| E shtune, 30.05.2009, 02:08 PM |
Lindur ne vitin 1953, ne Ziçisht te Korces. Ka mbaruar fakultetin e larte Ekonomik si dhe kursin pasuniversitar,prane Institutit te Arteve Tirane ne degen e skenarit te filmit artistik.Tregimet e para i ka botuar qysh kur ishte ne bangot e shkolles se mesme.Ka botuar keto vepra letrare: Vellime me tregime dhe novela “Shtepia e pergjumur”-1977,”Kabina e kuqe”-1985,”Vatra njerezore”-1987, skenarin e filmit artistic ”Perseri pranvere”-1985. Gjithashtu ka botuar vellimin me lirika “Fate paralele”-2006, romanin “Pergjumje iluzionesh”-2006, si dhe se shpejti do te dale ne qarkullim vellimi me lirika “Sinfonite e stineve”. Po ju paraqesim nje cikel me vjersha nga vellimi “Fate paralele” dhe nje cikel tjeter nga vellimi “Sinfonite e stineve”. Thani Naqo ka emigruar ne SHBA dhe jeton ne Florida, se bashku me familjen e tij.
POEZI NGA LIBRI “FATE PARALELE”
MËNGJESET I SJELLIN KËNDESAT
Mbushini gotat! Le te ndjekim sonte telat,
Kitarat e drunjta kanë tingull real.
Mengjeset nën këngë këndesash,
Netët e dashurisë i kthejne mall.
Me fund, o miq, t’i pimë këto gota,
Le të turbullohemi njëherë sadopak,
Zgjuar le të mbetet sonte e gjithë bota
Fundi i saj kurdoherë është larg.
T’i këndojmë këngët kur kemi dashuruar
Edhe kitarave t’u këputen sonte telat,
Kështu do të harrojmë se kemi mërguar,
Nga mëngjeset qe i sjellin këndesat.
2006
MAR PJESË NË CEREMONINË
E PAGESAVE MUJORE
Me pamjen e një burri që nuk do t’ia dijë,
Për borxhet familjare dhe deficitin shtetëror.
Gruan me të re se vetja. Dy të rritur fëmijë,
I duruar. Martuar njëherë.
Tejet optimist!
Ëndërr te jesh kreditor!
Dukem gjë fondamentalist?
2007
ËSHTË NJË NATË
SI GJITHË TË TJERAT
E padurueshme mbërritja në shtëpi,
Ditëgjata tërhiqet llastikë,
Lodhja kërkon prehje e qetësi,
E njëtrajshmja shfaqet cdo ditë
Dhe hënorja blasfemi.
Sërish turbullira për ata që i kërkuan,
Mbikoha paguan haraçin e tërbimit,
Në daç per te rindërtuar,
Formulën e ozonit drejt shkatërimit,
Planeti në blu tjetërsuar.
Tymos cigare në oborrin e pasmë,
Shqetësimet i lë në thithjen e natës.
Kështu dhe euforizmin e një dasme,
Dhe klithmën briskprerese të gatës,
Mes vringëllima metalesh.
Lodhja m’i kthen sytë nga shtrati,
Prehet shurdhërimi me pakëz naivitet,
Vecoj ëndrrat sfondblu, ku fati
Gjahtar i regjur në natën që shket.
2006
MENGJES, ORA 6-TE
Përpiqem të gjej me probabilitet
Mendimin para se t’i dorrëzohesha gjumit,
Sikur të plakeshim, e dashur, në tjëtër kontinent,
Çfarë do të ndodhte në fund të fundit?!...
Shpresa, si gjithnjë, do të gjallonte,
Ditët dhe netët e zakonshme.
2006
NENA
Më pret gjithnjë tek prag’i portës,
Duart nën përparëse sikur fsheh dicka,
Njëlloj si nënat në mëhallet e botës,
Nëna ime, e plakura.
Ndodh që kthehem vonë nga puna
Pret dyshimzëmërdredhur.
“Mbasi im bir pi raki me cunat,
dhe sonte vjen në shtëpi i dehur”.
Njëmijë këshilla mban në gjuhë,
Pret sa të kaloj pragun e portës,
Por, oh, sa shpejt i kalon ai duf!...
