E Diel e këndëshme në Bronx të Nju Jorkut, në nder të Dr. Namik Shehut.
Dr. Namik Shehu promovoi librat e tij, duke festuar edhe 75-së vjetorin e lindjes së tij
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Ditën e diel, më 31 Maj 2009, Komuniteti Shqiptar në Nju Jork përjetoi një tjetër ngjarje të rëndësishme kulturore-artistike.
Në Restorantin "Giovanis", në Bronx, pronë e bashkatdhetarit tonë të nderuar, zotit Gjergj Dedvukaj, në një ambient tepër të këndshëm, u promovuan librat e Dr. Namik Shehut, Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane.
Akademikë, bashkëpunëtorë shkencorë, shkrimtarë, veprimtarë të njohur të Komunitetit kishin ardhur për të nderuar emrin dhe veprën e Dr. Namikut.
Konsulli i Shqipërisë pranë organizatës së Kombeve të Bashkuara me seli në Nju Jork, zoti Albert Jerasi, Akademikja, Prof. Dhorka Dhamo, Shkrimtari i mirënjohur, zoti Naum Prifti, Regjisori i filmit shqiptar pranë ish Konostudios zoti kristaq Dhamo, Skenografi Astrit Tota, aktivisti i mirënjohur i Komunitetit Shqiptar në Amerikë, i nderuari, zoti Mehmet Zherka, Dr. Selahedin Velaj, Shkrimtarët Tomë Paloka, Tomë Mrijaj, Klajd Kapinova, poeti Luigj Çekaj, skulptori dhe poeti, ish luftëtar i Batalionit "ATLANTIKU" që morri pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës Nexhat Imeraj, Tasho Joanidhi, Ismail Ahmeti, Vlash Devole, Veis Belliu, Teuta dhe Drini Zoto, Loanda dhe Algert Sota, Gjergj dhe Lumturi Toska, Jaso Llazari, Ridvan dhe Eleonora Hasanbelliu, Enver Hasanbelliu, Meti dhe Fiqirete Hasanbelliu, Alfred dhe Enka Zoto, Sokol dhe Lina Bejleri, Dedë Elezaj, Aleksandër Papajani ...
Edhe pse pak minuta larg vendit ku zhvillohej promovimi i librave të Dr. Shehut, komuniteti ynë zhvillonte një aktivitet tjetër të rëndësishëm, pjesëmarrja ishte e madhe.
Ajo që u vu re në organizimin e atij aktiviteti ishte thjeshtësia, thyerja e rutinës, siç ndodh zakonisht në aktivitete të tilla, veçanërisht në promovime librash; të gjithë pjesëmarrësit u trajtuan të barabartë midis të barabartëve, shembull ky, që duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen në aktivitete të tilla të këtij lloji.
Nuk kishte tribunë të improvizuar, nuk kishte njerëz të zgjedhur, të veçantë midis të barabartëve, siç ndodh rëndom në aktivitete të tilla, që janë bërë edhe të mërzitshme; të gjithë ishim pjesëmarrës të barabartë, të gjithë ishim të zgjedhur në tribunë. Kjo ishte edhe thjeshtësia, bukuria, madhështia e atij aktiviteti.
Fjalën e hapjes e mbajti skenografi Astrit Tota: "Libri që po promovojmë sot : "Duhani helmues i heshtur dhe vrasës i zgjedhur i njeriut" me autorësi të doktorit me përvojë të shkencave mjekësore, zotit Namik Muhedin Shehu, meriton vëmendje dhe vlerësimin më të denjë e të bukur njerëzor, sidomos në këtë ditë festive në ditëlindjen e 75-së së tij, si edhe për rëndësinë e vlerave që mbart pikërisht, sot më 31 Maj Ditës ndërkombëtare të luftës kundër duhanit. Në këtë studim konstatoj mjaft qartë vlerat e mëdha e dobiprurëse për masat e gjëra popullore shqiptare e më gjërë, duke studiuar dhe vlerësuar edhe në auditoret studimore shkencore të shkollave dhe kulturave mjekësore shqiptare... ..." tha midis të tjerash skenografi Tota.
Pastaj si ftoi akademiken, Prof. Dhorka Dhamo.
