Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Rindërtimi shpirtëror i shqiptarëve

| E shtune, 30.05.2009, 10:29 PM |


Rindërtimi shpirtëror i shqiptarëve

Nga Ndue Ukaj

1.

Kombi shqiptar tanimë jeton i lirë. Ai ka sendërtuar një pjesë të objektivave politikë, mirëpo është thellësisht i zhytur në një krizë të brendshme, krizë kjo që për shënjues ka degradimin e vlerave, apo një krizë vlerash që përcillet në gjitha aspektet e jetës kombëtare. Kjo krizë ka prekur gjitha segmentet e rëndësishme kombëtare dhe për pasojë ka krijuar një gjendje të rëndë, në të cilën ndjehet ankthshëm nevoja e rindërtimit shpirtëror të kombit shqiptar. Tronditjet e shumta që kemi përjetuar këto dy dekada të fundit si komb na kanë sjell para një gjendje faktike, në të cilën mungojnë dilemat morale dhe përsiatjet intelektuale për fenomenet që përjetojmë.

2.

Shoqëria shqiptare nëpër shekuj e dekada ka përjetuar vetëm tmerre, mungesa të shumta e mbi të gjitha mungesë lirie. Ajo, në asnjë fazë nuk ka përjetuar lirinë e mirëfilltë, si premisë esenciale për formësime normale e të shëndosha. Mbase, ajo duke u rritur e formësuar në rrethana të jashtëzakonshme, të çrregullta, jo normale, tanimë kur gjendet para një etape të re, ka brenda vetës kriza e probleme të shumëfishta, të cilat e pengojnë për t’u adaptuar dhe këndej pari pranuar normat dhe vlerat demokratike e standardet e pranuara si të mirëqena ndërkombëtarisht. Ajo nuk ka përjetuar lirinë, ajo nuk është formësuar në liri, përkundrazi, ajo është formësuar nën diktat e dhunë, nën reprezalje e mungesë lirie. Mungesa e lirisë, si komponentë themelore për edukim e formësim normal të një shoqërie/kombi, ka bërë që shoqëria shqiptare e kudo ndodhur gjeografikisht, të ketë mungesa të shumta, të cilat vërehen në shumë pore të jetës. Dhe një ndër esencialet është mosaftësia për të ndërtuar sistem stabil të vlerave.

3.

Ka pas një besim të tepruar se kapitulli i vuajtjeve dhe klithmave shqiptare do të merr fund në këtë mileniumin e ri, në të cilin shqiptarët në tërësi kanë hyrë me ndryshme pozitive. Zaten, përkundër ndryshimeve të dukshme, gjendja reale në hapësirat shqiptare është e rëndë, me halle të shumëfishta dhe shpresa të pakta. Kosova akoma vazhdon të përpëlitet në rrugën e saj drejt konsolidimit si shtet, me një mal problemesh përpara dhe me mundësi të pakta. Pjesët tjera shqiptare, përkundër ndryshimeve pozitive, ndodhen në pozita aspak të dëshiruara. Ndërkohë që Shqipëria, vendi amë, po shënjon me një përkushtim të thellë, përpjekjet e fundit për të përfunduar kapitullin e dhimbshëm të tranzicionit afro dy dekadash, por, prapëseprapë gjendet para sfidave të shumëfishta. Ajo vazhdon të vuaj pasojat e së shkuarës moniste dhe endet mes kësaj së shkuare dhe të ardhmes, pa mundur të përmbyll lehtësisht kapitullin e stërzgjatur dhe të dhimbshëm të tranzicionit politikë, ekonomik e kulturor.

4.

Po të analizojmë përgjithësisht pozicionin e kombit shqiptar sot, mund të konstatojmë se para tij ende gjenden sfida të rënda. Dhe nga kuptimi e tejkalimi racional i këtyre sfidave, varet shumë e tashmja, mbi të gjitha e ardhmja. Përkundër faktit se kombi shqiptar përjeton një liri të përgjithshme, shqiptarët kanë një të tashme të paqartë, të zymtë, të rënd, madje për shumicën, të pashpresë. Së këndejmi, sot, shtrohen shumë pyetje e kërkohen shumë përgjigje të mençura, të cilat do të ndihmonin për të tejkaluar këtë gjendje dhe për të transformuar atë drejt një të ardhme më të ndritur e më prosperuese. Ka një pajtueshmëri të plotë në debatet e shumta mediatike e intelektuale se e tashmja është e zymtë, përkundër zhvillimeve të prekshme pozitive. Mirëpo, gjithashtu ekziston një shpresë dhe bindje se e ardhmja është në anën e kombit shqiptar. Prandaj është koha dhe momenti që këtë rast duhet fituar. Dhe ky rast fitohet vetëm duke vënë në funksion vlerat e shëndosha dhe duke etabluar një sistem vlerash të dëshmuara. Andaj që të tejkalohet kjo, mbi të gjitha që të mund të evidencohen pengesat e së tashmes, duhet identifikuar gjitha plagët dhe pastaj ato duhet ekzaminuar, analizuar thuktë për të krijuar mundësi që këto sfida të tejkalohen. Kjo domethënë se duhet të prekim pikërisht plagën a plagët kryesore që ka sot shoqëria jonë, e të cilat kanë qenë dhe janë pengesa për të ecur më shpejt përpara. Në traditën e shkrimit shqip ka pasur shumë dijetar të periudhave të ndryshme që kanë identifikuar një korpus plagësh kombëtare, që shpeshherë janë konceptuar tek politika, ndarjet, feja, historia, etj. Gjitha këto kanë prodhuar një gjendje kaotike, në të cilën ka munguar dhe mungon një sistem i kategorizuar i vlerave dhe një vullnet për të punuar tok në rrugët e konsolidimit dhe sforcimit të substancës së kombit. Politikës shqiptare gjithmonë i kanë munguar vlerat e mirëfillta dhe njerëzit e duhur për të punuar në drejtim të mirave të përbashkëta. Pikërisht kjo ka bërë që politika shqiptare kudo, të jetë më e përçarë se normalisht, asnjëherë mos të ketë aftësi të përbashkohet si një trup i përbashkët në sendërtimin e objektivave kombëtare. Për të ndodhur në ndonjë moment unifikim, kjo zakonisht është dashur të bëhet me një trysni ndërkombëtare. Dhe pikërisht ky sindrom ka prodhuar aq shumë ndarje mes shqiptarëve, saqë sot është e vështirë të bisedohet për një politikë të mirëfilltë demokratike shqiptare dhe shtetëndërtuese. Po në këtë sens, kuptohen edhe klithmat e shumë dijetarëve shqiptar ndër shekuj që bënin apel për unitet, në jetësimin dhe promovimin e idealeve dhe vlerave të përbashkëta. Në këtë kontekst, Atë Anton Harapi thoshte se një komb i përçarë është i humbur. E gjitha kjo krizë ka një emërues, krizën morale. Charles de Montesquieu shkruante se: ”Një shtet më shumë shkatërrohet nga humbja e moralit të qytetarëve se sa nga shkatërrimi ekonomik”. Është moment që të kuptohet drejt kjo referencë dhe të funksionalizohet brenda intiligjencisë shqiptare, që kjo e fundit të mos jetë soditëse, por kreative.

5.