Njëlloj si nënat e mëhallëve të botës.
1980
HESHTJA ËSHTË ZOTËSI
E GRUAS SË HESHTUR
Ndarja e punëve gjymton ato dëshira,
Ndër vite iluzive me kotësi mbuluar.
Në fillesën e ëndrrës shpërrthen dashuria,
Në konusin e rritjes gjithnjë ka kërkuar
Largimin e anemisë që sjell errësira,
Me pluhur dekadash ngarkuar.
Hije të heshtura përqark venë e vijnë,
Janë kuajt e kaltër në vrahun e jetës,
Bukën e përditshme në vrahe shijnë,
Përzgjedhin majanë me instiktin e bletës,
Mes lulesh dimërore, ku shpesh ngrijnë
Kotësitë e të vërtetës.
S’ka pse t’i lësh dëshirat në harresë,
Rizgjimi yt vjen me cicërima sqepverdhësh,
Shpalosja e flatrave përreth folesë
Me të parën krenari imitim shpendësh,
Endet velloja e padukshme në rrathë dehëse
Me fije të magjishme shprese.
2006
NGA LIBRI ME LIRIKA “CAPKËNËT E MËHALLËVE TË BOTËS”
TROKASHKAT
Jam ngjitur në katin e njëqind e nëntë,
Prek retë e Cikagos me mustaqe e gishta.
Në majë të gratacielit ç’ m’ i morën mëntë,
Valltaret spanjollka me pulpët e brishta.
Trokojne trokashkat, shpalosen fustanet,
Nën sombrerot 1) strehëgjëra tunden kitara.
Spanjollkat e bukura c’m’i kujtuan stanet,
Mullinjtë pas lumenjve, andej nga Morava.
Trokashkat trokojnë me rrahjen e ujit,
Uji rreh pendën e derdh forcën mbi gur.
Vocëraket vallëzuese nxitin rrjedhën e grurit
Dhe pah’i miellit vesh mullirin me nur.
Trokashkat e kitarat në maje gratacieli,
Gdhendur prej druri, nga pylli kanë dalë.
Sombrerot strehëgjëra dhe tingujt e fyellit,
Nën trokthin e kuajve vrapit ia kanë marë.
2007
1)sombrero= kapele strehegjërë e popujve latinë
ENIGMA E MADHE
Ç’prill marroz bën në Alaskë!
Bardhesi vrastare. Mbi gjigantin ajsberg,
Trupin e akulluar ma ndez një kuqalashkë,1)
Mulrlan i tërbuar mbi ne dëbore hedh.
Me duart e saj me thuri mokasina, 2)
Të etur ramë pas gjurmëve të Londonit. 3)
Me harta të vjetra kërkonim nëpër humbëtira,
Jatakun iluziv mbi flori cdo natë e shtronim.
I lodhur, mërdhirë, mbështjelle me lekurë,
Londoni inatçor më shkul veshin e thërret fort:
-Me Ethet e Floririt mos u bëj dhëndër kurrë,
Në jatakun e gënjeshtërt nuk zgjohesh dot!
Plasaritur është qielli, me ca yje të cifluar,
Thërmohet Kasht’e Kumtrit diku mbi Dauson. 4)
Habitem: “Kaq larg, o Thani, ç’dreqin ke kërkuar!”
Dhe hëna anemike mbi kokë më mërmëron....
2007
1)kuqalashkë= indiane e Alaskës
2)mokasina= qiklla, rrathë që lehtësojnë ecjen mbi dëborë
3)Londoni= Xhek London (1876-1916), shkrimtar amerikan.
4)Dauson=krahine ne Alaske, mban emrin e lumit Dauson.
BALADA E ZOGUT TË NATËS
Fle ditën dhe del natën,
Zog’ i shekullit të pagjumë,
Cakërdisur kërkon fatin,
Në qytetin dritëshumë.
Brylmbështetur në dritare,
Ankth’ i nënës kthimin pret,
Zog’ i natës s’erdhi fare,
Gjersa nata krejt u tret.
Ëndërrkeqja përmbi drurë,
Folen’e zbrazët diku sheh,
Zog’i n’çuar s’kthehet kurrë,
Kur folenë era e rreh...