Zonja Dhamo, duke folur për njohjet që ajo ka me Dr. Namikun, si anëtarë të së njëjtës akademi ku ata aderojnë, për kontributin e tij që ai i jep komunitetit dhe mbarë shqiptarëve kudo janë, lexoi përshëndetjen e zotit Skënder Kodra, Phd, Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane, pasi, ky i fundit, në pamundësi për pjesëmarrje, ndodhej jashtë Amerikës.
Më pas fjalën e morri shkrimtari Naum Prifti: Pasi foli për njohjen e tij me Dr. Namikun, lexoi edhe fjalën përshëndetëse të zotit Peter Prifti.
Unë, Pierre-Pandeli Simsia, autori i këtij shkrimi, që jam edhe bashkqytetar me Dr. Namik Shehun, në fjalën time, u përqendrova më tepër me jetën dhe veprimtarinë e Dr. Shehut. "... Të flasësh për jetën dhe veprimtarinë e Dr. Namik Shehut, duhen faqe të shumta libri të shkruhen, por unë kam përgatitur një përmbledhje të shkurtër, pavarësisht se kohë më parë, kam shkruar për doktorin, duke e shoqëruar shkrimin tim edhe me intervistë me Dr. Shehun..."
Bashkpunëtori shkencor, zoti Fatbardh Doçi, foli për njohjen e tij të hershme që ai ka me Dr. Namikun, duke vlerësuar punën dhe veprimtarinë e tij, një jetë të tërë në shërbim të njerëzve.
Dr. Jaso Llazari foli për njohjen e tij të hershme me doktorin dhe bëri analizën e librave të tij.
Poeti Luigj Çekaj, foli për mbresat dhe përshtypjet e tij, që ai kishte gjatë leximit të librave të botuara nga Dr. Namik Shehu. Zoti Çekaj u përqendrua më tepër në ato ç'kishte lexuar në librin "Duhani helmues i heshtur dhe vrasës i zgjedhur i njeriut"
Për të njëjtën temë, foli edhe shkrimtari Tomë Paloka.
Diskutimet ishin të lira nga pjesëmarrësit. Emëruesi i përbashkët i çdo diskutimi, ishte vlerësimi për Dr. Shehun, puna e madhe dhe e palodhur shumë vjeçare si njeri me vlera të larta humane, i papërtuar, një jetë të tërë në shërbim të njerëzve.
Në fjalën e tij, Konsulli i Shqipërisë pranë OKB-së, zoti Albert Jerasi, vlerësoi punën dhe veprimtarinë e Dr. Namikut, si njeri, si mjek, si studiues dhe bashkpunëtor shkencor.
Zoti Jerasi, foli edhe për jetën kulturore-artistike dhe veprimtaritë e shumta që ka pasur kohët e fundit Komuniteti Shqiptar në Amerikë. Ai përmendi gjithashtu edhe koncertin recital dhënë një ditë më parë i këngëtarit të mirënjohur dhe të admiruar nga gjithë shqiptarët kudo janë, Sherif Merdani, viktima e pafajshme e komunizmit dje, punonjës i nderuar sot pranë Ministrisë së Jashtëme të Shqipërisë në Tiranë.
Vajza e Dr. Namik Shehut, znj.Teuta Zoto luajti një pjesë muzikore instrumentale të kompozitorit të mirënjohur shqiptar Pjetër Gaci.
Në fund, Dr. Shehu falenderoi gjithë pjesëmarrësit.
Gjatë gjithë kohës, aktiviteti u prit me emocione dhe gëzim, por ajo që e bëri edhe më emocionuese takimin ishte edhe surpriza e radhës. Doktor Namik Shehu, na kishte mbledhur për të festuar edhe një gëzim të madh në jetën e tij, festimin e 75-së vjetorit të lindjes së tij. Ishin dy gëzime në një ditë që doktori dhe Familja Shehu, kishin menduar ta gëzonin me bashkatdhetarët e tyre në Nju Jork.
Doktor Namiku u ndje më tepër se i lumtur atë të diel, i rrethuar nga bashkëshortja e tij, zonja Engjellushe Shehu, fëmijët Teuta, Eriani dhe Loanda, dhëndurët Drini Zoto dhe Algert Sota, nipërit e tij, miqtë dhe shokët që e kishin nderuar me pjesëmarrjen e tyre.
