Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Gjini: Kthimi i dajës Alem

| E enjte, 07.05.2009, 06:43 PM |


Kthimi i dajës Alem

Tregim nga Ramiz Gjini

Kurrë nuk më kishte vajtur në mend se daja Alem, që të gjithë e dinim të mbytur në Danub, do të kthehej në katund pas dyzetetre vjetësh me një makinë që të kujtonte të vdekurit, e do të sillte me vete edhe gjashtë valixhe të gjata e të rënda si gjashtë arkivole.

       Ditën e parë të muajit të madh të Ramazanit, nënëmadhja urdhëroi të ndizej zjarri në oxhak, e ndërsa mamaja pastronte vatrën nga hiri, bëri çudi, sepse gjeti aty një thëngjill të ndezur, një thëngjill që ngjante me një xixan fluturues.

       Qe vërtet për t'u habitur, sepse as unë, as mamaja, madje as nënëmadhja, nuk mbanim mend kur qe ndezur zjarri për herë të fundit. Mamaja e kapi prushin me mashë, e vendosi me kujdes mbi një tabaka, u kthye nga nënëmadhja, e disi e mallëngjyer tha :

- Eshtë një ogur i mirë... Dhe dije moj nënë, Alemi jeton.

       E kisha përfytyruar dajën Alem sipas rrëfimeve të mamasë, por kur e pashë të hynte në oborrin e shtëpisë tonë, megjithëse i veshur shik, nuk di pse e mora për një lypës të largët, një lypës që e ka zënë nata në udhë e që lutet t'a strehojnë vetëm për një natë. Por nuk qe faji im, sepse ai erdhi javën e parë të muajit të Ramazanit ku gati çdo ditë n'a trokisnin të tillë në derë.

      Para se të futej në katund, ai i'u lut shoferit të furgonit që të ndalonte pesë minuta pranë varrezës, dhe, kur këmbët i prekën tokën, ndjeu t'a pushtonte një ndjenjë faji i pashlyeshëm. 

       Qëndroi drejt më këmbë pa lëvizur, aq kohë sa i'u desh të siguruar se kish mbërritur, pastaj duke shkelur mbi barin e harlisur e mbajti frymën mbi një kodrinë, ku tre shekuj më parë, endacakë të ardhur nuk dihej prej kah, kishin varrosur kryeparin e kolonës, vdekur nga kafshimi i gjarprit. Që aty, daja Alem numuroi një për një të gjitha varret, e ndërsa u kthye për të zënë vend në makinë, i dha përgjigje shoferit, qw i'u shkrep të dinte në ç'vit qe larguar prej katundit.

       - Kur mora arratinë, kjo varrezë kishte nëntëdhjetë e dy të vdekur; tani po shikoj se qenkan tetëdhjetë e shtatë më shumë - tha ai. Dhe shtoi se mënyra më e saktë për të matur kohën, janë të vdekurit.

       Daja Alem hyri në shtëpi, u rrafshua mbi lëkurën e madhe të dashit dhe mbeti për pak kohë me sytë nga tavani pa mundur të thoshte asnjë fjalë, tamam si të qe mes njerëzish të huaj. Nënëmadhja,(sapo kishte mbushur të nëntëdhjetat) e shikoi të birin me shikim të dobësuar. I'u desh kohë të sigurohej se ato çaste, para saj nuk qëndronte i shoqi i vdekur para njëzet vjetësh, por i biri, të cilin e dinte edhe atë të vdekur.

       Gjindja qe pataksur aq shumë nga ardhja e tij, sa nuk donte të besonte se kthimi i dajës Alem, qe një realitet. Madje nisen të enden gjithfarë thashethemesh sipas të cilave, ardhacaku nuk qe daja Alem, por sozi i tij, një mashtrues klasik që i'a kish behur në katund për të vënë në zbatim plane djallëzore.

      Daja Alem, ndonëse jo i madh nga shtati, qe kockëtrashë. Ecte duke u tundur dhe mua më bëhej se ngado që shkonte, vizatonte me kokë gjysmëharqe në qiell. Mbante një kapele sportive të bardhë, në ballë të së cilës qe shkruar "Bullss"; ndërsa nën strehën e kapeles, shkëlqenin dy sy prej rrëqebulli. Kishte veshur një xhaketë ngjyrë portokalli me sumbulla sedefi e me mëngët të qëndisura me sërma. Kjo xhaketë e bënte atë sedërtarë në fytyrë e serbes në ecje, tamam si të qe një ushtarak karriere i dekoruar. Në thilenë e xhaketës, mbante një dekoratë, për të cilën thoshte se i'a kishte dhuruar sipërmarrësi i një fabrike të madhe rruazash qelqi. Në gisht i shkëlqente një unazë me gur safiri. Ata që e njohën (qëndroi vetëm njëzet ditë) shumë shpejt u bindën se daja Alem, qe taravol i madh, i zoti për të kapërcyer ç'do vështirësi. Ndonëse e dinte se kishte kapëcyer të gjashtë dhjetë vjetët, shpesh thoshte për veten se nuk kishte moshë. Pastaj niste e shpjegonte atë teorinë e tij, sipas së cilës, njeriu matej me vitalitet, dhe se moshë na e paskan shpikur ca kritizerë, që duan të paragjykojnë njerëzit.

      Lim Bojaxhiu, një jetim këmbëzbathur, pati fatin të sillte i pari lajmin e mbërritjes së dajës në katund. Aq i madh pat qenë turri i tij, sa, ndërsa merrte kthesën te kroi i katundit, për t'u futur në rrugicën tonë, u përplas keq me atë piliherdhën, Nafijen, të shoqen e kryeplakut. Ajo e qëlloi me një flakërimë turinjëve, ai bëri në vend një rrotullim të plotë; pastaj me sytë mjegull kaloi portën e madhe të oborrit, hapi derën e dhomës tamam si të qe në shtëpi të tij, gjeti mamanë lakuriq mes votrës (ato çaste mamaja sapo qe larë dhe donte të vishej), u gozhdua në vend si në zgrip të theqafjes e tha:

      - Erdhën valixhet bashkë me Alemin.