Një tjetër problematik e theksuar e jetës shqiptare është çështja e mosgatishmërisë për të ndarë të mirën nga e keqja, vlerën nga antivlera. Këto dy probleme thelbore kanë prodhuar politikë oportuniste, egoizëm banal dhe korrupsion legal në gjitha instancat kombëtare. Kësisoj është penguar gjykimi kritikë dhe vlerësimet reale. Dhe për pasojë ka dominuar dhe dominon një opurtunizëm e paparë. Kjo traditë shkatërrimtare asnjëherë nuk ka arrit të shndërrohet në kulturë të bashkëpunimit. Kësisoj, prodhimi i së mirës dhe përcaktimi i së vërtetës, ka munguar dhe po mungon çdo herë tek ne. Ndërkaq në tranzicionin shqiptar, këto dukuri sabotuese kanë ngritur kokë edhe më shumë. Së këndejmi brenda jetës shqiptar është legjitimuar një formë primitive e të ushtruarit të pushtetit, e kulturës, ekonomisë, etj. Dhe këndej pari tiparet themelore të kësaj krize kanë legjitimuar një shpirt korruptues, një prirje mburrvecërie e vëtëlavdrërimi ekstrem.

Përveç këtyre, një problem shumë kompleks shqiptar mbetet mosaftësia për të ndërtuar një sistemi vlerash të mirëfillta. Kjo mosaftësi a mosgatishmëri ka legjitimuar një politikë mediokre, një elitë që nuk është e aftë dhe e gatshme të ndërmarr iniciativa dhe të jep alternativa, me një fjalë një intiligjenci oportuniste dhe soditëse. Kjo formë ka instaluar një politikë oportuniste, shërbyese, që bënë jetë nën trysnitë e ndryshme që i vijnë nga faktor të jashtëm e të brendshëm. Kjo për faktin se sistemi demokratik është ndërtuar dhe po ndërtohet mbi interesa parciale, sikundër janë lidhjet klanore, fisnore, fetare, politike. Ne vuajmë pasojat e një  mungese të sistemit të konsoliduar e hierarkizëm vlerash. Prandaj sot kemi një çiherarkizim të tmerrshëm vlerash. Në mungesë të kësaj, kemi antipodin e vlerave, pseudovlerat, të cilat kanë ngulfat jetën tonë në çdo aspekt.

Brenda kombit shqiptar kemi një përmbysje vlerash dhe kultura, ky domen shumë i rëndësishëm nacional është degraduar si është më keq. Kultura është shndërruar në një konglomerat të pafundmë, ku aleancat primitive funksionojnë shumë mirë dhe ku si antipod kemi një sorrogatllëk vlerash të çoroditura. Sorrogatëlleku i vlerave është pikërisht kjo aleancë jo parimore dhe aspak e shëndoshë, që ka zëvendësuar sistemin e vlerave reale dhe ka stopuar kyçjen e njerëzve të duhur në punë të rëndësishme të kombit.

6.

Gjithandej hapësirave shqiptare nuk le shumë për t’u ngazëllyer. Në të vërtet ajo është e rëndë, edhe pse kombi shqiptar në përgjithësi mund të thuhet se është liruar nga të këqijat sistematike, nga regjimet, diktaturat, pushtimet, mungesa e lirisë. Por, edhe pas kaq viteve tranzicionesh të stërpërfolura, shumëçka ka mbetur pezull. Kultura dhe aspektet shpirtërore janë të degraduara, për të mos thënë shumë dimensione kulturore i janë nënshtruar një represioni të çoroditur në emër të pseudovlerave dhe një sorogatëlleku vlerash. Ky model kulture e politike ka ngulfatur jetën e mirëfilltë nacionale. Bisedohet shumë për deformime politike, për deformime ekonomike, për çorientime shoqërore e ideologjike, por më pak ose fare pak për deformime shpirtërore, ky lloj i deformimeve që ka pasoja të paparashikuara për një komb. Ndaj këtij fenomeni reflektohet me ngathësi, nuk debatohet, duke mos kuptuar se pikërisht ky soj deformimi është më i vështiri më degjeneruese, ngase të këqijat, i shndërron në të mira, në kode të sjelljes dhe të komunikimit.
Është moment i duhur për të akumuluar gjitha potencialet kombëtare në rrugën e rikthimit në mesin e kombeve të civilizuara perëndimore. Në këtë rrugë përmes rindërtimit shpirtëror duhet të plotësojmë boshllëqet historike dhe aktuale.