Kartolina e urimit, nga bashkëshortja e tij, zonja Engjellueshe, ishte tepër emocionante, sidomos kur ajo në fund iu drejtua doktorit duke i thenë: "Jam shumë e lumtur që një jetë të tërë kam qenë në krahët tuaj i dashur bashkëshort..."
E si të mos emocionoheshim të gjithë ne, kur ai çift i lumtur, pas atyre fjalëve mbetën pak çaste të përqafuar dhe me buzë të bashkuar me njëri tjetrin.
Duartrokitje nga të gjithë të pranishmit, buzëqeshje, takime dhe urime me doktorin, duke i uruar jetë të gjatë e të lumtur.
Menduam se emocionet mbaruan, por jo, ishte një emocion tjetër, tradita që duhet bërë për raste të tilla. Do pritej torta e ditëlindjes. E ndërsa vajza e tij Teuta mbante në dorë tortën, ku në mes ishin qirinjtë e ndezur me numrat 75. Dr. Namiku filloi të priste tortën i shoqëruar me tingujt e këngës: "Happy birthday to you" dhe me duartrokitje. Përsëri përqafime mes dy bashkëshortëve dhe fëmijëve të tij.
Nuk munguan edhe dhuratat nga miqtë dhe shokët, familjarët, nipërit e Dr. Namikut.
Një kokteil tepër i pasur ishte përgatitur nga familja Shehu.
Në sfond ishin pamje fotografike nga jeta familjare dhe shoqërore, aktivitetet e ndryshme nëpër vite të doktorit.Në monitor u dhanë pjesë të ndryshme filmike nga jeta e dr Shehut.
U lexuan urimet dhe përshëndetjet ardhur në adresë të Dr. Shehut nga bashkatdhetarët e tij kudo janë, në pamundësi për të marrë pjesë në atë gëzim: Sekretari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zoti Salvator Bushati, Dr. Anna Kohen, Dr. Mirela Bogdani, Prof. Mynyr Karagjozi, Shpëtim Gjebrea, Skënder Çiço, Pirro e Ludmilla Tase, Flori Bruqi, historiani Asllan Sula, Fatos Zdrava... si dhe nga Bashkia e qytetit Berat.
Në atë aktivitet, morën pjesë gjithashtu edhe ata të përhershmit të kudondodhur, të palodhurit, të nderuarit dhe të respektuarit e medias sonë këtu në Sh.B.A, gazetarët Dalip Greca dhe Beqir Sina.
Dua të përmend këtu edhe atë mirënjohje dhe falenderim të madh, siç u shpreh Dr. Namiku vetë për krijuesit shqiptarë që jetojnë në Amerikë: Dr. Selahedin Velaj, Luigj Çekaj, Tomë Mrijaj, Tomë Paloka, Klajd Kapinova, Nexhat Imeraj, ... të cilët u shkëputën nga aktiviteti tjetër i komunitetit tonë që po mbahej jo shumë larg vendit ku zhvillohej aktiviteti në nderim të Dr. Shehut dhe erdhën për të nderuar doktorin.
Dr. Namiku është një anëtar i komunitetit tonë në Sh.B.A. i kudogjendur tek të gjithë bashkatdhetarët e tij, i cili di t'i nderojë dhe ti respektojë bashkatdhetarët e tij, si për gëzime ashtu edhe për hidhërime.
Ishte një takim dhe aktivitet i këndshëm, mbresëlënës dhe i paharuar.
Faleminderit Dr. Namik Shehu dhe Familja.
Kështu u mbledhshim përherë me njëri tjetrin në gëzime dhe vetëm në gëzime.
Bashkqytetari juaj
Pierre-Pandeli Simsia
 |
Dr. Namik Shehu, duke përshëndetur |
 |
Konsulli i Shqipërisë pranë O:K:B-së, zoti Albert Jerasi |
 |
Akademikja, Prof. Dhorka Dhamo |
 |
Shkrimtari i mirënjohur, zoti Naum Prifti |
 |
Pierre-Pandeli Simsia |
 |
Bashkpunëtori shkencor, Fatbardh Doçi |
 |
Bashkëshortja e Dr. Namikut, znj. Engjellushe Shehu |
 |
Vajza e Dr. Namikut, znj. Teuta Zoto |
 |
Shkrimtari Tomë Paloka |
