E premte, 25.06.2021, 05:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Marilena Lică: Jeton Kelmendi - Një kërkimtar i lirisë përmes trupit të fjalës

E hene, 27.04.2009, 09:56 PM


Jetoni në bibliotekën e Baki Ymerit në Bukuresht
Jetoni në biblotekën e Baki Ymerit në Bukuresht

Marilena Licã
Marilena Licã
Jeton Kelmendi - Një kërkimtar i lirisë përmes trupit të fjalës

Nga Marilena Lică (Paris)

„Poezia për mua është ajo gjë që nuk mund të kalojë tejmatanë kufirit”. Me këto fjalë do ta definojë Jeton Kelmendi poezinë, para një viti në Bukuresht, në kohën e Samitit të NATO-s (2008). Hic et nunc. Janë fjalët e një të riu që e ka parë kohëve të fundit, këtu pranë nesh, në mbarim të shek. XX, atdheun në flakë. Dhe përmes tij i ndjejmë fjalët e një gjenerate, që tani, në kohën tonë të gjerë europiane, në fund të „shekullit të premtimeve”, e sheh atë që neve as që na e merrte me mend se do të ndodhë në Ballkan. Jeton Kelmendi i ka parë të djegur fletoret me vjersha dhe shkrime tjera në flakërat e tmerrshme të luftës.

Para një dekade, kur kishte vetëm 20 vjet, një kosovar i ri e dinte ç’don të thotë të humbish çdo gjë, përveç lirisë dhe vëllimit të parë të poemave. Ndoshta mu për këtë Jeton Kelmendi dëshironte që poezia të arrijë të bëhet një „diç” që do të ketë forcën e përcaktimit të kufinjve të paqës dhe dashurisë për të patur „pak atdhe” Prej atëherë, nga ai vit (1999), ai shkruan. Qe dhjetë vjet, ky kosovar i ri shkruan me elanin dhe produktivitetin që beson në fuqinë e fjalës, që mendon se „përtej heshtjes” e pret obligimi moral për të kërkuar lirinë dhe gruan e shkëlqyer, për të folur për to, për  ta mbajtur të pashuar flakën në tempullin e Kosovës. Ngase, na thoshte Jeton Kelmendi, „nëse kthehemi pak në histori, shohim se poetët gjithmonë shohin me një sy ndryshe. Ata dinë edhe të kritikojnë, edhe të dashurojnë, edhe të zhgënjehen, e çka s’ dinë poetët.”. Profesion i  besnikërisë, i guximit, entuziazmi rinor, dëshira për ta transformuar botën, ëndrra utopike. Ndoshta nga diçka, nga të gjitha këto në një vend. E qartë është se duke e pyetur „nga shkojnë ardhjet”, bashkëvëllau ynë i ri dardan thot pa mëdyshje: „Me siguri ardhjet do të shkojnë në Europë, atje ku e kanë vendin e vet”.         

Në poemin „Zonja Fjalë dhe zoti Mendim”, shkruar në Paris më 2006, Jeton Kelmendi realizon një sintezë lirike të idealeve të tij pa të cilat nuk do ta ndjente veten si një qenje komplete: „Liria të jetojë e lirë/ Dhe fjala/ Dhe mendimi/ Të flasë/ Kur duan// Unë tani/ E dua puthjen e parë”. Ja një përfytyrim i qartë, nga i cili çdo hije e dyshimtë degdiset nga aspiratat e çdo të riu, qoftë ai kosovar, serb, rumun, europian, izraelian, palestinian, oeriental, aziatik, afrikan, australian, amerikan.

Dardan përmes lindjes, brukselian përmes adoptimit, „i strehuar në prehërin e mallit”, duke ndenjur nganjëherë në „Lisin e tharë nga dielli/ Atje ku pritet vetëm e dashura”, Jeton Kelmendi është i riu të cilin e don çdo atdhe, çdo nënë, çdo mike, çdo e dashur. Ngase, nëse i je atdhe, ke bindjen se do të flasë në gjuhën tënde për ty, kudo që të jetë: „Nuk matet me asgjë/ Pesha e trupit tënd.../ Atdheu im është Atdheu i Zotit/ Që ma ka dhënë emrin/ SHQIPTAR”. Kurse, nëse i je nënë, e din se biri yt nuk do ta humbë rrugën duke të braktisur i magjepsur nga kimerat e ekzistencës: „Ekziston diçka më e madhe/ Se trupi/ Hija/ Emri/ Natës ia qet poshtë vetullat/ Ditës ia hap sytë// (Jeta).

Dhe nëse i je mike, e din se do të të trokasë në derë mu atëherë kur do ta kesh më vështirë, siç po dëshmon në një poezi të shkruar në Vjenë, më 2006: „Nuk është turp të ëndërrosh/ E din këtë, miku im i mirë/ Një çetë mundimesh/ Dhe një mendim profetik/ Rrëmujë/ Po vi te ti// Edhepse po mbështillesh me fjalën tënde/ Ma bër një copë vend/ Në poezi”. Kurse, nëse je grua, mund t’ia besosh dashurinë tënde ngase e din se do të jesh e zgjedhura misterioze e shpirtitit të saj prej kavalieri që e ka dhënë betimin e fshehtë kundër tradhëtisë përmes trupit dhe fjalës: „Porsi hija/ Trupi i heshtjes sate/ Erdhi vetë/ Si gjurmat e erës/ Mbretëreshë e askujt/ Derisa fushat/ E mbushura me asgjë/ U takuan rastësissht/ Me polet e përmbysura/ Derisa do ta fshehim/  Në veten tonë/ Atë që nuk e dinim/ Derisa hija/ Dhe trupi i heshtjes sate/ Do të vijë dhe do të shkojë si një mendim/ Në vend të fjalës”. Ja pra, kjo është fjala magjepse e Jetonit që jeton me përshtypjen se Fjala është Zonjë, dhe Mendimi Zotëri.

Jeton Kelmendi në gjirin e familjes së Dr. Xhelku Maksutit në Bukuresht
Jeton Kelmendi në gjirin e familjes së Dr. Xhelku Maksutit në Bukuresht



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora