Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Suzana Kuqi: Erëmirit

| E diele, 07.06.2009, 12:52 PM |


Suzana Kuqi

Erëmirit

Do të doja të ishte poezi për ty,
ëngjëll i bardhë i varfërisë...
por veç poezi nuk mund ta kete emrin...

Qyteti në gjumë ka rënë
edhe kishat e xhamiat
kruspull mbi dogmat flenë...
... ku varrosur Zotin kanë...

Mbyllur janë portat
për dhimbjen e nënës
që troket nëpër natë...
Me yjet që i rrinë kaq larg
e kaq pranë
të zjarrtë e ulëritës
si zemër e nënës që përpëlitet
mes dhëmbjes e shpresës marrëzi
ah sikur mos të ishte...
ah sikur në derë të trokiste...
ah sikur ...
... dhe yjet në qiell nga turpi zvarriten
se dhëmbjes së nënës nuk dinë ti vënë kufi...

Ndërsa hesht qyteti pa kalimtarë
e vetme zemërdhëmbje bredh
jehonë bëjnë veç hapat e saj...
Nuk është e drejtë...
Erëmiri im...

E nesër...
Nesër...
Që pa gdhirë do të dalin tregëtarët e shpresës
në vota ta blejnë...
nesër...
fjalë të bukura e penelata hipokrite
do ta lyejnë atë derë...
e përsëri nesër
pushtetarët do të tregojnë prezervativët
të vërtetojnë se këtë tragjedi varfërie
ata nuk e kanë mbarsur...

e do të duan të blejnë atë dhëmbje në sy nëne
e ta shesin...

E asaj nëne,
nga djali,
vetëm dhimbja i ka mbetur...