Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Bukureshti historik dhe bariu Bukur

| E diele, 07.06.2009, 02:59 PM |


Bukureshti historik dhe bariu Bukur

Nga Baki Ymeri, Bukuresht

Pa marrë parasysh qëndrimet aktuale të qeverisë rumune lidhur me Kosovën si pasojë e frikës nga hungarezët e Transilvanisë, por edhe si pasojë e neglizhencës shqiptare ndaj minoritetit arumun në Shqipëri, rumunët i kanë dashur shqiptarët përgjatë historisë. Rreth 100 agjentë dhe oficerë rumunë stërvisin qindra shqiptarë në Kosovë në fshehtësitë e mjeshtrisë policore. Rumania ishte ajo që lejonte të flitet shqip, të shkruhet shqip, të shtypen gazeta e libra shqipe, të hapen shkolla shqipe në Shqipëri, siç ishte Mesojtorja e parë shqipe në Korçë. Ç’të reja ka Bukureshti i dashur, e pyeste me fjalë të tjera Lasgushi Asdrenin para 70 vitesh, kur studjonte në Graz të Austrisë. Në zemër të Bukureshtit, në Sheshin e Kombeve të Bashkuara (Piata Natiunilor Unite), nja 100 metra tejmatanë godinës ku banonte Asdreni viteve të fundit të jetës së tij, gjendet restorani Bukur. Ç’të reja sjell sot Bukureshti poetik për shpirtin shqiptar? Risitë janë të panumërta, siç janë të panumërta edhe bulevardet e bukura dhe botimet për vlerat shqiptare. Bukureshti paraqet një histori të bukur që bazohet mbi një platformë semimilenare të lashtësisë së tij. Gjatë këtij viti (më 20 shtator) mbushen 550 vjet të atestimit dokumentar të kësaj metropole të bukur, e themeluar, sipas legjendës, nga bariu Bukur. Dy ditë me rradhë (20/21 shtator), Bashkia e qytetit pregadit gëzime të shumta për bukureshtarët dhe tursitët e huaj që vinë për ta parë. Këto ditë, ka fat për ta parë këtë metropolë të bukur europiane edhe një ekip i Televizionit të Kosovës, i kryesuar nga zoti Kurtesh Devaja. Misioni i tij fisnik është: identifikime gjurmash shqiptare në veri të Danubit.
Bukureshti ka një numër të panumërt momentesh historike që do të mbahen mend, siç mbahet mend edhe „bukuria” (një nga fjalët më të vjetra dhe më të bukura që i ka shqipja dhe rumanishtja, që nga periudha e lashtësisë trako/ilire), me gjithë derivatet e saj në gjuhën rumune (Bucur, bucurie, bucuros, Bucuresti etj.) dhe në gjuhën shqipe (i bukur, bukuri, bukurosh/e, Bukurovc (në Kosovën Lindore), Bukurisht (një fshat afër Shkodrës), emërtime rumune si Bukuresku, Bukureshteanu, Bukura (Gheorghe Bukura, shefi i parë i Zyrës rumune në Kosovë, që e ka përvetësuar gjuhën shqipe njësoj si një mik tjetër i Rumanisë në Shqipëri: Gheorghe Miku). Hoteli Continental dhe Kisha shqiptare e Bukureshtit janë dy nga monumentet më të rëndësishme të vlerave rumune që ngërthejnë në gjirin e tyre edhe momente historike për kombin shqiptar. Në të parin u vendos që Shqipëria të shpallet e lirë dhe e pavarur (1912), ndërsa në të dytin u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe (1911).

Kisha Bucur në shek. XVIII-të në ansmablin e manastirit Mircea Vodã
Kisha Bucur në shek. XVIII-të në ansmablin e manastirit Mircea Vodã
Kisha Bukur e Bukureshtit

E klasuar si një monument historik të grupit A, kjo kishë nuk ka një datë ekzakte deri më sot. Disa hulumtues flasin për një konstrukcion të një stili specifik të shekujve XVII-të dhe XVIII-të, ndërsa disa tjerë, sipas legjendës, e konsiderojnë se kisha ishte faltorja e bariut Bucur (shq. Bukur), me emrin e të cilit ndërlidhet edhe etimologjia e emrit të Bukureshtit. Ekzistojnë opinione hulumtuesish sipas të cilëve kisha është ngritur në vitin 1416, nga ana e vojvodës Mircea cel Batran (Mircea Plaku), i cili më vonë do të bëhet bashkëluftëtar i Skënderbeut. Historia e themelimit të qytetit të Bukureshtit, kryeqendër e Mbretërisë Rumune, përmend më shumë tekste, ndër të cilat edhe mendimin e Papazoglut, sipas të cilit këtë kishë e ka ngritur  Alexandru Voda në vitin 1568, i biri i Mirçea Vodës. Sipas dorëshkrimit të një misionari katolik (Blasius Kleiner), i shkruar më 1761, i cili konfirmon legjendën e themelimit, „Thuhet se ky qytet e nxjerr emrin nga njëfarë bariu i tij, siç thonë të tjerët, njëfarë „hajduti” i famshëm që quhej Bukur. Ky i rruante delet brigjeve të Dëmbovicës dhe ndoshta andejpari bënte dhe hajdutërinë e tij. Pastaj e pat ndërtuar një kishë (...) dhe pat filluar të ndërtojë edhe disa shtëpi për të dhe për të tjerët”.

Adrian Majuru
Adrian Majuru
Bukureshti shqiptar

Para disa vitesh, në kuadrin e Editurës Ararat doli në dritë libri Bucurestiul albanez (Bukureshti shqiptar) i autorit Adrian Majuru (2002).  Dalja në dritë e  një libri të ri lidhur me shqiptarët e qytetit që mban emrin më të bukur të të folurit shqip, dhe atë nga ana e një autori joshqiptar, s’ishte tjetër veçse një ngjarje e mirëseardhur, që meritonte të përshëndetet, dhe u përshëndet e u bë një lansim i sinqertë në zemër të Bukureshtit, në Muzeun Shucu që e rruanin arnautët para një shekulli. Libri i zotit Majuru (shqip Mazhuru) përpiqet ta zgjojë kujtesën e fjetur të Bukureshtit. Ai  mundohet të na i zgjojë skajet e rrugëve prej nga na shikojnë shqiptarët: të shqetsuar, nostalgjikë, energjikë, të ashpër, të etshëm për një pistoletë, punëtorë të zellshëm, besnikë e të ndershëm, krenarë për kombin e vet. Është një libër që  na i ringjall rrugët dhe lagjet bukureshtare,  nëpër të cilat shekuj me rradhë mund të dëgjoje një shprehje të butë, hijerëndë dhe krenare: “Edhe unë jam shqiptar!”.

Arnauti i kishte magjepsur të gjithë

Vepra duket e vogël përnga numri i faqeve (128), por e madhe përnga përmbajtja dhe cilësia.. Autori i saj (i lindur në vitin 1968), tashmë është doktor i shkencave historike, hulumtues në Muzeumin Mina Minovici, autor i një numri të konsideruar studimesh shkencore në të cilat reflektohet Bukureshti që nga mesjeta e këndej, multikulturaliteti i tij, Ballkani nën zotërimin e tregtarëve, hebrenjtë, historia dhe etnografia e Transilvanisë, etj. Libri i parë i tij, që pa dritën e botimit në prag të kremtimit të Ditës Kombëtare të Shqipërisë, dëshmon pjekurinë intelektuale të një hulumtuesi që nxjerr në pah një mori elementesh të reja e të panjohura deri më sot. Fjala është për deshifrimin dokumentar të fenomenit shqiptar, që nga periudha e Vasile Luput (Ujkut), e deri te ajo e ditëve tona. Për një afirmim të këtillë shkencor, që ua bën sivëllezërve tanë në veri të Danubit, autori meriton të konsiderohet si filoshqiptar.
 Qysh në fillim, autori u shpreh falënderime, atyre që i patën ofruar përkrahje për t’u njohur me zhvillimin historik të Sheshit të Bukureshtit, që ka një lashtësi 500 vjeçare, dhe në të cilin elementi shqiptar, zë një vend të rëndësishëm. Mirënjohje prioritare autori i shpreh sidomos zonjës Elena Siupiur, bashkëpunëtore e lartë shkencore e Institutit të Studimeve të Evropës Jug-lindore në Bukuresht, shkencëtare e shquar rumune me prejardhje shqiptare nga fshati Karakurt. Zonja Elena është njëherit edhe autorja e parathënies “Shqiptarët e “Qytetit të Bukur”, të cilën e fillon me moton: “Unë jam arnaut”, thonë edhe sot me një krenari dinjitoze, banorët e të vetmes koloni shqiptare të Besarabisë, të ardhur atje tani  e dyqind vjet më parë”. “Shqiptarët sipas saj, i japin Bukureshtit një aromë të kohërave të shkuara, Bukureshtit të dikurshëm, një të shkuare të kahershme prej disa shekujsh”. Ajo e përshkruan Bukureshtin e dikurshëm si një qendër kozmopolite, e fisnikëruar nga hebrenjtë bankierë që i vërtisnin finansat, nga gjermanët dhe austriakët, që respektonin rregullin dhe moralin e lartë të punës, të mahnitur nga pasuritë shpirtërore të banorëve të këtushëm, nga tregtarët e shumtë grekë, armenas, bullgarë, shqiptarë etj., të cilët ia dhuronin kësaj qendre mikpritëse, frytin e punës së tyre dhe erëtimën e botës nga e cila vinin.
 Zonja Siupiur, si dhe lexuesi i rëndomtë, pas lekturimit të kësaj vepre interesante, konstaton se Bukureshti, shekuj me rradhë, ka qenë për të shpërngulurit e Ballkanit, për ata që iknin nga Perandoria Osmane, një vatër strehuese që u siguronte një jetë më të mirë. Shqiptarët e botës rumune janë ruajtur nga kujtesa kolektive si do ushtarë, tregtarë, rrogtarë, rojtarë të paguar apo mbrojtës të ligjit. “Pitoreskë përnga veshja e tyre: me fes dhe brez të kuq, me fustanellë, pistoleta e shpata, kalëruar për bukuri mbi do kuaj të bukur, këta ballkanas të mistershëm, të denjë, krenarë dhe kryengritës, të ashpër në mëri, por trima dhe besnikë të pronarit deri në flijim, duke mbëltuar respekt dhe frikë, arnautët kanë mbetur definitivisht në kujtesën e botës rumune si një përfytyrimi i vetëm, i besnikërisë, korektësisë dhe trimërisë shqiptare. Pas shpinës së kësaj bote prej uniforme dhe parade të forcës, gjendet ndërkaq një botë shqiptare numerikisht shumë më e  madhe, më paqësore, mjaft aktive dhe e zellshme, lojale dhe e adaptueshme, për qytetin që iu përkushtua” (f.8).

Hoteli Continental ku u vendos që Shqipëria të shpallet e lirë dhe e pavarur (1912)
Hoteli Continental ku u vendos që Shqipëria të shpallet e lirë dhe e pavarur (1912)
Bukureshti i priste shqiptarët me zemërgjerësi

Vlerësimet e  Elenës lidhur me arnautët e Bukureshtit, janë të qarta dhe impresionuese: “Gjejmë në shekujt e shkuar mijëra shqiptarë, në mjeshtritë e praktikuara jo vetëm nga ata, por nga krejt bota ballkanike, nga e cila dhe me të cilën vinin në Bukuresht:  bakallë, tregtarë, kërçmarë, kafexhinj, simitaxhinj, ëmbëltorë, bozaxhinj, hallvaxhinj, petëbërës, bukëpjekës, duhanxhinj, lëkurtarë, hanxhinj, rojtarë, bankierë etj. I gjejmë shkallë-shkallë të avansuar në funksione ushtarake, ndërsa më vonë edhe në si funksionarë institucionesh të ndryshme. Më vonë, kur modernizmi europian e anuloi identitetin etnik dhe shëmbëlltyrën e këtij qyteti duke ia imponuar identitetin profesional, hasim shqiptarë të adoptuar si inzhenierë, mjekë, arkitektë, avoketër. Para së gjithash, shqiptarët u kanë dhënë rumunëve zotërues dhe familje të mëdha bojerësh (bujarësh, apo fisnikësh).
Që nga i dyshimti për të qenë shqiptar-epirot Mihai Viteazul, e deri te Vasile Lupu, sunduesit e Gjikajve dhe Shucu, në kohërat fanariote apo të zotërinjve vendalinj, Bukureshti, “qyteti i bukur”, apo “i bukuri është”, i ka pritur të gjithë, pa marrë parasysh mjeshtrinë apo rangun. I ka pritur me ngazëllim për risitë, apo me hidhërim dhe frikësim prej saj. I ka mbajtur mend sipas emrave të tyre kombëtarë, dhe ua ka respektuar zellshmërinë dhe nderin. Shkallë-shkallë, Bukureshti i ka gëlltitur me dashuri, duke haruar se cilit komb i përkasin, duke i ruajtur emrat e tyre me të cilët ia kanë pagëzuar do rrugë, apo do lagje” (8). Po i përkujtojmë vetëm dy prej tyre, që edhe sot i mbajnë pagëzimet e dikurshme: zona Bukur Obor dhe pylli Bëneasa. Bukureshti i sotëm i ka harruar të gjithë. Nuk e din, rrugëve të tij, kush është shqiptar, kush bullgar, kush armen apo hebre, kush është gjerman dhe kush është grek…Dhe me ta, është degdisur edhe bota materiale dhe kulturore, e prurë prej tyre. Dhe është degdisur edhe kujtesa e krejt asaj që është ngritur dhe ndërtuar në këtë qytet të bukur. Por, mos vallë janë zhdukur?-pyet zonja Siupiur. Mos vallë i mbajmë me ne? Shqiptarët sipas veprës së Adrian Majurut janë të zellshëm, besnikë e të ndershëm, krenarë për prejardhjen e tyre fisnike. Është libri që na i ringjall rrugët dhe lagjet bukureshtare, nëpër të cilat shekuj me rradhë mund të dëgjoje një shprehje të butë, hijerëndë e krenare: “Shi eu sunt albanez! (Edhe unë jam shqiptar!)”. Kështu pra, vetëm të dihet! Dhe të mos harrohet!

Shqiptarët në shërbim të besnikërisë

Lidhjet linguistike rumuno-shqiptare i ka shkoqitur me përkushtim, brenda një gjysmëshekulli, filoshqiptari më i madh i këtij vendi: prof.univ. dr. Grigore Brënkush (rum. Brancus), tashmë anëtar i Akademisë Rumune. Për shqiptarët, në historiografinë rumune kanë shkruar disa autorë. Lidhjet farefisnore rumuno-shqiptare, si dhe shëmbëlltyra e shqiptarit në letërsinë rumune janë subjekte ende e paprekura, njësoj siç është i paprekur edhe subjekti Arnautët në shërbim të besnikërisë. Pas studimeve të Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Vehbi Balës, Xhelku Maksutit, Nikolla Çakirit, Ismet Dërmakut, kur vjen fjala për arnautët e Rumanisë, “Bukureshti shqiptar” i Adrian Mazhurut është përpjekja e parë që meriton të pësrshëndetet. Ndoshta do t’i kujtohet dikujt që të shkruajë një ditë një libër për Kairon, Stambollin, Sofjen, Berlinin, Hamburgun, Cyrihun apo Beogradin shqiptar; për prezencën dhe kontributin e sivëllezërve tanë në këto qendra botërore. Libri ka strukturën e një disertacioni të mirëfilltë, që reflektohet madje, edhe në kuadrin e përmbajtjes: “Arnautët – Shqiptarët e “Qytetit të Bukur”; Prolog. Lasgush Poradeci drejtuar Asdrenit; Bukureshti shqiptar. Nga elita tregtare e deri te ajo kulturore; Epilog: Asdreni drejtuar Lasgush Poradecit; Bukureshti shqiptar: Arnautët; Bukureshti shqiptar: Bojerët dhe zotëruesit; Bukureshti shqiptar: Tregtarët; Një univers ballkanik: Bukureshti”, si dhe pasthënia: “Das albanische Bukarest: Von Handlereliten zu kulturellen Eliten”.

Masoneria dhe misioni i saj fisnik për çrobërimin e popujve të shtypur

Një nga risitë e shumta me të cilat ballafaqohet lexuesi në këtë vepër, është veprimi i shoqërive të fshehta të masonerisë, kontributi i tyre për çrobërimin e popujve të skllavëruar nga tirania e sundimit osman dhe pansllavist, si dhe ndërlidhja e shqiptarëve me to. “Nikolla Naço nuk refuzoi të përkrahë komunitetin shqiptar të Egjiptit dhe lozhën e parë masonike shqiptare. Kështu, në vitin 1885, bëri “katër udhëtime në Stamboll nën emrin kosnpirativ Joanid. Arriti kështu, përmes mareshalit Nysret-pasha, ti dërgojë Këshillit Shtetëror të Patriarkisë Ekumenike, një memorje përmes së cilës kërkonte anulimin e tutelës greke mbi kishën ortodokse shqiptare dhe futjen në kishë të gjuhës shqipe” (36). Burimet që shfrytëzon autori, lidhur me vitalitetin e shqiptarit më energjik të diasporës së atëhershme shqiptare, Nikolla Naços, vijnë nga ana e do shkencëtarëve të mirëfilltë rumunë, si Sava Jancovici, Victor Papacostea, C?t?lina V?t??escu, Dinu Giurescu etj.

Prej nga erdhën gjithë këta shqiptarë në Rumani?

Duke filluar që nga viti 1764, kur Vlad Boculesku përktheu nga gjermanishtja Jetën e Skënderbeut, e deri në këto çaste, janë shkruar një varg librash mbi shqiptarët dhe Shqipërinë, në gjuhën rumune, ndër të cilat edhe disa teza dizertacionesh të autorëve Rusu, Balota, Brënkush... Libri më i ri që doli këto ditë me këtë subjekt, Bukureshti shqiptar, mund të konsiderohet ndër më të suksesshmit. Ai ka syzheun dhe sharmin e vet shkencor, që të shtyn ta lexosh dhe rilexosh, duke patur parasysh faktin se brenda kopertinave të tij, defilon jeta e mërgimtarëve tanë, përgjatë një periudhe pesëqindvjeçare. “Po qe se u bëjmë një radiografi këtyre rasteve, duke u ndalur vetëm te sunduesit rumunë, shohim se prezenca e tyre mbulon shekujt XVII-XIX. Kështu pra, 300 vjet traditë zotërimi në familjet bujare me prejardhje shqiptare”. Statistika e parë komplete e Bukureshtit, është ajo e vitit 1898/1899, kur qenë regjistruar këtu 3.698 shqiptarë si kryefamiljarë. Shqiptarët formonin asokohe, grupin më të madh ballkanik të Bukureshtit, në kohën kur kish 938 bullgarë, 308 serbë apo 245 turq (f.116). Edhe sot e kësaj dite, katalogjet telefonikë të Bukureshtit e qendrave tjera të këtushme, janë të vërshuar me mbiemra shqiptarësh, si Arnautu, Arnaucoju, Eftimiu, Anastasiu, Kantili, Dodani, Kardo, Zografi etj.
Prej nga erdhën gjithë këta shqiptarë në Rumani? Burimet e para ndërlidhen me lashtësinë trako-ilire. Pastaj vijnë ato mesjetare, kur në vitin 1595, për të rishpëtuar nga invazioni osman, në bazë të një raporti diplomatik, kalojnë Danubin 15.000 shqiptarë, dhe vendosen në trojet rumune të Oltenisë. Themi “për të rishpëtuar”, duke patur parasysh faktin se pas vdekjes së Skënderbeut, për ta shpëtuar fenë dhe identitetin kombëtar, shqiptarë të shumtë shpërngulen në Itali dhe dhe Bullgari. Në bazë të burimeve shkencore, autori konstaton se “Në shekullin XIX, erdhi rradha e komuniteteve shqiptare nga Bullgaria të vijnë në Rumani, në një numër të madh, sidomos si pasojë e luftërave që, në fillim të shekullit XIX, u transferuan nga Principatat rumune në territorin e Bullgarisë veriore dhe të Serbisë. Ky eksponim i papritur, në në një varietet rreziqesh ekstreme, të pasigurisë totale të jetës kolektive, shkaktoi shpërngulje masive të shqiptarëve të gjendur në fshatrat kompakte në veri-lindje të Bullgarisë. Këto fshatra ishin: Arnautlar, Eskiarnautlar (pranë Varnës), Turkarnautlar (pranë Pllovdivit), Kara Arnaut dhe Bejatnaut (pranë Razgradit). Lokaliteti Beitnaut quhej dhe Arbënash (sot Poroishte). Po shtojmë dhe fshatin Arnëut Kujushi (sot Dloina, pranë Dobriçit, sot, Tolbuhin). Fshati Kara Arnaut quhej Arbënashi i vogël”(90), burime këto, të konfirmuara edhe nga ana e studjuesit bullgar Gjorgje Barbalov (Shqiptarët e shpërngulur në Rumani përmes Bullgarisë, në shek.XIX-të, në Historia e Komunitetit Shqiptar të Rumanisë, vëll.I-rë, Bukuresht, 2000, fq.161-1622.

Skënderbeu, arnautët e Rumanisë dhe desovjetizimi i Maqedonisë

Shqiptarët i kemi kahmos këndejpari. Ata janë prezentë, madje, edhe në mikpritjet zyrtare të sunduesve të mëdhenj, apo të bojerëve, duke qenë rojtarë të ashpër të hapsirave publike, në raste revoltash spontane. Ata i kemi të pranishëm si roje fabrikash, institucionesh shtetërore, madje edhe në Pallatin Mbretëror të Bukureshtit, duke patur përparësi në krahasim me të tjerët, për besnikërinë dhe fuqinë e tyre morale, fizike dhe ushtarake. Ndaj edhe s’duhet të na habitë fakti, se si një grusht shqiptarësh, qysh me rastin e krisjeve të para në Kala, ua kallën datën, qindra policëve të Maqedonisë, apo fakti se si gjashtëmijë ushtarë shqiptarë i mundën tri herë me rradhë gjashtëdhjetëmijë forca të rregullta e rezerviste, ushtarako-policore maqedonase (2001). Nuk duhet të na mahnisë fakti se proporcione të këtilla të triumfit kanë ndodhur edhe në kohën e Skënderbeut, kur dhjetëmijë shqiptarët e Tij i mundnin dyzetmijë turq. A s’e meriton vallë, që këtij Atleti të krishtërimit, që me trupat e të parëve tanë e mbrojti Europën nga invazioni osman, t’i ngritet nga një statujë, në çdo metropolë evropiane? Dhe jo vetëm kaq. Por edhe të shpallet si i Shenjtë, siç e shpallën rumunët Shtefanin e Madh të Moldovës. 
Duke parafrazuar udhëtarin francez Le Cler, i cili gjen shqiptarë rrugëve të Bukureshtit në vitin 1866, autori thekson se asokohe, ishte një luks i madh të kesh (për roje) një arnaut, i veshur në kostum kombëtar, i qëndisur me fije prej ari, me shpatë dhe me pistoleta në brez. Në përgjithësi, çdo prijs fanariot, kishte në gardën e vet shqiptarë, madje edhe në suitën e Aleku Shucut, bënte pjesë edhe një gardë shqiptarësh, ”të prurë nga Konstantinopoja për t’i zëvendësuar Arnautët e Karaxhasë, për të cilët dyshohej se kishin ndjenja filoruse” (53). Çdo burim, autori e regjistron në kuadrin e fusnotave, të cilat u përkasin studjuesve të ndryshëm, shumica të përkthyer nga frëngjishtja, dhe të botuara në revistën mbretërore Balcania të Bukureshtit, përgjatë viteve ‘30-të.

A s’ e shihni se çfarë bijsh të shenjtë ka lindur nëna Shqipëri

Ja se si e përshkruan portretin e një arnauti, dr. Veniamin Poçitan Bërlëdeanu, në vitin 1930: “Rojtar i mirë, gjuetar, ushtar i zellshëm dhe kaçak i gatshëm për gjah. Ai nuk don të dijë për punë të detyrueshme, që e shndërron njeriun në skllav. Për nga natyra është dashamir i lirisë, që çon një jetë patriarkale(…) Shtëpitë e tyre ngriten përgjatë rrugëve, me do dritare të vogla për mbrojtje. Gjithmonë janë të armatosur dhe të gatshëm për sulm. Lumturia e shqiptarit është të mbajë armë, mos t’i paguajë askujt, dhe të mos kryejë shërbimin ushtarak. (…) Shqiptari është një kryengritës i atillë që askush nuk mund t’ia kalojë. E ndjek armikun e vet deri në  vdekje. Nëqoftëse nuk ia ka marrë hakun vetë, ia lë këtë detyrë, përmes një testamenti, bijve dhe pasardhësve të vet. Hakmarrja e tyre është njëra nga plagët e Shqipërisë. (…). Vetëm klerikët mund ta ndërmjetësojnë besën, domethënë ndërprerjen e hakmarrjes. Shqiptari është njeri i besës. Ai nuk e shkel fjalën e dhënë. Për atë shqiptarët janë të kërkuar si rojtarë të mirë, të shtëpive dhe pasurive të pasanikëve të sotëm” (64).
 Ka edhe shumë elemente tjera të paprekshme, të shtjelluara për herë të parë në faqet e një libri ku bëhet fjalë për vlera morale dhe profesionale, për familjet e përzjera shqiptaro-vllahe, për emigrantët e parë, që u shpërngulën nga trojet shqiptare që erdhën në Bukuresht, për tregtarët me prejardhje shqiptare: manastiras, tetovarë, kërçovarë, korçarë, elita kulturore shqiptare, korporatat shqiptare, mjeshtritë dhe dinamismi finansiar i shqiptarëve të këtushëm, të cilët para se ta prekë diktatura komuniste këtë zonë, kanë patur jo vetëm një numër të madh dyqanesh, restoranesh, deposhë për mallra dhe tipografishë, por edhe një bankë: Banca Albano-Greco-Romana, që gjendej në rrugën e Diellit (Soarei, nr.8), atje ku sot gjendet Muzeumi i Oborrit të Vjetër (Muzeul Curtea Veche).
“Nga rradhët e elitave tregtare, do të ngriten, në një gjeneratë të vetme, elitat financiare dhe liberale shqiptare dhe arumune, që do të konturojnë shkallë-shkallë, një komunitet ideshë lidhur me kombin shqiptar dhe Shqipërinë moderne”(107). Vitet e dy luftërave botërore, sollën transformime të mëdha, në strukturën e përditshmërisë bukureshtase. Pasojnë falimentime tregtare, shkëputje lidhjesh ekonomike, çthemelime organizatash të minoriteteve nacionale, rikthim i kurbetçinjve në vendlindje, shpërngulje në Turqi, Amerikë e gjetiu. Dha Zoti që para dy vitesh (2006), libri i Adrian Mazhurut “Bukureshti shqiptar”, ta shohë një ditë dritën e botimit edhe në gjuhën shqipe. 

Ballot shqiptare të Bukureshtit

Qendër drite dhe lulëzimi për kombin shqiptar. Në periudhën ndritur të Mbretërisë, Bukureshti nuk ishte vetëm kryeqendra e tregtisë, diiplomacisë dhe politikës euro/amerikane, por edhe metropola e kulturës, e artit dhe letërsisë. Ishte zëri i atdhedashurisë shqiptare, metropola e mençurisë,  qyteti që ka frymëzuar edhe ëndërrimtarët tanë. O vjershëtor  i lumtur e i mjerë! - i shkruante Lasgushi nga Graci, Asdrenit në Bukuresh: Ç’të reja kemi nga kryeqyteti i bukur i Vllahisë, i cili me kaq nderim për veten e vet, mban emrin më bujar të të folurit shqip?
Bukureshti sipas Lasgush Poradecit ka qenë qendër drite dhe lulëzimi për kombin shqiptar. Emri i tij ishte një simbol i bukur i historisë sonë kombëtare dhe i ndjeshmërisë sonë shpirtërore. Për këtë flasin kujtimet e shkruara e të pashkruara, fotografitë, korrespondenca, përjetimet dhe vallëzimet e të rinjve tanë, të atyre që i kishte kapluar mosha e artë të dashurisë. Pjesa dërmuese e tyre ishin shqiptarë familjesh të pasura korçare, disa ishin rilindës që i kishte kapluar pleqëria, të tjerët - bijë dhe bija të rilindasve tanë. Rina Antoniu, e motra e aktorit të mirënjohur shqiptar, Kristaq Antoniut, Dhespina Gjinokastra, Nik Pema, Gjergj Bubani, Rina dhe Matej Danili, Mitrush Kuteli, Anastasia Gjergji, doktor Kota, Gabriela dhe Keti, Dhimitër Polena, Viorika Buzi, vëllau i saj, Aureli, Thanas Kristo-Rëmbeci, janë vetëm disa nga frekuentuesit e shumtë të ballove shqiptare të kësaj metropole.
 Balloja e parë e shqiptarëve të Bukureshtit u mbajt në Pallatin e Akullit (Palais de Glace), më 2 prill të vitit 1921. Balli i boboshtarëve, Një natë dëfrimi vëllazëror, Me rastin e Ballit të Komunitetit, Ballot shqiptare, janë disa nga titujt e artikujve të Shqipërisë së Re, të botuara para vitit 1938, në Bukuresht dhe Konstancë. Ballo të këtilla organizonte edhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Rumanisë, duke i konsideruar ato si festivale artistike madhështore (Shqipëria e Re, nr. 345).  Këtyre u shtohen sot kujtimet dhe fotografitë e ndryshme që na i ofrojnë bashkatdhetarët tanë të moshuar, të cilët thonë se ballot shqiptare të Bukureshtit i përkasin periudhës parakomuniste, kur kjo kryeqendër e bukurisë, kosniderohej si Paris i vogël. Sivëllezërit tanë me prejardhje nga Kosova e Maqedonia, ata që kishin mbetur nën sundimin pansllavist, memzi që e siguronin ekzistencën, shumica në provincë, dhe as që guxonin t’u afrohen lokaleve të këtilla, na thot sot burri i Gabrielës, Mihail Kristesku, i implikuar me familjen e tij në shoqatën pseudoshqiptare Liga e Shqiptarëve të Rumanisë. Në bazë të do fotografive që na i ofron zonja Lika Zografi, në këto ballo e vërejmë edhe një artist të përkryer nga të gjitha pikëshikimet: Klinton Eftimiun. Vdisnin vajzat pas tij, jo vetëm bukuroshet e Bukureshtit, por edhe ato të Berlinit dhe Hamburgut, ku pat qenë për të mbajtur koncert, me studentët e këtushëm shqiptarë.