      - Tyt, zavall, - i briti mamaja, - dhe sa hap e mbyll sytë rrëmbeu një legen me ujë e i'a hodhi mbi kokë.

       Lim Bojaxhiu doli që aty dhe qendroi poshtë strehës së shtëpisë. Ai u betua se nuk do të largohej pa marrë myzhdenë e haberit që kish sjellë në një kohë rekord. U largua vetëm pas dy orësh, kur mamaja mori në furrikun e pulave dy kokrra vezë, i'a rrasi në xhepin e xhaketës së arnuar e i tha:

       Merri këto; njërën po t'a jap për lajmin që solle, tjetrën, që të mos i thuash njeriu se më gjete çipllak.

       Menjëherë pas mbërritjes së dajës, i'a behu në shtëpi zogoria e vizitorëve. Sapo hynte njëra palë, pala tjetër ngrihej e lëshonte vend, e kështu me radhë, derisa trokitjet në derë vakt e pa vakt, do të bëheshin një mërzi e padurueshme. Daja Alem tha se kishte vendosur të rrinte vetëm njëzet ditë, ngaqë në Amerikë e prisnin, - siç thoshte ai, - "punëra të mëdha"; por shtoi se nuk do të largohej pa n'a marrë me vete edhe ne, ashtu siç ishim, familjarisht. Mamasë i shkëlqyen sytë, ndërsa nënëmadhja tha se kishte vetëm një udhëtim për të: në varrezë.

      - Më duhet t'i them tim shoqi që Alemi u kthye,- shtoi ajo.

       Vetëm kur daja Alem hapi njërën nga valixhet e tij, e nxori atë aparatin e çuditshëm, ne kuptuam se ai kishte zgjedhur tjetër mënyrë për të n'a marrë me vete. Qe një kamer filmike pë të cilën tha se i'a pat dhuruar në shenjë miqësie Lu Suni, një kinez që e kish njohur në Majami.

       Para se të nisnin filmimet për të na futur në celuloid, daja kërkoi të dinte emrat e tetëdhjetë e shtatë banorëve që nuk jetonin më.

       Askush nga të pranishmit nuk i mbante mend emrat e "të shpërngulurve" për në botën tjetër. Atëherë thirrën Xim Pincin e verbër, një i sëmurë psiqik, por me një kujtesë fenomenale. Mbërriti i mbajtur nga trinjakët e Naile Shalës.

       Daja u tregua hovardar, fap, nxori portofolin e i fali Ximit një kartmonedhë dhjetëdollarëshe.

       Me të marrë kartmonedhën, i verbëri rrahu njëherë me shuplakë ajrin dhe shpalli se kartmonedha qe fallso. Përsëri plasën të qeshurat, të cilat do të fashiteshin vetëm kur Xim Pinci i verbër, u ngrit në këmbë, mbajti drejtqëndrim dhe nisi të përmendëte me zë të lartë njërin pas tjetrit gjithë emrat e atyre që kishin vdekur në dyzetetre vitet e mungesës së dajës Alem. Veçse nuk qenë tetëdhjetë e shtatë por tetëdhjetë e gjashtë. Atëherë i thanë se kishte gabuar në llogari, sepse daja Alem, para se të hynte në katund, pati numëruar tetëdhjetë e shtatë varre.

       Pinci i verbër u bë xhind: u grind njëherë majtas me të padukshmin, rrahu i frikësuar me shuplakë ajrin djathtas si të deshte të përzinte një tjetër të padukshëm, e në çast, me fytyrën e shtrembëruar nga një dhimbje e thellë, e panjohur tha:

      - I tetëdhjetë e shtati do të vdesë këto ditë.

       Në këtë pikë të rrëfimit, duhet të themi, se gjatë njëzet ditëve të qëndrimit në katund, daja Alem konsumoi një "arsenal" të tërë produktesh farmaceutike. Ishin ca tableta shumëngjyrëshe, që ngjanin me bërthamëzat e qershizave të egra, për të cilat ai thoshte se i pinte "në varësi të rrethanave që i diktonte jeta". I pati sjellë nga Amerika dhe thoshte pë ta se qenë fjala e fundit e shkencës mjeksore.

       Kur Xim Pinci i verbër shpalli parashikimin e tij profetik, daja Alem nxori nga xhepi i jelekut një tabletë ngjyrë jeshile dhe me një lëvizje të saktë të dorës, i'a hodhi grykës "për të larguar frikën ndaj vdekjes".

       Përveç ilaçeve që pinte, në varësi të rrethanave që i diktonte jeta, daja Alem, ndonse nuk ndjente në trup asnjë dhimbje, bënte një luftë intensive kundër dhjetëra e dhjetëra sëmundjeve, që ai thoshte se synonin të mësynin për të pushtuar organizmin e tij. Ishte kjo arsyeja që daja Alem, kishte organizuar një sistem të shkëlqyer mbrojteje, mbështetur gjithmonë në "artin e luftës" duke qenë i kursyer në harxhimin e "municioneve".