Ankth’i ëndrrës ballin mpiu,
Dhe cepsyrin plot me rrudha,
Lotët nënorë aty i ngriu,
Mblodhi dhimbjen në dy gurëza...
2007
MJAFTON T’I TRAZOSH...
Hej, ke shkuar atje ku mbolle puthjen e parë?
C’aromë dhe c’ngjyrë ke sot lulen dashuri?
Nën hirin e vjetër thëngjij mbeten mbuluar,
Mjafton t’i trazosh dhe ato ndizen përsëri...
2007
PLAKUSHI JU BËRI
ME BAHCE E VRESHTA
(mesazh për bahcevanët e botës)
Hej, mos harroni të famshmin Miçurin,1)
Në bahçet tuaja bustin t’ia ngrini.
Mrekullira, o miq, bëri ai me shartim,
Belica dhe kumbulla dhe fruta si gjinj!
Mjaft i shtrënguat paraçkat e shkreta,
Bustin e tij ta porositni menjëherë.
Plakushi ju bëri me bahçe e vreshta,
Damixhanat me raki dhe butet me verë!
Të hiqni kapelen dhe ta pershendetni:
-Tungjatjeta, mbreti ynë, në shekuj ti rrofsh.
Që nga moll’e kuqe dhe gjer tek pjepri,
Në çdo kokër frutë, i madhërishëm ti qofsh!
Hajt, mjaft i shtrënguat paraçkat e shkreta,
Hiç mos u mërzitni kur të bini në pleqëri.
Miçurini ju bëri me bahce dhe vreshta,
Butet me verë, damixhanat rrafsh me raki!
2008
1)Ivan V.Miçurin (1855-1935)= seleksionist dhe ortokulist rus me famë botërore në prodhimin e më shumë se 300 llojeve hibride te pemeve frutore.
MËNGJES I FLORIZUAR
Thëllëzkat e n’cuara ia morën këngës,
Firon nata nëpër korijet.
I përhimti agim shtrin drapërin e hënës,
Kosit pllajave dritëhijet.
E kaltra qiellore po shkrin e venitet,
Yjet treten porsi thëngjij.
Hën e gjysmuar lëkundet e përdridhet,
Florizon mbi kashtë dhe kallinj.
Florizon çatitë dhe kalldrëmet e fshatit,
Përmes kortinave shkon e vjen.
Dhe kur dielli drtitëson kokën e shtratit,
Dalt’ e qerpikëve ëndrra gdhend.
1972
OQEANI
...E prek, i flas edhe lutje i pëshpëris,
I tregoj per Moravën, m’i bukuri në botë.
Malësor isha dikur dhe atë mal kisha mik,
Male s’shoh gjëkund dhe miku im bëhu sot...
Është krejt e kotë të flasësh me dallgët,
Duf’i tyre, pa mëshir, bregun godet.
Unë mbyll sytë dhe shoh Moravën e largët,
Nën dëborë gjumash, i fresket nën gjeth.
Hapësira ovale shtrihet tej mbi oqean,
Rreth e qark s’ka përrenj, as lumë sheh.
Shpina ujore ngrihet lart si Ivan, 1)
Vec dallgëve o mik s’u venke dot fre!
2007
1) Ivani= mal në Devoll
TE BURIMI I LLËGËS
Burimit tëLlëngs vajyat mbushin ujë,
Unë shihem rrakitave në jetrin breg.
Monopatit të gushtë plot gaz e bujë,
Shfaqen pulpe lavrake që dielli i pjek.
Mbi kokën e burimit hijezon një kumbull,
Degëgëvarur nga kokrat e kuqe plot lëng.
Gjersa stomnat mbushin barkun e rrumbullt,
Fustanet e vajzave mbi gjunjë zënë vënd.
Mendoj jam i vetmi dhe asnjë djalosh tjetër,
Kurmet femërore t'i shohë ka fat.
Por hijet tradhëtare pas shelgjeve të vjeter,
Ngjasojnë me siluetat kur bien në mëkat.
Pas bregut të lumit me shelgje e rrakita,
Hajdutçe ikin, hajdutçe çapkënë vijnë.
Përkëdhelin kallëpet arave me misra
Ua shkulin mustaqet, pëllëmbët i nxijnë!...
UNE, PERANDORI
I PERANDORISË SË GJELBËR
Jam zhytur i vetmuar në jeshil livadhi,
Aromë lulesh atdheu dhe freski ahu.
Poleni më pudroi dhe me spërka nektari,
Nën tumba fierishtash mbeta tulatur.
Mbi krye kam qiellin krejtësisht të gjelbër,
Ndihem perandor i botës me klorofil.
Nuk ka hënë të më shohë vëngër,
Me brirët e turpshëm më këqyr një kërmill.
Këtu s’ ka presidentë dhe as kryeministra,
As gjeneralë dhe buzëqeshje djallëzore.
Gushëkuqët vocërrakë thurin kanistra,
Dhe vargan’ i milingonave zënë për dore.
Me perandorinë time pa ndrojtje krenohem,
Dirigjoj sinfonitë e thëllëzave dhe bilbilave.
Në hotelin e fierishtave të fle e të mos zgjohem,
Gjersa t‘më trokasë m’e bukura e dëshirave!
2007
MANTELI MË I BUKUR NË BOTË
S’përgjova diellin kur u fsheh pas shpatit,
Muzgu grizoi pyllin dhe me nxit për rrugë.
Si fshatar i regjur unë gjej rrugën e fshatit,
Mar rrjedhën e lumit mbi zhavorre dhe gurë.
Pllaq-plluq nëpër ujra dhe mes lumit ndal,
Kur do t’ia dëgjoj sërish zërin fëshfërimës?!
I mbërthyer mbeta brenda guaskës – metal,
Zhgënjimpërzhitur nga stina e brymës...
Ndjeva se ky cast ishte gjumi im më i gjatë,
Klithma e mëllënjës nga hutimi më shkund!
Ngadalë muzg’i mbrëmjes po zbriste mbi fshat,
Më të bukur mantel nuk kisha parë kund!
2007
CIKËL ME POEZI NGA LIBRI "SINFONITË E STINËVE"
KUR DITËT FIROJNË
RRUGËVE TË BOTËS
Pas shpinës ujore diell’ i pjekur perëndon,
Përpëlitet dita në kthetrat e fillimmbrëmjes.
Cdo perëndim i tij kujtesën më ngacmon:
“Të iku dhe një ditë nga dekada e plakjes!”
Koha firon dhe bëhem më i kërrusur,
Kryeneç dhe m’ i ashpër në ditën që vjen.
Pasqyra hakmerret me fytyrën e tejrrudhur,
Thinjën e së djeshmes nëpër flokë m' a gjen.
Porsi shpendi shtegtar ndjehem çdo dite,
Zemra ime harakate pulson mes stilit të modës.
I rreshtuar në karvanin ku çapiten pleqëritë,
Zhgarravis kalendarin rrugëve të botës...
2009
SHËTIS RRUGICAVE, FSHATI SHKRETË
Shëtis rrugicave, fshati shkretë,
Çapitem mbi kalldrëme porsi plak.
Hëna përndjek dhe syri i saj nga retë,
Shënja më bën dhe mbas reve fshihet prap.
Paqtia – braktisje, fshatin ka mbuluar,
Asnjë qen nuk leh. Gjithësia pipëtin.
Rrugicave të njohura dikur kam lodruar,
Edhe gurët ua kam dashur, njëlloj si vajzërin.
Sa shpejt u rritën djemtë edhe vajzat sa shpejt!,
Pleqtë e dikurshëm, (ehu!), janë tretur qëkuri!
I përlotur shëtis në fshatin tim mbetur shkret,
Braktisja më bren mua dhe sofatet prej druri...
Leviz nje hije...mbase është koti vizion,
Një plakë dërdënge, me gjuhën shpoti.
Në xhepat e përparëses arra dhe oshafe kërkon,
Cinglamingla dhe... gjithe fëmijëria futur aty!
U shfaq dhe një siluetë me ecje drenushe,
Nallënet e drunjta trokuan mbi gurë.
-Ndiqe!- më pëshpërit plaka djallushe,
Dhe bëje atë nuse, bëju edhe ti burre!
