| E marte, 02.06.2009, 06:38 PM |
Ejup Ceraja
Trupi më mori temperaturë nga...
(Skicë për tregim)
“- Nënë – i pat thënë Tefik Gurra – nënë Rinushës na e ziej nga një kafe mua e Besartit, nëse nuk je shumë e lodhur e nuk të vjen rëndë. Sapo u përshëndetëm me te dhe zumë vend në minder.
- Po, tash ua bën lokja nga një kafe të merakut. – u gjegj atëherë nënë Rinushja.
Me Tefik Gurrën nuk ishte kohë e gjatë që ishim njohur. Ama ishim bërë të pandashëm si turtujt. Vetëm gjumi i natës na ndante nga njëri-tjetri. Tefiku kishte ardhur dy-tri herë në shtëpinë tonë. Kurse unë ishte hera e parë që po shkelja pragun e shtëpisë së tyre. M’u pat bërë atëherë sikur të më kishte zënë shtëpia, kur Tefiku iu drejtua për kafe nënë Rinushës. M’u ngjit në tru një mendim si ushunjëza në buzë se jo Tefiku, po unë i porositja kafetë që ditën e parë të shkeljes sime në shtëpinë e tyre. Trupi më pat marrë temperaturë. Ngjyra valore më kalonin nëpër fytyrë, sado që unë s’i shihja ato...
Tefiku u ngut dhe e piu kafenë para meje. E rrotulloi filxhanin dhe priste që edhe unë ta pija. Më përcillte me bisht të syrit se kur po e mbaroja. Sapo e piva gllënjkën e fundit, ma priti me zë të ulët:
- Rrotulloje filxhanin, Besart!
Në fillim ngurova. “M’u shtua edhe një shkak për t’u ngushtuar. Ta rrotulloja më vinte keq e ngushtohesha. Të mos e rrotulloja më mbeste zhizhë në zemër”. – siç thotë populli. Edhe pse unë në mrekulli të tilla nuk kam besim asnjëherë.
Ishte fundi qershorit i vitit një mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tre. Kisha konkurruar për mësues në fshatin tim të lindjes. Më grinte meraku të kuptoja diçka edhe fjalë goje qoftë ato. “Më erdhi rasti – pata menduar më vete atëherë – për të kuptuar diçka rreth konkurrimit tim”. Përbrenda meje grindeshin ngushtimi e dëshira si “Jaku dhe Ajaku”. Kishin ngulur këmbë si mushka dhe asnjëra s’lëshon pe.
- Rrotulloje! - çka po pret. - më pat thënë Tefiku, duke më shkundur për krahu se e kishte hetuar hutimin tim.
- Hë, po. – i pata thënë, sikur të isha zgjuar nga një kllapi gjumi për së uluri. Dëshira, atëherë, doli fituese ndaj ngushtimit.
Derisa filxhani qëndronte përmbys mbi tabllën e vet, mua më kishin kapluar djersët. Nuk mund ta dalloja se a më shumë më vinin ato djersë nga vapa e qershorit, nga ngushtimi apo nga të dyja së bashku. Tefiku më fliste diç, po veshët e mi të prirë e orientuar nga truri dëgjonin vetëm atë që ma bluante mendja në ato çaste. Isha i zënë me vetveten e s’dëgjoja asgjë tjetër. Më kishin vërshuar mendime nga të katër anët si vërshojnë përrenjtë e rrëpirët malorë gjatë stinës së një vjeshte me shi të bollshëm. “Më në fund – pata thënë atëherë më vete – do të mësoj diç rreth konkurrimit tim për mësues në vendlindje. Kisha shpresë se nuk do të më refuzonin. Fëmijët e atyre fshatrave të thella malore kishin nevojë për mësim e për dije si bimët për ujë në ditët me vapë të gushtit. Sa me padurim, po edhe sa më ngushtim e presja atëherë se ç’do të më thoshte nënë Rinushja”. Nga rrjedha e mendimeve të atilla më pat shkëputur zëri i Tefikut, i cili e pat thirr nënë Rinushen, duke i thënë:
- Eja, nënë, të na i lexosh filxhanët. I kam rrotulluar për hir të Besartit. Nuk tha i kemi rrotulluar. Më çliroj ca nga pesha e ngushtimit, që ende sillej brenda qenies sime si dredha në një furtunë.
- Pse loke?... Ti e di se unë më nuk merrem me këso marifetesh. – i pat thënë nënë Rinusha.
- E di, nënë e dashur, e di. Po për ne sot bëre një përjashtim. – iu pat lutur Tefiku.
- Tani vjen lokja. Sa t’i pastroj duart. – na tha nënë Rinushja atëherë.
Nënë Rinushja shikonte në ato figura të ndryshme për një kohë. Diçka me siguri lexonte. Ndërsa për mua ato figura, që i vëreja me bisht të syrit, sikur nuk paraqisnin asgjë. Pas pak m’u drejtua:
- Biri im! Dëshira e flaktë, që s’po të lënka as gjumin ta bësh si gjumë, do të të plotësohet këtë javë... Lokja të dëshiron vetëm suksese në punë... Bëhu i sjellshëm dhe puno me përkushtim e me nder. Në këtë filxhan mund të hulumtohet edhe ndonjë hollësi tjetër, po kjo është kryesorja.
- Të faleminderit, nënë Rinushe!... – i thashë atëherë më se i gëzuar.