       Nëse i ndodhte të shante mes dhëmbëve ndonjërin, daja Alem, nuk përdorte epitete nga ato që përdorin rëndom shoferët apo xhambazët e kuajve. Ai prej kohësh i kishte klasifikuar njerëzit e këqinj në dy kategori: në "gram - pozitiv" dhe në "gram - negativ" ashtu siç kualifikon mjeksia disa mikrobe. Kur i ndodhte, siç thamë, të shante ndokënd, ose do t'a quante atë stafilokok, ose streptokok, pnoumokok, ose diç tjetër të ngjashëm me këta të parët. Ç'do ditë, në mëngjes, hapte njërën nga valixhet dhe nxirrte prej saj gjithë sasinë e "municioneve", që do t'i duhej të përdorte gjatë luftës kundër sëmundjeve dhe, pasi fuste në xhepin e përparmë të jelekut të gjitha tabletat dhe solucionet e injektueshme, e quante të përfunduar "kapitullin e përgatitjeve për luftë" dhe niste të mendonte për "strategjinë e sulmit".

       Ilaçet që pinte, i kombinonte sipas disa mënyrave, që synonin prishjen e aleancave mes sëmundjeve. Sipas tij, edhe mikrobet kishin mënyrën e tyre të organizimit. Në fillim ato shfaqeshin në njësi; pastaj organizoheshin në skuadra, të cilat më pas krijonin togat; togat formonin kompanitë; kompanitë - batalionet, të cilat, bashkoheshin në brigada dhe të gjitha së bashku formonin "Ushtrinë e Madhe të Mikrobeve". Shpesh daja Alem thoshte;

      "Prite me rregull të plotë një sëmundje të ç'rregullt dhe me qetësi atë sëmundje që vjen rrëmbyeshëm".

       Sipas tij, kjo do të thoshte "të zotërosh faktorin shpirtëror". Madje ai shtonte se edhe në rastet kur sëmundja merr arratinë, duhet t'i qepesh nga pas deri në një asgjësim të plotë për të evituar rrezikun evident të kthimit të saj.

       Me të marrë vesh emrat e vdekëtarëve që qenë varrosur gjatë viteve të mungesës së tij, dajën Alem e kapluan djersët. Para se të dilte në kopsht për t'u freskuar, ai u mbyll në dhomë, u bëri një inventar të hollësishëm valixheve që kishte sjellë që përtej oqeanit dhe fill pas kësaj, ra në një ligështim akoma më të thellë.

      Gjithë pasditen e asaj dite daja qëndroi duke soditur pemët në kopësht dhe nuk deshi t'i fliste askush. Kur mamaja i'u afrua e i tha se kishin ardhur të tjerë vizitorë, që donin të piqeshin me të, i'a këputi një të share në adresë të tyre:

       - Këta paskan qenë më të këqinj se diplokokët e Neserit.

       Dhe nuk pranoi të hynte në shtëpi.

       Inatçore nga natyra, edhe mamaja, tha:

       - Zullapët! Nuk n'a lanë të ç'malleshim njëherë nè, që jemi të një barku. Pastaj shfaqi mendimin se për të frenuar yryshin e vizitave të shpeshta, ndoshta do të qe më mirë që të shpërndaheshin ato palo dhurata, sepse sipas saj, askush nuk trokiste në derë se qe djegur nga malli për atë që ata e patën quajtur "vulëhumbur", por sepse shpresonin të hapeshin valixhet e t'u falej gjësend.

       Një javë rresht, daja Alem, piu vetëm lëng hoshafi (mamaja i'a përgatiste atë në një sahan alumini të përvëluar në valë), dëgjoi pallavra rrenacakësh, barcaleta të turpshme, si dhe rrëfeu kushedi për të satën herë, atë historinë e rrëshqitjes së tij me makinë në akull. Sinqeriteti i rrëfimit pat qenë i njëjtë në të gjitha rastet, edhe fjalët po ato, veçse daja Alem, për çdo herë që rrëfente, shtonte gjatësinë e rrëshqitjes si dhe numrin e rrotullimeve që kish bërë makina e tij mbi akull. Asnjëherë nuk u mor vesh, nëse daja e tregonte këtë histori ngase nuk kish ç'farë rrëfente, apo qe një rreng i qëllimshëm. Veçse një gjë dukej mirë: ata që trokisnin për vizitë vakt e pa vakt, vërtet që e meritonin t'i quaje "zullapëri". Na u bënë havale. Piqeshin me dajën Alem, ia këpusnin fjalë kot më kot, ndërsa nuk ua ndanin sytë valixheve të pahapura. Po daja Alem s'i hapi që s'i hapi valixhet. Atëherë ardhacakët, nisen të zgërlaqeshin. Vizitat u bënë më të rralla dhe në biseda zuri vend tema e ikjes.

      Një javë rresht, daja Alem nuk "doli" në nevojtore dhe askush nga ne, nuk u përmend për këtë fakt, që shumë shpejt do të shndrrohej në një problem të madh. Nuk kishim si të kujtoheshim, sepse ai nuk hëngri pothuaj asgjë, vetëm piu. Nxirrte nga njëra valixhe produkte farmaceutike, i numëronte ashtu siç numëron një gjeneral i zoti ushtarët dhe, pasi i peshonte në pëllëmbë, ia hidhte gurmazit, si të qenë sheqerka të ëmbla nga ata që mamaja u falte kalamajve në ditë festash për sevap të Zotit. Nuk vuri në gojë as mollët majoshe plot aromë, që mamaja i ruante në fund të sepetes gjer në pranverën e vonë.

      Të shtatën ditë, në mugullim të mëngjesit, sapo në kopsht nisën të ndjeheshin cicërimat e para të zogjve, daja Alem u ngrit nga shtrati ku flinte dhe kërkoi t'i tregonim ku ndodhej nevojtorja.

      - Aty ku e ke lënë para dyzetetre vjetësh, - u përgjigj mamaja, ndërsa bëri me dorë nga fundi i kopështit.

