Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Djali nga Mirdita

| E shtune, 09.05.2009, 10:39 AM |


Albert Zholi

-skicë-

DJALI NGA  MIRDITA

Qante dhe pinte lotët. Mund të ishte 13 ose 14 vjec. Vinte trup i imët  e i dobët. Rreth djalit ishin grumbulluar shumë shqiptarë. Të tjerë kalonin indiferentë. Ishim tek sheshi Dhafni. Djali qante dhe duke pirë lotët tregonte. Ja se c’munda të kapja nga tregimi i tijë: “.Jam nga Mirdita. Mbrëmë  erdhëm  nga Kakavija, bashkë me  vëllanë... Erdhëm  me  një makinë  të madhe, pa dokumenta. Ishim aq shumë  sa nuk lëviznim dot  as këmbët. Në Athinë kemi  dajon, por nuk e gjetëm dot. Paratë që kishim ia dhamë shoferit. Në shtëpi ishin që të gjjithë pa punë. Paratë e udhës i morëm borxh  tek axha. Mbrëmë fjetëm  në një qoshe shtëpie  që po ndërtohej. Ja kështu fjetëmn  me  këto rroba. Vëllai më  mbështolli me trupin e tij  se është më i madh vëllai. Në fakt nuk fjetëm se kishim ftohtë. Sa zbardhi, dolëm  këtu tek sheshi  për punë. Vëllai e dinte se kishte ardhur edhe herë të tjera. Por erdhi policia dhe  i zuri  katër vetë. Edhe  vëllanë tim e zuri. Ai nuk ka asnjë dokument, nga ato që do policia. Edhe unë s’kam, por  nuk  më  zuri. Tashti nuk di nga të vete? Ku të punoj? Ku të ha e ku të fle? Edhe dajon nuk e gjej dot vetëm. Më mirë të më merrte mua policia e jo vëllanë...”

Dhe djali tregonte  e qante, mes grupit të shqiptarëve. Një rast si të shumtët këtu në Greqi…

Athinë 1996