Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Grid Rroji: “Politika e re” e blerjes së votimeve

| E shtune, 02.05.2009, 01:45 PM |


Grid Rroji
Grid Rroji
“Politika e re” e blerjes së votimeve

Nga Grid Rroji

Në këtë pragfushate zgjedhore, publiku ka patur rastin të njihet më mirë me përfaqësuesit e asaj që vetëquhet “politika e re” e socialistëve dhe satelitëve të tyre. Kemi patur rastin t’i shohim këta të rinj të shkolluar jashtë Shqipërie nëpër debate televizive dhe aktivitete elektorale. Kemi parë se si ndonjë prej tyre nuk ka ngurruar t’u kujtojë kundërshtarëve marrëdhëniet e tyre personale gjatë adoleshencës, a thua se kjo përbën ndonjë argument politik. Kemi dëgjuar në konferencat e përditshme për shtyp daullet e sekretarëve të Edi Ramës, të cilët nuk ngurrojnë të lexojnë libretin e kryetarit të tyre se gjoja rrogat e shqiptarëve nuk janë rritur, pensionet në fshat nuk janë dyfishuar, rrugët nuk po ndërtohen e broçkulla të tilla lehtësisht të verifikueshme nga publiku. Kemi dëgjuar eksponentë të vjetër të “politikës së re”, të cilët janë gati të quajnë të blerë Presidencën Çeke të Bashkimit Europian, Kryeministrin Topolanek, Presidentin amerikan Obama, Kancelaren gjermane Merkel, Presidentin francez Sarkozi dhe të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së, të cilët kanë dhënë vlerësime maksimale për reformat në Shqipëri, sepse ata nuk kanë thënë atë që i volit “politikës së re” në këtë pragfushate.
Të martën e kaluar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, publikut shqiptar iu desh të qeshë që të mos qajë me pohimet e një eksponenteje të “politikës së re”, e cila nuk ngurronte të pohonte se “në Shqipëri nuk ka patur banda kriminale dhe se qeveria në luftën e saj me zero tolerancë ndaj krimit ‘ka kapur ca çuna që pinin hashash tek cepi i rrugës’, apo se ‘Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi janë përfaqësues të së resë me mendje të hapur’”. Me pak fjalë, siç thotë një shprehje amerikane, ndonjëherë padija është margaritar (Ignorance is bliss).
Por ajo që ndez alarmin për metodat politike të karrieristëve të rinj, është pohimi i fundit i kryetarit të G99 në një takim elektoral, se në rast fitoreje qeveria e koalicionit të majtë do të “riblejë” letërnjoftimet nga qytetarët, duke iu rimbursuar atyre nga arka e shtetit paratë që kanë paguar. Z. Veliaj sigurisht që mendon se për këtë do të përdorë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Praktikisht, në këtë mënyrë, z. Veliaj kërkon të blejë votat e shqiptarëve me paratë e tyre!
Nuk dua të ndalem në mungesën e etikës së këtij premtimi, që synon ta degjenerojë procesin demokratik në Shqipëri në një treg abuziv shitblerjeje votash, ashtu si Rama dhe Veliaj janë mësuar të bëjnë me lejet e ndërtimit të Bashkisë së Tiranës apo me fondet e Mjaft!-it.
As dua të ndalem te mungesa flagrante e korrektesës ndaj faktorit ndërkombëtar, i cili ka ndërmjetësuar për të arritur një kompromis për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime kundrejt pagesës prej 200 lekësh. Nuk më habit as fakti që të rinj të shkolluar në perëndim, në vend që të krijojnë mur ndalës përpara këtyre manipulimeve primitive, bëhen përçuesit më të zellshëm të urdhrave të kryetarit të tyre.
Ajo që duhet të shqetësojë opinionin publik është se z. Veliaj as nuk tenton ta maskojë këtë premtim elektoral me ngjyrat e reja të ylberit, me të cilat po bën fushatë Edi Rama. Pohimi i tij nuk le shkas për dyshime, të rinjtë e “politikës së re” besojnë thellësisht se vota mund dhe duhet të blihet për sa kohë që kjo është e vetmja mënyrë për të ardhur në pushtet.
Blerja e votës nëpërmjet premtimeve elektorale nuk dëmton vetëm ata pak njerëz që gënjehen nga pamja e jashtme dhe CV-ja shkollore e 99-shtave, por na rikujton standardin historikisht të ulët të socialistëve për zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri. Përfaqësuesit e “politikës së re” përsërisin në unison të rakorduar se ata nuk janë politikanë, por kanë hyrë në politikë për të mbrojtur një vizion tjetër qeverisës. Vizioni qeverisës i bashkisë së Tiranës, të cilit ata i referohen, ka lënë si trashëgimi të pakontestueshme betonizimin masiv të qytetit, trefishimin e taksave për qytetarët e Tiranës në përgjithësi dhe për biznesin në veçanti, krijimin e një strukture korruptive të lejeve të ndërtimit, e cila prodhon me arrogancë të pashoq dhënien një anëtari të KRT-së të 18 ndër 27 lejet e ndërtimit në muajin prill 2009. Por në vend që t’i dalin zot këtij vizioni të cilin qytetarët e Tiranës e kanë përpara syve, ata hedhin në treg teza neo-trockiste të blerjes së pushtetit, të cilave sistemet demokratike dhe të lira u kanë dhënë përgjigje në shekullin e kaluar.
Z. Veliaj mund të spekulojë me pjesëmarrjen në mitingjet e tij, duke montuar pamjet e një koncerti me sinkronin e tij në mikrofon, por e ka të pamundur të mohojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, hyrjen në fuqi të MSA-së dhe dorëzimin e kërkesës për statusin e kandidatit në BE. Rama dhe Veliaj nuk mund të mohojnë vlerësimet superlative për qeverisjen e Shqipërisë këto katër vjet nga Presidenti Obama, Kancelarja Merkel, Presidenti Sarkozi, Kryeministrat Topolanek, Berluskoni dhe Karamanlis si dhe ministrat e Jashtëm të 27 vendeve të BE-së. Ndaj ata kërkojnë të blejnë votën e shqiptarëve me paratë e taksave të tyre. Kjo nuk është “politikë e re”, por vazhdim i atyre taktikave të manipulimit të zgjedhjeve që socialistët dhe aleatët e tyre i kanë perfeksionuar gjatë tetë vjetëve në pushtet.
Druaj se mbështetësit e rinj të neo-trockizmit nuk e kuptojnë që lëvizje të tilla dëshmojnë dëshpërim elektoral në sytë e shqiptarëve. Blerja e votës me paratë e taksapaguesve shqiptarë jo vetëm që nuk përligj politikën e re, por së bashku me daljet publike qesharake të atyre që nuk ngurrojnë ta shkëmbejnë dinjitetin e tyre me një vend në listat e Ramës, fundos njëherë e përgjithmonë pretendimin se politika e re kërkon ndryshim.

Panorama