Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Intervistë me shkrimtarin Sazan Goliku

| E shtune, 09.05.2009, 11:29 AM |


ÇDO DITË DUHET TA KEMI 1 QERSHOR PËR FËMIJËT

Pyetje: Më 1 qershor kemi festë bashkë me fëmijët. Të gjithë vrapojmë t'u blejmë dhurata, duke filluar nga lodrat e thjeshta e deri tek ato elektronike.  Po, gjithashtu, nuk harrojmë t'u blejmë edhe libra. Por njëherësh kujtojmë edhe ata shkrimtarë që ndër vite, ndër breza të tërë na kanë kënaqur e gëzuar, na kanë lumturuar e shqetësuar. Cilët prej tyre do të kujtonit në këtë ditë feste?
 
Përgjigje: Në kopshtin luleshumë e drurëshumë të letërsisë sonë për fëmijë vezullojnë emrat e klasikëve tanë, duke nisur me Naim Frashërin, Ndre Mjedën, Çajupin, Anton Xanonin, Qamil Guranjakun dhe vijojmë me veprat e Vehbi Kikajt, Bedri Dedes, Rifat Kukajt, Odise Grillos, Ali Huruglicës, Hamdi Meçes, Petraq Zotos, Qamil Batallit, Tasim Gjokutajt, Hajro Ulqinakut, Adelina Mamaqit, Agim Devës, Xhevat Beqarajt, Tuni Papuçiut, Ymer Elshanit, Skënder Haskos, Zejnullah Halilit, Vangjush Saros, Bardhyl Xhamës, Shpresa Vretos, Astrit Bishqemit, Xhahid Bushatit dhe shumë të tjerëve, po të më falin që s'po u përmend këtu emrat.
            Po si të mos kujtojmë në këtë ditë festë shkrimtarët që kanë shkruar kryesisht për të rriturit, por kanë nxjerrë nga duart vepra të shkëlqyera edhe për fëmijët si Petro Marko, Naum Prifti, Abdylazis Islami, Sterjo Spasse, Ymer Shkreli, Spiro Çomora, Ibrahim Kadriu, Xhevahir Spahiu, Arif Demolli, Moikom Zeqo, Hasan Hasani, Musa Vyshka, Nehas Sopaj, Frederik Reshpja etj. Secili prej tyre ka shkruar libra që i kanë qëndruar kohës, pra janë lexuar nga fëmijët, kur janë botuar së pari, po dhe më pas, ribotim pas ribotimi, me ilustrime të tjera, nëpër antologji të ndryshme, si tekste jashtëshkollore etj.
 
Pyetje: Ju shkruani për të rriturit , po dhe për fëmijët. Që nga vitet '70 e deri më sot keni botuar mbi njëzet libra, në prozë e poezi, për fëmijët. Cili është mendimi juaj për vlerësimin që i bëhet sot letërsisë për fëmijë?

 
Përgjigje: Nuk duhen marrë në konsideratë librat e dobët, pavarësisht se si sasi përbëjnë një numër të konsiderueshëm. Në mungesë të një kritike letrare serioze, objektive e konstruktive, përzgjedhjet më të sakta dhe vlerësimet më reale do t'i bëjnë koha, mësuesit e ditur, prindërit e mençur dh mbi të gjithë vetë lexuesit e vegjël.
            Të mos harrojmë se ka autor që nuk dinë dhe nuk munden të shkruajnë bukur, por ama kanë aftësinë si tregtarë, për t'u bërë reklamë e për t'i shitur librat e tyre. Gjithashtu, ka autorë që kanë vepra me vlera të spikatura, por nuk kanë mundësinë ose zotësinë për t'i çuar ato  te lexuesi i gjerë.
            Por gjithsesi ngul këmbë te domosdoshmëria e kritikës së vërtetë letrare. Këtu nuk është fjala për recensione ose shkrime përkëdhelëse me mbivlerësime, shpesh herë naive, për të mos thënë qesharake të tipit "kjo vepër qëndron denjësisht krahas kryeveprave të letërsisë botërore", që botohen lehtësisht edhe në faqet e shtypit, por për kritika të mirëfillta letrare, të shkruara nga profesionistë, mësues e pedagogë të letërsisë me shije e njohuri të thella teorike, nga psikologë e sociologë me horizont të gjerë kulturor. Po kush do të jetë nxitësi e shtytësi për një kritikë të tillë që kërkon dije, mund e kohë? Në radhë të parë mendimet konstruktive e objektive të intelektualëve të arsimit e kulturës, po dhe të vetë shkrimtarëve për fëmijë, të cilat kapen, analizohen, përpunohen dhe konkretizohen nga institucionet përkatëse shtetërore. Por kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të reduktohet e shtrydhet në shkresat (apo interesat) e nëpunësve "të shumëdijshëm", të vegjël e të mëdhenj të zyrave.
 
