| E merkure, 15.04.2009, 05:53 PM |
Skënder ZOGAJ
Andej e këndej Ibrit
Stinë e frikshme bimësh
Andej e këndej Ibrit
Nofulla e kalbur e shkaut
Burrëria shtatëqind dërhemshe
endet në Shkup e në Shkodër
me bukën e kuqe
nen sqetull...
Andej e këndej Ibrit
kafshon qeni...,
të thyera zemrat, pasqyrat
dhe Fryma e Shpirtit të Shenjtë.
Te Rrasat e Kosharës
kurrë më, kurrë -
nuk do të këndojë hutini!
As iriqër me rriqra
kurrë më nuk do të ketë
në Malishevë.
21 janar 2008
VDEKJA NE MOCAL
Ka ndodhur vakumi
gjërat e ndërmjetshme
lëvizin gjithë mllef
në drejtim të kuajve të tredhur
që s’janë vecse
për ngordhja në mocal…
Fyti tepër i ngusht,
terr i zi
nëpër nahi
nën bishtin e sorrës së larme
Mrizon dhimbja.
Sipri tupanit
larja e trupit me sapuna të zinj
Oiii, oiiii, oiiii
ku ti fshehi
këta të shkretë sy?!
Prishtinë, 10.11.2008
PËRGJUMJA E MUNGESËS SË AJRIT
Ta shtrydha zjarrit hyjnor
Hapësirë e rrudhur nga pikëllimi
mbi kokat e vrugta të trangujve
që presin emisarin
t’ua këpus ethet e frikës
brenda rrethit pa hënë e diell.
Pse gjithë ky mallkim, o zot
ku po shkoni
o njerëz të ndryshkur
me jela të shkreta kuajsh të cofun në qafë?
Në mungesën e Ajrit
duarkryq rrijmë e bëjmë sehir
c’prejse piku fiku
që e mori i liku dhe iku ...,
ah, përsëri të njejat shenja të tradhëtisë.
Të vyshkura duart e nënave
në përqafim djepash plot lulediej
i këndojnë bukurisë së qepur qefin
në drejtim të pamjes së fundit
me dashurinë që ua vrasin pas shpine
Ikni gjarpinj, shkarpinj, minj... ikni
rrudhja e Hapësirës
pikon pikëllim
e madhe pjerrtësia ndërmjet njerëzve
koha matet me krehjen e flokëve
që bien në nofulla qensh
krejt të thinjura.
NË LILIHAMER KUJTOVA KOSOVËN
Në Lilihamerin e bukur të Norvegjisë
Mund të prekësh lulet -
Kur të duash e si të duash,
Para dhe pasi t’i kesh larë sytë
Në ujët e kristaltë të liqenit.
Ujku mund të jetë aty diku, afër -
Prapa pishës apo prapa plepit të bardhë
Nuk paraqet rrezik,
Në gjoksin pranveror të Lilihamerit
Bari dhe lulet janë tepër të buta
Ia zbusin zemrën egërshanit.
Lilihameri është ana e rrafshtë
E copës së xhamit të gravuar
Me qiellin e mrrolun përmbi
Që qesh e qan dhe pshurret imtë
Mbi lule, krih fluturash e mushkonjash
Deri te buburreci i fshehur
Nën lëkurën e lisit plak...
Sipas sistemit të zgjedhjes
Që nga koha e Vikingëve
Më Lilihamer sikurse në Kosovë
Më e preferuara është molla
Dhe hëna e varur në brirët e cjapit
Bashk me zogjtë e malit...
Mrekulli e pafund, për të gjitha palët
Në Luftën e Gjelave...
6.12.2006 Lilihamer, Norvegji
ZYM TË HASIT TË THATË
Në cdo ardhje të parabrymës
kur ikin dallëndyshet
në zym të Hasit të Thatë
nën çatinë e një shtëpie të krrusun
Hëna ia djeg brirët Cjapit
Të balsamosura me erën e tokës
tunden këmborët
në emblemën e jetës së kufizuar
Me pjalm lulesh të egra
hasjanët e ushqejnë figurën e cjapit
nga thonjtë e rrenës së lashtë
Zym, 14 tetor 2004
EKLIPSI
Në shpatull të dashit
Përsëri hëna e përgjakur
dhe gjeli me drapër në qafë
emblemë zvaranikësh...
Në boshllëkun e relikeve
Nofulla profane
shqyen mish dallëndyshesh.
Të kalbur akrepat e orës
Ua shpojnë zemrën relikeve
Të mjerët ne
Na mori zezëdita
Na vraftë Zoti !
U bëm gazi i kërminjve.
Varianti pare
VAJTIMI I BULKTHIT
I mjeri u’ për ty,
një pëllëmbë njeri
pesë seri...
O miku im, i ngratë
fushk
në dushk
...as qen, as ujk,
as peshk,
as mish për suxhuk!
I mjeri u’ për ty,
krejt lezetet i bëre lesh e li
oi, oii, oiii
mjerë vatani
e mjerë mileti për ty
... fik,
e fik
e fik...
na u shua çdo pikë dritë.