       Daja Alem, futi në këmbë një palë shapka, doli nga shtëpia dhe pasi shkeli rruginën anash kopshtit, vajti e qëndroi para asaj ngrehine prej dërrasash të kalbura mbuluar me copëra llamarinash të ndryshkura, që mbahej në këmbë në një mënyrë të çuditshme. Nuk pati guxim të hynte. Tha se e kishte tepër të vështirë të kryente nevojën në një vend të tillë. Pastaj shtoi se i duhej ta villte "atë pamje të pështirë".

       Ende nuk i kishte vënë duart sipër gjunjëve, kur i shpërtheu nga goja një lëng i verdhë e i shndritshëm me veti gërryese. Të gjithë u pataksëm nga fakti se si daja Alem, kishte mundur të mbante në bark, një precipitat të tillë. Për aq kohë sa i'u desh mamasë të nxitonte të merrte një kovë me ujë si dhe një leckë, e vjella e dajës Alem, kishte shpuar qylymin e vjetër prej tabaçine si dhe kishte hapur një gropë në dysheme. Si tani e kam parasysh mamanë: në këmbë si e ngrirë, me mjetet e pastrimit në dorë, e mbuluar e tëra me vellon e habisë. Ndërsa nënëmadhja, ngritur ndenjur mbi shtrat, me kurrizin e mbështetur mbi jastëk, vazhdonte të gjerbte e qetë kafenë e mëngjesit. Tek e mbramja ajo i dha shenjë mamasë të afrohej:

      - Nuk ka gjë për t'u pastruar. Merr dhè e mbushe atë gropë... Alemi volli një të keqe që duhet varrosur.

       Daja Alem u bë gur, disi i shushatur e si ta kish zënë marramendthi, nxorri nga xhepi i jelekut një tabletë plochlorperazinë e i'a hodhi gurmazit "kundër paqëndrueshmërisë dhe nervozizmit", por më pas, u duk se qe i pasigurtë në saktësinë e zgjedhjes që kishte bërë.... Dhe nisi ecejaket e shpejta nëpër dhomë si t'a pushtonte një stërmundim, një përpjekje sublime për jetë a vdekje. Pastaj në një çast, më zuri për dore, më tërhoqi drejt sokakut dhe aty më porositi të bëhesha veri, të lajmëroja trinjakët e Naile Shalës, pasi do t'i ngakonte të kryenin "një punë që nuk priste".

       Trinjakët e Naile Shalës, pranuan të vinin vetëm me një kusht: t'i siguroja që Alemi, muk do niste t'u rrëfente për të njëzetën herë, atë historinë e rrëshqitjes me makinë në akull.

       Nga çasti kur daja Alem zgjidhi qesen e u rrasi në dorë trinjakëve shumën prej gjashtë mijë dollarësh për të ndërtuar me hiti brenda dhjetë orëve një nevojtore moderne, e deri kur u rehatua mbi suprinën e rrethgropës, koha pat rrjedhur me një ngadalësi që të gërricte nervat. Ndërsa dajës, bravo i qoftë! Megjithëse i kishte kapërcyer të gjashtëdhjetë vitet, theu rekordin e ecjes lingthi. Duke i rënë shtëpisë për ç'do minutë, ai mbyllte rrethin e lëvizjes e mbërinte në pikën e nisjes. Dhe kur trinjakët e Naile Shalës shpallën raportin përfundimtar të realizimit me sukses të punimeve, daja Alem, i kishte rënë rrotull shtëpisë plot dymijë e dyqind e katër herë.

       Organizimi i punës në ndërtimin e "veprës" pat qenë i shkëlqyer, ndërsa vullneti i dajës Alem për të bërë zap prapanicën e vet, qe heroik.

       Në darkëherë, sapo i thanë se nevojtorja kishte përfunduar dhe se çdo gjë ishte në vendin e vet, daja Alem qe në zgrip të zhburrërimit. E mbajti veten përmes një zahmeti të paparë falë vullnetit të tij të pathyeshëm, e, duke kërcitur protezat e dhëmbëve për shkak të grindjeve të vazhdueshme me prapanicën e vet, ai hyri në nevojtore në pikë të gazepit, pikërisht kur po i fluturonin mend e kresë; uli pantallonat (i pati shkopsitur me vakt e me kohë), vendosi mollaqet në syprinën e rrethgropës dhe pa i shkuar në mend se qe telendisur, ra në ekstazë. Dhe atëherë, në kokën e dajës Alem u rrotullua pë së mbari një mendim i famshëm: i gjithëfuqishmi, teksa kishte krijuar njeriun, para së gjithash, i kishte krijuar atij, vrimën nga e cila do të duhej të pastrohej.

       I vetmi vend ku daja Alem ndjente, si i thonë, rehatin e zotit,qe nevojtorja, dyshemeja e së cilës shkëlqente në mermer të bardhë, të lëmuar; dy çezma me rubineta nikeli qenë instaluar poshtë një llampadari të blerë plot dyqind dollarë, të vendosur në faqen e majtë përballë dritares. Në krah të djathtë të këtij llampadari, qe vendosur një pasqyrë venecie që të tregonte në këmbë: ndërsa mbi një komo, u vendosën një sërë parfumesh të rralla e të shtrenjta (pas të cilave gratë sojlie do të kishin lënë mend), e deri tek disa shishka të mbushura me produkte farmaceutike, që dajës Alem i shërbenin për të spërkatur pjesët delikate mes gishtave të këmbëve. Daja Alem kishte patur kujdes të shënonte në listën e paisjeve edhe disa garza të buta si mëndafsh që u vendosën mbi një mbajtëse, por askush nuk e mori vesh se për ç'djall i hynin në punë.

