| E premte, 05.06.2009, 09:28 PM |
Revista Kosova e Konstacës (1932-33)
Kosova e Konstancës dhe kosovarët e Bukureshtit
Nga Baki Ymeri, Bukuresht
Kosova është Ishulli i pavdekësisë ndërsa „Ishulli i pavdekësisë” (Insula nemuririi) është antologjia e parë e Kosovës, që e pa dritën e botimit në atdheun e Mihai Emineskut. Pesë poetë shqiptarë hynë për herë të parë, në xeheroret e arta të gjuhës rumune, për të nxjerrë në dritë dëshmi të pasurisë së shqiptarëve, për të cilët Nikolla Jorga thoshte se janë kushërinj gjaku të rumunëve. Që nga ajo kohë (2005), përveç A. Podrimjes, S. Hamitit, I. Berishës, S. Bashotës, B. Çapriqit, e kanë parë dritën e botimit edhe një numër i konsideruar sivëllezërish tanë nga Kosova (A. Shkreli, Sh. Beqiri, M. Ramiqi, R. Musliu, J. Zenunaj, F. Brovina, R. Mehmeti, H. Haxhosaj, J. Kelmendi, S. Rrustemi, S. Gjergji, I. Kadriu, E. Shukriu, B. Avdyli, R. Sheqiri, R. Hoxha, F. Salihu etj.), të shoqëruar me një spektër të gjerë recensionesh të favorshme rumune në adresë të Kosovës dhe vlerave të saj. Çka don të thotë kjo? Kjo don të thotë se në këtë vend ende zotëron fryma e ngrohtë e vëllazërimit rumuno/shqiptar që buron nga një lashtësi enigmatike e lidhjeve farefisnrore të bashkëjetesës trako/ilire, një bashkëjetesë e shkëputur gjeografikisht përmes invazionit sllav në Ballkan, e cila mund të përforcohet politikisht, pikëspari kur Shqipëria do t’i njohë arumunët si minoritet, që pastaj Rumania ta njohë Kosovën si sovranitet.
Kosova e Konstancës
Më 25 Maj të vitit 1932, filloi të dalë në Konstancë të Rumanisë revista e parë e diasporës shqiptare, Kosova, tribunë e rëndësishme e çështjes shqiptare dhe e afirmimit të Kosovës në botë. Drejtor i saj është publicisti, përkthyesi dhe patrioti korçar Gjergj Bubani, redaktor i “Shqipërisë së Re” dhe i një varg triubunash tjera shqiptare që delnin në këtë vend. Revista shtypej në Tipografinë “Albania” të Konstancës, atje ku e panë dritën e botimit Atdheu, Flamuri i Shqipërisë, Shqipëria e Re, gazetash e revistash tjera shqiptare, si dhe veprat e para të Asdrenit, Lasgushit, Kutelit, Dodanit, Aleko Vançit dhe veteranëve tjerë të atdhetarizmit shqiptar në veri të Danubit.
“Kosova” delte me artikuj në gjuhën shqipe, rumune e frenge, në formatin 32/48 cm. Ekzistencën e saj në gjirin e Bibliotekës së Akademisë rumune, sëbashku me disa botime të vjetra për Skënderbeun e zbuloi për herë të parë një kosovar, poeti Sali Bashota (2005), edhepse për këtë tribunë kanë shkruar kohë më parë Vehbi Bala, Ismet Dërmaku, Rexhep Qosja, Fatmira Rama, Kristia Maksuti etj. Ndër bashkëpunëtorë njihen Dhimitër Pasko, Ali Asllani, Asdreni, M. Pogaçe, Emin Pllana, Kristo Luarasi, Selami Çela, Dhimitër Shuteriqi etj., disa duke i shënuar artikujt apo vjershat me pseudonime si Kaçaniku, Simfiri, Anliri, Plaku i Drenicës (...). Nga kjo gazetë janë botuar 32 numra, numri i fundit duke qenë ai i ll korrikut l933. Revista kishte karakter të dukshëm prozogist dhe revendikativ lidhur me trojet shqiptare të mbetura nën kthetrat e hegjemonisë sllavo/bizantine. Një kopje (në CD) e saj, tashmë është pronë e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.
Duke shfletuar faqet e saj, nën moton “Le t’a dijë bota mbarë/ Se shqiptari ësht’ i zoti/ Të luftojë si më parë/ Të luftojë si qëmoti/ Për Kosovë e Çamëri/ Rrofsh e qofsh, moj Shqipëri!” (nr.3, 13 qershor 1932), konstatojmë se “Kosova” në numrin e parë të saj përcakton katër kërkesa kryesore për çështjen shqiptare: 1. Të drejtën e vetëdisponimit për viset tona të robëruara (Kosovë e Çamëri), 2. Një Maqedoni autonome, kantonale, me të gjitha format poltike të Zvicrës, ku maqedono-shqiptarët, maqedono-rumunët, maqedono-bullgarët, maqedono-turqit, maqedono-grekët të kenë kantonet e tyre të lira. 3. Konsolidimin e pavarësisë sonë, radikalizmin e reformave shoqërore dhe kristalizimin e lirive kushtetuese. 4. Afrimin dhe bashkëpunimin sa më të ngushtë ndërmjet të tre blloqeve që përbëjnë kombin tonë, dmth. “ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë së lirë, shqiptarëve të Shqipërisë së robëruar dhe shqiptarëve të kolonive”. Ky ishte, në të vërtetë, programi i revistës së një drejtori që më vonë do të përjetojë persektutimet e qeverisë shqiptare si pasojë e rekomandimeve të Beogradit.
