| E merkure, 15.04.2009, 06:15 PM |
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni dhe shqiptarët
Nga Besnik Mustafaj
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni u përmbyllën dhe, sado që nuk pritej ndonjë surprizë, ne tashmë e njohim emrin e kryetarit të ri të këtij shteti fqinj. Përtej këtij realiteti, do të më dukej me vend të analizohej edhe njëherë dhe me një vëmendje të re, që do të thotë më seriozisht, problematika e organizimit politik dhe e pjesëmarrjes së shqiptarëve në procesin e zgjedhjes së Presidentit në këtë republikë. Ndër fushatat zgjedhore mbarështetërore, që zhvillohen demokratikisht në Maqedoni, ajo për Presidentin e Republikës rastis e shfrytëzuar më keq nga shqiptarët e këtij vendi për të afirmuar dhe konfirmuar aftësitë e tyre në përdorimin e mjeteve të hapura politike në shërbim të përmirësimit të statusit të vet. Pa hyrë në histori të gjata, kësaj here atje kishte tre kandidatë shqiptarë për postin e kryetarit të shtetit, të cilët ishin në garë vetëm gjatë raundit të parë. Duke i rrumbullakosur shumë lehtë shifrat, në fund të këtij raundi veç e veç dimë se ata morën: Imer Selmani i Partisë Demokracia e Re 15 për qind, Agron Buxhaku i BDI-së 7 për qind dhe Mirushe Hoxha e PDSH-së, 3 për qind. Natyrshëm që të tre u përjashtuan nga raundi i dytë. Por, me një aritmetikë fare të thjeshtë, del se të tre së bashku kishin 25 për qind të votave, që do të thotë se po të kishin patur një kandidat të përbashkët qysh në krye të herës, teorikisht i kishin të gjitha mundësitë që balotazhi të zhvillohej midis përfaqësuesit të një partie sllavo-maqedonase dhe një përfaqësuesi të shqiptarëve të Maqedonisë.
Kjo lloj finaleje është përsëritur rregullisht, e për rrjedhojë edhe kjo lloj përllogaritje elementare është bërë shumë herë, qysh kur Maqedonia e shpalli mëvetësinë e saj dhe unë sot nuk po shtoj asgjë të re, siç është nënvizuar me të drejtë gjithmonë se edhe në një skenar ideal bashkimi, shqiptarët nuk do të kishin shanse të çonin njërin prej tyre në krye të shtetit ku jetojnë. Për justifikuesit e realitetit të përçarë që ekziston, kjo do të thotë se edhe bashkimi i përpjekjeve të shqiptarëve, në fjalë të fundit, nuk do të prodhonte ndonjë rezultat më të mirë. Pra, a do t’ia vlente mundi? Për më tepër, shtojnë justifikuesit e kësaj tabloje, paraqitja me një kandidat të vetëm nuk do të thotë se gjërat do të ecnin medoemos sipas asaj vijës së thjeshtë që tregon aritmetika e mësipërme, pasi ka vend të supozohet se tre kandidatë mobilizojnë më shumë zgjedhës për t’i çuar në votime se një i vetëm, gjë që mund të jetë e vërtetë, siç mund të jetë e vërtetë edhe e kundërta, që ideja e bashkimit te një kandidat të zgjojë te qytetarët shqiptarë të Maqedonisë një frymë shumë më të shëndoshë, pra edhe më të përgjithshme mobilizimi.
Megjithatë, unë shoh arsye të mjaftueshme, që pyetja nëse do t’ia vlente mundi që organizatat politike të shqiptarëve të Maqedonisë të pajtoheshin për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale me një kandidat të vetëm, të shtrohej, e madje të fillonte të shtrohej qysh tani dhe të ndërtohej me kujdes e me durim puna, që kësaj pyetjeje t’i jepej një përgjigje racionale.
Një arsye e pastër mund të gjendet tek eksperiencat e vendeve të tjera, me përbërje shumetnike të ngjashme me Maqedoninë. Katalanët apo baskët në Spanjë përfaqësohen masivisht në zgjedhjet e përgjithshme politike me nga një parti. Po ashtu irlandezët në Britaninë e Madhe apo hungarezët në Rumani. Lista mund të shtohej edhe me shumë emra vendesh të tjera europiane, po në këtë shtjellim nuk është me rëndësi të parë rreshti i shembujve, por shpjegimi përse atje, komunitete, madje edhe pesë herë më të mëdha se komuniteti i shqiptarëve të Maqedonisë, e gjejnë të udhës për interesat e veta madhore që në shumicën e tyre dërrmuese të bashkohen rreth një force të vetme politike. A bie kjo sjellje e tyre ndesh me pluralizmin, i cili është në themel të demokracisë? Po t’i shohësh një nga një, këto forca politike nuk kanë zakonisht karakter ideologjik. Ato pretendojnë të ndahen në të majta, të qendrës apo të djathta. Duke mbajtur më së shpeshti qysh në emër termin “nacionale”, ato e shprehin kështu haptas natyrën e vet dhe po ashtu mirëfilli hartojnë programe gjithëpërfshirëse në përputhje me interesat specifike politike, ekonomike e kulturore të komuniteteve të veta etnike mandej, po në emër të këtyre interesave mbledhin votën e bashkëqytetarëve për të zënë një vend sa më të madh në institucionet mbarështetërore, në mënyrë që të imponojnë me instrumentet demokratike të shtetit ligjor realizimin e këtyre programeve.
