Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze (Kozeta) Zylo: Ne jemi një botë dhe e duam njëri-tjetrin

| E premte, 29.05.2009, 07:40 PM |


K. Zylo duke interpretuar kengen Nuse do te bej ne Gusht

Ne jemi një botë dhe e duam njëri-tjetrin

Nga Këze (Kozeta) Zylo

Në shkollën e mesme në Staten Island, New York, është i shtati vit që organizohen show me tema të ndryshme.
Sivjet këshilltarja e shkollës dhe organizatorja kryesore e aktivitetit, znj. Lisa Bramble, kishte menduar që të shfaqej Festivali Internacional me këngë dhe valle nga e gjithë bota.
Përgatitjet filluan muaj më parë me seriozitetin më të madh, për të debutuar me sukses në Maj 2009, në skenën madhështore të teatrit të shkollës.
Kështu në ditën e shfaqjes erdhën mjaft prindër, personalitete dhe media amerikane për të nderuar këtë ditë internacionale, ku njerëzit do të shikonin dhe dëgjonin më nga afër, muzikën, kostumet shumëngjyrëshe marramendëse, flamujt e botës, një mozaik i vërtetë botëror.
Auditoriumi ishte zbukuruar me flamujt e të gjitha shteteve që do të merrnin pjesë në këtë festival.
Midis flamujve të botës gati-gati në qendër të tyre ishte dhe flamuri shqiptar, flamuri kuq e zi, simboli i Kombit tonë.
Në ekran para shfaqjes po jepeshin skena nga puna e palodhshme e mësuesve, stafit të shkollës dhe studentëve që kishin kohë që po punonin për të dalë me sukses në këtë festival.
Publiku që kishte mbushur plot e përplot sallën, duartrokisnin dhe me emocion prisnin shown, Festivalin Internacional.
Kur znj.Brmable doli në skenë dhe përshëndeti gjithë të pranishmit, njëkohësisht falënderoi dhe gjithë studentët që morën pjesë në show së bashku me stafin, papritur në ekran u shfaq studenti me fytyrë ëngjëllore Kadeem Green, për të cilin kam publikuar para pak kohe humbjen e parakohshme të tij, me titullin: “Lamtumire gryke argjendi Kadeem”!
Gjithë salla u ngrit në këmbë dhe në shenjë respekti nderoi studentin, që para pak muajsh ndërroi jetë papritur.
Show kete vit i kushtohej këtij studenti shembullor.  Eshtë emocionante të ndjesh dhe të shikosh nga afër se si respektohet njeriu që nuk është më…
Show filloi me betimin para flamurit interpretuar nga tre studentë amerikane, ku njeri prej tyre ishet veshur kuq e zi, ngaqë ishte pjesëmarrës në vallen e bukur shqiptare.
E shikoja me ëndje dhe respekt të veçantë, që kishte pranuar të kërcente në grupin tonë.
Sa krenare ishja që studentët e kësaj shkolle, gati 3000 prej tyre, mësonin ngjyrat e flamurit tonë, pikërisht në interpretimin e këngës për flamurin amerikan.
Grupi që e hapi festivalin ishte grupi që interpretonte këngët dhe vallet e Irlandës.
Ata ishin veshur me ngjyrat jeshile, ndërsa mbi kokat e tyre në hapësirë vareshin lulet e tërfilit, simbol i tyre.
Ata vallëzonin dhe këndonin këngën: (It’s great day for the Irish”)!
Pas Irlandezëve skena u mbush me studentë veshur me kostumet italiane duke kërcyer “Mambo italiano”
Ndërsa zv/Dekani bashkë me një student, këndonin këngën: “That’s Amore”!
Dalja e tij në skenë krijoi një entuziazëm të paparë, dhe mjaft prej pjesëmarrësve e shoqëronin duke kënduar dhe respektuar këtë lider popullor.
Skena papritur ndryshoi ngjyrat, ngase si flutura erdhen vajzat me veshjet e gjata dhe shallin rreth kokës, që të krijonin imazhin sikur ishje në vendet e Afrikës.
Ato inerpretuan mjeshtërisht vallen “Odum De! Odum De!
Eshtë mjaft prekëse të shikosh studentë me kombësi të ndryshme dhe me lëkurë të bardhë të veshur si afrikane dhe të respektojne traditën e tyre edhe pse nuk jane me origjinë nga ai vend.
Edhe kombi izraelit u paraqit me: “Hava Nagila” dhe “O Salholm”
Në këtë shkollë ka mjaft nxënës me origjinë hebre, kështuqë dalja e tyre në skenë u dha një emocion të veçantë dhe një lëvizje më të hareshme.

