| E marte, 02.06.2009, 07:10 PM |
Një fundjave më mërgimtar
HAJT KOLEGË SE DO TË BËHET MIRË!...
Nga Arif Molliqi, Hamburg
Koha në Hamburg „orë e çast ndërron“.
Kohë që duket disi e ngatërruar, ose sikur mundohet të tregoi diçka interesante. Ku ta dimë, ndoshta mundohet të tregoi për Elben, ku F. Noli shkroi; „ ...Anës Elbës...“, apo për dymijë e gjashtëqind e sa ura që bartë mbi vete ky lum. Ndoshta, për barrën e rëndë të kohës që varfëria, skamja siç thonë andej nga ne, i ka detyruar hiq më pak se pesëmbëdhjetë mijë shqiptarë ta ndrydhin rininë e tyre larg atdheut, ta shesin trupin dhe shpirtin nëpër kantieret më të rënda të Hamburgut....
Ndoshta. Ku ta dimë, kjo kohë mundohet të tregoi diç më shumë për zymtësinë e mërgimtarëve shqiptar që kanë mbetur në mëshirën e Zotit dhe patronit të tyre që i shfrytëzon me pamëshirë. I shfrytëzon sepse s´ka askush të interesohet për ta. „Ushtarëve s´ka kush ju shkruan“, do të kishte thënë ndryshe shkrimtari i madh Gabriel Garcia Marquez. I shfrytëzojnë sepse shqiptarët janë të vetmit „ gastarbajterë“ që shteti amë nga vijnë nuk e ka të kyçur diplomacinë shtetërore që ti mbroj.
E, mërgimtarët e ngushëllojnë vetën:
I pari; Kosova ka hapur Ambasadën e vet në Berlin vetëm sa për dekorim, dhe se, nuk kryen asnjë funksion për qytetarët e Kosovës e, as për mërgimtarë. S´ka kush të interesohet për shqiptarët „ gastarbajterë“ që bredhin udhëve të botës.
Merrni me mend; edhe gati një vjet pas hapjes se Ambasadës, shqiptari nuk ka mundësi të regjistroj lindjen e fëmijës?! Nuk ka mundësi të ç´regjistroj vdekjen...Nuk ka mundësi të marr asnjë lloj dokumenti udhëtimi, nuk ka mundësi të vërtetoj asnjë letër me vlerë...Merrni me mend; nuk kemi dëgjuar që është nënshkruar ndonjë protokoll mes Kosovës dhe Gjermanisë rreth çështjeve të sigurimeve pensional të “gastarbajterëve” shqiptarë, por kosovarët trajtohen si qytetar të Serbisë.
Tjetra; nëse kosovari sëmuret derisa gjendet për pushime në Kosovë, i sëmuri nuk ka kurrfarë dokumenti që të shërohet atje e, as që t´i njihet koha e shërimit si pushim mjekësor. Për ketë pyetem në AOK, ent i sigurimit shëndetësor, dhe na thanë se marrëveshja akoma është e plotfuqishme me Serbinë dhe se duhet të nënshkruhen marrëveshje të reja ndërshtetërore, për çka ketë Kosova nuk e ka bërë.
Tjetra: mërgimtarët tanë që udhëtojnë me vetura në Kosovë, “polisa” e sigurimit gjermane ju vlen gjatë gjithë rrugës; Austri, Slloveni, Kroaci, Mal të Zi kurse, në kufi të Kosovës dalin “xharrahet” dhe i detyrojnë me paguar për tri ose katër javë ekstra sigurim për veturë. Paradoks i llojit të vet?! Në ADAC (sigurim Gjerman për automjete edhe jashtë shtetit), kur pyetem na thanë se ; “Ne nuk e dimë pse ata nuk i pranojnë sigurimet tona, por sidoqoftë ne ua kthejmë një pjesë të pagesën se atij sigurimi, por jo në atë lartësi çfarë paguani ju në Kosovë...!”
Pas këtyre përplasjeve në një bisedë mërgimtaresh shënova edhe ketë: Njeri që ishte më shpirt ngushtë, i padurueshëm gati-gati sa nuk shau. Tjetri, një politikanë i diasporës(?!), i ngushëllonte;
„Hajt koleg se bëhet mirë!“
„Mirë në m...!“ tha tjetri që ishte duke vrapuar për ta regjistruar një fëmijë dhe, më në fund ishte detyruar ta regjistronte si “gjerman”. Megjithatë, shqiptarët u mësuan me refrenin; „hajt kolegë se bëhet mirë...“. Po, me çka nuk u mësuan shqiptarët?! U mësuan më punët e rënda, me kurbetin, me dhembjet për shtëpitë e shkatërruara dhe të djegura gjatë 1998, 1999, që kishin investuar aq gjatë për ti ndërtuar..
U mësuan me mallin, e me vdekjet që po ju ndodhin në vendlindje pa pasur mundësi një grusht dhe t´ua hedhin përmbi varr,...
Është pakëz e rënd kjo fjalë por, shqiptarët u mësuan edhe me përbuzje. U mësuan që herë-herë të janë të përbuzur nga patronët e tyre që akoma kanë nostalgji për jugosllavet...
Tani janë të përbuzur edhe nga shtetet amë...
Pse po e them fjalën përbuzje ?!
Shtetet e vetëquajtura Serbi dhe Maqedoni, aq shumë interesohen për „gastarbajterët“ e vet sa arrin që me shpifjet e tyre ti ndërsejnë gjermanet nganjëherë edhe kundër shqiptarëve. Ata duke e parë se opinionet gjermane ishin paksa në anën e shqiptarëve, morën masa ta kthejnë gjithë ketë simpati në të kundërtën. Thjesht, me mjete mediatike-propagandistike, gjejnë një kameraman, një gazetar të huaj, e paguajnë mirë, dhe ai duke e shfrytëzuar si rekuizitë ndonjë plakë apo plak sllave ( diku në Serbi apo Maqedoni), që bijtë e tyre i kanë hedhur nga shtëpia, i kanë qitur në rrugë pa mbrojtje, i paraqesin si viktima të ndjekura prej shtëpie nga ana e shqiptarëve.
Shqiptari na del bashkëfajtor i dhunës në Ballkan...
Pastaj, shpesh para ekrani na dalin fytyra të ca pijanecëve të përgjakur që janë rrëzuar në ndonjë kalldrëm të Beogradit, e për medijat gjermane thuhet se shqiptarët i rrahin në Prishtinë të gjithë ata që nuk janë shqiptar. Demek; i rrahin serbët, malazezët, romët e tjerët.
Përsëri në mjetet e informimit gjerman, shqiptari na del prishës i qetësisë në Ballkan. Për kohën, këto pamje bëjnë jehonë të keqe në opinion. Që çudia të jetë edhe më e madhe, ambasadat ( e Shqipërisë dhe e Kosovës) në Gjermani nuk reagojnë fare kundër rrenave të tilla...
Hajt koleg se bëhet mirë!, na thonë ata të ambasadës, kur i thërrasim në ndonjë koktej në Hamburg. Ose, kur politikanët e Kosovës kthehen në Gjermani për ndonjë punë private e, ne “ankohemi” për këto gjëra, edhe ata na thonë: “Hajt koleg se bëhet mirë...!”
Pse jo, ketë e thonë edhe politikanët shqiptarë që vijnë nga Maqedonia për ti vizituar familjet e tyre që i kanë lënë nëpër Evropë, si vend me të sigurt, e vet bëjnë politikë në Tetovë!
Hajt kolegë se bëhet mirë!...