Kosova e Konstancës dhe kosovarët e Bukureshtit
Që në numrin e parë jepet lajmi se Kosova shitet në Bukuresht, "nëpër kafeanat ku mblidhen kosovarët", te z. Kostika Zisu në Sheshin Dr. Bibescu, dhe te z. Emin Riza, Rruga Kolentina 74. Në kuadrin e artikullit "Kosova" (“organ i pakicave shqiptare”) bëhet fjalë për një grusht nacionalistësh entuziastë të kolonive shqiptare të Rumanisë, Turqisë e Bullgarisë, midis të cilëve shumë kosovarë e çamër të mërguar, të cilët i vunë bazat e këtij organi, duke e pagëzuar me një emër simbolik "Kosova". Artikullshkruesi shpreh bindjen se me ndihmën e nacionalizmës shqiptare, "Kosova" do të dalë faqebardhë në misionin e saj të lartë. "Tash vjen rradha e kosovarëve dhe e çamërve të mërguar t'i japin gjallëri këtij organi. Tek ta dhe tek nacionalistët shqiptarë të atdheut e të kollonivet "Kosova" mbështet gjithë shpresat e saja. Çdokush pra le ta bëjë detyrën ashtu si ia thot zemra" (f.3).
Në numnrin e saj të parë, Kosova jep lajmin se shteti shqiptar i dhuroi profesorit Nikolla Jorga, në shenjë mirënjohjeje, një kopsht në anëdetin e Sarandës. Dhurata në fjalë ka bërë një përshtypje të bukur në opinionin rumun. Në numrin e 2-të të Kosovës (4 Qershor 1932), kryeministri Jorga konsiderohet si "përkrahës i nxehtë i çështjes shqiptare". Më 20 Maj të këtij viti, hapet në Bukuresht një kongres kishtar që kishte për qëllim afrimin e të gjitha kishave të krishtera. Në këtë kongres ishte ftuar të marrë pjesë edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Nikolla Jorga si përkrahës i përzemërt i qëndrimeve shqiptare, shpreh mendimin që "Patriarkia e Rumanisë t'i njohë qysh tash Autoqefalinë tonë, pa kërkuar edhe pa pritur avizin e kryekishave të tjera". Me këtë rast, Jorga e priti me nderime dhe simpati të posaçme, kryepishkopin shqiptar, Vissarion Xhuvani.
Në kuadrin e artikullit Si u prit Kosova (nr.3/1932), kosovarët e Bukureshtit theksojnë faktin se "Na kosovarët, ndonëse ma të shumtët nuk dimë me këndue, të gjithë do t'a marim "Kosovën", e do t'a mbajmë në gji, si nji gja të shejtë". Sefedin Kërçova (kryetar i komunës së Shipkovicës në kohën e Mbretërisë Shqiptare), paraqitet nga Shijaku. Sipas tij, kjo inisiativë e shenjtë që kanë marrë përsipër "gëzon çdo shqipëtar me ndjenja të vërteta kombëtare, e ma fort mua që ju njoh personalisht si nji nga ma të mirët patriotë". Dashamirët e kësaj tribune të atdhetarizmit shqiptar nuk shprehin vetëm komplimente, por shprehin gadishmëri për parapagim, dhe e e porosisin redaksinë tua dërgojnë Kosovën që nga numri i parë. Në numrin 4 jepen vlerësime e gazetës Demokratia, e cila thekson faktin se shqiptarët e Rumanisë janë udhëhequr dhe udhëhiqen nga ndjenja kombëtare të sinqerta, se janë marrë më tepër se kushdo tjetër me çështjen e mërgimit shqiptar, se kanë qenë dhe janë idealistë, se Rumania ka qenë foleja e shqiptarizmës.
Tribunë e revendikimeve legjitime shqiptare
Nga Brusa paraqitet Zulfo Nexhip Kleshtina, "i humbur midis të huajve n'Asi të Vogël, ku kam qenë dërguar me pahir si "turk i shkëmbyeshmë, ndjeva një gëzim të math kur papandehur mora me postë të nderçmen dhe trimen fletore Kosova, me atë program fjesht kombëtar, të çpallur ne mënyrë të hapur. Që nga thelpi i zemrës ju uronj!". Revista bukureshtare “Macedonia” e vllehëve të Maqedonisë, në numrin e saj të Qershorit 1932, e përshëndet me gëzim botimin e kësaj fletore "revendiktash shqipëtare, që janë dhe t'onat". Në kuadrin e artikullit “Si na karakterizojnë arumunët” (Nr.4, f.3), preket edhe segmenti fetar: "Ndjenja fetare te shqipëtarët është më superficiale se në ç'do tjetër popull ballkanas. Shqipëtari është më parë shqipëtar, e pastaj musulman ose i krishterë. Me gjithë që i mungon një ndjenjë e vërtetë fetare, shqiptari ka shpirt bujari dhe këtë bujari e tregon posaçërisht atëherë kur një i huaj i bije derës së tij dhe i kërkon strehë. Për shqiptarin nuk ka ditë më e lumtur nga ajo kur iu dha rasti të presë në shtëpin' e tij një musafir".
