| E marte, 21.04.2009, 07:04 PM |
O shtet, pse nuk i çarmatos shqiptarët e kokrisur?!
Nga Mihal Luarasi
E vrava...më falni, u nguta, nuk e bëj më...” “Tashti e shoh që gabova, i kërkoj të falur familjes...” Të sipërmet janë citime origjinale. Vrasjen e një njeriu, marrjen e jetës së tjetrit, e quajnë “ngutje” dhe “gabim”: U nguta, gabova!
Brenda një dite, dëgjojmë e lexojmë disa lajme mbi zënka që përfundojnë me përdorimin e armës. Vrasje dhe plagosje, në gjaknxehtësi e sipër, pas grindjesh banale, ose zyrtarisht të quajtura “për motive banale”…
A do të ndodhnin këto krime, sikur autorët e tyre të mos i kishin armët në brez, në xhep, në shtëpi apo në kruskotin e makinës?! Faktet tregojnë se, në shumicën e rasteve, nuk do të ndodhnin! Sepse pas një ore, ose pas një dite, inati i njohur shqiptar, do t’u dilte dhe krimin nuk do ta kryenin.
Shteti duhet t’i japë fund “tolerancës” afro njëzet vjeçare dhe të tregojë “dhëmbët” në emër të ligjit, në emër të jetës!
Epoka e fushatave për mbledhjen “vullnetarisht” të armëve me thirrje e me lutje patetike, ka mbaruar. Lutjet e thirrjet le t’i vazhdojë feja, kurse shteti tashmë duhet të veprojë me dhunë për të çarmatosur shqiptarët e armatosur në kundërshtim me ligjin. Me të gjitha mjetet, me të gjitha format.
Ia mora jetën, ia vrava rininë, dashurinë, por e shoh se gabova.
Në këto krime absurde, Shteti ka pjesën e vet të fajit, për mosveprimin e tij.
Padashur t’i jap mend një specialisti, ministri i brendshëm, le të bëjë një provë, jo në zona rurale po se po, por në mes të Tiranës. Të bllokojë bulevardin e madh në të dy skajet, nga ministria e tij deri tek ura e hotel Dajtit dhe të kontrollojë kroskotat e makinave, do të gjejë një arsenal revolesh. Edhe më tej, le të rethojë një fshat dokudo dhe të kontrollojë shtëpitë, do të gjejë një arsenal edhe më të madh.
Lajmi i këtij kontrolli do të përhapet shpejt dhe armëmbajtësit e paligjshëm do t’i flakin hendeqeve veglat e tyre vrasëse.
Është e çuditshme, pse mediat, qysh prej shumë kohësh, kanë hequr dorë, nga “ngritja” e poblemit të ç’armatosjes së shtetasve që mbajnë armë paleje, madje edhe i reduktimit drastik edhe të atyre që i majnë “me leje”. E pra, ky është problemi, i parandalimit të këtyre lloj krimeve absurde.