
   Unë rri dhe pres në rrasë:
   Pres që krism’ e trimëruar
   Të buçasë-e të godasë:

Elemente të peizazhit ka edhe në poezitë e tjera të Lasgush Poradecit, në të cilat me ngjyra tërheqëse të vendlindjes jepen skena të realizuara të peizazhit, pasqyrohen zakone, shfaqen kostume. Në këto lirika gjallërohet para syve tanë atmosfera e ëmbël dhe e zjarrtë e fshatit shqiptar. Poeti ringjallë një mjedis më koloritin e ngjyrave më të ngjizura pamjet e mjedisit të vendlindjes së vet, sidomos të vendeve idilike siç është kroi. Këto spikaten në poezinë “Kroi i fshatit tonë” që edhe pse më tepër është poezi erotike dhe idikile megjithatë:

Kroi i fshatit tonë ujë i kulluar,
Ç’na buron nga mali duke mërmeruar.

............................................................

Kroi i fshatit tonë ngjyrë argjendi i lyer,
Që nga rrëzë e malit ç’na buron rrëmbyer.

Për ta paraqitur bukurinë e Kroit të fshatit të vendlindjes në mbarë atdheun, për ta përhapur namin e tij anekënd, poeti Lasgush Poradeci shkruan në pjesën e tretë të kësaj poezie:

  Kroi i fshatit tonë, tetë sylynjarë,
  Në tetë krahina qenke kroi i parë;

  Qenke një në botë, s’paskërke të dytë,
  Ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.

Dyvargëshet e kësaj poezie u bënë ndër më të njohurat në poezinë tonë dhe janë emblemat e lirikës lasgushiane. Ato bëhen edhe inspirim për kompozitorë të cilët kompozojnë këngë të njohura që në vitet e ’30-ta të shekullit XX.
Lasgush Poradeci hyri në letërsinë tonë si poet modern dhe si një zë i veçantë e i mëvetësishëm. Kjo mund të thuhet edhe për poezinë e peizazhit, e cila nuk qëndron aspak nën nivelin e tërësisë së lirikave të tij. Madje, kjo formë e poetikës lirike të këtij poeti e ngrit nivelin artistik, figurativ dhe ndjesor, duke e radhitur në formë
lasgushiane .

*U lexua në Tribunën letrare të Mitingut të Poezisë, në Gjakovë, më 05.06. 2009.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora