Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alfred Papuçiu: Letër drejtuar kryeministrit Sali Berisha?

| E merkure, 29.04.2009, 10:31 PM |


I nderuar Zoti Kryeministër Prof. Dr. Sali Berisha!
 
Me gëzim të veçantë dhe me ndjenjën e konsideratës së lartë për Ju dhe qeverinë që drejtoni, prita vendimin tuaj për paraqitjen e kërkesës për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Europian. Kjo do të jetë një fitore e madhe për demokracinë shqiptare, pas asaj të pranimit në familjen e Aleancës së Atlantikut Verior. Erdhi dita e mirëpritur për shqiptarët në Shqipëri dhe ata miliona që jetojnë në Diasporë të bëjnë një hap përpara për të qënë të pranishëm në organizmin më të madh dhe me prestigj të Europës, Bashkimin Europian.
 
Për mua është një kënaqësi më tepër e veçantë, për faktin se kam kryer studimet e larta europiane në Gjenevë dhe kam dhënë ndihmesën time modeste, si me botimin e studimit tim "L'Albanie et l'Europe- les perspectives de l'intégration" ( Shqipëria dhe Europa- perspektivat e integrimit), ashtu edhe në punën time si funksionar i pavarur ndërkombëtar në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD dhe në Byronë Ndërkombëtare të Punës. Në shumë nga botimet dhe shkrimet e mija e kam ngritur me forcë çështjen e futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke dhënë argumenta edhe në bisedat me miqtë e mi zviceranë dhe të huaj.
 
E prisja këtë ditë edhe për faktin se tanimë miqtë i kemi të shumtë që na përkrahin në rrugën tonë të drejtë, si në Zvicër, por edhe në Europë e në botë. Diaspora shqiptare është me ju, megjithë disa zëra të ngjirur të atyre që kanë dashur ta shtyjnë përkatësinë e Shqipërisë në Europë deri në "kalendrat greke". Shqipëria i përket "de jure" e "de facto" Europës së Brukselit, jo vetëm për shkak të historisë së saj, të kontributit të çmuar të qytetarëve të saj për Europën në të kaluarën, por edhe për kontributin e tanishëm, të mijra e mijra shqiptarëve ekonomistë, shkencëtarë, arsimtarë,  profesorë, shkrimtarë, gazetarë, artistë, punëtorë në Europën e të 27-tëve. Ata janë me të vërtetë "diplomatë dhe përfaqësues" të denjë të Shqipërisë demokratike në Europë.
 
Le të shpresojmë se ashtu si forcat demokratike, të gjithë shqiptarët do të jenë në unison me miqtë tanë që do të na mbështesin tani në përfshirjen sa më parë të Shqipërisë në familjen e madhe europiane, të ideuar nga Shuman, Monet, Denis De Rougemont e baballarë të tjerë të Europës. Të 3 milionë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, si edhe ata qindra mijra që janë vendosur në vendet europiane, i përkasin "Europës pa kufi", për të cilën shkruante qysh më 1954 François Perroux, i përkasin Europës së individit, të lirisë, të pluralizmit.
 
Me shumë respekt dhe mirënjohje
 
Alfred Papuçiu
Mediator kulturor
Anëtar bashkëpunëtor i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF)
Konsulent i Fondacionit Zviceran *RFEM"
 
10 Rue Lamartine
1203 Genève, Suisse

Gjenevë, më 28 prill 2009