       Ajo që i erdhi pas qejfit mamasë, ishte se zogoria e vizitorëve, nuk mundën t'a shuanin kureshtjen që u ngjalli nevojtorja kaq e përfolur për lluksin dhe salltanetet e famshme. Madje as më dhelparakët si Jaho B. e Kel Sh. që tentuan t'a shikonin duke shpallur sebepe të paqena, nuk i'a dolën të futeshin në nevojtore, sepse daja Alem e kyçi atë me çelës (ai ishte me tepri i kujdesshëm), e lidhi atë me një zinxhir të artë dhe bashkë me qostekun e sahatit, e linte të varej njëçikëz poshtë gjithë lezet. Si e pat siguruar kësisoj, shpalli se çelsin do t'a dorëzonte vetëm pas trembëdhjetë ditësh, kur të largohej për Majami.

      Javën e dytë të qëndrimit të tij në katund, shëndeti i nënëmadhes u keqësua së tepërmi, por daja Alem s'hoqi që s'hoqi dorë nga mendimi për t'u larguar në vigjilje të festës së Bajramit. Megjithatë, ai e shtrydhi së tepëmi atë trurin e tij dhe nxori si përfundim, se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nënëmadhen, qe kura me dy thelpinj hudhrash për çdo vakt. Urdhëroi t'a përgatiste mamaja duke i shtypur në havan me tupak, e që më pas t'ia jepte nënëmadhes t'i mbante në gojë. Daja Alem, shprehu shqetësim të madh për nënëmadhen, por tha se nuk i bënte pa kërcyer edhe njëherë oqeanin. Në Majami sipas tij, do të merrte në dorë drejtimin e punëve në fabrikën e madhe të rruazave të qelqta, që rrezikohej të falimentonte si dhe do të udhëhiqte një tubim proteste para Shtëpisë së Bardhë, kundër ushtrimit të sportit të luftës së gjelave. "Duke nxjerrë jashtë ligjit këtë lloj sporti,- thoshte ai,- shtetet e fuqishme si SH.B.A, Gjermania, Japonia, Franca, Britania e Madhe etj. do të hiqnin dorë nga politikat ngatërrestare". Gjithsesi, ai shpalli përfundimisht se ishte fjala për një lojë politike, për të cilën nuk e shikonte me vend të jepte hollësira.

      Daja Alem "ftoi për Amerikë" edhe trinjakët e Naile Shalës, dhe ata pranuan, por thanë se kishin dëshirë të merrnin me vete edhe Xim Pincin e verbër. "Qoftë e bërë", pranoi Daja Alem dhe si vendosi mbi sup instrumentin e çuditshëm, nisi të n'a vështronte me një sy të stërmadh.

      Ditët e para të javës së tretë të qëndrimit, daja Alem do të fuste në celuloid vetëm sekuenca pamjesh katundi: pula që pasi linin vezët nëpër furriqe, dilnin jashtë nga plevicat duke kakarisur me poterë; qen bastardë, që u lehnin vend e pa vend kalimtarëve të rastit; gomerë e lopë që pëllisnin për hesap të tyre; blegërimat e deleve e të dhive; zhaurimën e shtruar të vijës së ujit mes përmes katundit; deri edhe cingëritjet e hamulloreve nën zabullimën e vapës.

      Ata që ishin kundër natyrës, qenë vetë njerëzit, të cilët, si ta bënin enkas për inat të dajës Alem, u shëndrruan para kameras në robotë të çakërduar për faqe të zezë. Me gjithë udhëzimet dhe drejtimin profesional të dajës, "aktorët" nuk e përballuan dot një lloj tundimi, që i bënin ata t'i hidhnin shikimet drejt aparatit të çuditshëm. Mendimi se po loznin një film. që do të shfaqej në Amerikë si dhe frika se mos daja fuste në celuloid pikërisht ato gjëra, që ata përpiqeshin t'i fshihnin, bënin që xhirimet të dështonin; sepse kur kjo punë pat mbaruar, gjithë surretërit e fiksuar në kuadër, nuk qenë më të atyre njerëzve që kishte filmuar daja Alem, por qenë ca surretër budallenjsh fodullë, të ardhur nuk dihej nga ç'botë; surretër që shprehnin veçse tallje, tallje që arrinte deri në cinizëm therës. Vështrimet herë tinzare e herë qesëndisëse poshtë vetullave, gjestet dhe lëvizjet e stisura për faqe të zezë, dukej sikur donin t'i tregonin dajës Alem, se nuk qe e lehtë t'i fusje në atë shirit të zi, që për ta nuk vlente as për të lidhur gomerët livadheve.

       Ditën që vajti në qytet e preu biletën e udhëtimit për të kapërcyer oqeanin, në shenjë hakmarrje të pa shpallur, ai u vuri zjarrin të gjitha kasetave, ngase nuk donte të merrte me vete, siç u shpreh vetë " një gënjeshtër të shpifur".

      - Janë kopje të përsosura të etërve të tyre; nuk e japin veten, dyshojnë në çdo gjë, madje edhe në frymën që thithin, - shtoi ai, ndësa hodhi në flakë kasetën e fundit.

       Pas filmimeve, nënëmadhja ra në një gjendje kome. Të gjithë qenë të bindur se parashikimi profetik që bëri Pinci i verbër, qe padyshim për nënëmadhen.

       I patëm kthyer sytë nga daja Alem, me shpresën se do të nxirrte nga valixhja e tij atë ilaçin shërues ardhur nga përtej oqeanit,(që vetëm ai mund t'ia dinte emrin), e, pasi t'ia jepte nënëmadhes për ta pirë, do të ndodhte çudia: plaka do të ngrihej menjëherë në këmbë e do të thoshte: "Pa shihni, im bir, Alemi, më shëroi; më bëri të ndjehem dhjetë vjet më e re ".