Studentë dhe mësuese amerikane interpretuan mjeshtërisht valle dhe këngë shqiptare në Festivalin Internacional

Pas izraelitëve radhën e kishte Shqipëria.
Kishim kohë që kishim menduar së bashku me miken time znj.Abdulahi se me cfarë do prezantoheshim me studentët në këtë festival.
Merakun më të madh e kishja të prezantoja Kosovën, shtetin më të ri në botë dhe mundësisht pak nga të gjitha trevat e Shqipërisë.
Kështu kur prezantuesi lajmëroi se në skenë do të keni grupin shqiptar, vajzat dhe mësueset amerikane u shfaqën me kostumin e Pejës, kurse djemtë studentë u paraqitën me ngjyrat kuq e zi, mua si shqiptare m’u duk se i dhanë një atmosferë tepër të gëzueshme sallës dhe spektatorëve që na shoqëruan tërë kohës me duartrokitje.
Vallja popullore dibrane në grup e interpretuar nga studentet: Brittney Brown, George Manassa, Stephanie Bellach, Mohammad a Bisswas, Zrinka Kolanovic, Michael Levenstein, dhe mësueset asistente, amerikanet Doreen Ingenito, Sayra Cawallone dhe shqiptarja me origjinë nga Dibra e Madhe, znj.Leunora Abdulai i dhanë një entuziazëm  të paparë sallës.  Kulmi arriti në pjesën e dytë të interpretimit me napolonin, kur djemtë u ulën në gjunjë dhe duartrokisnin partneret e tyre që dridhnin belin me aq elegancë.
Pas valles në skenë buciti kënga: “Nuse do të bëj në gusht”
Nuk e mendoja kurrë që do të kishte kaq fuqi dhe kaq magji kjo këngë dasme në një mjedis të huaj, edhe pse këtë këngë me këngëtaren Maja e kam shumë për zemër, prandaj dhe e zgjodha.
Programi e donte që kënga duhej të interpretohej nga një pjesëmarrës i grupit, kështu që shorti më binte mua, dhe këngën labe e kishja më të lehtë për ta interpretuar si me origjinë nga Jugu, Tepelena.
Ndërsa interpretoja këngën, grupi vallëzonte me shamitë me temina që tringëllinin në një harmoni të plotë, duke rrëmbyer zemrat e spektatorëve, kurse një mësuese e matematikës që nga salla valëviste një bluzë kuq e zi me shqiponjën dykrenore në mes.
Shumë profesorë merrnin foto nga celularët e tyre, të cilët më vonë nuk rreshtnin duke i dhënë komplimentet më të mira grupit shqiptar.
Ata pretendonin që vitin e ardhshëm të merrnin pjesë në grupin tonë, grup që sivjet ishte i përbërë vetëm nga amerikane me origjinë nga shumë vende të botës, midis tyre Muhameti nga India dhe Britni nga Afrika.

Në grupin e karatesë ishte dhe një student shqiptar

Tepër i veçantë ishte grupi i karatesë të cilët parakaluan me flamurin e Azisë, udhëhequr nga koordinatorja e programit znj.Bramble.
Studentët ishin veshur me kostum të bardhë, kurse vetë ajo ishte veshur me kostum vishnje ku ndrinte e tëra në skenë.  Znj. Bramble gëzon një respekt dhe dashuri të madhe tek studentët, prandaj dhe ajo është tepër e suksesshme në këto aktivitete të shquara.
Studentët realizuan në harmoni të plotë lëvizjet, kërcimet, forcën, duke zbatuar me përpikmëri komandat e dhëna nga vetë ajo.
Në grupin e karatesë ishte dhe studenti Sakip Marke, me origjine nga Dibra i cili kishte dëshirë në këtë festival të respektonte një shtet tjetër, të kishte një experiencë disi ndryshe.
Kurse grupi i Indisë u paraqit me 4 vajza në Belly Dance.  Ato në mënyrë shumë profesionale erdhën para publikut me lëvizje delikate, femërore, sensuale, pastaj me lëvizje tepër të shpejta, duke dhënë një formë të përkryer të bustit të bukur të gruas.
Me këmbët zbathur jepej magjishëm prekja e tokës, një bashkim dhe prekje sa e natyrshme aq dhe e domosdoshme.
Brezat rreth belit me monedha, nën një harmoni tringëllime nga vallëzueset i dha një emocion tepër të fuqishëm sallës, e cila duartrokiste herë pas here, vallen me origjinë të lashtë mijëra vjeçare të Orientit.
Pas Belly Dance në sallë erdhi grupi që interpretonte: “Sambo” të Brazilit, përgatitur nga mjeshtrja e vallëzimit, N.Braithwaite.
Valltarët e fundit në festival ishin ata që do të interpretonin valle nga shtetet latine si:
 “La Bamba” dhe “Suavemente”.
Latinët ju sollën spektatorëve një rrymë të nxehtë, ndezën publikun duke vallëzuar së bashku me ta.
Mbyllja e Festivalit Internacional u mbyll me këngën duke dhënë mesazhin:
 “Ne jemi një botë dhe e duam njeri-tjetrin”!
Të gjithë pjesëmarrësit u çuan në këmbë dhe me duartrokitje e lot në sy, shoqëruan festivalin duke kënduar me fjalët:
“Ne jemi një botë dhe e duam njeri-tjetrin”!

Duke vallezuar vallen e Dibres, me tre mesuese dhe nxenes amerikane
Duke vallezuar vallen e Dibres, me tre mesuese dhe nxenes amerikane

Te mbledhur ne rreth
Te mbledhur ne rreth

Maj, 2009 - Staten Island, New York