Llogaritja, pra, në këto rrethana është fare e qartë nga ana e elitave politike komunitare si dhe e opinionit publik përkatës dhe nuk përbën preokupim për ta respektimi i skemave tradicionale të pluralizmit. Duke patur kështu një qëllim të qartë, përtej rrymave klasike të ideologjive politike, edhe gara brenda vetes i shërben më mirë përzgjedhjes së elitave përfaqësuese të bashkësisë etnike, pa u shndërruar në një luftë përçarëse siç janë destruktive luftërat e brendshme politike për pushtet individësh apo grupesh të caktuara.
Duke e zhvendosur analizën krahasuese në rastin e shqiptarëve të Maqedonisë, do thënë se ata përfaqësojnë tashmë një peshë të konsiderueshme në popullsinë e kësaj republike, gjë që parakupton zënien e një vendi të konsiderueshëm në gjithë piramidën e drejtimit të shtetit nga pika më e ulët e deri në pikën më të lartë. Ky është parimi që do t’i bënte shqiptarët pjesë konstituive e Republikës së Maqedonisë. Po ashtu, do thënë se ata përballen me një mori problemesh specifike të trashëguara me kohë apo edhe të krijuara më vonë, probleme në thelb të pangjashme me problemet me të cilat përballen pjesa tjetër e qytetarëve maqedonas, me përkatësi etnike sllave. Fakti që ekziston marrëveshja e Ohrit si një proces në vazhdim, dëshmon botërisht aktualitetin e këtyre problemeve dhe nevojën që ka mbarë shoqëria e këtij vendi, pavarësisht përkatësisë etnike të komuniteteve që e përbëjnë, për t’i zgjidhur ato me drejtësi dhe pa humbur kohë. Me një vështrim krejt të përciptë në fushatën e tre kandidatëve shqiptarë, bie lehtësisht në sy përqendrimi i tyre thuajse ekskluziv në këtë problematikë. Dhe kjo është e përligjur në një masë të madhe. E papërligjur mbetet pse ata shkojnë deri në ekstrem, duke e katandisur pothuaj tërë garën në një ballafaqim mes njëri-tjetrit, dhe madje vetë përmbajtja e këtij ballafaqimi u pa e mishëruar në një lumë akuzash reciproke përkitazi me aftësinë dhe sinqeritetin për vënien e kësaj marrëveshjeje në jetë, gjë që jo vetëm e mbylli me tepri debatin e tyre politik në qerthullin shqiptar, por edhe e provincializoi atë, ndërkohë që ata zyrtarisht ishin në garë për postin e kryetarit të shtetit.
Problematika e inkuadruar në Marrëveshjen e Ohrit sigurisht që do të ishte pjesë thelbësore e debatit të tyre elektoral. Dhe justifikuesit e gjendjes së sotme arsyetojnë se tre veta kanë më shumë zë se një i vetëm kur është fjala për të shqiptuar publikisht probleme të tilla. Në të vërtetë nuk është kështu. Duke qenë tre, ata e zhvendosin garën brenda njëri-tjetrit, me qëllimin e vogël pragmatist për të marrë sa më shumë vota ndër qytetarët shqiptarë, të bindur paraprakisht se nuk presin vota nga qytetarët maqedonas. Gjykuar sipas rezultatit, ata kanë zhvilluar fillim e mbarim një garë pa vlerë, pasi është një garë që nuk prodhon një fitimtar në kuptimin e vërtetë të fjalës. Njëri prej konkurruesve do të dalë i parë mbi dy të tjerët, siç edhe doli. E pastaj? Çfarë sjell me vete ky fitues për forcën e vet politike dhe aq më tepër për komunitetin? Asgjë. Një protagonizëm teatral, i cili politikisht nuk çon asgjëkund. Ndërkohë që përmbajtja e marrëveshjes së Ohrit pasqyron prapambetjen e dukshme që kanë ende shqiptarët për sa i përket integrimit të tyre në institucionet shtetërore, prapambetje kjo me pasoja të ndjeshme në zhvillimin ekonomik, infrastrukturor, arsimor e kulturor të krahinave të banuara nga shqiptarët. Ndërsa në rrafshin mbarështetëror, kjo prapambetje ka ndikim edhe afatshkurtër, edhe afatgjatë negativ në ndërtimin e kohezionit, për të cilin ka nevojë aq të madhe shoqëria e këtij vendi. Dhe dihet dhe pranohet se përgjegjës për këtë prapambetje nuk janë shqiptarët, po maqedonasit. Atëherë, ç’dobi ka që shqiptarët edhe në një rast të tillë shumë të veçantë, siç është fushata zgjedhore presidenciale, i drejtohen përsëri vetvetes? Asnjë dobi. Shqiptimin e problematikës së mprehtë që përjeton popullsia shqiptare ka nevojë ta dëgjojë me forcë në radhë të parë elita politike dhe opinioni publik i pjesës maqedonase, me qëllim që andej të rritet sensibiliteti dhe preokupimi për përmirësimin e gjendjes, në emër të interesit madhor të përbashkët për të gjithë qytetarët e kësaj republike, e që është forcimi i stabilitetit të vendit dhe konsolidimi i shtetit republikan maqedonas. Po ashtu duhet ta dëgjojnë edhe ndërkombëtarët që monitorojnë dhe asistojnë procesin e ndërtimit të demokracisë e të shtetit ligjor në Maqedoni. Dhe një mision madhor si ky ka mundësi ta përmbushë më mirë një zë i vetëm, i ngjitur në skenë në emër të gjithë bashkëqytetarëve të vet për t’ju drejtuar mbarë shoqërisë maqedonase dhe opinionit ndërkombëtar, se sa dy apo tre apo katër veta, që harxhojnë kohën dhe hapësirën publike për t’u sherrosur ndërmjet tyre.
