| E shtune, 06.06.2009, 12:55 PM |
Personazhe dhe pamje të veçanta të Durrësit, Tiranës, Shkodrës, Prishtinës, Prizrenit, Graçanicës... të shkrepura në Shqipërinë e 1913-ës
Nga Oliverta Lila
Ata nuk ngurrojnë të pozojnë apo të shfaqin habi përballë aparatit fotografik. Portrete të vrenjtura burrash, disa me armë në krahë e të tjerë me tufa duhani, disa me trastat e grurit të hapura në rrugët e pazarit e një tjetër shitës i gjelave prej sheqeri. Gratë, të gjitha në veshje popullore, herë në shoqërinë e fëmijëve e herë vetëm i sheh në pazar, të ulura mbi qerre, duke mbushur ujë në pus... Janë personazhe shqiptare të 1913-ës. Personazhe të Durrësit, Tiranës, Shkodrës, Prishtinës, Prizrenit. Nga ata që kanë jetuar në heshtje. Ata që e kanë jetuar historinë pa u bërë pjesë e saj. Imazhet e tyre vazhdojnë të "rrëfejnë" edhe sot për një rastësi të fatit. Këta njerëz u gjendën në rrugën që dy fotografë francezë Zhan Bryn dhe Ogyst Leon, nisur me mision të posaçëm për të dokumentuar kulturat e shumë vendeve të botës. Pa fjalë, ata vijnë në ditët e sotme përmes një albumi të rrallë fotografik. Mban titullin "Shqipëria dhe Kosova me Ngjyra, 1913"(Albania and Kosova in colours). Një botim i "Skanderbeg Books", i prezantuar së pari në Panairin e Librit që mbahet këto ditë në Prishtinë. Fotografitë, të gjitha me ngjyra, sjellin pamje të Shqipërisë dhe Kosovës në një moment historik ku vendoseshin fatet e shteteve. Ato janë pjesë e koleksionit të madh fotografik të bankierit dhe bamirësit francez me origjinë hebreje Alber Kan(Albert Kahn). Fotografitë që prezantohen për herë të parë në këtë album, janë përzgjedhur mes autokromave të koleksionit Kan prej 97 fotografish të hershme me ngjyra të Shqipërisë dhe 94 fotografi të Kosovës nga studiuesi dhe përkthyesi i njohur, Robert Elsie, dhe nga studiuesja holandeze, Gerda Mullder. "Të gjitha këto fotografi që paraqiten për herë të parë në album janë unikale në historinë e fotografisë shqiptare dhe ballkanike. Ato shkëlqejnë si xhevahirë të paçmueshëm në ëndrrën shumëngjyrëshe të Alber Kanit, në Arkivat e Planetit", thekson Elsie, i cili edhe më parë ka punuar me koleksione fotografish mbi Shqipërinë. Udhëtimi në Shqipërinë dhe Kosovën e 1913-ës ishte pjesë e një misioni që Kan e kishte shpërndarë në disa vende të botës. Me origjinë hebreje, me një baba që merrej me shitjen e bagëtive dhe me nënën që i vdes kur ishte 10 vjeç, Kan niset drejt Parisit. I prin fati, punon në një bankë në Paris, vazhdon njëkohësisht studimet dhe diplomohet për Letërsi, për Shkenca dhe Drejtësi. Siguron një pasuri të madhe dhe mjaft prona. Një njeri me pasuri të pafundme, Alber Kan vendosi t‘i kushtohej paqes ndërkombëtare. "Për këtë ai krijoi disa institucione për të mbështetur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Kurse, projekti ambicioz Arkivat e Planetit (Les Archives de la Planète) synonte të dokumentonte në fotografi bardhezi dhe me ngjyra, si dhe në film, kulturat njerëzore kudo në botë... Për këtë ai dërgoi fotografë dhe kameramanë në mbarë "sipërfaqen e globit të populluar dhe transformuar prej njeriut, siç dukej në fillim të shekullit të njëzetë". Midis viteve 1909 dhe 1931, fotografët dhe kameramanët e tij bënë 72.000 autokroma dhe 170.000 metra film në gati pesëdhjetë vende të botës", thekson Elsie në shkrimin prezantues të albumit.
Misioni i parë i Arkivave të Planetit i planifikuar nga profesori Zhan Bryn (Jean Brunhes, 1869-1930) ishte për në Ballkan. Sipas Elsiesë, rrugëtimi i saktë i misionit nuk është plotësisht i qartë, mirëpo dihet se Zhan Bryn dhe Ogyst Leon ndodheshin në Bosnjë menjëherë para shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike në fillim të tetorit 1912 dhe fotografuan Banja Llukën, Jajcën, Mostarin dhe Sarajevën. Udhëtimi i tyre në Kosovë u krye në maj të vitit 1913 ku u bënë autokroma në Prishtinë, Graçanicë, Lipjan dhe Prizren. Prej Kosovës ekipi vazhdoi rrugën nga Shkupi për në Selanik, ku Leoni bëri 69 fotografi me ngjyra të qytetit, dhe prej Selanikut ata udhëtuan për në Bursë në Azinë e Vogël. Misioni në Shqipëri u zhvillua në vjeshtë të atij viti. "Bryn dhe Leon erdhën prej Malit të Zi në Durrës më 16 tetor 1913 apo rreth kësaj date. Kjo, të paktën, është data e autokromave të para aty. Nga Durrësi kaluan lumin Erzen, të mbrojtur nga Esad Pashë Toptani (1864-1920) dhe arritën në Tiranë ku qëndruan dy ditë", vazhdon Elsie. Në album gjendet edhe një portret i Esad Pashë Toptanit, foto nga veranda e vilës së tij dhe e ushtarëve malësorë që rrinë në hyrje. Ata nuk janë ndalur vetëm në portrete njerëzore. Mes fotove, ka pamje shumë të bukura të Portit të Durrësit, të disa rrugicave të qytetit, foto nga qendra e Tiranës, të xhamive të Sulejman Pashës dhe xhamisë së Karapicëve që sot nuk ekzistojnë më. Kemi pamje të pazarit të Shkodrës të shkatërruar nga malazezët, pamje të Prishtinës, Prizrenit, Graçanicës..." Nga Tirana, u kthyen në Durrës dhe sigurisht me një anije vazhduan rrugën për në Tivar në Malin e Zi për të përfunduar në Shkodër më 21 tetor 1913. Shkodra, fortesa e fundit e Osmanllinjve në Ballkan, kishte rënë në duart e forcave malazeze më 22 prill 1913 dhe gjatë luftimeve një pjesë e madhe e qytetit të vjetër u shkatërrua. Më 22 tetor 1913, ekipi vazhdoi rrugën drejt veriut për në Rijekë dhe Cetinje, kryeqytetin e vjetër të Malit të Zi", tregon Elsie. Shkrepjet e tyre me ngjyra në botën shqiptare u bënë kështu pjesë e koleksionit të madh të Kan. Shembja e bursës financiare në 1929-1930 e çoi drejt falimentimit Kan në vitin 1932. Shumë projekte të mëdha të tij u ndërprenë përfshirë dhe Arkivat e Planetit. Nga viti 1936-‘39 Prefektura e Senës mori përsipër pronën e tij dhe koleksionin e madh të fotografive dhe të filmave të mbledhur në Arkivat e Planetit. "Koleksioni Alber Kan, në të cilin gjenden edhe fotografitë nga Shqipëria, ishte dhe mbetet një ndër qendrat më të rëndësishme të autokromës, pra të fotografisë së hershme me ngjyrë, në botë", thekson Robert Elsie.