Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Violeta Manushi, një gjurmë e pashlyer e skenës

| E shtune, 28.07.2007, 01:48 PM |


Ishte një ndër aktoret më të mëdha të skenës dhe ekranit dhe edhe pse ky fakt është thënë me qindra herë, nuk lodhesh kurrë duke e theksuar. Nuk është pak t’i përkasësh me talentin tënd dy llojeve të aktrimit: në film dhe teatër. Violtea Manushi, edhe pse me një shpirt të pamposhtur deri në çastin e vdekjes, u nda përgjithnjë nga jeta, skena dhe miqtë. Arti i saj mbetet si një ndër pasuritë kinematografike më të vyera. Paraditen e djeshme në ambientet e Teatrit Kombëtar në Tiranë aktorja e dashur dhe me shpirtin e humorit e të sakrificës u përcoll për në banesën e fundit.Në prani të dhjetëra e qindra personaliteteve të artit, politikës, kolegë e dashamirës të aktores, ajo i la një gjurmë të pashlyer skenës e ekranit shqiptar. Një mjeshtre do ta quanin ditën e djeshme kolegë e miq aktoren e mrekullueshme. Mimika e saj e veçantë, si një vajë tekanjoze e plot nur, nuk ndryshoi edhe me kalimin e viteve. Jetonte e vetmuar diku, në një lagje kryesore të Tiranës. Shpesh e shihje me një bastun në dorë, duke ecur vështirshëm rrugëve të kryeqytetit, në ndonjë paradite të nxehtë vere. Gjithmonë e shoqëruar me mikeshën e ngushtë, aktoren bashkëmoshatare Marika Kallamata. Dy zonjat e skenës dhe ekranit ndanin deri dje ditët e pleqërisë, por tashmë njëra mikeshë mbeti pa tjetrën.

Artistët për Violetën
Në ditën e mortshme të përcjelljes së mikes dhe koleges për në banesën e fundit, mes lotësh e kujtimesh folën të gjithë diçka për të. Ishte një mike e mirë, një nënë për dikë tjetër e partnere e shkëlqyer në role për shumë të tjerë.

Aishe Stari, aktore e Estradës së Durrësit
“Mendimi im, besoj se nuk ndryshon nga qytetarët e tjerë sot. Arti ynë humbi një nga artistët më të mëdha të skenës dhe të filmit. Unë e njoh Violetën që në vitin 1963, kur u hap shkolla e parë për aktorë. Ne e shikonim si kolege dhe si prind. Qysh në fillimet tona në Teatrin Popullor, siç quhej në atë kohë, ajo na ka mbajtur afër. Teatri ka pasur shumë artistë dhe një nga këto ka qenë edhe Violeta Manushi. Unë e kujtoj nëpërmjet shumë roleve dhe Violeta ka qenë një shkëlqim në skenë. Ajo do të shkëlqente si në interpretimin e një roli të vogël, ashtu edhe në një rol të madh. Ajo ishte aktore dhe do ia bënte hyzmetin edhe rolit të madh, edhe atij të vogël. Violeta ka qenë një aktore që ka ndriçuar në çdo cep të skenës”.

Rajmonda Bulku, aktore
“E veçanta midis meje dhe Violetës, që në fillim është lidhur me një kontakt nga roli nënë e bijë dhe pastaj ky rol ka kaluar edhe në jetë. Përpara saj ndaja një përgjegjësi të madhe. Violetën e kisha kritiken time më të dashur e më të afërt”.

Roland Trebicka, aktor
“Violeta Manushi është një fenomen i artit shqiptar, si në teatër, ashtu edhe kinematografi. Unë do ta quaja model për sa i përket mënyrës së të punuarit aktoresk, si fizik, edhe mendor. Deri në momentin e fundit, ajo ishte një aktore e pakundërshtueshme. Për brezin tim qe fat që kemi interpretuar me të, një fat të cilin e kam pasur edhe unë. E kam pasur partnere në shumë role, por do të veçoja “Karnavalet e Korçës”, ku ajo ka interpretuar rolin e Olimbisë, i cili ka qenë një nga rolet e saj më të shkëlqyera. E kam pasur partnere tek “Pallati 176”, “Valsi i Titanikut” etj. Nëse një aktor i ri do të mësojë si punohet, si model mund të ketë Violeta Manushin. Ka qenë një humbje e madhe për skenën, ekranin, për miqtë e saj në veçanti”.

Vasillaq Vangjeli, aktor
“Është një humbje e madhe për artin dhe Teatrin Kombëtar. Ka qenë një nga pionieret e teatrit. Në atë kohë nuk kishte guxim të luante asnjë femër, ajo ishte e para që luajti, duke vënë në emrin e saj rrezik. Ishte një aktore që të impononte një respekt me talentin e saj dhe nuk do t’i vijë më këtij teatri. Unë ruaj një respekt të madh për kujtimin e saj”.