       Po s'qe thënë të ndodhte kështu, sepse daja Alem, duke u mbështetur në "artin e luftës" shpalli se nënëmadhja, kësaj here e kishte të humbur betejën.

       - Jemi dhjetë vjet me vonesë, - tha ai; madje mbajti një ligjëratë të tërë mbi raportet mes jetës e vdekjes dhe la të kuptohej se tashmë, fare pak gjë kish mbetur për t'u shpëtuar tek nënëmadhja.

       E alarmuar për rrezikun kanosës, mamaja mori përsipër t'i bënte vetë ballë vdekjes dhe u hodh në veprime konkrete. Ajo vari në traun e portës së oborrit një duj me rrefeshk, (për të trembur vdekjen); mblodhi nëpër suka fara qimnoni, xherokull, lule serdeni, një dorë me stërkungull, pak pshelinok, shurrëpelë, si dhe rrënjë rroble; i zieu bashkarisht në një kusi bakri katër orë e gjysëm, dhe lëngut të përftuar, i bëri edhe disa marifete të tjera me fjalë, teksa zhyste aty prush të ndezur. Me këtë lëng, mamaja spërkati muret e avllisë, gurët e kalldrëmit të oborrit (nga ku mund të shkelte flama), pragun e derës së shtëpisë si dhe ballinën prej dërrase të krevatit ku dergjej e sëmura. Pak nga ky lëng, mamaja ia dha nënëmadhes që e piu me zor të madh e pastaj tha se i kishte baltosur gojën. Në të njëjtën kohë, mamaja porositi që të bënim kujdes se mos ndonjë kukuvajkë fluturonte e ndalonte në pullazin e shtëpisë tonë, e kështu, vulosej përfundimisht oguri i zi. Veç këtyre masave paraprake, na u desh, njëkohësisht, të tregoheshim vigjilentë ndaj vizitorëve që vinin për t'u përshëndoshur me nënëmadhen.

       - Vdekja, asnjëherë nuk vjen ashtu siç është në të vërtetë, - thoshte mamaja, dhe shtonte se kur vdekja vendoste të merrte ndonjë rob Zoti, pikësëpari vishej tepdil, merrte pamjen e një njeriu të gjallë, të njohur, dhe pastaj të trokiste në derë.

       Në luftën kundër vdekjes që pritej të vinte të merrte nënëmadhen, u përfshinë edhe trinjakët e Naile Shalës. Me urdhër të dajës Alem, ata montuan në vijën e ujit, një mekanizëm që quhej trokëllimë. Vihej në lëvizje nga uji i vijës, që kalonte rreth shtëpisë tonë. Një çekiç rrotullohej rreth një boshti dhe i jepte goditje të njëtrajtshme një legeni të shpuar. Kështu përftohej zhurma që do të trembte vdekjen. Ishte daja Alem ai që u tregoi trinjakëve të Naile Shalës, marifetin e stisjes së trëkëllimës. Ai rrëfeu se këto njohuri i kishte marrë në Majami, gjatë pesë vjetëve të qëndrimit të tij në një apartament me Lu Sunin.

       Ditën e katërt të rropamës, Mamica e Lam Dedës, llafazane e sëmurë si një skizofrene, arriti të bindëte një pjesë të madhe të grarisë, që të protestonin kundër marifeteve që po përdoreshin për të shpëtuar "atë ditësosurën".

       - Uf, çfarë njerëzish, - shfryu ajo para grarisë që u mblodh tek kroi i katundit, - U ka shkrepur ta mbajnë atë shtrigë në jetë kundër vullnetit të Zotit.

        Menjëherë pas kësaj, mamaja u takua me Mamicën, e tërhoqi mënjanë, i foli me takt si kurrë ndonjëherë dhe i premtoi se do t'i bënte dhuratë kushedi ç'farë gjëje nga ato gjëra, që daja Alem kishte sjellë nga përtej oqeanit.

        - Hë, tani, - iu lut mamaja,- mos e prish barkun muajin e Ramazanit; lëreni plakën të rrojë, edhe ca ditë meqë u bë gjallë Alemi.

        Të nesërmen, Mamica e Lam Dedës, kjo grua që vdiste për maçkë e plaçkë, shtrëngoi fort rreth ballit shaminë e kokës që i dhimbte dhe nisi t'u fliste grave për dobitë e trëkëllimës. Madje ajo hodhi tezën, sipas së cilës, duhej parë mundësia e ndërtimit të një trëkëllime të dytë, pak metra larg së parës.

        Ajo që u quajt "protesta e burrave", do të shpërthente të shtatën ditë, kur Lamë Xhypi, i akuzuar se nuk e kishte rrahur daullen në vaktin e duhur, mblodhi katundin tek sheshi, e, duke u djegur nën vete si eshkë, shpërtheu;

       - Mblidheni mendjen, burra: o trokëllima e Alemit, o daullja ime.

       Më të irrituar qenë besimtarët, agjëruesit e rregullt të Ramazanit, të cilët mendonin se trokëllima qe një mjet i stisur për të sabotuar Allahun, dhe se këtë marifet të poshtër, e kishte kurdisur ai, kaurri shtiakeq e spicëtar Kel Sh.

        Plasi një sherr i ashpër mes dy grupeve rivale dhe ec e merre vesh, ku do të kishte vajtur kjo punë, nëse dikush, (emri i tij nuk u mor vesh), nuk do të kishte prishur vijën e ujit, pa të cilin nuk mund të funksiononte trëkëllima.

        Me të shterur uji, katundi ra në një qetësi të plotë, gjithçka u shua përnjëherësh. Pas kësaj mamaja shpalli se kishte zbuluar një të vërtetë të madhe:

        - Më të këqinjtë, - tha ajo, - ata që nuk duan të na shohin gjallë, qenkan komshinjtë.

