| E diele, 07.06.2009, 06:14 PM |
Sa ndikon humori i nënës
Ndjenjat që provohen para lindjes ndikojnë në zhvillimin e bebes. Stresi, ushqimi i gabuar, konsumimi i alkoolit gjatë shtatzënisë janë faktorë që rrezikojnë shëndetin fizik dhe psikologjik të fëmijës në moshë madhore. Si duhet të silleni dhe çfarë të shmangni
Që prindërit ndikojnë te fëmijët, kjo është vërtetuar, por jo të gjithë e dinë se kjo gjë ndodh edhe kur bebi është në barkun e nënës. Një studim i ri i publikuar në një revistë shkencore, konfirmon se ndjenjat dhe gjendjet e ndryshme shpirtërore që provohen para lindjes ndikojnë te zhvillimi i fëmijës. Përgjegjëse janë substancat kimike që prodhon nëna, si dhe marrëdhënia seksuale që ajo kryen gjatë shtatzënisë. "Tashmë dihet se ajo që ndodh gjatë shtatzënisë ndikon te fëmija. Sipas dijeve të mia shkencore, mund të flas me siguri të plotë se ajo që ndodh gjatë nëntë muajve në barkun e nënës është shumë e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës", thotë një gjinekologe.
Ndikimi i nëntë muajve të parë
Sa të rëndësishme janë gjërat që ndodhin gjatë shtatzënisë në zhvillimin e dashurisë mes nënës dhe fëmijës? Shumë, përgjigjet doktoresha, sepse ata nëntë muaj nuk janë vetëm rëndim fizik, por veçanërisht, edhe psikologjik. Në shtatzënitë më të mira, "bebi i ëndrrave", (fëmija i shumëdëshiruar, i shumëpritur dhe i imagjinuar në mënyra të ndryshme) para se të lindë, merr formë në mendjen dhe zemrën e nënës, derisa testi i shtatzënisë është pozitiv, sepse shtatzënitë ndryshojnë nga njëra-tjetra, nga një grua te tjetra dhe nga një çift te tjetri". Por, nëse ardhja e një fëmije është e rastësishme, e padëshiruar, gjithçka mund të shkatërrohet për shkak të vështirësive dhe zhgënjimit. Janë të shumta nënat që i ngarkojnë me faj bebet e pafajshme, sepse i kanë detyruar të ndryshojnë jetë.
Rreziku që fëmija të jetë më i dobët
Sjelljet që bën nëna gjatë shtatzënisë ndikojnë te shëndeti i fëmijës. "Por kujdes, paralajmëron doktoresha, nuk po flasim për një bindje, por për një dobësi, për një rritje të madhe të rrezikut. Pra, kur bebja brenda barkut të nënës percepton humor të keq dhe ndjenja të këqija krijohen faktorë që e shoqërojnë të rritet në kushte jo shumë të rehatshme. Por nëse do të bëhet ose jo objekt një njeri patologjik do ta vendosin faktorët e tjerë në vazhdim".
Gjërat që i bëjnë keq bebes
Stresi, ushqimi i gabuar, konsumimi i alkoolit gjatë shtatzënisë janë faktorë që rrezikojnë shëndetin fizik dhe psikologjik të fëmijës gjatë rritjes. Bebja që jeton brenda barkut të një nëne shumë të stresuar, e ndien adrenalinën që prodhohet nga trupi i saj dhe kështu në moshë madhore mund të mos jetë shumë i qetë dhe të reagojë në mënyrë të nervozuar ndaj situatave stresuese. Edhe ushqimi ka një funksion të rëndësishëm. Nëse nëna përpiqet të mos shtojë shumë kilogramë gjatë barrës, bebja mund të lindë nënpeshë dhe para kohe, e si pasojë rrezikon të bëhet obez në moshë të madhe.
Si duhet të sillet nëna gjatë shtatzënisë?
Gjatë shtatzënisë, nëna duhet të shmangë stresin e tepërt, punët e rënda, sidomos gjatë natës, duhet të çlodhet dhe të flejë sa më shumë. Është i rëndësishëm një ushqim i shëndetshëm dhe i shumëllojshëm, me fruta dhe perime të freskëta e të lara mirë, mish dhe peshk të pjekur mirë, duke shmangur ushqimet e paketuara, të skuqurat dhe ëmbëlsirat. Është thelbësore të pijë shumë ujë, të shmangë duhanin dhe alkoolin. Ilaçet duhen marrë vetëm kur janë të përshkruara nga mjeku.
Konsumimi i alkoolit gjatë shtatzënisë është armiku numër një i shëndetit të fëmijës
"Nëse një grua gjatë barrës konsumon alkool rrezikon shumë shëndetin e saj dhe të fëmijës, duke i nënvleftësuar pasojat. Këtë e theksojnë edhe studiuesit, të cilët thonë se 20 gramë alkool në ditë (rreth dy gota verë) mund të shkaktojnë sindromën alkoolike të fetusit (Fetal Alcohol Syndrome) dhe sindromat e tjera ndërlidhëse". Duhet theksuar se edhe sasi të vogla alkooli mund të shkaktojnë deficite tek aftësitë e të mësuarit. Gjithashtu nuk duhet harruar që pijet alkoolike janë të dëmshme për placentën. Funksioni i saj është të garantojë një rezervë të mirë ushqimore për beben, që më pas ky i fundit e përthith.