Kristaq Skrami, drejtor i Teatrit Kombëtar
“Violeta, pa dyshim, do të ngelet një ndër aktoret që kanë dhënë një kontribut të çmuar në skenën e teatrit dhe në filmin shqiptar. Natyrisht është një humbje madhe për familjarët, kolegët dhe për artin shqiptar në përgjithësi që ajo e donte aq shumë”.

Bujar Asqeriu, aktor
“Në radhë të parë, kam një konsideratë të lartë për të. Ajo ishte një femër e shkëlqyer dhe një aktore tepër origjinale. Dhe them se historia e teatrit shqiptar do të vlerësohet nëpërmjet këtyre simboleve, që ishin tejet origjinale. Mbaj mend ditët që ishte në spital e sëmurë, unë i shkova për vizitë. Ajo më tregoi se një kirurg i kishte thënë për një ndërhyrje kirurgjikale në vesh dhe ajo më tha se: “Unë i thashë mirë, por pas ndërhyrjes a do të kem deformime, se unë do të luaj përsëri në skenë?” dhe mjeku i kishte thënë se mund të kishte deformime. Violeta i ishte përgjigjur: “Nuk mund të pranoj të më operoni dhe unë të deformohem, sa mos të luaj dot”; “Mirë- i kishte thënë ai- mendohu” dhe i kishte lënë tre ditë kohë. Dhe Violeta më tregonte se gjatë këtyre ditëve ajo bënte prova, se si mund të fliste me buzë të shtrembër. Ky episod më ka bërë shumë përshtypje, sa nuk mund ta harroj dhe aq më tepër kuptohet se me një histori të tillë mendoni sa e vështirë është që teatri në Shqipëri të ketë një sukses të tillë. i kam puthur duart në spital dhe kam ndjerë nga afër dashurinë e saj për profesionin”.

Besim Kurti, regjisor
“Violeta ka qenë një aktore e madhe. Ajo ia kushtoi jetën skenës. Ajo gjithmonë thoshte dua të vdes në skenë. Ka qenë një nga ikonat e Teatrit Kombëtar”.

Bamir Topi, president
“Kujtimi im, sikurse i të gjithë shqiptarëve është i pashlyeshëm në të gjithë veprën humane, do të thosha dhe artistike të zonjës Manushi. Të gjithë jemi rritur me rolet e kësaj aktoreje të madhe, të gjithë e kemi identifikuar me rolin e zonjës nga qyteti, por mesa e kam njohur dhe ato përshtypje që kam marrë edhe nga miqtë e mi, zonja Manushi do të mbetet para së gjithash zonjë e komunikimit njerëzor. Me këtë rast unë dua t’i shpreh familjes dhe të gjithë komunitetit artistik dhe miqve të saj ngushëllimet për këtë aktore të madhe sepse u nda nga jeta jonë një pjesë e asaj memorie artistike dhe asaj kënaqësie artistike që ne kemi ndjerë duke parë rolet e saj”.

Sali Berisha, kryeministër
“Humbje e madhe për artin skenik shqiptar për kulturën dhe botën e artit. Në tërësi, Violeta Tanushi ishte njëra nga përfaqësueset më të shkëlqyera më të talentuara një mjeshtre e skenës. Ajo lë një trashëgimi të pasur në artin tonë kombëtar skenik, për të cilin do të mbahet mend për një kohë të gjatë”.

Gazmend Oketa, zv. kryeministër
“Një humbje e madhe për artin shqiptar dhe në mendjen e shqiptarëve do të mbahet mend si ‘Zonja nga qyteti’. Ajo na ka dhuruar qindra role dhe ka lënë pas një jetë të pa imituar dhe të pa kopjuar.

Jeta e artistes së madhe
Aktorja e madhe u lindi në Tiranë më 6 mars të vitit 1926. Ajo ishte një nga ikonat e Teatrit Kombëtar të Tiranës, aktive edhe pas 48 vjetësh! Në aktivitetin e saj ajo ka shkëlqyer njësoj, si në komedi (Ollga tek “Zonja nga qyteti”), ashtu edhe në dramë (Nica tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Gjatë jetës së saj si aktore ajo realizoi mbi 100 role në teatër dhe 16 role në kinema. Në maj të vitit  2004 u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”. Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit (sot TK), më 1946. U shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt. Në dramën “Orët e Kremlinit” (1957) ajo luajti njëherësh tre role, duke shënuar kështu një rekord origjinal, ende në fuqi. Më pas shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958). Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë te “Fytyra e dytë” (1968), Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën te “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton te “Pallati 176” (1985), duke u transformuar tërësisht në secilin prej tyre. Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana” (1958) e deri tek “Rrethimi i vogël” (1989) dhe një teledramë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976). Për rolin e teto Ollgës tek “Zonja nga qyteti”. Aktorja e madhe fitoi Medaljonin e Festivalit të Filmit më 1977. 

Sot