        Dhe me të vërtetë, gjatë konfliktit katundi qe ndarë në dy pjesë: ata që i kishin shtëpitë larg nesh qenë pro trokëllimës, ndërsa më të afërmit, kundërshtonin, donin që nënëmadhja të vdiste. Gjithsesi pas pushimit të tamtameve, edhe nënëmadhja u duk se pat njëfarë përmirësimi. Kjo na qetësoi disi. Daja Alem, krejt në sendisje dha urdhër të çmontohej mekanizmi e të vendosej diku nën ruajtje, dhe fill pas kësaj, nxori nga valixhja disa tableta verdhashe, që shërbenin "për të përballuar zhgënjimet e mëdha" dhe nisi t'ia hidhte gurmazit katër herë në ditë, pas lëngut të hoshafit, që mamaja ia servirte në sahanin e përvëluar

      Si hodhi në zjarr të gjitha kasetat, daja Alem, nën shoqërinë e trinjakëve të Naile Shalës, vajti në qytet, preu biletën e udhëtimit me aeroplan dhe foli anglisht në telefon me Lu Sunin.

       Të nesërmen, qe dita e fundit e muajit të madh të Ramazanit, dhe gjindja, para se të falnin Bajramin e Madh, u kujtuan se më parë do të duhej të faleshin me dajën Alem.

       I harruari i madh, që të gjithë e patën pandehur të mbytur në Danub, qe shfaqur papritur pas katër dekadash, por kishte nga ata që s'donin t'a besonin se pat qenë vetë ai; madje edhe sot gjenden aso shpifarakësh, që betohen e stërbetohen se njeriu që hyri në katund me gjashtë valixhe që s'u hapën kurrë, kishte shkërbyer dajën Alem, se qe ngarkuar kushedi me ç'mision prej dreqi, dhe se Alemi i vërtetë dergjej në ujrat e pista të Danubit. Ndërsa ajo që quhej rëndom, nevojtore, për ndërtimin e së cilës daja zgjidhi qesen e hodhi pa iu dridhur dora plot gjashtëmijë dollarë, nuk paska qenë tjetër, veçse rezidenca e tij e përkohshme. Prej aty, me anë të aparateve moderne e antenave me ndjeshmëri të madhe, ai paska komunikuar me shefat e tij; u paska transmetuar të gjitha sa kishte filmuar gjatë ditëve të qëndrimit, e kështu e ashtu thashethemet nuk patën të sosur.

       Trinjakët e Naile Shalës, qenë të parët që erdhën për atë përcjellje lamtumire, e cila krejt papritur, do të merrte rrokullimën për t'u shëndrruar në një rit mortor.

       Daja Alem tha se ndjente keqardhje, pse po largohej nga vendlindja, por shtoi se nëse do të realizohej qëllimi, për të cilin ai po merrte udhë, kur të kthehej përsëri, do të ndërtonte një rrokaqiell mu në mes të katundit, një rrokaqiell të lartë, që do t'a zilepste edhe vetë Rrokfelerin.

       Në gjashtë të mëngjesit, ai i telefonoi shoferit që e pat sjellë nga aeroporti, dhe në shtatë e tridhjeta minuta, u dëgjua boria e makinës që mbërriti në sheshin e katundit. Ishte i njëjti furgon, që e pat sjellë para njëzet ditësh, shoferit të të cilit daja Alem, i kishte parapaguar edhe ditën e kthimit.

       Para se të dilte nga shtëpia, mamaja i ndërmendi valixhet, por ai i'a ktheu se veç njërës, asaj në të cilën mbante "arsenalin e municioneve", që i duheshin për t'u dhënë dërmën sëmundjeve të pashfaqura, pesë valixhet e tjera nuk do t'i mbartëte që aty. Porositi të vendoseshin stivë, njëra mbi tjetrën, në një vend të sigurtë dhe të mos hapeshin kurrsesi, sepse ndoshta, në një kohë jo shumë të gjatë, do të kthehej përsëri mes nesh.

       - Nuk ka gjëra për të cilat t'ia vlejë që të hapen, - tha, dhe i vuri kapak kësaj çështje me atë tonin e zërit të tij të prerë.

        Pas këtyre fjalëve daja Alem, hyri në dhomën e nënëmadhes, u afrua pranë shtratit të saj, i bëri zë (ajo nuk ishte as në gjumë, as zgjuar), i tha se po largohej për t'u kthyer përsëri, i puthi lehtë flokët e thinjura dhe doli që aty me bindjen e plotë se nuk do t'a shikonte kurrë më.

        Pas dhjetë minutash qe gati për t'u nisur, por para se të merrnim udhë për t'a përcjellë drejt furgonit, ai bëri shenjë me gisht, kërkoi një minutë leje sa të futej në nevojtore, nga e cila më pas, nuk do të dilte as për katër, dhjetë, njëzet apo tridhjetë minutash. Madje ai, nuk do të përgjigjej edhe kur mamaja, e yshtur nga një parandjenjë e ligë, i thirri ngjitur derës prej xhamit të kristaltë, derisa trinjakët e Naile Shalës, të bindur se ndodheshim në prag të një fatkeqësie, shkallmuan derën dhe e gjetën palmuq mbi pllakat e dyshemesë.

        Vdekja i pat ndaluar mbi supe, e kishte përulur mbi gjunjë; pastaj i kishte mëshuar me gjithë peshën e forcën e saj pë t'a thyer më dysh. Për këtë nuk kishte pikë dyshimi, sepse kur i ndjeri qe thyer e mbledhur palmuq nga dhimbja e tmerrshme, i kishte shpërthyer nga goja një lëng veshtullorë e i verdhë, i padurueshëm nga tafti, tamam si të qe thyer aty një vezë e prishur.