Kosova e Konstancës boton një serë vjershash për Kosovë e Çamëri (autorë: Asdreni, Risto L. Siliqi, Dhimitër Shuteriqi, etj.). Sefedin Kërçova paraqitet përsëri nga Shijaku: "Kosova dolli. Tash duhet t'a mbajmë më këmbë, me çdo therori". Në numrin 5 jepet një faqe me artikullin “Tragjedia e kosovarëve”. Bëhet fjalë për qëllimet dhe metodat që përdorin serbët "për të çdukur fisin t'onë nga Kosova". Në një numër tjetër të kësaj tribune, duke bërë fjalë për konsideratat e huaja ndaj shqiptarëve, par adimirimit të rumunëve dhe arumunëve ndaj kombit shqiptar, theksohet fakti se "një serb ka thënë që shqiptarët janë një racë e degjeneruar dhe prapanike, se duart u varen më poshtë nga gjunjët dhe majë kokës kanë nga një culluf flokësh". Në kuadrin e artikullit të asistentit universitar Nicolae M. A. Popp, “Minoritatea Romano/ Albaneza din Jugoslavia (nr. 31, 28 Maj 1933), “Kosova” e Gjergj Bubanit shkruan me respekt për shkencëtarët serbë (A. Melik, G. Valsan, M.S. Filipoviç, I. Erdeljanoviç, V. Bubinec etj.) të cilët i konsiderojnë trakasit dhe ilirët, respektivisht rumunët dhe shqiptarët, si banorët e parë të “krejt territorit të Jugosllavisë aktuale”.
Në kuadrin e artikullit "Misioni i Kosovës" (Nr. 5), kuptojmë se korespondent i "Kosovës" në Bukuresht, asokohe ishte studenti entuziast D. Pogaçe, "i cili mori inisiativën për t'krijuar një shkollë shqipe në atë qytet, posaçërisht për kosovarët që s'dinë të këndojnë e të shkruajnë gjuhën amtare, dhe u afrua ay vetë të shërbejë si mësues, pa ndonjë pretension". Me këtë rast theksohet fakti se është mbajtur mbledhja e parë me një numur prej më se 100 kosovarësh, që nga ora 8 e mëngjezit deri në mesditë, në Kafenë Persiane. "Mbledhja që u mbajt pardje është fillimi i një aktiviteti të gjallë, që rethi i zgjedhur i Kosovës të zhvillohet në gjithë kollonitë shqipëtare". Me këtë rast, siç theksohet në kuadrin e artikullit “Mbledhja e kosovarëve në Bukuresht” (nr.5), u themelua Shoqëria "Kosova" dhe u vendos të çelet një shkollë-nate shqipe për kosovarët. Sipas korespondentit të Kosovës, "Mbledhja u mbyll në mes të një enthusiasmi të math (...). Gjithë kosovarët më këmbë brohoritnë duke tthirur: “Rroftë Shqypnija! Rroftë Flamuri! Rroftë Kosova e Çamëria!”. Gjithashtu brohoritnë për fletoren "Kosova" dhe për studentët shqipëtarë të Bukureshtit".
Në numrat e ardhshëm jepen krijime të Lasgush Poradecit, Sterjo Spasses, Gjergj Bubanit, bëhet fjalë për Marshin e Kosovës, Viktor Eftimiun, Jashar Erebarën, Asdrenin, Erakli Duron, Kristaq Antoniun, për mbledhjen e dytë të kosovarëve të Bukureshtit, për aktivitetet e gruas shqiptare, për rumunët e Timokut, për themelimin e shoqërisë kulturore shqiptare "Kosova" në Bukuresht, si dhe për një varg subjkektesh tjera, të denja për teza doktoratash dhe analizash të mirëfillta shkencore e publicistike. Sa kosovarë ka sot në Bukuresht? Fare pak, por ata që janë (Islami nga prizreni, Don Antoni, alias Xhemal Mustafa nga Sllatina e Vitisë, etj.) janë ata që duhet të jenë: tregtarë të zellshëm dhe atdhetarë të devotshëm që s’e harrojnë kurrë Ishullin e pavdekësisë, Kosovën aktuale që dikurë përkufizohej me Rumaninë përmes kufirit trako/ilir që shtrihej përgjatë brigjeve të Moravës rumuno/shqiptare.
Per Kosove e Cameri ne revisten Kosova (1933)
Sadik Rama dhe manevrat serbe ne Kosovë |
Revista Kosova me artikullin Viktima te reja ne Kosove (1933) |