Pyetje: A nuk do të ndihmonte në disa drejtime organizimi i shkrimtarëve për fëmijë në shoqata dinjitoze e dinamike?

 
Përgjigje: Është më se e nevojshme. Po ja që ndodhemi para një paradoksi. Shkrimtarët që kanë talent, përvojë e kulturën e duhur nuk kanë aftësinë ose dëshirën të organizohen. Ndoshta ende ekziston frika nga "Lidhja" e gjatë e kohës së diktaturës. Ose mungon interesi imediat për një organizim të tillë.
 
Pyetje: A mund të flasim sot për një krizë të letërsisë për fëmijë dhe cilat janë problemet më të mprehta të zhvillimit të sotëm të kësaj dege të letërsisë sonë?
 
Përgjigje: Së pari, kurrsesi nuk mund të flasim për krizë, por mund të theksojmë nevojën për të kapërcyer  në sasi e në cilësi një gjendje, si të thuash, stanjacioni. Natyrshëm, në një intervistë nuk mund të shqyrtohen e të trajtohen problemet, dobësitë ose të metat e autorëve të ndryshëm ose e gjinive dhe e zhanreve si vjersha, fabula, përralla, tregimi ose romani, të cilët kanë të veçantat e tyre. Por mund të theksohet kërkesa bazë, që më duket se nuk e kanë sa duhet parasysh shumë autorë: Fryma e kohës. Në kushtet e situatat aktuale, kur filmi, televizioni e kompjuteri përditë e më tepër joshin me forcë magjike fëmijët, letërsia artistike po me këtë forcë duhet të sfidojë këtë "konkurrencë". Mos të harrojmë për asnjë çast se niveli i perceptimit e i zhvillimit mendor i fëmijëve të sotëm nuk është ai i disa dhjetëvjeçarëve të mëparshëm.
 
Pyetje: Sipas jush, si mund të arrihet kjo?
 
Përgjigje: Një kritik me emër të madh ka shkruar: "Shkrimtari për fëmijë duhet t'i japë shpirt të gjithë botës dhe të gjithë natyrës, duhet të detyrojë të flasë me gjuhën e dashurisë dhe të jetës edhe gurin memec, edhe lulet e fushës, edhe rrëkenë që gurgullon, edhe erën që fishkëllon, edhe fluturën që sillet nëpër lule." Pra, fantazia e pasur, gërshetimi organik i saj me elemente të arritjeve të fundit të shkencës me ato të mitologjisë e historisë, të aktualitetit e të së ardhmes, të mishëruara me mjeshtëri artistike,duke lënë prapa mënyrën didaskalike dhe karakterin e hapur moralizues, do ta gjallërojnë letërsinë tonë, do ta bëjnë sa të këndshme, aq dhe bashkëkohore. Thjeshtësi kurrsesi nuk do të thotë"thjeshtëzim", varfëri figurative e gjuhësore, prozaizëm i rëndomtë, vargëzim i çalë ose bejtezim banal. Dhe ç'është e vërteta, shumëkush bëhet "shkrimtar"për fëmijë, duke spekuluar pikërisht me këtë tipar të domosdoshëm të letërsisë për fëmijë.

Dërguar nga “Fjala e lire” për “ Zemrën Shqiptare” Alfred Papuçiu