Shoh edhe një arsye tjetër, po kaq thelbësore, që në fushatat e ardhshme presidenciale, shqiptarët e Maqedonisë të paraqiten me një kandidat të vetëm. Kjo popullsi, e dyta për nga numri në kompozimin etnik të vendit, është shprehur qartë e në mënyrë të përsëritur nëpërmjet përfaqësuesve të vet të lartë politikë, të zgjedhur demokratikisht, se është e vendosur për vazhdimësinë e Maqedonisë në kufijtë që ajo ka sot dhe po jep konkretisht, me vepra, prova të shumta për sinqeritetin e këtij angazhimi. I gjithë komuniteti demokratik ndërkombëtar, e veçanërisht vendet fqinje, e vlerësojnë lart këtë angazhim, pa të cilin, thënë troç, nuk do të mund të kishin Republikë të Maqedonisë. Më tej, mbetet që shqiptarët të bëhen vetë në radhë të parë të vetëdijshëm se u takon të luajnë një rol që e tejkalon shumë administrimin e problemeve të veta thjesht komunitare, qofshin ato ekonomike apo kulturore. Nuk mund të quhet i përmbushur roli i tyre për vazhdimësinë e shtetit maqedonas pse drejtojnë një grusht komunash e prefekturash në territoret e banuara me shumicë shqiptare si dhe me ndonjë përfaqësues në kabinetin qeveritar, të cilëve u besohen rregullisht ministritë më së paku politike. Shembullin e ngushtësisë së vështrimit për fatin e vendit e japin vetë deputetët shqiptarë në parlament, të cilët i shohim zakonisht të ngrenë zërin vetëm për hallet e komunitetit që i ka zgjedhur. Me kaq, pesha e fjalës së tyre në jetën politike e legjislative të vendit tkurret e zvogëlohet pa nevojë. Është e padrejtë dhe jo realiste që zgjedhjen e rrugës, nëpër të cilën do të ecë Republika, t’ua lënë ekskluzivisht kolegëve të tyre maqedonas.
Dalja nga kjo strofkë e vogël etnocentrike e elitës politike të shqiptarëve të Maqedonisë duhet të fillojë qysh gjatë fushatave zgjedhore mbarështetërore, kur dialogu me publikun është më i hapur e më i drejtpërdrejtë se kurrë dhe idetë kanë mundësi të gjykohen nga populli, të korrigjohen në shtabet politike dhe të marrin fuqinë e nevojshme për të ushqyer veprimin institucional. Ndër këto fushata, më e përqendruara në fatin e përbashkët më duket natyrshëm ajo për Presidentin e Republikës, ku shqiptarët, duke u marrë vesh për të paraqitur një kandidat të vetëm, shtojnë mundësitë që ky përfaqësues i tyre të shkojë edhe në raundin e dytë, që do të thotë përsëritje me një theks të ri e një forcë të re e shqiptimit përpara opinionit publik maqedonas e të huaj të problematikës shqiptare, por edhe e problematikës së krejt shtetit. Në këtë mënyrë, opinioni publik në Tetovë apo Strugë, nuk do të detyrohet ta shprehë me bojkot qëndrimin e vet ndaj procesit të zgjedhjes së kryetarit të shtetit. Bojkoti nuk provon asgjë më shumë se mosbesim. Ka ardhur koha që klasa politike e shqiptarëve të Maqedonisë të dëshmojë një pjekuri të re. Dhe shenja e parë e kësaj pjekurie do të ishte aftësia për të arritur marrëveshje parimore ndërmjet vetes.