Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Ziko - një zë i veçantë në poezinë shqiptare

| E premte, 29.05.2009, 09:03 PM |


Shënim

Poeti, përkthyesi, pedagogu

Ziko - një zë i veçantë në poezinë shqiptare

Nga Vangjush Saro

Kohët e fundit, pata rast të lexoja një cikël me poezi të Vangjush Zikos. Përveçse një poeti fin, i vërtetë, i besueshëm, përveçse një përkthyes i përkorë, ai ka qenë edhe edukatori i shkëlqyer i një sërë shkrimtarëve dhe poetëve korçarë. Tek emri i tij, tek figura e tij, rishoh një nga fenomenet më interesante të asaj kohe të trazuar; një nga gjërat më të mira që mund t’i blatoheshin apo të ndodhnin në atë qytet. Një shpirt i lirë, një poet që nuk bënte poza, një mësues i papërsëritshëm, më në fund - edhe pse shumë nga ne ishim pothuaj fëmijë a të rinj - një mik i madh.
Shpeshherë, me të drejtë, jemi kritikë për kohën që shkoi. Gjithsesi, përjetimet janë të gjithfarshme, i kanë të gjitha ngjyrat. Personalisht, ruaj kujtimet më të mira nga Korça e atyre viteve, kur në fillimet e mia letrare, Vangjush Ziko më mësoi abc-në e letërsisë. Ashtu si më ndihmuan edhe i paharruari Sotir Andoni, i shkëlqyeri Petraq Zoto, fisniku Teodor Laço, gojëmbli Gaqo Veshi (Hyskë Borobojka). Kur vite më vonë, në gjimnazin e Gramshit, tentoja të nxisja disa nga nxënësit e mi më të talentuar të mësonin dhe të shkruanin letërsi, figura e Vangjush Zikos ishte njëlloj mbështetjeje për mua, frymëzim po se po. Edhe sot e kësaj dite, nuk mund të kuptoj se ku gjendej tek ai gjithë ajo mirësi, ai kujdes, durim, besim, shpresë. Më kujtohet, ndërkohë që kisha botuar librat e para në prozë e poezi - për të rritur e fëmijë - profesori i kujdesshëm më tregoi një copë letër, që në fakt kishte qenë e imja; ishte shkruar aty një vjershë absurde, naive, e dobët. Me atë krenarinë e të riut që shikon larg e më larg, (pse jo edhe me pak fodullëk), unë gati e mohova që kishte qenë një vjershë e imja. Dhe profesori më rrahu krahët e sigurisht, më inkurajoi prapë, gjithsesi. Nuk mund të shkëmbehej me asgjë thjeshtësia me të cilën ai komunikonte me ne më të rinjtë. Të gjitha “leksionet” e tij, Vangjush Ziko i transmetonte në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Dhe më së pari, përmes krijimtarisë së tij jo fort voluminoze, por krejt të veçantë dhe, sidomos, të një standarti mbizotërues.
Nga pikëpamja tematike, Vangjush Ziko tentoi gjatë gjithë kohës një poezi të vërtetë, të ndjenjave dhe të përjetimeve njerëzore; një poezi “të pastër”, pa anësira ideologjike. Në sensin estetik dhe sa i takon llojit letrar, poezia e tij është në vazhdën e traditës më të mirë poetike shqiptare, nga De Rada e Fishta tek Poradeci e Migjeni. Ndër poetët e viteve ’60, krahas Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Dhori Qirjazit, Agim Shehut, etj., Vangjush Ziko shkëlqeu për thjeshtësinë dhe lirizmin e tij të papërsëritshëm. Edhe kur heshtte, edhe kur nuk shkruante, ai njeri dinte ta bënte këtë me shumë fisnikëri, për të mos e “lodhur” muzën e tij ndër patetizma të kota. Është padyshim një zë i veçantë në lirikën shqiptare.
Ka disa parime morale dhe estetike që nuk duhet t’i braktisim asnjëherë. E përsëris sepse duhet. I lexova me shumë dashuri poezitë e tij në edicionin e fundit të “Zemra shqiptare” dhe provova të njëjtën ndjenjë e simpati, si edhe shumë kohë përpara. Është po ai njeri: i urtë, i shtruar, i mirë, i ndjeshëm, i thellë; siç ka qenë gjithnjë. Është po ai timbër prej poeti të vërtetë, që herë më fort e herë më dobët, por gjithnjë pa bujë, vetëm me sinqeritet, kumton të vërteta. Të vërteta të thjeshta. Të vërteta të ndërlikuara. Të vërteta të rënda.

Nga nata lind dita e ndritshme,
Nga dit'e ndritur, nata pisë.
(Çudi!)

Vë re me kënaqësi që muza “besnike” dhe sharmi mjeshtëror i Vangjush Zikos ndehet në të gjithë termat e dashura poetike. Jeta. Vdekja. Dashuria. Natyra. E vërteta. Nuk ka poet të madh, që të mos jetë mbështetur fort në këto instrumente, sa të thjeshta në dukje, aq edhe të thella, të pakuptueshme ndonjëherë; (në mos shpeshherë).

Njeriun s'e lodhin sëmundjet dhe jeta.
As lufta që iku, as kjo që vjen pas.
Të lodhka më shum'e vërteta,
Rruga e gjatë e saj.
(Rruga e së vërtetës)

Kërkimi poetik dhe njerëzor vazhdon. Janë së bashku shumë motive, për të jetuar ose jo, për të zbuluar brengat, mbase edhe për t’i fshehur, për të lartuar shpresat a për t’i braktisur…

……………………………….
Ku ti dhe vdes dhe je i gjallë.
(Vetmia)

Duhet pohuar me ndershmëri se për një kohë pati mjaft kaos në mendimin tonë letrar dhe estetik. Mbase ende nuk është shpërndarë. Gjithsesi, ka një prirje për të rifreskuar kujtesën dhe për ta gjetur më mirë balancën, sa iu takon vlerave morale dhe estetike të kohës që lamë pas. Aq më tepër, kur shumica e shkrimtarëve dhe poetëve që jetuan të dyja kohët, vazhdojnë të shkruajnë dhe me sukses. Shpesh ka edhe keqkuptime. Mungesa e institucioneve për promovimin e letërsisë dhe arteve nga njëra anë dhe dalldia për lavdi e një pjese krijuesish, (të rinj e të vjetër,) nga ana tjetër, bën që tabloja e letrave të errësohet pa të drejtë. Kështu, më bën përshtypje që mediat shumë pak gjejnë pikëtakime me emra të mëdhenj të letërsisë shqiptare. Po e them këtë, bie fjala, për Jakov Xoxën, Sotir Andonin; kam rast të them, edhe për Vangjush Zikon.
Duke patur parasysh pikërisht këtë ndijesi, po e përmbyll shënimin tim modest - për figurën dhe poezitë e Vangjush Zikos - me një thënie të Faik Konicës për Shtjefën Gjeçovin: “Një lartësi e përulur, në mund të afroj e të lidh dy fjalë aq të përkundërta”.