Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Sahit Osmani

| E shtune, 09.05.2009, 11:27 AM |


Sahit Osmani
Sahit Osmani
Poezi nga Sahit Osmani,
Dërguar nga Eklips Lesi, Tiranë

U lind më 1958 në fshatin Randobravë-Prizren. Ka studiuar në Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë. Është mësimdhënës i Gjuhës Shqipe, dhe redaktor i revistës shkollore "Zogu i Qëndresës".

Te Kongresi i Manastirit
 
Tingujt e shqipes si gurra e lumit
Në tridhjetë e gjashtë shkronja
                        të alfabetit
Skaliten nga mendjendriturit
Shndriten nga të shenjtit

Gërmë pas gërme e fjalë pas fjale
Që nga rrënjët gjer tek lisi
U begatuan fusha, male
Lumenjtë, deti, dielli shndriti

Shqipja shqip vallen e nisi
Te Kongresi i Manastirit
Njëqind vjet kohën e ndriti
Njëqind vjet kohën e rriti

Gjuha flet nga rrënja

Kur të ftohtit hyn në eshtra
Goja shtanget deri në fund
Gjaku ngrin deri te palca
Zemra rrah me tepër mund

Fjala nis e zë shkrimi
Trupi vdes e jeta mbetet
Në kohë të zezë harrimi
Syri dritës i lexon germat

Shkrimi i heshtur thërret me zë
Gjuha flet nga rrënja
Ne dalim nga lashtësia

Hyjmë në kohë të re
Akullit i hip zjarrmia
Shkrifshëm tretet nën dhé

Fitimtari shkruan historinë

Koha ec me plagët e veta
U mbështillet shekujve, zgjerohet
Njerëzit veshur me të kaltra
I  shërojnë plagët e hapura
nga luftrat

Një plagë një fitore
Një fitore një emër lind
Në secilin emër shumë beteja
E në beteja gjaku derdhet

Fitimtai  shkruan historinë

DUA TË BIND

Ti që rron në rrahje të zemrës
Ti që plagë në shpirt shëron
Ti që shpresë i jep jetës
Dashurinë e bënë të bulëzon

Mos harro se je hyjneshë
Që shenjtëron jetën në çdo çast
Ashtu siç merr mushkëria frymë
Ashtu siç jep zemra gjak

Trëndafilin e kuq të diellit
Që perëndon mbi kreshta
Do ta marr ta dhuroj ty
Kështu do të bindesh
           se Ti je perëndesha
Kështu do të bindesh
Se s’ka perëndim në dashuri