| E premte, 15.05.2009, 06:47 PM |
INTERVISTË ME DREJTORIN E BIBLIOTEKËS “MEHMET JUSUFI” PRESHEVË, Z. HAMDI FEJZULLAHU
BIBLIOTEKA SË SHPEJTI NË HAPËSIRË TË RE
Nga Bilall Maliqi
Fillimviti solli shumë risi në fushën e kulturës dhe mediave.Para këtij viti Shtëpia e kulturës “Abdulla Krashnica” e Preshevës në gjirin e saj kishte Bibliotekën dhe Televizionin e Preshevës.Kjo risi na shtyri që të bisedojmë me njeriun e parë të bibliotekës së pavarësuar, me drejtorin Hamdi Fejzullahun, duke e lutur kështu të na shkoqisë disa aspekte me rëndësi për institucionin që ai e drejton, për emrimin e bibliotekës, numrin e lexuesve, sfidat që do t’i ketë ky institucion në të ardhmen, gjendja e bibliotekës, hapsirën punuese etj.
Pavarësimi
-Nga 1 janari i këtij viti biblioteka është ndarë nga shtëpia e kulturës dhe funksionon si institucion i veçantë, ku themelues është Kuvendi Komual dhe unë jam emëruar drejtor i parë i këtij institucioni.Bibliotekën e kam gjetur në një gjendje jo të mirë, në një hapësirë prej 60 m. katror me një fond prej 65 mijë libra, ku e gjithë literatura profesionale (90%), është e vendosur në kutija.Nëpër raftet janë të vendosura vetëm librat e lekturës shkollore dhe vetëm në atë ka qasje lexuesi.
Në kuadër të Bibliotekës sonë funksionojnë edhe tri degë:në Rahovicë, e cila ka kushte më të mira, në Leran ka një hapsirë të pamjaftueshme dhe ajo e Miratocit.
Kush ishte Mehmet Jusufi?
-Me të drejtë Biblioteka u emrua me emrin Mehmet Jusufi.Ai ka qenë arsimdashës, ka lindur më 1927 në Preshevë.Punën arsimore e filloi gjatë viteve 1945/46 në fshatin Bukuroc, ku e hapi shkollën e parë shqipe.Ka qenë drejtor i Gjimnazit në Preshevë .Sidomos është i njohur aktiviteti i tij politik si kryetar i komunës së Preshevës, ku u angazhua që të vendosë në praktikë barazinë nacionale në të gjitha sferat e jetës shoqërore në Preshevë.Ka qenë iniciator i ndërtimit të rrugës Preshevë-Gjilan, përmes malësisë.Ka qenë militantë i arsimimit të gjeneratës së re si dhe zhdukjes së analfabetizmit.Me këtë Mehmet Jusufi ka marrë vendin e merituar, emri i tij do të lexohet dhe kujtohet çdo ditë nga dhjetëra lexues dhe vizitorë të bibliotekës.
Fati i librave
-Librat e vendosura nëpër kutia janë në gjendje jo të mirë.Shpresojmë se do të zgjidhet shumë shpejt ky problem dhe do të dalim në hapsirën e re, ku do të transferohet biblioteka.
Punëtorët e bibliotekës janë të një niveli shumë të lartë si në aspektin profesional ashtu edhe në atë njerëzorë.Lexuesit i shërbejnë në mënyrë shumë korrekte dhe të shpejtë dhe çdo herë janë të gatshëm për t’u dhënë udhëzime, këshilla për gjithë ata që kërkojnë ndihmë nga ata.
Librat dhe lexuesit
-Numri i lexuesve është solid krahasuar me kushtet si ka funksionuar biblioteka deri tani.Po jap disa shifra statistikore për vitin 2008.Numri i lexuesve për këtë vit kaq qenë 866 lexues me 7143 libra të lexuara, ku mesatarja për çdo lexues është 8,3 libra të lexuara.Shpresojmë që ky numër në hapsirën e re të jetë shumë më i lartë.
Gjatë vitit 2008 kemi pasur mbi 60 frekuentime në ditë, qoftë lexues apo për të kërkuar ndihmë apo këshilla tjera.
-Pasurimi i Bibliotekës me tituj të rinj duhet të jetë i vazhdueshëm, por e gjithë kjo varet nga mjetet të cilat i ndan buxheti komunal, por gjithësesi do të mundohemi të mos ngecim shumë në këtë drejtim.
Mesazhi juaj drejtuar lexuesve
-Ejani dhe vizitoni Bibliotekën, shoqërohuni, mishërohuni me librin sepse libri është ai që të edukon, arsimon dhe në këtë mënyrë do të largoheni nga veset e këqia.
Sidomos nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme që janë më të rrezikuara nga veset e përditshme shoqërore…