       Daja Alem, vajti në botën tjetër, i mbajtur nën sqetulla nga vetë flama, e cila kushedi sa do të qe krekosur për këtë bëmë të saj. Veçse ajo, qe e bindur se kurrsesi nuk mund ta merrte duke dërguar për këtë qëllim, taborre sëmundjesh pa fund. "Ushtrinë e madhe të sëmundjeve", daja Alem, e pat dërrmuar me taktikat e tij të luftimit, me "artin e luftës", që ai e pat njohur më mirë se ç'do gjeneral. Ndërsa as që bëhej fjalë për shkaqe dhe motive të tjera, për vetë faktin se qe tepër i kujdesshëm e vigjilent.

       U dërgua në varrezë pasditen e ditës që vdiq, kur dielli qe rrëzuar mbi majën e poshtme, me biletën e udhëtimit në xhepin e brendshëm të xhaketës. E mbarti i njëjti furgon që e solli e që erdhi ta merrte pë ta shpënë në aerodrom. Por, pikërisht në çastet kur po e zbrisnin në varr, i'a behu Lim Bojaxhiu e tha se sillte porosi nga mamaja, që të zgjerohej gropa e varrit, pasi do të futeshin edhe gjashtë valixhet e mbyllura.

       Mes gjithë asaj mizërie njerëzish të ardhur për mort, më tepër të habitur nga vdekja e beftë se sa të dhimbsuruar, mamaja qe kujtuar se nuk duhej të varrosej i vëllai pa zbuluar pikësëpari ç'farë fshihnin ato valixhe. E bindur se pas vdekjes së tij, ç'do e drejtë kalonte mbi personin e saj, sapo i ndjeri u mbart nga vendi ku vdiq dhe u fut në dhomën e zaireve të vjeshtës, mamaja  i nxori prej xhepave të gjitha sendet personale: çelsat e valixheve, sahatin me qostek, një shami shumë - shumë të vjetër, në njërin cep të së cilës qenë qëndisur inicialet "E. L.", pasaportën e tij si qytetar amerikan, disa dokumente në anglisht, shtatqind e katër dollar, - që u këmbyen menjëherë në para dhe u përdorën për shpenzimet e varrimit,- si dhe një bllok të vogël me adresa, mes të cilave ndodhej edhe ajo e kinezit Lu Sun.

      Mamaja nuk e pa me vend që të merrte pjesë në varrim, madje ajo nuk deshi që i vëllai të qahej me logori. Qëndroi në shtëpi për të rrekur nënëmadhen, e cila do të jetonte edhe dy vite të tjera e më pas do të vdiste në moshën nëntëdhjetë e dy vjeçare, pa mundur të mësonte mbi vdekjen e të birit.

      Mamaja i hapi valixhet, pikërisht në çastet kur kortezhi i përmortshëm qe nisur drejt varrezës dhe pa me keqardhje se daja Alem kish pas mbyllur aty vetë zhgënjimin: ajo i kaloi të gjitha nëpër duar dhe pa se të njëzet e shtatë personat, për të cilët qenë nisur dhuratat, patën vdekur prej kohësh. Të pesë valixhet qenë mbushur deng me sende pa ndonjë vlerë të veçantë, sende që kishin hyrë në Shqipëri me vakt e me kohë dhe që gjendeshin në treg me shumicë. Ishin paketuar secila më vete, duke u mbështjellë me letër celefoni, poshtë së cilës qenë shënuar emrat e marrësve si dhe nga një shënim i vogël për gjithsecilin.

       Por ajo që do t'a trondiste mamanë, qe një peshtaf i zbukuruar me argjend, brenda të cilit, ajo zbuloi dy sevdallinj nën një këmbanë qelqi, të kapur dorë për dore për t'i rënë mespërmes një kopështi të bukur si vetë xheneti; njëri qe i vëllai, daja Alem në rininë e tij, kurse tjetra, e bija e një orëndreqësi, Emine Lubardha, me gërshetat e gjatë gjer poshtë gjunjëve vdekur para pesëmbëdhjetë vjetësh në vetmi të plotë. Sipër peshtafit, në një shirit letre të ngjitur me plastelinë, daja Alem kishte shkruar: "Emine Lubardhës, me të cilën, më në fund, vendosa të martohem".

        Sipas të gjitha gjasave, kjo dhuratë qe ujdisur me porosi në fabrikën e rruazave të qelqëta në Majami, ku daja Alem kishte punuar disa vite e ku edhe qe dekoruar.

        Fill pas kësaj, ajo nisi vrikthi Lim Bojaxhiun, që të lajmëronte se duhej zgjeruar gropa e varrit.

        - Mirë apo keq, ato sende qenë nisur për njerëz të asaj bote, nuk kishim pse i mbanim në shtëpi, - do të thoshte më pas mamaja.

        Gjashtë valixhet u vendosën në varr të mbyllura e të stivosura me rregull, njëra sipër tjetrës, në krahun e djathtë të të ndjerit, bashkë me çelsat që trinjakët e Naile Shalës, ia futën në xhep të jelekut.

        Daja Alem u varros dhe askush nuk e qau me logori.

        Gjindja u shpërnda me bindjen se ato pak lopata dhè që i hodhën mbi tabut, qenë thjesht një borxh, një borxh që i kishin larë të tetëdhjeteshtatit, pa e ditur se cilës shifër i përkisnin ata vetë.

         Ajo që pat një merak, ishte nënëmadhja, e cila pyeti se sa orë mbante një udhëtim për Amerikë.

        - Dua të di, - tha ajo, - ku ndodhet Alemi këto çaste, në qiell a në tokë?

        - Në tokë, - u përgjigj mamaja, e bindur se nuk e kishte gënjyer.

Për ZSH: Kozeta (Këze) Zylo