Një rast i mirë kur takohej krejt komuniteti

Ballot shqiptare të asaj kohe, sipas zonjës Elena Pema, ishin diçka prej ëndrre. Ky ishte një rast kur takohej krejt komuniteti, kur mbaheshin recitale në skenën e Sallës Liedertafel, mu në qendër të qytetit, ndërmjet Kishës Shqiptare dhe Universitetit të Bukureshtit, aty ku është sot hyrja për në Fakultetin e Arkitekturës. Ballot e këtilla, i mban sot mend edhe fqinja ime, një rumune, me prejardhje gjermane: Dorina Groman. Në këto takime recitonin artistë të shquar shqiptarë të Teatrit Kombëtar të Bukureshtit, si Tanci dhe Kiril Ekonomu. Pasonin pastaj valle kombëtare, të hedhura me shami në dorë, ku merrnin pjesë personalitete të shquara rumune e shqiptare, tregtarë të pasur korçarë me familjet e tyre, shkrimtarë e aktorë si Mitrush Kuteli, Foqion Miçaço, Gjergj Bubani, Elena Shuka, Violeta Antoni, kushërirat Anastasia dhe Zhana Xhorxhesku, e sa e sa të tjera.
Zonja Anastasia e cila jetoi 97 vjet, ka vallëzuar në kohën e saj edhe me Mitrush Kutelin. Para disa vitesh atë e ka njohur edhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Itali, Pandeli Pasko, i biri i Mitrush Kutelit. Ishte e bija e ish-kryetarit të Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit, Nikolla Gjergj Pallamidës, njëri ndër rilindasit më të shquar të Bukureshtit, mik i ngushtë i Asdrenit,  Viktor Eftimiut dhe Andrej Ktonës. Zonja Sia na tregonte se si në këto ballo vinin edhe arumunë me prejardhje korçare, si Karamitru e të tjerë, të veshur me kostume kombëtare shqiptare, të cilët, së bashku me shqiptarët, krijonin atmosferë ngazëllimi, duke kënduar këngë shqipe dhe duke u prirë valleve shqiptare. Fëmijët e tyre, jetojnë sot e kësaj dite në komunën arumune Pipera, në Rrugën Frashëri, atje ku përveç  rumanishtes e arumanishtes, disa pleq e plaka llafosin edhe shqip.
 Asdreni nuk i kishte qejf ballot dhe pritjet ku luhej vallceri i Danubit dhe pihej shampanja e Francës. Më me qejf, ndërkaq, shkonte në takimet që Komuniteti Ortodoks i organizonte për mbledhjen e ndihmave vullnetare, me të cilat duhej të mbahej kisha, në shfaqjet teatrale, në koncertet e, sidomos, në mbrëmjet letrare, që nuk ishin ashtu të shpeshta. Janë këto vlerësimet e dr. Rexhep Qosjes për ëndërrimtarin e Rrezeve të diellit, Ëndrrrave dhe lotëve, Psalmeve të murgut dhe Kambanës së Krujës, të cilin e mbanin zonjat Sia, Sofia Antonesku, Leni Shuka, Sofika Milkani etj. Asdrenin e mbante mend edhe zonja Elena Pema, në pallatin e së cilës kishte banuar një kohë, në një dhomë të vogël, në mansardë.  Shqiptarët asokohe kishin një pozitë të mirë materiale dhe një bazë të shëndoshë morale, kulturore, shëndetsore dhe profesionale. Të këtillë i kemi sot, shqiptarët e Perëndimit. Ku e keni Seferin, e pyesim mamanë e tij në Berlin. Herën e parë na thot se ka vajtur në teatër, pas një jave, se kishte vajtur në ballo, pastaj në klubin e shqiptarëve.
Kënga dhe gëzimi ishin veti e përditshme e dardanëve
Kënga, vallëzimi dhe dashuria, janë formë e shprehjes së përjetimeve të brendshme. Lëvizjet ritmike të valles e përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe sistemin nervor. Ato e stimulojnë në mënyrë të dukshme, sa trupin, po aq edhe intelektin. Me një fjalë, e çlirojnë shpirtin e njeriut, duke e lehtësuar dhe shtyrë të përforcojë shijen dhe vullnetin për jetë. Të gjitha këto, shqiptarët e pasur dhe të mençur të Bukureshtit i dinin dhe i praktikonin në ballo, në dasma, madje edhe në piknik. Ballot dhe pikniqet shqiptare të Bukureshtit nuk kishin vetëm mision argëtimi, por edhe qëllime filantropike, për përkrahjen e shqiptarëve me halle. Përveç valleve, shqiptarët delnin edhe në piknik, në lëndinat e pyllit Bëneasa, me këngëtarë profesionistë, që interpretonin këngë popullore dhe patriotike, në të dy gjuhët.
Të këtillë, pa kurrfarë kompleksesh ballkanike të otomanizmit, shqiptarë që s’e ngujonin gruan mes mureve të avlisë, ishin Gjergj Bubani dhe Daniel Zografi, Tushi Kristesku dhe Nik Pema. I këtillë ishte edhe zoti Zisu, i ati i Dan Zografit. Kishte një qëndrim prej konti. Ishte pronar i restoranit Karajman, që gjendej në rrugën Këmpineanu, dhe atje vinin pothuajse krejt aktorët e mëdhenj të Teatrit Kombëtar, sidomos Xhorxhe Kalbëreanu, Marciani dhe kolegët e tyre, aktorë të admiruar anembanë Rumanisë. Këndonte atje, poashtu edhe mbretëresha e këngës popullore rumune: Maria Tënase. Shqiptarët merrnin  pjesë në Shoqatën e tregtarëve të pasur të Bukureshtit. Elena Pema na rrëfente se si e ka njohur shqiptaren më të bukur të kësaj metropole, Dhespina Gjinokastrën, pasardhësit e së cilës kemi patur nderin t’i njohim sëbashku me ish/ambasadorin shqiptar, Leonidha Mërtiri.
Hareja, vallëzimi dhe kënga ishin veti e përditshme e dardanëve. Këtë traditë të lashtë të kultivimit të shpirtit, e konkretizonin sidomos shqiptarët e Bukureshtit që e kishin ruajtur me xhelozi fenë dhe emrat e të parëve tanë. Më 1 dhjetor të vitit 1937, kur Shoqata e tregtarëve të Bukureshtit pat organizuar një kurs vallëzimi, meqë ishte vallëzuesja më e mirë dhe bukuroshja më atraktive e asaj mbrëmjeje, Elena Pema qe nominalizuar Mbretëresha e Ballos. Manifestimi qe organizuar me rastin e Ditës së Flamurit. Elena ishte gruaja e diplomatit të parë shqiptar të Bukureshtit,  Nik Pemës. Burri i saj, që jetoi 91 vjet, e mbante mend edhe apostullin e shqiptarizmës së asaj kohe: Nikolla Naçon, drejtorin e parë të revistës Shqiptari/Albanezul. Martesa e Elenës rumune me Nikun shqiptar ishte kurorëzuar përmes një dasmjeje madhështore. Ceremonia u prezentua në faqet e para të gazetave më të njohura të Bukureshtit.

Shqiptaret e Bukureshtit para kishes shqiptare (1938)
Shqiptaret e Bukureshtit para kishes shqiptare (1938)

Korcaret e Bukureshtit me Asdrenin ne mes (1938)
Korcaret e Bukureshtit me Asdrenin ne mes (1938)
Grate e komunitetit ne piknik (1938)
Grate e komunitetit ne piknik (1938)
Femra shqiptare me kostume rumune
Femra shqiptare me kostume rumune
Disa nga 30 revistat dhe gazetat shqiptare të Rumanisë (1887-1938)
Disa nga 30 revistat dhe gazetat shqiptare të Rumanisë (1887-1938)