Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: E kemi një aleancë të fortë përtej oqeanit

| E shtune, 30.05.2009, 07:53 PM |


E KEMI NJË ALEANCË TË FORTË PËRTEJ OQEANIT

Shkruan Engjëll KOLIQI
    
Duhet dhënë plotësisht të drejtë Presidentit të Republikës së Kosovës – Dr Fatmir Sejdiut-t, i cili duke u shprehur për vizitën e djeshme të Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Joseph Biden në Kosovë tha: “miku i mirë në ditë të vështirë”. Dhe, me të vërtetë ashtu është. Ishte mendim dhe vendim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që NATO duhej të ndërhynte në Kosovë, për të shpëtuar atje një popull të tërë, i cili po përjetonte një gjenocid të vërtetë nga aparati shtetëror e ushtarak i Serbisë. Në çastin më të duhur nerdhi ndërhyrja e NATO-s, në mars të vitit 1999, për të shpëtuar një popull nga shkatërrimi total dhe për të larguar nga tokat tona ata që na kishin torturuar gjithnjë, për një shekull të tërë. Në rolin e senatorit të shquar, atëherë, zëvendëspresidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Joseph Biden, ishte ndër flamurtarët e projekteve amerikane shpëtuese dhe liriprurëse në Kosovë. Dhe, duke i patur këto parasysh, lirisht mund të themi se Presidenti i Republikës së Kosovës – Dr Fatmir Sejdiu pati plotësisht të drejtë duke thënë: “Miku i , mirë në ditë të vështirë”.

Mirëpo, kështu nuk mendonin serbët. Ata, që nga Bosnja, në Beograd e bile edhe në Kosovë, protestuan kundër vizitës së zëvendëspresidentit amerikan Biden në Ballkan, duke thënë se ai është “armik i përbetuar” i Serbisë në dy dekadat e fundit dhe se mund të hidhërohet Vladimir Putini (kryekrimineli rus), duke e parë Bidenin që po shkel në tokat serbe. Kështu ata i çorrën vetë maskat sllavo-orthodokse dhe zbuluan fytyrën e tyre kriminele. Le të hidhërohet kush të dojë. Ai erdhi edhe një herë për të konfirmuar miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet ballkanike dhe për interesimin e madh të tyre për një paqe të qëndrueshme në këtë rajon shumë të trazuar, që shpesh në histori i ka sjellur probleme shumë serioze Europës.

Edhe tash, në një kohë kur disa shtete ende po hezitojnë ta pranojnë dhe ta njohin Republikën e Kosovës dhe kur nga disa qarqe po bllokohet integrimi ndërkombëtar i vendit tonë, Joseph Biden erdhi në vizitë te ne, për t’i treguar botës se në Ballkan është një shtet i ri që po kontribuon shumë për një paqe të qëndrueshme atje, se është një shtet i ri që po kultivon vlera të larta të demokracisë, se është një shtet që përtej oqeanit ka një aleat shumë të fortë – Shtetet e Bashkuara  të Amerikës. Ai erdhi edhe për t’i treguar Europës Plakë se Kosovën duhet integruar sa më parë, se Europa nuk ka dëm nga Kosova, por përkundrazi ka vetëm fitime dhe garanci paqësore. Ai erdhi edhe për t’u thënë atyre vendeve që po hezitojnë ende: “Njiheni menjëherë Republikën e Kosovës, sepse kështu do i bëni një shërbim të madh paqes së qëndrueshme në rajonin ballkanik”. Ai shkoi edhe në Manastirin orthodoks të Deçanit për t’ treguar botës se nuk është armik i serbëve, por luftëtar i paepur në proceset paqësore dhe të solidaritetit, anekënd botës. Me të vërtetë – miku i mirë në ditë të vështirë, sepse vizita e tij dhe garancitë e tija paqësore për Ballkanin e trazuar kanë domethënie të madhe, sidomos në shumëfishimin e njohjeve të reja të Republikës së Kosovës. 

Dhe, me të vërtetë – miku i mirë në ditë të vështirë. Tash, kur jemi në periudhën e integrimit të Kosovës në qarqet botërore bankare e financiare dhe përgjithsisht ekonomike, ndodhi edhe kjo vizitë shumë e rëndësishme, që sigurisht do të zgjojë ndërgjegjen e shumë vendeve për t’i thënë PO njohjes së Republikës së Kosovës. Me këtë vizitë Ai i tregoi botës se Kosova, edhepse një shtet i vogël ka aleatë të mëdhenj – vendet kryesore të Bashkimit Europian dhe vendet më të forta të botës – Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë, Japoninë dhe Autstralinë. Ajo që na mbetet ne, është mbajtja e mirë e këtyre aleancave dhe kontributi ynë në proceset paqësore në rajonin e trazuar të Ballkanit. Dhe ne dijmë t’i respektojmë dhe ti mbajmë të forta këto aleanca të mëdha. Në fund nuk na mbetet tjetër, veçse të angazhohemi maksimalisht në të gjitha proceset paqësore dhe të solidaritetit të popujve në Ballkan dhe në Europën juglindore dhe të brohorasim fuqishëm: Rrofshin aleatët tanë të fortë tej oqeanit! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë amerikanët, kudo qofshin! Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë Etnike! Gëzuar!

Garlate (Lecco), 22 maj 2009