Prisni!... Mu bë se pas xhamave dikush përgjon,
Njoha gërrshetin e asaj që kam adhuruar!...
Lëvizin kortinat...Mos gjë hëna sonte frymon?
Dhe tallet nga qielli me yje arnuar?!...
PEISAZH DIMRI PAS MESNATE
Krëk-krëke dërgon thellësi e pyjeve,
Dimri rëndon edhe trarët ankohen.
Spërkatur gjithësia me kristalet e yjeve,
Gjer tej, ku malet me qiellin takohen.
Thik’ e erës skalit pirgjet e bardha,
Dëborën e ngjesh dhe mbi gjerdhe e hedh.
Përmes skalizmave si kafshë të gjalla,
Një dhelpër e hutuar rrugicave sonte bredh.
Çati dhe oxhaqe mbuluar nga dëbora,
Perëndeshë e virgjër shëtit shpate e kodrina.
Pemët nusërojnë dhe se ç’ bëjnë ca nojma,
Pagjumë lënë vajzërinë që përgjon nga kortina...
Befas, zëplotë ja mori këndesi i parë,
Oxhaqet frymojnë me gushet e tymit.
Mbi trungun e vjetër cak-cuk një sëpatë,
Dhe amvisat e fshatit nxitin zjarret e dimrit...
1970
MBRETËRIA-MËMËDHE
Sikur të mos kisha marë rrugët e kurbetit,
Në vëndlindjen time mbretërine do t’a ngrija.
Gjoksin të nxirrja e të mburresha si mbretërit,
Te isha zot i asaj vatre me prush e shkëndija.
Të isha mbret i pyjeve dhe mbret i maleve,
Asnjë burim nuk do t’a lija pa e puthur.
Me mikun do të hapesha kur të kisha halle,
Në mbretërinë e tij, askush nuk ka humbur!
Mbret i kodrave dhe mbret i fushave të isha,
I vlagës magji në brazdën e porsahapur.
Femijeria, princ i korijeve me dushqe e lajthishta,
Dhe dashnor i natyrshëm me ato që kam dashur.
Mbreti nuk ka frikë kur vjen ver’ e thatë,
Me mbretërit e tjerë, aty ku buron Devolli.
Lumit famëmadh, t’i ngrinim tjetër sfrat
Dhe askush mos mërzitej për arat që mbolli.
Qejflinjte do t’i mblidhja atje, ku pikon rakia,
Zëlartë t’ja marim këngëve tona të vjetra.
Princave tanë t’u themi se c’ligj bën dashuria,
Dhe ç’janë iluzionet dhe ç është e vërteta.
Kontinenteve të largëta, tej oqeaneve të kripur,
Për mbret e për princ nuk gjëndet një këmbëdhe.
Mbretëri e paqësisë është ku je lindur dhe rritur,
Dhe kjo mbretëri, shqiptarçe, quhet Mëmëdhe!
HËNA PLOT PESËMBËDHJETË
Shkau mesnata, hëna pesëmbëdhjetë
Edhe hijet e natës i spërkat me flori.
Sofatet e drunjta s’kanë mbetur shkretë,
Bijen kitara dhe këndojnë ca të rinj.
Trishtuar ri plaku. I ve ai ka mbetur,
Duart pleksur mbi harkun e bastunit.
Vështrimin pleqëror në qiell e ka tretur,
Për hatër të hënës, ka shtyrë orarin e gjumit.
Rrezaton florihëna dhe kthjellon sytë e tij,
Mbi kulmin e catisë sonte ka qëndruar,
Soditmë, sikur i thotë, nga larg për ty po vij,
Dikur ke qënë capkën, o plak i vetmuar!
Nënqesh pleqërishte dhe zemra i troket shpresë,
Sa vite, muaj, a ditë, i kanë mbetur akoma?
Nën hënë ka lindur dhe hënë do kur të vdesë,
“ Si sonte, o Zot, -psherëtin- mos harro, dërgoma!...”
Florizon hëna mbi harkun e bastunit,
Yll’i Mëngjesit u tret në sytë e tij të mekur.
E plotë, pesëmbëdhjetë, kjo ishte hën’e fundit,
Ndërsa kitarat tingëllonin me telat e dredhur...